13 Dhjetor, 2024

Revolta e Florian Binajt: Ky vend nuk bëhet prej shqiptarëve, që flenë gjumë dhe nuk reagojnë ndaj së keqes

 Revolta e Florian Binajt: Ky vend nuk bëhet prej shqiptarëve, që flenë gjumë dhe nuk reagojnë ndaj së keqes

Nga Florian Binaj*

Në këtë emision kemi sjellë një mori denoncimesh, hetimesh, raportimesh, jetëshkrimesh, dorëshkrimesh, dorëzimesh, gëzimesh, lumturimesh, hidhërimesh, përjetimesh, mashtrimesh, bashkimesh, tjetërsimesh, keqpërdorimesh e sa e sa imesh…

Fenomene që e deformojnë shoqërinë, marrëveshje në të mirë të disa njerëzve por që shkatërrojnë Shqipërinë.

Për çfarë kemi raportuar jemi përpjekur të gjejmë edhe përgjegjësit. Kemi treguar me fakte, me figurë e zë se kush janë abuzuesit.

Por, për të gjithë këto gjëra që nuk shkojnë mirë, ka dhe një përgjegjës për të cilin nuk flasim shumë:

Shqiptari që fle gjumë. Ai që sytë i ka hapur por që nuk do të shohë. Ai që lajmet që dalin nga investigimet tona i dëgjon, por nuk do që ti kuptojë; ai që del në protestë për reality shoë, por nuk shqetësohet që për të gjitha taksat që i merren, nuk merr asnjë shërbim; ai që bëhet luftarak vetëm për termat Prind 1 e Prind 2, por është i shurdhër kur ne i tregojmë që thith ajër kancerogjen dhe që fëmijët e tij mund të rriten dhe pa prindër. Madje nuk kanë as guximin që të ndihen keq për atë që i bën keq se kanë frikë se mos ndihen më keq…

Ne nuk po bëjmë thjesht një emision, ne po përpiqemi të hedhim dritë aty ku nuk ka guxim askush. Ne kemi faktuar ujin e pisët që na shitet si ujë i pijshëm dhe na faturohet si shampanjë, kemi sjellë dëshmi për inceneratorët ose në shqip, hirëzuesit, kemi zbuluar trafikun e votuesve me ndryshim adresash, kemi zbardhur dhunimin e votuesve nga kryetarët e bashkive, kemi faktuar abuzimet me tenderat….e sa e sa të tjera.

Ne, PIRANJAT, duke e lënë modestinë jashtë dere, e themi me plot gojë e bindje që edhe këtë sezon kemi bërë punë të shkëlqyer.

Por, sfida jonë më e madhe nuk është me shurdhërinë e institucioneve e deri SKAP-it, më falni SPAK-ut, para denoncimeve tona, por mpirja e ndërgjegjes qytetare.

Qëllimi ynë nuk është thjesht denoncimi i së keqes, por zgjimi i shqiptarëve që flenë gjumë dhe që këto të këqija po e vrasin në gjumë…

Na kanë kërcënuar, na kanë paditur për të na trembur e për të na mbyllur. Janë përpjekur të na blejnë, bllokojnë, fshijnë, censurojnë..

Por ja ku jemi. Në opozitë me pushtetin, sepse ky është roli i çdo mediaje serioze.

Sezonin tjetër do të rikthehemi dhe më të fortë, dhe me më shumë guxim, sepse, Shqipëria ka shumë nevojë për atë që ne bëjmë: të bëjmë dritë, derisa të gjithë të zgjohen.

Shqipëria ku nuk do ketë më nevojë për Piranja, do të jetë Shqipëria prej nga askush nuk ikën e ku gjithkush do ketë dëshirë të jetojë dhe ku vlerat e vërteta të jenë prirëse të jetëve tona e demokracia dhe meritokracia të zënë rrënjë…Derisa ta bëjmë këtë Shqipëri.

*Monolog i aktorit, në emisionin “Piranja” të drejtuar nga ai 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *