Postimi emocionues i Mevlan Shanajt, në ditëlindjen e tij: U zgjova që në 5 të mëngjesit dhe kujtova fjalët e nënës
Regjisori dhe aktori i madh Mevlan Shanaj feston sot 78-vjetorin e lindjes.
Ai ka postuar një foto me të shoqen me këtë rast, ndërsa kujton fjalët e nënës, duke u shprehur se këto porosi nuk i ka shkelur kurrë gjatë gjithë jetës së tij.
“Më vijnë në ment herë pas here fjalët e nënës:
“Mos ja kërko tjetrit atë që nuk e do për vete”;
“Bëje të mirën, hidhe në det”;
“Çdo njeri e ka një nënë, ajo e di ç’është dhimbja”.
Në mënyrë instiktive gjatë gjithë jetës, këto porosi nuk i kam shkelur!
Do isha i lumtur, të lija një vragë në mendjen e pasardhësve të mi!
I bindur se do jetë pasuria më e çmuar që do t’u le dhe kur ata të jenë në moshën time, të kujtojnë se çfarë dëshire kisha të trashëgonin!
E shkrova sot nga Mali i Tomorrit në orën 5.00 të mëngjesit (-15), për të kujtuar orën 5.00 të 1945 që qava kur erdha në këtë botë”, shkruan regjisori dhe aktori i madh, në një postim emocionues.