6 Dhjetor, 2024

Faleminderit që linde Mevlan Shanaj, pa ty arti shqiptar do ishte shumë i varfër

 Faleminderit që linde Mevlan Shanaj, pa ty arti shqiptar do ishte shumë i varfër

Nga Albert Vataj

Mevlan Shanaj një shënjim i spikatur vlerash përfaqësimi dhe mbrojtjeje të kinematografinë shqiptare.

Ai nuk ishte dhe nuk është më i miri nga të gjithë ata që shkruan faqet e historisë së filmit shqiptar, por vlera e tij qëndron tek roli unik që zuri në këtë panteon, tek aspiratat që përfaqëson dhe dallueshëm nga ata, vlerësues mbetet se sot ka zgjedhur t’i përfaqësojë dhe mbrojë, ata dhe veprën e tyre, dëlirur nga mëkatet e kohës së qoftëlargut.

Do të ishte e pamundur të dalloje me qëmtesë kulmimi, Mevlan Shanajn; se ku shkëlqen aktori dhe përformoi sfidues regjisori; në dokumentaret që realizoi, ku udhëpriu shpirti krijues dhe lartësoi memorien trajtimi shterues i prezantimit dhe promovimit të identiteteve dhe kapaciteteve të vlerta; se ku shkëlqen prindi i përkushtuar dhe motivon bashkëshorti model; se ku del në pah ngulmëtari i paepur i ndeshjeve të dinjitetshme dhe ku dorëzohet përjetimeve e njerëzishmja e tij; se ku tashmëria e ububusë së medive sociale, rrëmben interesimin e tij dhe si ai vijon të tregohet i devotshëm për të risjellë në kujtesë miq dhe kolegë, dhe të përfshihet në debatet e aktualitetit dhe të elaburojë mendimin artistik, estetik dhe filozofik. Ai është kudo, Mevlan Shanaj; aktor, regjisor, akademik, tekstshkrues, polemist, veprimtar, etj., i urtë dhe i apasionuar.

Ai i përket të sotmes, njëjt si shumë vite të shkuara, jo vetëm duke sfiduar moshën, por edhe duke mos i bishtnuar betejave. Është i pozicionuar në tashmëri, me të njëjtin zell dhe përkushtim, si në një sheshxhirim, atytekatje ku ai ishte vetja, me vitalitetin e një rioshi dhe devotshmërinë e një rishtari, me guximin për të besuar shumë më shumë se i mundësonte atyshmëria e qasjeve të tij, mbushur përplot shpirt të gatshëm për t’u flijuar në themelet e asaj lartësie, ku ai do të ngjitej, për të arritur në maj.

Gjithëpoaq, më duhet t’i bindem një dakordësimi urdhërues të gjykimit më të pamëshirshëm, kohës, dhe të pohoj, se ai është një shënjim i spikatur vlerash përfaqësimi në kinematografinë shqiptare, vlerë e cila aktualizohet në sotshmërinë e rolit që ka zgjedhur, atë të integritetit personal dhe profesional.

Mevlan Shanaj i përket plejadës së artistëve, atyre që me thonj e me dhëmbë, me mish e me shpirt, me pasion dhe përkushtim, arritën të përfaqësonin me dinjitet dhe devocion dishepujsh, traditën tonë kinematografike.

Edhe pse filmi shqip gjendet sot në një gjykatore linçimi, për ideologjinë dhe doktrinën që kumtoi, i detyruar nga një regjim despotik uzurpimesh dhe dhunimi, Mevlan Shanaj dhe njiherash me të, qindra aktorë e kineastë, janë shprehje e atij përkushtimi ngadhënjimtar, ati zelli të pashoq dhe sakrificash të denja për blatime.

Sa mund dhe djersë, vuajtje dhe sakrifica, sa shpirt dhanë ata, që i vetmi shpërblim që i motivoi, ishte ai i publikut, ai i vendit që ata zunë te çdonjëri prej nesh.

Shumë nga ne i përkasin asaj gjenerate, të cilët patën idhull, Mevlan Shanajn dhe të tjerë, dhe aktori i filmit shqip ishte një zotërim i kujtesës dhe adhurimit, kjo jo vetëm se s’patëm tjetër argëtim, por sepse ata ishin virtuozë, ata dhanë shpirtin e tyre në altarin e vlerave, atyre arritjeve që po tenton t’i nënshtrojë kohshmëria e atyre që u dhunuan nga çensorët dhe lyp shpagim, duke shpallur anatemë dhe “gjueti shtrigash”, gjithë kësaj madhështie që u ngrit nga sakrific shpirtrash dhe pasionesh, kurresi jo nga ideologjia.

Pavarësisht rrjedhave të ndryshimeve dhe kapërcyellit të ndërkohjeve, emra dhe vlera si Mevlan Shanaj, bashkëjetuan gjatë në andjen tonë, edhe pse politizimi po guxon ta përbalti në mënyrë tërësore filmin shqip të kohës së diktaturës, ndoshta edhe duke e përdorur si kalë beteje, më shumë se si një çlirim i të sotmes nga kjo “molepsje” prej të shkuarës. Pavarësisht gjynaheve të regjimit dhe fajeve të ideologjisë, filmi në fasadat e pallateve, në kinematë e qendrave të atëhershme të kulturës dhe kinematë e qyteteve, erdhi për të përcjellë shpirtin e atij virtuoziteti interpretues, që mbruheshin në sheshxhirime dhe shpesh në situata ekstreme, prej atyre që nuk ditën kurrë të ankoheshin, pjesë e të cilëve Mevlan Shanaj ishte.

Aktorin dhe regjisorin Mevlan Shanaj nuk e njoh personalisht, por falë mundësisë që bujarisht na shpërblen Facebook, kam komunikuar, duke bashkëndarë ide dhe mendime. E kam vlerësuar për thjeshtësinë dhe predispozicionin për të qenë i përfshirë në shtjellime dhe mëtime të natyrës artistike të gjërave dhe shkaseve.

Gjithsesi, sot në ditëlindjen e tij, jam obligues të vlerësoj përpjekjet e vazhdueshme të tij, si në një seri punësh dokumentare, jo pak por 20, cilësisht të pakonkurrueshme derimsot, për figurat emblematike të filmit shqip, dhe jo vetëm, por edhe për luftën prej gladiatori për mbrojtjen e këtij testamenti krijues.

Por Mevlan Shanaj, ishte ai që u farkëtua si një metal rezistent në një kohë të vështirë, për t’i bërë qëndresë tashmërive dhe ndryshimeve, në një përpjekje, për të qenë po ai, i përkori dhe i përulur, njeriu i punës dhe veprës së vlertë. Për të kuptuar më thellë dhe lexuar më qartë këtë personalitet, ne duhet të rrëmojmë në kohjen kah ai erdh… “Kur isha, gati 3 vjeç, më ka vdekur babai dhe në më pak se dy vjet, na iku edhe vëllai i madh, 25 vjeçar. Të rritesh pas një nëne, e cila mbartte dhimbjen e madhe të humbjes së dy burrave të jetës së saj, nuk është edhe aq e lehtë. Ishte një grua e veshur me të zeza, me të cilën nuk i lëshonim duart deri në dorëzimin në pushtetin e gjumit. Ëndrrat tronditëse të kësaj periudhe për mua, ishin bërë shqetësim i madh për të, ndaj më mbante gjithë kohën të pushtuar. Kisha edhe dy vëllezër me diferencë moshe.

Lëvizjet në qytetin e naftës në Patos, në një qytezë krejtësisht të unifikuar ekonomikisht dhe kulturalisht, krijuan një ndërlidhje sociale të ngjashme me një familje të madhe. Jetohej në të njëjtat kushte, bashkë, me të ardhur nga zonat, sa të ngjashme, edhe të kundërta. Të ardhurit ishin nga Mallakastra, Labëria, Kurveleshi, Tepelena, Përmeti, Skrapari, nga Bregu, por edhe nga Çamëria si dhe një komunitet jo i vogël me çobanë dhe myzeqarë.” rrëfehet ai gazetares Elida Domi në një intervistë per “Time”.

Kjo panoramë rreket të krijojë në një farë mënyre jo vetëm zëfilljen kah erdhi ky personalitet, për të zënë këtë vend në filmin shqip dhe jo vetëm, por edhe sprovën që mishëron krijimin e këtij karakteri, këtij identiteti artistik. Pak a shumë, jeta e tij ngjet me atë të shumë e shumë tjerëve, por veçanti që dallon Mevlan Shanajn është se ai mbeti i pacënuar në madhështinë e vendit që meritoi në artin tonë skenik.

Fillimet si aktor, Mevlan Shanaj i ka me Sandër Prosin, Kadri Roshin, Vangjush Furxhiun, Yllka Mujon, Rikard Ljarjen, Bujar Lakon, Timo Fllokon, Robert Ndrenikën, Niko Kanxherin, Birce Haskon dhe më pas, bashkëpunime, pothuaj me të gjithë aktorët, si: Kastriot Çaushin, Arben Imamin, Elvira Diamantin, Pavlina Manin, Liza Laskën, Rikard Ljarja, Esat Teliti , Jorgaq Tushe etj. Si regjisor, Shanaj është i begatur prej të gjithë atyre që patën ëndërr artin e skenës dhe ekranit shqiptar.

Gjatë rrugëtimit të tij krijues dhe bashkëpunues, te ai kanë lënë gjurmë të pashlyer, personalitetet dhe vlerat tona të njëmendta, kollosët e kinematografisë shqiptare, Viktor Gjika, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti, Hysen Hakani, Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, Piro Milkani, Kujtim Çashku, Ekrem Kryeziu, Albert Minga, Gjergj Xhuvani si edhe regjisorët e skenës si Piro Mani, Dhimitër Orgocka, Pëllumb Kulla, Gjergj Vlashi, etj. Në këtë evidencë të bollshme emrash dhe integritetesh, ai nënvizon bashkëpunimin me shkrimtarët Bashkim Hoxha, Nasi Lera, Kiço Blushi dhe kompozitorët: Kujtim Laro, Limos Dizdari, Aleksandër Lalo, Hajg Zagarian.

“Kontributi im në ekran, duke dhënë, zemrën me aktrimin dhe trurin me regjinë, më ka bërë të ndihem si fajtor pa faj, ose t’i biesh gjoksit, ose të ulësh kokën. Unë kam zgjedhur të ec drejt, pa i luajtur syrin vetes, dhe pa rrëshqitur majtas apo djathtas.” nënvizon ai, duke lënë të kuptohet se ka ditur t’ia dalë në këtë sfidë për të mbrojtur zëshëm çfarë është e mbrujtur shpirtërisht tek ai, për të qenë dalzotës i dinjitetshëm i një therori shpirtrash dhe pasionesh, të cilët dhanë gjithçka patën për të dëshmuar se arti është i ngritur mbi një kresht të lartë flijimesh mundi dhe sakrificash njerëzish të përkushtuar.

Mevlan Shanajt dhe të gjithë atyre që rrugëtuan me të, veçanërisht atyre që prehen në amshim, ne i detyrohemi, dhe ky obligim është për vendin që atyre në i rezervuam në kujtesë dhe nostalgji. Ditëlindjet dhe ditëvdekjet janë respekti dhe mirënjohja që ata meritojnë, pavarësisht kohës së cilës i përkisnin, po kaq sa edhe ne, sepse ata qenë dhe janë ende dëshmi se si filmi shqip u lind dhe u rrit, për të qenë një vlerë në traditën e artit tonë skenik, pavarësisht resë së zezë së anatemës që bie mbi të, për shkak të ideologjisë që ju kushtëzua dhunshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *