3 Dhjetor, 2024

Martesa e Enverit me Nexhmijen, zbulohet biografia e rrallë: Jeta e tyre ishte një romantizëm revolucionar i fshehur në pyll

 Martesa e Enverit me Nexhmijen, zbulohet biografia e rrallë: Jeta e tyre ishte një romantizëm revolucionar i fshehur në pyll

Pas dështimit të studimeve në Francë dhe Belgjikë dhe heqjes nga puna si kancelar në legatën shqiptare në Bruksel, Enver Hoxha kthehet në Shqipëri.

I riu Hoxha nis “karrierën” e re në vend: atë të oratorit nëpër varrime, kryesisht të patriotëve. Paralelisht punonte edhe si kamerier. Kështu shkruhet në librin e rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber, nga i cili kemi përkthyer pjesët më interesante nga jeta rinore e atij që do të bëhej diktatori i ardhshëm i Shqipërisë.

(Vijon nga numrat e kaluar”

Autori radhit edhe një sërë çudish lidhur me Hoxhën, siç është marrja në mënyrë të papritur e një diplome për Tregti si dhe shndërrimi i tij në një biznesmen. “Në fakt, shoku Enver që nuk i kishte harruar kafenetë e Parisit dhe Brukselit bëhet pronari i kafene “Florës”, në qendër të Tiranës. E vetmja fotografi e marrë në këtë vend dhe që përdorej nga historianët është e retushuar. Aty është fshirë cigarja që Enveri mbante në buzë me një buzëqeshje narcistike”, shkruan Schreiber, duke vijuar më pas me infiltrimin e Hoxhës në grupet komuniste, ku edhe u dashurua me femrën që do të bëhej gruaja e tij e ardhshme, Nexhmije Xhunglini. Për të zbuluar më shumë rreth kësaj lidhjeje, duhet të lexoni deri në fund…

****

Më në fund Enver Hoxha gjen një punë, por është i keqpaguar, pasi vazhdon të paguhet me orë, në pritje të një emërimi që nuk bëhet për shkak të mungesës së diplomës. Enveri shprehet i lumtur që u kthye në Korçë. Gjatë orëve të mësimit ai diskuton shumë me nxënësit dhe u jep shumë rëndësi debateve, duke evituar çështjet politike. Sipas vajzës së ish-mësuesit të tij, André Brégeault: Enveri, adoleshenti i turpshëm, tashmë është bërë krenar dhe i painteresuar për çështjet politike dhe të ndryshme nga mjedisi që e rrethon. Shtëpia e prindërve të zonjës Brégeault është e hapur për të, edhe pse bisedat fillojnë të bëhen pak agresive. “Ju do të përfundoni në minierat e Siberisë. Ja çfarë fituat me bolshevikët”, i thoshte Brégeault. Hoxha iu përgjigj aty për  aty: “Proletariati do triumfojë. Borgjezët do shtypen. Populli do marrë pushtetin”. Shpesh profesori dhe ish-nxënësi arrinin të shkëmbenin dhe fjalë fyese. Në rastin e Enverit, këto zënka nuk e pengonin që të përdorte gardërobën e profesorit.

Ai përdor rrobat e tij dhe, nëpër restorante, lë faturat në emrin e profesor Brégeault. Do të duhej që profesori me gjithë familjen të ikte me pushime në Francë që Enveri ta kthente shtëpinë në një vend klandestin të takimeve politike, edhe pse kishte premtuar se nuk do të vinte më këmbë. I bukur dhe elegant, 29 vjeçari Hoxha, i cili kishte jetuar disa vite jashtë dhe fliste një frëngjishte të përkryer, vazhdonte jetën e dyfishtë: jeta legale në Liceun e Korçës dhe jeta ilegale si revolucionar. Më pas, në pastiçerinë e Koçi Bakos, ai futet në grupin komunist “Puna” dhe aty takohet me Miha Lakon dhe Pilo Peristerin. Hoxha caktohet që të flasë për idetë e tij me profesorët dhe nxënësit e Liceut. Dhe ja më në fund, bisedat e gjata me mikun francez, Marselin, i sollën frytet.

(Marseli ishte miku më i mirë i fëmijërisë së Luizës, militant i degës së Partisë Komuniste franceze. Pasi e bëri vetë mik, Hoxha shkëputi marrëdhëniet intime dhe shoqërinë me Luizën). E ndërsa intelektualët e Europës Lindore përgatiten të jenë nën tutelën e sovjetikëve për marrjen e pushtetit në Europën Qendrore dhe ballkanike, Hoxha zgjodhi politikën “frontiste”. Gjatë mbledhjeve, ai ishte për krijimin e një bashkimi të gjerë. Komunizmi i Hoxhës nuk është ai i linjës së ashpër. Hoxha e konsideron revolucionin si lëvizje sociale, do që ta ngrejë edhe në anë nacionale, që ta bëjë vendin e tij një shtet modern. Përpjekjet e Hoxhës i sjellin frytet në vitin 1938 gjatë zgjedhjeve vendore në Korçë, ku miqtë e tij dolën fitimtarë. Por Hoxha ngelet ende një njeri në hije, ose më saktë ai nuk i deklaron hapur idetë e tija. Duke nisur nga ky moment, duhet thënë se ish-studenti bohem i Parisit, kancelari i Brukselit, bën zgjedhjen e tij.

***

Të flasësh për lidhjen e tij me marksizmin është gabim. Pasi kishte dështuar me projektet e tij për shkollim, ai e përdori komunizmin për të ardhur në pushtet. Mund të konstatonim se ky njeri i ardhur nga një familje e mirë nuk ka asnjë lidhje me proletariatin. Që në Lice ai shihej si një yll, e më pas bën të njëjtën gjë duke përdorur dijet e tij në letërsinë dhe historinë frënge, duke qenë si sfond i mitologjisë revolucionare. Viti 1938 do të mbetet si viti tranzitor në biografinë e tij, kur ai bënte plane për marrjen e pushtetit si gjë të mundshme, kur shumë ngjarje nisën të rridhnin si në Shqipëri, ashtu dhe në mbarë Europën. Enveri vazhdonte të jepte mësim në Lice, duke vazhduar afrimin me grupet komuniste. Me ndihmën e britanikëve, Abaz Kupi krijoi në Beograd “Frontin e bashkuar të shqiptarëve anti-italianë”. Në fillim anti-zogist, ai do të lidhet me monarkun e larguar në Londër, për t’u bërë më pas armik i betuar i Hoxhës.

Në atë moment, Jugosllavia kishte nisur të interesohej për fqinjët e saj. Në atë kohë, Titoja që jetonte në mënyrë klandestine, dërgon në Shqipëri dy nga të besuarit e tij për të organizuar lëvizjen komuniste. Më në fund, emisarët hyjnë në kontakt me Hoxhën, pas shumë peripecive. Më 28 Nëntor 1939, shënon dhe nisjen e karrierës së tij politike. Atë ditë, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, zhvillohej në Korçë një manifestim anti-fashist. Hoxha, i njohur nga mësuesit dhe nxënësit, është në krye të këtij manifestimi. Autoritetet nuk do të vonojnë të marrin vendimin për largimin e tij nga puna. Sërish i papunë, Enveri u bë një “ushtar i partisë”. Ndërkohë që nuk ka një, por tri grupe komuniste, ku ai i Korçës konsiderohej si më i rëndësishmi. Në fillim të viteve 1940, vendoset që Enveri të dërgohej në kryeqytet. Aty duhet të gjente një mbulim legal, që më pas t’i jepej mundësia e krijimit të një partie të vërtetë komuniste.

***

Shumë veta do të habiteshin me Hoxhën për zgjedhjen e profesionit. Ai merr një diplomë për Tregti (më në fund një diplomë…). Në fakt, shoku Enver që nuk i kishte harruar kafenetë e Parisit dhe Brukselit bëhet pronari i kafene “Florës”, në qendër të Tiranës. E vetmja fotografi e marrë në këtë vend dhe që përdorej nga historianët është e retushuar. Aty është fshirë cigarja që Enveri mbante në buzë me një buzëqeshje narcistike. Përveç cilësive të padiskutueshme të këtij njeriu, mund të shtojmë edhe atë të një personi që kishte sensin e realitetit. Ai ishte i përgjegjshëm se grupet komuniste duhet të bashkoheshin. Mund të themi se ai kishte dëshirë që të merrte përgjegjësi. Ai e kuptoi se ishte momenti më i mirë për të reaguar dhe për të luajtur oportunistin. Falë përpjekjeve të tij, pas shumë javësh, grupi i Korçës dhe i Shkodrës nisën të bashkëpunonin.

Pas shumë konsultimesh të grupimeve të ndryshme në 8 nëntor 1941 u mblodhën në një shtëpi në rrethinat e Tiranës. Takimi do të zgjasë një javë dhe aty marrin pjesë dhe dy delegatë të Partisë Komuniste jugosllave, Miladin Popoviç dhe Dushan Mogusha, i cili është me origjinë nga Kosova. Këta do të luanin një rol të rëndësishëm në bashkimin e gupeve komuniste. Vendimet e para të kësaj konference ishin propozuar nga Jugosllavia. Pas përfundimit të debateve dhe pas njohjes formale nga KOMINTERN-i u zgjodh dhe drejtimi provizor i partisë së re, e cila përbëhej nga Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Kristo Themelko, Tuk Jakova, Liri Gega, Bedri Spahiu, Kadri Hoxha. Në mes të drejtuesve janë përfaqësuesit e Korçës dhe të Shkodrës, ndërsa të rinjtë e Tiranës nuk u përfshinë. Ndryshe nga ç’pohon historiografia komuniste, Hoxha nuk u zgjodh në krye të Komitetit Qendror. Por si sekretar i Tiranës dhe shef i partisë të kryeqytetit, atij iu besua detyra e koordinatorit për organizimin e Partisë Komuniste.

***

Më pas u vendos dhe krijimi i një organizate rinie dhe mes drejtuesve të saj ndodhej dhe Nexhmie Xhunglini, e cila do të bëhej gruaja e ardhshme e Hoxhës. Në prill të vitit 1942, Hoxha dhe disa drejtues vendosin të nisin një spastrim kundër elementëve fraksionistë. Disa anëtarë të Komitetit të parë Qendror, Mehmet Shehu në veçanti, të alarmuar nga ngjarjet, duan që këto spastrime të nisin sa më shpejt. Në këtë mënyrë, Hoxha e konsolidoi pozitën e tij në gjirin e partisë dhe dëshiron të mbledhë të gjitha forcat në vend dhe, më 16 shtator 1942, në Pezë, krijon komitetin për çlirimin kombëtar. Përveç komunistëve, në këtë takim është edhe Abaz Kupi e disa drejtues të Veriut.

Por konferenca u quajt e dështuar, pasi në të nuk morën pjesë shumë grupe antifashiste, me frikën se mos përfshiheshin me komunistët. Ndërkohë, forcat ushtarake shqiptare merrnin ndihma nga britanikët dhe amerikanët drejtoheshin nga Mehmet Shehu. Ndërsa komisari politik ishte Enver Hoxha, i cili shihej shpesh në shoqërinë e një gruaje të re e të bukur me të cilën është i lidhur. Zyrtarisht Nexhmija përfaqëson Organizatën e rinisë komuniste, por ndodh që Enveri i kërkon mendim për vendimet që duhet të marrë lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të partisë. Jeta e tyre është një romantizëm revolucionar i fshehur në pyll, ata ndryshojnë thuajse çdo javë vendndodhje. Mbajtja e një lidhjeje dashurie mes luftëtarëve dhe celulat klandestine paraqesin shumë vështirësi.

***

Ndërkohë, interesi i Jugosllavisë për çështjen shqiptare është i dukshëm. Mungesa e bashkëpunimit të forcave rezistente ishte në favor të tyre: nëse grupet komuniste dominojnë në jug, mbështetësit e Mbretërisë janë në qendër të vendit, ndërsa republikanët në veri. Ndërsa njerëzit e Titos donin të pengonin bashkimin me Kosovën, në pjesën më të madhe e populluar nga shqiptarë, të ndahet nga Jugosllavia. E ndërsa lufta ishte drejt fundit, për Hoxhën kishte ardhur momenti i përshtatshëm për marrjen e pushtetit. Ai krijon strukturat e reja të partisë sipas modelit marksist-leninist. Kështu, më 8 gusht 1944, mblidhet Kongresi i rinisë.

Raporti u paraqit nga Nexhmije Hoxha, e cila prej disa ditësh ishte bërë gruaja e Enverit. Ceremonia e martesës ishte bërë në praninë e një numri të kufizuar njerëzish, mes të cilëve ishin Nako Spiru, Alqi Kondi, Tasi Mitrushi dhe Ramiz Alia, i cili në atë kohë ishte 19 vjeç. “Këtë njeri me trup të imët, por me fjalë që i kanë peshë, ne e njohim prej kohësh. Shokët Nako dhe Nexhmije më kishin folur me shumë respekt për të. Ai ishte njeri i pjekur dhe kishte një vizion të qartë të gjërave.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *