Mariana Kondi nderohet me titullin e lartë
Mariana Kondi është dekoruar këtë martë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin, “Mjeshtër i Madh”, duke shënuar në këtë mënyrë një moment shumë të rëndësishëm në karrierën e artistes.
Ceremonia e dekorimit është zhvilluar në Presidencë, ku të pranishëm kanë qenë miqtë, të afërmit dhe kolegët e shumtë që aktorja ka, të cilët gjithmonë kanë vlerësuar artisten për atë që ajo përfaqëson.
Ky titull vjen pas 40 vjetësh karrierë dhe sikurse edhe Marina theksoi gjatë fjalës së saj ndihet padyshim e vlerësuar dhe e surprizuar se si ky vlerësim ka ardhur në karrierën e saj në momentin e duhur.
“Ky vlerësim shkon për të gjithë ata që më kanë duartrokitur që ditën e parë që vura zemrën në skenë dhe deri tek i fundit që po më duartroket në këto momente në ndonjë kanal televiziv”, u shpreh Mariana ndër të tjera, duke ia dedikuar këtë titull atyre që e kanë dashur pafund artisten në skenë.
Reagimi i Mariana Kondit
Faleminderit publik i dashur që më keni mbajtur për 40 vjet mbi skenë dhe më keni dhuruar duartrokitje në çdo cep të këtij vendi të bekuar.
Ky vlerësim shkon për të gjithë ata që më kanë duartrokitur që ditën e parë që vura zemrën në skenë dhe deri tek i fundit që po më duartroket në këto momente në ndonjë kanal televiziv.
Më në fund institucioni më i lartë i këtij vendi më dorëzon këtë vlerësim në momentin dhe kohën e duhur. Pas 40 vjetëve karrierë. Vlerësim për të cilin ndihem e surprizuar nga ky institucion. Dhe sigurisht institucionet i bëjnë individët ndaj dhe falënderimi im nuk mund të shpëtojë pa drejtuesin e tij presidentin Ilir Meta që ka ditur t’i rikthejë lavdinë këtyre titujve.
Karriera ime ka patur hopet e veta, por unë theksin ja vë atyre momenteve të vështira. Sepse ato momente kanë qenë arsyet e ringjitjeve drejt suksesit.
Ndoshta ky vlerësim dhe ky titull ka dhe pjesën e dhimbshme të tij. Është idhtësia e partnerëve të mi që sot janë në dritën e vërtetë. Atyre partnerëve që më dhanë batutën, më dhanë suksesin më dhanë energjinë Skënder Sallaku Vasillaq Vangjeli. Sheri Mita. Met Bega. Ndaj I falenderoj për çdo tullë që kanë vënë në murin e karrierës time.
Ky është një titull që sapo të shkoj në shtëpi do ta ndaj me burrin tim të shtrenjtë për të gjitha ditët qe nuk kam qenë shtëpi për shkak të punës. Tashmë jemi tre.
Ju dua