Bisedë në qiell me Dhimitër Orgockën
Nga Xhensil Shkëmbi
Profesor, i mërzitur?
-Turp të kesh. Edhe më pyet pale.
Po me mua çke?
-Çfarë të kërkova para se të mbyllja sytë?
Bëra çmos profesor. 7 lajme. Dhjetëra shkrime. Ti e di, ne veç fjalën na kanë lënë.
-Pra, nuk të vjen turp? Po nuk të dhemb kur e sheh pallatin ende ashtu, gërmadhë mo?
Më vjen profesor. Kryetari i bashkisë thotë se nuk ka fonde të mjaftueshme. Nuk gënjen besoj. Ministren e pyeta. Le ta bëjë bashkia tha. Edhe kryeministrin kur erdhi në Korçë. Kur dëgjoi emrin tënd, iku. Nuk u përgjigj.
-Ah, kryeministri. Ai që më premtoi se do e ndërtonte.
Po ti çke profesor? Këtu jeta besoj shumë herë më bukur?
-Xhensil, e mban mend kur pinim gotën e rakisë në mëngjes tek Shën Gjergji? E mban mend çfarë të thoja?
E mbaj mend, si jo. “Në qiej nuk ka teatër thoje. Veç regjisor që kënaqet me aktorët e tij”
-Pikërisht. Por sytë i hedh përherë poshtë. Ka emrin tim për dreq ajo ndërtesë. Kalova gjithë jetën. Mos e bëjnë për mua, por për Maliqin. Është qytet që e do artin. Unë e ndjeva në zemrat e tyre.
Profesor, pse nuk i ndëshkon nga këtu lart ata që të gënjyen? Me siguri “regjisori” ty të dëgjon.
-Ah budalla. Regjisori këtu veç buzëqesh. Nuk godet, siç godisja unë për disiplinë.
Epo, nuk zbret dot, ndaj rri rehat. Mja e vrave mendjen.
-Por mos harro, regjisori ka një libër. Në fund, i ka të gjitha të shkruara. Gënjeshtra për mua, besoj është mëkat i madh o bir. Por, më e madhe për atë qytet. Unë i fal, por a do i falë regjisori?
Si sot, para 3 vitesh, mësuesi im i artit në jetë ndërroi jetë. 82 role të interpretuara në teatër dhe filma. Dhjetra vepra të vëna në skena të ndryshme shqiptare.
Qëndro i qetë Dhimitër Orgocka, ata nuk të merituan. Qielli po!
View this post on Instagram