10 vite nga lamtumira e fundit me Roland Trebickën, aktori që na bëri të qeshim edhe kur donim të qanim
Nga Albert Vataj
Ai si pakkush tjetër diti të ishte fjalëpakë e punëshumë.
Nuk ngau kurrë pas privilegjeve, nderimeve edhe pse i takonin, për çfarë dha në skenë e la në testamentin interpretues dhe jo vetë.
Ai “u fsheh” pas veprës, pas përkushtimit, duke mos patur diçka për të thënë më shumë se sa vetë puna e tij titanike kishte ofruar.
Ai mbylli sytë dhjetë vite të shkuara, duke lënë të çelur horizonte të pamata rolesh, personazhesh, tipesh dhe karakteresh që aq me virtuozitet i skaliti me daltën e talentit të tij.
Jetoi mish e shpirtë me personazhet, aq sa edhe në amshim ata vazhdojnë ta ndjekim nga pas për të mbetur gjithnjë mirënjohës, që u dha atyre dhe vetes një jetë të gjithmonshme, një pavdekësi që përtërihet në ëndjen dhe dëshirimin e artdashësve dhe admiruesve të tij të shumtë.
I përket amshimit një prej zërave, pjesë e rëndësishme e memories së artit të aktrimit, komedisë dhe aktit sublim të shpirtëzimit të roleve, tipeve dhe karaktereve të pavdekshme.
I përjetshëm mbeti kujtimi për këtë emblemë të komedisë, për këtë njeri të përkorë, për këtë bashkëshort dhe prind të devotshëm.
I përgjithmonshëm qoftë kujtimi i këtij mjeshtri të skenës.