6 Dhjetor, 2024

Zbulohen sekretet e jetës së Enverit në Francë: Si ia anuluan bursën, protesta para Ministrisë së Arsimit dhe miqësia me djalin e avokatit

 Zbulohen sekretet e jetës së Enverit në Francë: Si ia anuluan bursën, protesta para Ministrisë së Arsimit dhe miqësia me djalin e avokatit

Janë publikuar disa fakte interesante nga libri i rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber. Një rrëfim për diktatorin shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë, por edhe ironinë.

“Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ishudhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë. Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale. Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit.

Në këtë mori faktesh, me shumë interes shfaqet ajo që deri më tani ka qenë pjesa më e errët sa i përket jetës së Enver Hoxhës; tri vitet e studimit në Monpelje (Montpellier). Për herë të parë zbardhet me detaje udhëtimi i tij nga Shqipëria drejt Francës, frikërat dhe guximi, armiqësitë dhe aleancat, varfëria dhe instinkti i mbijetesës, por edhe historitë rozë atje.

Lidhja sentimentale e përfolur me një vajzë me emrin Luiza, por më së shumti argëtimet me djemtë gjatë natës, ashtu siç i pëlqenin Enver Hoxhës; muskulozë dhe biondë. Rrëfimi vjen i thjeshtë, duke përdorur kohën e tashme, ndërsa në shumë episode autori lë pa shpjeguar “moralin e fabulës”, duke ia lënë interpretimin në dorë vetë lexuesit, sipas dëshirës.

(Pjesë nga libri “Enver Hoxha – Sulltani i kuq” i autorit Thomas Schreiber)

***
Verë 1930. Enver Hoxha përfundon shkollën e mesme. Ëndrra e një maturanti është të vazhdojë studimet e larta në Francë, vendin për të cilin nuk rresht së foluri. Ashtu si dhe vitet e tjera, edhe atë vit ai u kthye në Gjirokastër. Familjarët e presin shumë ngrohtë. Gjatë shumë ditëve ai vizitoi kushërinjtë dhe të afërmit e tjerë. Të gjithë janë të dashuruar me këtë të ri elegant dhe inteligjent. Përpara çdo bashkëbiseduesi ai fliste për projektin e vetëm që e interesonte: Të vazhdonte studimet në Francë për Letërsi ose Histori-Gjeografi. E pamundur nëse nuk kishe një bursë. Edhe një herë ai do të ndihmohet nga fati.

E ndërsa në vitin 1929 shpërthen kriza ekonomike, ai mëson se qeveria shqiptare jepte bursa për një numër të vogël studentësh që dëshirojnë të vazhdojnë studimet jashtë shtetit. Lajmi u botua në shtypin e Tiranës. Enver Hoxha përpiloi një dosje në mënyrë të kujdesshme, që ia drejtoi Ministrisë së Arsimit. Ai e bind të atin që t’i paguajë një udhëtim në Tiranë për të ndjekur nga afër çështjen. Përshtypjet e tij të para qenë dëshpëruese: Kryeqyteti i dukej si një çerdhe mashtruesish dhe korrupsioni. I vendosur në një hotel të thjeshtë, në një dhomë me tre persona të tjerë që ndryshoheshin çdo natë, Enveri i kalon ditët përpara dyerve të Kryeministrisë dhe pret afishimin e listës së përfituesve të bursës. Duhet të kalonin 10 ditë që lista të publikohej dhe Hoxha sheh emrin e tij të afishuar.

Ai fiton një bursë për Histori-Gjeografi në Universitetin e Montpeljesë. Në mbrëmje te hotel “Durrësi” ai ftoi shumë shokë të tij për të festuar. Një mbrëmje me shumë alkool, dehja më e madhe e Enverit. Por sa keq. Gjërat u komplikuan. Të nesërmen e ditës së paharruar, Enveri u kthye në Ministri për të plotësuar formalitetet dhe aty mëson me habi se gabimisht bursa e tij iu dha një tjetri. Protesta, indinjatë, krizë nervash: I riu Hoxha pohon se do të qëndrojë përpara Ministrisë ditë e natë. Më në fund, sekretari i Përgjithshëm e thërret. Ai i thotë se për një gabim administrativ vendimi mbetet i pandryshueshëm dhe atij i rezervohej vetëm një bursë për Shkenca Natyrore.

I zhgënjyer, Enverit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të pranonte, ose të kthehen në fshatin e tij. Ai mori menjëherë vendimin: Asgjë nuk krahasohet me një qëndrim në Francë. Edhe pse nuk i intereson, ai do të vazhdojë për Shkenca Natyrore… Pasi u kthye në Gjirokastër për t’u përgatitur për udhëtimin e madh, ai do t’u jepte pak të dhëna familjes për studimet që do të ndiqte. Edhe aty meraku më i madh i tij do të ishte eleganca. Babai i tij i porositi një kostum te rrobaqepësi më i mirë i qytetit. Në shkrimet e tij, Hoxha do të deklaronte se largohej nga Shqipëria për herë të parë, kur vendi ishte nën regjimin e mbretit “Zogu satrap“. Duke harruar se bursa iu dha nga ajo qeveri që nuk interesohej për idetë e të riut. Edhe pse në atë kohë Enveri nuk ishte një militant i angazhuar.

***

Objektivi i tij ishte të nisej në Francë. Sipas një zakoni të vjetër, Enveri merr me vete disa ëmbëlsira dhe llokume për t’ia çuar motrës së madhe, Fahrijes, refugjate politike në Itali, së bashku me të shoqin.
5 shtator 1930, Porti i Durrësit. Në mbrëmje niset me një anije italiane me destinacion Barin dhe ndalesa e parë është Monpelieja. Enveri e kalon mbrëmjen mbi urë, momente të paharrueshme për të riun larg familjes dhe atdheut, në rrugë drejt së panjohurës. Në mëngjes, në platformën e Portit të Barit e pret e motra me të afërm të tjerë. I prekur ai zbulon pjesën tjetër të familjes në tokë të huaj. Si mund të imagjinohej se vite më vonë ai do të vriste kunatin e tij, Bahri Omarin. Pas një qëndrimi të shkurtër në Bari, Hoxha vazhdon udhëtimin e tij. Stacioni i Montpeljesë iu duk si një monument futurist i Italisë fashiste, atij i dukej modeste, e qetë, pak e ndriçuar dhe intime. Natën e parë e kaloi te hotel “Terminus”.

Mëngjesin e parë e provoi në tarracën e një pijetoreje para një kruasani, për të cilin kishte dëgjuar të flitej shumë në Shqipëri. Më pas, Enveri u nis drejt qytetit, ku do të qëndronte përgjatë tri viteve. Në kërkim të Fakultetit të Shkencave, ai përshkon Sheshin e Komedisë dhe gjen galerinë “Lafayette“. Duke ndjekur këshillat e shërbyeses së re të hotelit, Enveri kalon në rrugën ku shtëpitë ishin të vendosura njëra mbi tjetrën, rrugë që i kujtonin Gjirokastrën. Pasi gjeti godinën universitare, Enveri kërkoi menjëherë sekretarinë. Studentët në radhë presin të regjistrohen. Para tij qëndron në radhë një djalë biond, simpatik, me të cilin hyn menjëherë në bisedë. Tjetri i thotë se është shumë i gëzuar që ka njohur një person që rrjedh nga familja e të famshmit Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbeu.

Biondi, i quajtur Roncant, student i Historisë interesohet për Shqipërinë! Ai e ndihmon shokun e ri për të plotësuar formalitetet. Më pas, dy djemtë shkojnë të drekojnë së bashku në një restorant pranë fakultetit, “një restorant i vogël që drejtohet nga një grua e moshuar”, që më pas do të bëhet një nga vendet e preferuara të Hoxhës. Pak pas mbërritjes së tij në Monpelje, ku qëndronte ende në hotel “Terminus”, ai rigjeti disa nga shokët e klasës që kishin shkuar para tij.

Takimi bëhej në hotel “Riche” (vendi nuk ekziston më) muret ishin me pasqyra, një vend luksoz për të riun që sapo kishte mbërritur. Miqtë e tjerë i kishin rezervuar një pritje shumë të ngrohtë. Mes tyre gjendej dhe Eqrem Hado, djali i një avokati të njohur që vazhdonte vitin e dytë për Drejtësi. Për të Enveri do të thoshte se ishte një djalë i qeshur dhe i sjellshëm. Ai do të ishte miku i tij i bisedave të gjata. Edhe pse mendojnë ndryshe, ata nuk shihen si kundërshtarë. Njëri është kundër monarkisë, tjetri është pro, edhe pse pranon se duhen bërë reforma; por të dy studiojnë në Francë, Eqremi dhe Enveri bëhen miq të pandashëm.

Kush është Thomas Schreiber

I lindur në Budapest dhe i shkolluar në Paris, në rini ai bëri një jetë të dyfishtë mes këtyre dy shteteve, derisa u vendos përfundimisht në Francë. Gazetar, diplomat, publicist e shkrimtar, specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, ku në fokusin e tij ka qenë veçanërisht Shqipëria. Ka tentuar disa herë të vijë në vendin tonë gjatë regjimit komunist, duke e plotësuar dëshirën e tij në vitin 1981. Thomas Schreiber është autor i dhjetëra artikujve në frëngjisht, hungarisht dhe anglisht. Ka punuar për gazetat “L’express”, “Le Monde” etj.

Ka qenë kolumnist për kohë të gjatë për RFI, “Radio France” “Internationale” dhe vazhdon të publikojë pikëpamjet e tij në “Le Monde Diplomatique”. Disa nga librat e Thomas Schreiber janë: “Veprimet e Francës në Lindje që nga viti 1920”, “Harmattani, sekretari i Përgjithshëm në Belfond”, “Enver Hoxha, sulltani i Kuq”, “Hungaria, apo tranzicion paqësor”, si dhe plot broshura të tjera për tranzicionin në Europë. Aktualisht është në pension, por jep mësim me kohë të pjesshme në një universitet shumë të njohur në Paris.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *