4 Dhjetor, 2024

Vdekja tragjike në SHBA e Anita Bitrit, bashkë me vajzën dhe të ëmën

 Vdekja tragjike në SHBA e Anita Bitrit, bashkë me vajzën dhe të ëmën

20 vjet më parë si sot u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare këngëtarja shqiptare Anita Bitri. Një vdekje e trefishtë, bashkë me të bijën dhe të ëmën, nga helmimi me monoksid karboni.

Pas këtij aksidenti tragjik në SHBA u miratua ligji për vendosjen e detyrueshme të detektorit kundër monoksidit të karbonit, që u quajt “Ligji Anita”

Vdekja tragjike

Pikërisht sot bëhen plot dhjetë vjet që këngëtarja Anita Bitri nuk ndodhet më mes të gjallëve. Anita Bitri- Prapaniku (8 janar 1968 – 19 tetor 2004) u nda nga jeta në shtëpinë e saj në Staten Island, Nju Jork, së bashku me vajzën e saj 8-vjeçare Sibora Nini dhe nënën e saj 66-vjeçare Azbije.

Të tria u ndanë nga kjo jetë së bashku, në gjumë, për shkak të një vdekjeje, e cila, sipas hetimeve të policisë njujorkeze erdhi nga helmimi me monoksid karboni. Duke marrë shkak nga kjo tragjedi, 10 vjet më parë, në SHBA u miratua ligji për vendosjen e detyrueshme të detektorit kundër monoksidit të karbonit, ligj të cilin për respekt dhe humanizëm e quajtën “Ligji Anita”.

Ndërkohë që, një rrugë në qendër të Vlorës tani mban emrin “Anita Bitri”.

Bitri filloi të kënduarit e saj në moshën 16-vjeçare dhe u bë e famshme në Shqipëri me këngën e saj “Dashuria e parë”.

Në kohën e vdekjes së saj, ajo ishte në proces të regjistrimit të dy albumeve, një në shqip dhe një në anglisht. Ai më i fundit ishte për fatin e saj të keq, albumi që nuk arriti ta promovojë, “Gjithmonë mes jush”, një video-album ky me këngën me një titull profetik, e cila i ngjan një parandjenje.

Anita Bitri emigroi në SHBA në vitin 1996. Dashuria për violinën, ngjizja e pandashme me muzikën dhe suksesi, i cili vazhdoi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bëri Bitrin të ketë historinë e jetës së një artisteje të madhe, të një ylli të skenës shqiptare.

Këngëtarja Bitri me stilin e këngës së saj kishte krijuar profilin e saj në SHBA, jo vetëm te shqiptarët, por edhe tek amerikanët.

Arben Bitri, vëllai i këngëtares, përmes emocioneve të mëdha dhe hidhërimit të thellë, ka deklaruar se këngëtarja e mirënjohur shqiptare Anita Bitri duket sikur “fluturoi në misionin që i dha asaj Nënë Tereza”.

Kolegët e saj nga komuniteti i artistëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara janë shprehur se “është për të ardhur keq se Anita Bitri iku pas një pune shumë të madhe në fushën e muzikës dhe të një besimi të madh te muzika e bukur shqipe”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *