4 Dhjetor, 2024

Vajza që “tronditi” kinemanë shqiptare

 Vajza që “tronditi” kinemanë shqiptare

 Nga fundi i viteve 1970 u shfaqën në ekranin e madh shqiptar një grup aktoresh të reja, të kulturuara dhe të pasionuara që i dhanë ndriçim, risi dhe shkëlqim filmit shqiptar duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e spektatorëve.

Ndër këto aktore bëjnë pjesë: Raimonda Bulku, Eva Alikaj, Elvira Diamandi, Luiza Xhuvani, Anisa Markajan, Matilda Makoci etj. Por Rajmonda Bulku do të binte në sy me bukurinë e natyrshme që aq lehtë i përshtatej cdo roli.

Rajmonda do të spikaste që në fillimet e saj në filmin e regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro “Dimri i fundit”. Nën muzikën e Aleksandër Lalos, vajza me flokët e zeza dhe sytë plot jetë do të mbetej gjatë në kujtesën e publikut që do ta donte atë menjëherë. Më 1976-tën, ajo do të ishte Meli, tek “Zonja nga qyteti” një personazh që vazhdon të jetë më i pëlqyer në ekrane edhe sot.

Vajza me fundet e prerë drejt deri tek gjunjët e flokët e gjatë, do të shkëlqente në rolin e vajzës së zonjës Ollga. Rajmonda Bulku vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës dhe filloi punë si aktore më 1 shtator 1985.

Veprimtarinë e saj në kinematografi e filloi, duke qenë ende në bangat e shkollës, me një interpretim të suksesshëm në filmin Dimri i fundit/ me regjisorwt Ibrahim Muça, Kristaq Mitro, 1976, duke u nderuar me një medalje në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar mw 1976.

Ky film i hapi rrugën për një karriere të sigurt në filmin shqiptar, duke u bërë një aktore mjaft e njohur për spektatorin. Deri në vitin 1994 ajo interpretoi në rreth 18 role-të shumtën role kryesore- duke u nderuar me disa çmime në festivalet e filmit shqiptar.

Ndër rolet e saj më të njohur në kinematografi janë: Nusja dhe shtetrrethimi/ nusja, 1978/, Duaje emrin tënd/ 1984 -u nderua me Kupën e Festivalit V për rolin e Jonës-/, Të paftuarit/ Diana, 1985/, Dhe vjen një ditë /Klara, 1986/, Vrasje në gjueti/ Lida, 1987/, Muri i gjallë/ Gelina, 1989/, Vitet e pritjes/ Magda-nderuar me Çmim të Parë në Festivalin IX-1990/ Vdekja e kalit/ Meri, 1991/, Nekrologji/ Madhëria e saj, 1994/. Për interpretimin e rolit të Dianës në filmin Të paftuarit u nderua me Medalionin e Festivalit të Shtatë të Filmit Artistik Shqiptar.

Filma të tjerë: Zonja nga qyteti/ Meli, 1976/,Gunat mbi tela/ nusja, 1977/, Ballë për ballë/ Zana, 1978/, Emblema e dikurshme/ mësuesja Ana, 1979/, Një shoqe nga fshati/ Meli, 1980/, Kërcënimi/ Ema, 1981/, Gabim/ mamaja, 1986/, Binarët/ Keti, 1987/, Një djalë dhe një vajzë/ koreografe, 1990/, Vetmi/ 1990/, Ngjyrat e moshës/ 1990/, Nekrologji /madheria e saj, 1991/, etj.

Paralelisht ajo ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë shumë role në Teatrin Kombëtar, në Tiranë. Ne vitet 2009-2013 u zgjodh deputete e Partise Demokratike ne Parlamentin shqiptar. Pas politikës ajo i është kthyer sërish pasionit të saj të përhershëm aktrimit, duke e parë në disa role në skenën e Teatrit Kombëtar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *