4 Dhjetor, 2024

Sot Shqipëria qan për ty, Mirush Kabashi!

 Sot Shqipëria qan për ty, Mirush Kabashi!

Një nga artistët më të mëdhenj të vendit ka dhënë sot frymën e fundit. Aktor në më shumë se 100 role në teatër e filma, interpretues brilant i poezisë dhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Mjeshtër i madh i skenës shqiptare, është pak për të përshkruar Mirush Kabashin…sepse mbi të gjitha ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm!

Këtë gjë e vërtetoi më së miri në Qershor të 2021-it kur në media qarkulloi lajmi i hidhur se “aktori kishte ndërruar jetë”.

Duke qenë se prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, titujt e rremë do ishin përjetim i dyfishtë për të, por si rrallëkush Mjeshtri e fali këtë gabim.

“Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën, nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin.

Ishin të dhimbshme, sepse thonin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia.

Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur. Janë gjëra që ndodhin, jemi në një fushë që jemi bërë njerëz publikë.

Është një tërheqje veshi për gazetarët, të cilët duhet ta rikonfirmojnë lajmin nga disa drejtime përpara se ta japin  në ekranet e televizionit, të cilët duhet të jenë sa më të sakta, nuk lejohen të tilla gabime, gjithsesi nga ana ime falen”, u shpreh ai asokohe.

Gazetarja që kishte qenë burimi i këtij lajmi të pakonfirmuar kërkoi ndjesë publikisht duke i uruar jetë të gjatë Kabashit. Shumë njerëz qanë e u mërzitën ditën që lexuan një gjë të tillë, por situata u kthye në një tragjikomedi pasi me marrjen vesh të së vërtetës, gëzimi ishte i pamasë.

Por edhe kjo “e keqe” kishte “një të mirë”. Artisti e kuptoi atë ditë sa shumë e donin njerëzit.

Në këtë ditë të ftohtë dimri, humbja e Mirush Kabashit pason me një dhimbje të madhe për të gjithë ata që kanë shijuar ndër vite rolet e tij të papërsëritshme e interpretimet e tij unike.

Lamtumirë Mjeshtër! Sot gjithë Shqipëria qan për ty…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *