25 Dhjetor, 2024

Rrëfimi i rrallë i aktores korçare: Me Petrika Rizën u njoha gjatë një mbrëmje vallëzimi dhe pastaj… u bë burri im

 Rrëfimi i rrallë i aktores korçare: Me Petrika Rizën u njoha gjatë një mbrëmje vallëzimi dhe pastaj… u bë burri im

–Klaudeta Llogori Riza, aktorja e skenës dhe ekranit, tregon për karrierën e bashkëshortit, aktorit Petrika Riza, dhe të sajën, që nga fëmijëria, e deri në ditët e sotme-

Nga Vepror Hasani 

“Karriera dhe puna e gjatë krijuese e Petrika Rizës, aktorit dhe më pas drejtorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’ në Korçë, është e stolisur hollë në dhjetëra e dhjetëra personazhe në dramë, komedi dhe kinematografi, duke u shpalosur përpara spektatorit, si një artist i kompletuar shumë planesh, i cili ka lëvruar me shumë sukses të gjitha interpretimet e tij”.  Kështu u shpreh në mes të tjerash më dt. 2 shkurt 2021, ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me rastin e dekorimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, për aktorin e mirënjohur korçar, Petrika Riza, për kontributin profesional ndaj artit shqiptar dhe interpretimit me nivel të lartë artistik të roleve të tij në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë. Petrika Riza, ka interpretuar në skenë shumë role të rëndësishme dhe protagoniste, si Xhaxha Madhi te “Rruga e Madhe”,  Xhon Kelleri tek “Ishin të gjithë bijtë e mi” Dhespoti Filothe te “Plumbat e shkronjave”, komisari te “Përbindëshi”, prokurori te “Denoncimi” e shumë role të tjera. Në kinematografi Petrika Riza ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilat kujtojmë rolin e Rustemit tek “I teti në Bronz”, Neimi në filmin “Yjet e netëve të gjata”, roli i Dhespotit te “Mësonjëtorja”, Kajmekami te “Kush vdes në këmbë” e shumë personazhe të tjera të gdhendura prej tij”. Tashmë për të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë për këtë çift artistësh, rrëfimi vjen më poshtë. Nisur nga fakti se dekorimi u mirëprit nga gjithë opinion qytetar i rajonit të Korçës dhe jo vetëm, menduam të sjellim jetën e tyre aktoriale, Petrika dhe Kaludeta Riza, si dy artistë të respektuar dhe të adhuruar nga mijëra qytetarë shqiptarë.

Rrëfimi i aktores korçare, Klaudeta Riza

“Isha në vit të parë të shkollës së mesme kur shkolla jonë organizoi një mbrëmje vallëzimi, – rrëfen aktorja Klaudeta Riza për veten dhe bashkëshortin e saj, Petrika Riza. “U mblodhëm të gjithë. Atje pashë edhe Petrikën, e kisha njohur që kur isha në klasë të gjashtë. Unë isha e datëlindjes 2 qershor 1949, Petrika 1 qershor 1947. Në atë kohë, ai dhe motra ime, ishin në vit të parë në të njëjtën klasë të shkollës së mesme, “Fuat Babani”, dhe siç ndodh me shokët e një klase, vinin te njeri-tjetri për ndonjë libër, fletore apo për zgjidhjen e ndonjë ushtrimi.

Pas dy vjetësh edhe unë shkova në të njëjtën shkollë të mesme. Me Petrikën takohesha çdo mëngjes dhe gjithnjë më zgjonte respekt. Edhe kur e pashë që kishte ardhur për mbrëmjen e vallëzimit, u ndjeva mirë. Nuk e dija që miqësia jonë do të merrte një rrjedhë tjetër. Kur mbrëmjes po i vinte fundi, njoftuan: “Vallëzimi i fundit”! Në këtë moment, i thashë motrës:

“Kush kërcen mirë nga të klasës tënde”? Ajo më tha: “Petrika Riza kërcen shumë mirë”. “Thuaji një çikë Petrikës të vijë të më marrë”. Pasi motra komunikoi me të, sa filloi muzika u nisëm drejt njëri-tjetrit. Sipas zakonit, kërcimi i fundit vazhdoi gjatë dhe ne u ndiem shumë mirë në këtë kërcim dhe pas kësaj, sa herë bëheshin mbrëmje, ne kërcenim të dy. Petrika Riza ishte gjithnjë tepër korrekt dhe i edukuar”.

“Vallëzimi i fundit”!

“Vallëzimi i fundit zgjati rreth 25 minuta. Petrika vallëzonte shumë bukur. Më vonë mësova prej tij, që një xhaxha i Petrikës, (babai i aktorëve Jani dhe Ligoraq Riza), ishte një nga këngëtarët dhe kërcimtarët popullorë më të dëgjuar të kohës. Madje edhe dalja e disa artistëve prej këtij fisi të madh, kishte qenë ndikimi i tij. Por edhe unë nuk ngelesha pas në vallëzim.

“Vallëzimi i fundit”, më kujtohet shpesh. Petrika ishte regjistruar edhe për balet në Shtëpinë e Pionierit, kishte dëshirën ta njihte artin e valleve edhe nga ana profesionale dhe artistike. Në atë kohë  po ngjiteshin në skenë edhe balete moderne. “Shko, – i kishin thënë prindërit, – por pa lënë pas dore mësimet e shkollës”, dhe Petrika, si gjithnjë, i edukuar mirë, e mbajti fjalën. Pasi përgatiste mësimet shkonte në shtëpinë e pionierit. Mësimet e baletit fillonin në orën 16.00.

U regjistrua edhe në kursin e fizarmonikës që të kishte edhe një vesh të kultivuar. Rrinte me Minella Borovën, Niko Kanxherin etj., ishte një grup djemsh që dëshironin të ishin dikush. Merrte pjesë edhe në mbrëmjet shqiptaro-sovjetike të asaj kohe, të cilat përgatiteshin nga dy regjisorët e mirënjohur, Pirro Mani dhe Sokrat Mio. Qëndronin deri në orët e vona të mbrëmjes. Petrika ishte i talentuar. Unë njihesha si “vajza rebele” e shkollës, isha vajza e tretë e familjes Llogori, por të tria të shkëlqyera në mësime.

Kur shkova në kopsht, ngaqë kisha zë të veçantë, më bënë pjesë të aktorëve të vegjël, luaja rolin e mamasë, partner kisha aktorin Perika Gjezi, (tashmë nuk jeton më), rolin e fëmijës tonë e luante Maqo Lakrori, ish-deputet. Filloren dhe 7-vjeçaren, i përfundova te “Mësonjëtorja e parë shqipe”, ku më regjistruan në kor, në kompleks me profesor Vaskë Kolacin. Në 75-vjetorin e shkollës, isha drejtuesja e koncertit dhe recituesja e parë. Ashtu si Petrika edhe unë isha regjistruar në shtëpinë e pionierit”.

“Familja e Petrikës”

“Petrika Riza, kishte lindur në Bulgarec, fshat pranë Korçës, në një familje të madhe. Kishin edhe një shtëpi të bukur. Gazetari Fiqiri Sejdia, në një intervistë të tij, e përshkruan kështu shtëpinë e Rizave: “Fisin Riza e kam njohur qysh në vitet ’60-të, ishte një fis mjaft i madh, unë çuditesha me këta njerëz të cilët edhe pse punonin gjithë ditën në kooperativë, përsëri gjenin kohë: ndërtonin shtëpi të reja, mbillnin bahçen me lloj-lloj pemësh, qilarët i kishin gjithnjë plot dhe oborret me lule dhe trëndafila. Në familjen Riza, kishte mjaft dashuri, mjaft harmoni, paqe dhe respekt për njeri-tjetrin. Ata e donin artin, këngën, muzikën dhe të bukurën”.

Dhe vërtet, Petrika Riza vinte nga një familje intelektuale, por edhe patriarkale, për nga pjesëtarët që e përbënin familjen. Të gjithë bashkë bëheshin 17 veta, Gjithsecili, kishte ëndrrat dhe synimet e veta. Petrika më tregonte se në këtë familje të madhe, ka patur vërtet njerëz që demonstronin të dhëna (prirje) të ndryshme në jetën e tyre, ku dilnin në pah traditat patriotike, arsimdashëse, kulturore dhe artistike, dhe ai si i vogël që ishte në atë kohë, i ndiqte, përpiqej t’i kuptonte, i imitonte, dhe vazhdoi kështu të rritej me atë frymë që ishin rritur edhe kushërinjtë e tij të parë, përpara tij, duke ruajtur gjithnjë afinitetin me ta.

Njerëzit e fisit Riza, ishin të edukuar e donin, e respektonin dhe e ndihmonin njeri-tjetrin. Gjithashtu, Petrika, kishte edhe një djalë xhaxhai, i cili bashkë me Petrikën i përkushtoheshin valles dhe këngës, si vazhdues të traditës së xhaxhait të famshëm për kohën. Kur mblidheshin në mbrëmje, në shtëpinë e tij, këndonin dhe hidhnim valle, ndërsa më vonë edhe me muzikën e të vetmes radio në fshat.

Kushërinjtë e tij merrnin pjesë edhe në olimpiada dhe aktivitete sportive, bashkë me ta merrte pjesë edhe Petrika që i pëlqente shumë edhe futbolli edhe volejbolli, por më shumë teatri. Bulgaerci, kishte një nga grupet teatrore më të mira të zonës së Korçës, zinte pothuajse gjithnjë vendin e parë, shkonin fshatrave dhe bënin turne. Përveç Janit edhe Petrikës, edhe Pertef Larti dhe Dhimitra Plasari, nga ky teatër kanë dale”.

“Familja ime”

“Unë e dëgjoja me vëmendje Petrikën sa herë më fliste për familjen e vet. Edhe unë i tregoja për familjen time, Llogori, e cila ishte nga familjet më të vjetra autoktone, banonim në qendër të Korçës, prapa Ushtarit të Panjohur, ose sot, prapa Katedrales. Edhe Llogorët ishin fis i madh. Në kohën e Perandorisë Osmane emigruan në Bullgari, Rumani dhe Egjipt, punuan për çështjet shqiptare, veçanërisht për alfabetin e gjuhës shqipe.

Një nga përfaqësuesit e fisit tim është edhe Qelidhona Llogori Athanas, mësuesja e parë e gjuhës shqipe për emigrantët në Sofje; Vasil Llogori, solli nga Sofja shumë abetare për fshatrat e Devollit, vetëm në Progër çoi 20 abetare; Pandi Llogori, dhuroi shtëpinë e vet për ‘Mësonjëtoren e Vashave’, ku shërbeu edhe vetë si kujdestar i saj; Loni Llogori, ishte përfaqësues i shqiptarëve të Misirit në Kongresin e parë për alfabetin e gjuhës shqipe në Dibër, deputet i Korçës në Parlamentin e Zogut, mbështetës i ideve patriotike të Mihal Gramenos, gjithashtu edhe shkruesi i teksti të himnit të qeverisë së Princ Vidit; ka shkruar edhe tekste këngësh patriotike dhe lirike si: “Kënga e drenovares”, “Çelu, çelu, mos rri sëndisur”, “Çelu lule se erdh pranvera” etj.

Babai im, i datëlindjes 1912, kishte biznesin e vet, kurse mamaja ishte 18 vjeçe. Babai i mamasë ishte në Amerikë, kurse gjyshi nga mamaja, jurist në Stamboll. Babai ishte i pashëm, me sy bojë qielli, por shpirtin e kishte edhe më të bukur, rriti edhe dy vëllezërit dhe motrën e mamasë, të mbetur jetimë, të cilët studiuan jashtë shtetit, kurse motra e tyre, studioi për ekonomi. Edhe oborri i shtëpisë tone, ishte plot lule dhe plot kalamaj.

“Petrika Riza shkoi për aktor në Tiranë”

“Me përfundimin e shkollës së mesme, Petrika Riza shkoi në Tiranë, do të konkurronte për aktor. Prindërit e tij dëshironin të studionte për mjekësi, por tashmë ai e kishte ndarë mendjen, kishte vendosur të bëhej aktor. Më pas i mora vesh të gjitha. Për t’u përgatitur për konkurrim ishte ndihmuar nga djali i xhaxhait, Todi Riza, edhe materialet ishin zgjedhur prej tij, pra, nuk e pati ndihmën e një aktori profesionist si, Minella Borova apo Niko Kanxheri.

Veç kësaj, ai shkonte dhe vinte çdo ditë me biçikletë, Bulgarec-Korçë dhe anasjellas, koha që i mbetej ishte e paktë. Me t’u gjendur përballë komisionit të konkurrimit, në një sallë të madhe, të kryesuar nga pedagogia Drita Agolli dhe regjisorët e mëdhenj: Pandi Stillu, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli etj., pati një çast humbje të besimit. Megjithatë nisi të recitonte, por befas ngeci, teksti nuk po i kujtohej më. U ndje i frikësuar, por pedagogia që do të merrte kujdestarinë e kursit të vitit të parë, i kishte thënë: “S’ka gjë Petrika, ulu qetësohu!”

Edhe në aq sa kishte mundur të interpretonte Petrika, anëtarët e komisionit kishin vënë re fizikun e tij, ngrohtësinë e timbrit dhe plotësinë e zërit, aq të domosdoshme për një aktor. Ata që e përfunduan konkurrimin, përgjigjen do ta merrnin në rrethet e tyre, kurse Petrikës i thanë: “Do të vish përsëri javën tjetër”, dhe sigurisht në provimin e dytë, i përgatitur nga Sotiraq Çili, më së shumti dhe nga Jani Riza, mundi t’i tregonte aftësitë e veta autoriale dhe të shpallej fitues.

“Po unë”?

“Dy vjet më pas e përfundova edhe unë gjimnazin “Fuat Babani”. “Vallëzimi i fundit” me Petrikën, vijonte të mbetej për mua një nga kujtimet më të bukura të jetës time, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe në shkollën e mesme “Fuat Babani”, vazhdova të merrja pjesë në balet, ndaj edhe vallëzimi me Petrikën, u pëlqye nga të gjithë. Edhe mua më pëlqente baleti. Gjithashtu isha edhe në kor, dhe në teatër, ku mësues muzike kishim Niko Ilon, dhe kur vonoheshim në provat e fundit që bëheshin në teatrin “Çajupi”, pas shfaqjeve që jepte vetë teatri, mësuesit tanë na çonin shtëpi më shtëpi.

Regjisor kishim të madhin Pirro Mani. Aftësitë e mia si aktore tashmë njiheshin edhe nga regjisorët tanë, por atë vit shkolla për aktorë ishte mbyllur dhe mua m’u desh të punoja një vit në trikotazh, deri sa të çelej përsëri. Aty gjeta një trupë teatrore shumë të mire, me aktorë si K. Prifti, Ylli Trajçe, Keti Çili, Liza Dhimitri, Niko Qirici, Vangjush Qendro, etj., me të cilët edhe sot e kësaj dite, ruaj miqësi me shumicën e tyre dhe me punonjësit e repartit ku punova.

Ndoshta edhe Zoti deshi të ndodhte kështu…! Studimet në Tiranë do të më krijonin edhe mundësinë për të forcuar miqësinë time me shokun e shkollës, Petrika Riza…! Në të vërtetë nuk e thosha më zë të lartë këtë gjë, por ndieja një lloj sigurie përpos diçkaje të pashpjegueshme që më shtynte drejt tij. Në pushimet e verës, prisja kthimin e Petrikës nga xhirimet e filmave në Tiranë, i cili vijonte të ishte po ai shok i sjellshëm, i vëmendshëm, i respektueshëm dhe i dashur, ndaj dhe shoqëria me njeri-tjetrin na pëlqente”.

“Konkurimi im për aktore”

“Vitin tjetër më dërguan të konkurroja për aktore, por ditën e konkurrimit u ndjeva në siklet, isha e ndrojtur, nuk dija si do dilja, udhëheqës artistik i kursit të parë do të ishte i madhi Kujtim Spahivogli, emocionet ishin të shumta. Recitova poezinë, “Kujtime për Prespën”. Dëgjova zërin e Spahivoglit që më tha: “Mjaft, nuk ka nevojë për më shumë”! U drodha kur dëgjova fjalën “mjaft”, deri atë çast kisha menduar se isha e talentuar për të qenë aktore, habia ime u nxit edhe prej egos dhe sedrës time. “Po pse”?- pyeta, – unë, kam edhe materiale të tjera…”! “Nuk ka nevojë vajzë”, – ma ktheu.

Atë çast nuk u ndjeva mirë, sepse mendova që nuk kisha fituar. Dola nga konkurrimi më shumë se e mërzitur. “Do të shkoj për Fizikë”, – i dhashë kurajë vetes, sepse ishte dega që më pëlqente, por në fakt e kisha fituar konkurrimin, Spahivogli më kishte vlerësuar që në recitimin e parë, ndaj nuk kishte qenë e nevojshme të vazhdoja më shumë.

Atë çast u ndjeva e lumturuar. Shoku im më i mirë edhe në Institutin e Lartë të Arteve, “Aleksandër Moisiu”, mbeti Petrika, rrinim bashkë, shkonim edhe në konvikt, dilnim të dy, i kërkoja ndihmë për problemet e shkollës dhe të mësimeve. Edhe pse ishim dy natyra të kundërta, vazhduam lidhjen njeri me tjetrin. Njeriun që e vështroja me zili, kur ishim në shkollën e mesme, tani e kisha përkrah meje.

“Talenti po na shpërblehej”

Kur Petrika Riza, ishte në vit të tretë të Institutit, regjisori i Kinostudios, Pirro Milkani, e mori për një rol figuranti te filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, një rol figuranti i një ushtari gjerman, i cili mbart vlerat e çeljes së rrugës drejt filmit. Ndërsa në mbarim të vitit të katërt, Petrikës dhe Mevlan Shanajt, iu ofruan role nga regjisori, i madhi Viktor Gjika, te filmi me metrazh të plotë,“I teti në bronz”. (Tashmë Gjika, nuk jeton më, ishte një nga regjisorët më të mirë dhe më kërkues të Kinostudios në atë kohë, siç ishte edhe regjisori Muharrem Fejzo etj).

Petrika kishte rolin e Rustemit, ndërsa Mevlani të Ibrahimit. (Rustemi dhe Ibrahimi ishin vëllezër). Edhe për mua vitet e Institutit qenë të mrekullueshme. Kur ende isha në vit të parë, regjisori Pirro Mani, i cili punonte me kursin e vitit të tretë, më ftoi të luaja rolin e Violës te komedia “Nata e dymbëdhjetë”, por me qenë se nuk i plotësoi dot të gjithë personazhet, vuri në skenë një pjesë tjetër, ku unë pata rolin e vjehrrës.

Mundësi të tilla që në vitin e pare, ishin të rralla ose të pamundura. Në vit të dytë pata rastin të luaja edhe një fragment nga një tragjedi ruse e Vishnjevskit, ku u vlerësova me notën më të lartë. Në vit të tretë, vumë në skenë “Të pamposhturit” e Mirush Jeros, ku luajta rolin kryesor, të nënës, Hava”.

“Propozime për të qëndruar në Tiranë”

“Po atë vit, Spahivogli krijoi Teatrin e të Rinjve, ku Mihallaq Luarasi vuri në skenë “Mosha e bardhë”, unë luajta rolin e Meribanit, ku si partner të parë në teatër profesionist, kam patur Robert Ndrenikën. Vitin tjetër, te komedia lirike, “Ylli pa emër”, me regjisor Mario Ashikun, pata një rol karakteri shumë të bukur. Në rolet kryesore ishin: Agim Qirjaqi, Astrit Çerma, Bujar Lako, Pandi Siku, Pirro Malaveci, Fatos Sela, Justina Aliaj etj.

Kjo shfaqje më krijoi mundësinë të njihesha me aktorët e mëdhenj të Teatrit Kombëtar dhe ata të njihnin aftësitë e mia autoriale. Në kohën kur u vendos të merrnin Vangjush Furxhiun në Tiranë, u propozua edhe emri im, por Korça nguli këmbë: “Mund ta merrni Furxhiun, nëse Klaudetën e dërgoni në Korçë”! Sigurisht, Furxhiu shkoi në Tiranë. Pas kësaj bënë përpjeke të më mbanin edhe mua në Teatrin e të Rinjëve, por edhe kjo nuk u bë e mundur.

Unë kisha edhe një arsye më shumë për të qëndruar sepse edhe për Petrikën po bëheshin përpjekje për ta mbajtur në Tiranë, madje u emërua tri herë për të qëndruar në Tiranë dhe tri herë u ç’emërua, nuk e lanë të qëndronte as si pedagog në Institut dhe as si asistent regjisor në Kinostudio, ku për 6 muaj, punoi si i emëruar, sepse Korça ngulte këmbë të kthehej në aty. Kështu ndodhi edhe me Minella Borovën dhe Llazi Serbon. Në atë kohë, ekzistonte një ligj që të ardhurit nga rrethet, duhej të ktheheshin përsëri në rrethet e tyre”.

(Vijon)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *