4 Dhjetor, 2024

Rrëfimi i Roza Anagnostit në 80-vjetorin e lindjes: Dhimitri, dashuria dhe frymëzimi im! Ju rrëfej dy përkushtimet e mia të mëdha

 Rrëfimi i Roza Anagnostit në 80-vjetorin e lindjes: Dhimitri, dashuria dhe frymëzimi im! Ju rrëfej dy përkushtimet e mia të mëdha

Radha e pritjes është e gjatë. Janë të shumtë dashamirësit që nderojnë Roza Anagnostin në këtë 80-vjetor, në pragun e kinema “Millenium”.

“Në këtë përvjetor të lindjes, e rrethuar nga dashamirës, ndihem që jam përpjekur me sinqeritet, me përkushtim, që të jap më të mirën nga vetja, për publikun tim të dashur, që ma ka kthyer në mënyrën më të bukur”, thotë aktorja Roza Anagnosti në këtë intervistë për ‘Report tv’.

Familjarët kanë ardhur prej së largu, “me kalin fluturues” thotë aktorja me humor, teksa lumturia dhe emocionet i lexohen në shkëlqimin e syve.

“Për mua familja dhe puna kanë qenë dy përkushtimet kryesore, dhe tani po na kthehet në mënyrën më emocionale, më të bukur! S’gjej fjalë për ta përshkuar po mund të them veç: Zoti i bekoftë për atë që bëjnë për prindërit!”, shton aktorja.

Është e njëjta fotografi, edhe në këtë datëlindje jubilare që Arkivi i Filmit i feston. Kineasti Dhimitër Anagnosti me të cilën e bashkon dashuria, por edhe filmi, nga “Komisari i Dritës” tek “Gjoleka i biri Abazit”, prej 6 dekadash është në krahë të saj. Duar e zemër të lidhur, ata frymëzojnë…

“Ai ka qenë mbështetja ime më e mirë, frymëzimi im, dashuria ime, mbrojtja mua! Ai është gjithçka për mua”, thotë aktorja.

Në sallën e kinemasë, Roza vjen e rrëfyer në të gjithë shkëlqimin e saj. Janë mbi 65 vjet gjurmë të arta skenike, që ajo nisi ti shënjojë në Shkodrën e saj. Ishte vetëm 15-vjeç kur në Teatrin Migjeni me “Kunorën e Nurijes” i bindi të gjithë për talentin që zotëronte.

E hijshme dhe fisnike, suksesin e shtroi me të tjera kryerole edhe në Teatrin Popullor, deri tek “Medea”. Janë mbi 120 personazhe në teatër, e 20 në filma morën jetë përmes interpretimit të Rozës.

“Kam dhënë dashuri dhe kam marrë dashuri. Dhe, pse kam vazhduar të jem kaq jetëgjatë në skenë, është energjia juaj dhe e gjithë publikut që ma ka dhënë këtë mundësi që unë të kem një vazhdimësi”, thotë më tej ajo.

Tek “Mësonjtorja” që projektohet në këtë rast i restauruar ajo luan Dafinën, që personifikon Sevasti Qiriazin. Rrëfen nëse ka role të dëshiruara, që nuk i ka realizuar.

“Në një jetë artistike kaq të gjatë, patjetër që ka dhe ëndërrat nuk realizohen të gjitha. E rëndësishme është që shtyllat kryesore, qoftë në jetë, qoftë në karrierë janë realizuar”, thotë ajo.

1 Comment

  • ARTISTE ME FAMË BOTËRORE,ÇIFTIT ANAGNOSTI I UROJMË JETË TË GJATË ,SHËNDET PËR TË MIRËN E TYRE E FËMIJËVE ,NIPËR E MBESA.URIME ROZA ANAGNOSTI, FESTOFSHI EDHE SHUMË VITE TË TJERA.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *