3 Dhjetor, 2024

Rrëfimi emocionues i Nikolla Llambros: Babai hoqi bukën e gojës, që unë të bëhesha aktor

 Rrëfimi emocionues i Nikolla Llambros: Babai hoqi bukën e gojës, që unë të bëhesha aktor

Nga Nikolla Llambro

Ditën që u lirova… fluturoja.

E ja u lirovaaaa… Po tani???

Ashtu në këtë gjëndje të turbullt më zuri gjumi… Gdhiu… Një ditë e zbetë, e mugët, ngjyrë gri varej mbi qytet. Bënte ca ftohtë… Mendimi që më shtynte të paraqitesha në Trupën Estradës tashmë qe i qartë. Duhej ta provoja!

Hë për hë, rrugë tjetër nuk shikoja.

Mora vërtetimet që kisha siguruar nga qendrat ku isha aktivizuar si aktor e regjisor amator. Ato ishin disa. Me këto mendime si re të shpërndara në mëndje u ngjita në Pazar. Tek “Kafja e Gjuetarëve”, stepa një moment.

-Joo, i thashë vetes -duhet të shkosh!

Dikush në kalim, më përshëndeti…E përshëndeta mirëdita pa e pas mëndje. Ngjita shkallët e gurta të Pallatit të Kulturës dhe hyra në holl.Bëhej zhurmë nga provat e të dy trupave… Prita sa të bëhej pushimi. Dolën…I u afrova regjisorit të Tupës së Estradës. Disi I ndrojtur, me një dridhje të lehtë të zërit, ju prezantova duke i treguar arsyen pse po e “shqetësoja”. Regjisori me një habi të dukshme më ftoi të veja  të  nesërmen.

Të nesërmen u takuam dhe regjisori më dëgjoi. Mbasi pa vërtetimet duke tundur kokën më ftoi të nesërmen në studio.

Të nesërmen u ula në një cep të studios me një ndrojtje të dukshme. Regjisori më prezantoi dhe tregoi qëllimin e vizitës. Nebua buzëqeshi dukshëm. Kishim mbaruar gjimnazin bashkë. Ajo ishte në paralelin A. Të tjerët nuk më njihnin. Babain tim e njihnin.

Regjisori më ftoi të kaloja prapë ditën tjetër. Atmosfera ishte e vakët dhe fytyrat e aktorëve të qeta… Disa syresh kishin ulur kokat… Të nesërmen regjisori më dha diçka për të lexuar. Ndrojtja, emocionet më trazuan disi. E mbarova, por u duk hapur pasiguria… Regjisori më sugjeroi të çoja ndonjë material të pregatitur. Ditën tjetër më vuri të interpretoj në një skeç… Nuk e di, por kur hyja në studio, stepesha. Vazhdoi kjo gjëndje disa ditë. Lexoja me aktorët personazhe që më jepeshin. Dukej qartë që nuk isha aty ku duhej…

Pregatita ca materiale dhe ju luta regjisorit të mi dëgjonte veçmas.

Pranoi. I interpretova materialet… monolog, poezi, grimca… Tashmë i çpengur…i lirshëm…

Ai qeshte, me një të qeshur të përmbajtur për të mos e dhënë veten.

Vazhdova të veja në studio. Nuk më dha më të lexoj, deri sa një ditë më tha të mos shkoja më. Më premtoi se do interesohej në instancat që të më merrnin aktor. Vazhdoi kjo gjëndje gati një muaj. Përditë kaloja andej… Asgjë e re.

-Po interesohem-thosh-ja se do rregullohet, ki durim!

Një ditë rastësisht takova drejtorin e Uzinës Metalike… Pelivanin. Pelivani më njihte mirë.

Kisha punuar në Uzinën Metalike tetë muaj para se të veja ushtar. Ai në atë kohë qe përgjegjësi i cilësisë dhe sekretar i Partisë në Uzinë. Tashmë qe emëruar drejtor. Më pyeti se ç’po bëja për punë. E dinte përse interesohesha. Me sa duket përpjekja ime për të hyrë si aktor në Estradë kishte marr dhenë…

-Mos u mundo kot more djalë. Aty nuk futesh dot!

Nesër të pres në Uzinë të fillosh punë. Do të vë në një repart të ri, axhustator- ma preu shkurt si me urdhër. Fjalët e tij kishin një ton që nuk kundërshtohej. U stepa.

Në darkë në shtëpi biseduam me prindërit. Vendosa. Të nesërmen fillova punë.

Mbas dy ditësh, dikush kishte çuar në shtëpi në pusullë të vogël.

-Eja nesër të fillosh punë në Estradë. Regjisori!

Siç duket e kishin marë vesh që fillova në Uzinë. Mbase regjisori kishte gjetur kundërshti në instancat… Mund të mos qe ai pengesa. Nuk e di. Këtë nuk e mësova kurrë.

Atmosfera shoqërore dhe profesionale e punës në uzinën metalike Gjirokastër, ishte e shkëlqyer. Kishte teknik e mjeshtëra të nivelit kombëtar që me dalë, nuk e punonin, por e qëndisnin metalin. Prodhoheshin artikuj shtëpiak të shkëlqyer për kohën nga makineri të reja ardhur enkas nga Kina. Mjeshtra të tillë si Duro Çene, Gjuzedin Muço, Tasin Kasi, Kapo Sinani, Luan Myrtaj etj…etj… ishin nga më të mirët në rang vendi.

U miqësova me shumë punëtorë zemër flori. Më pëlqeu shumë puna dhe profesioni.

Aso kohe Lëvizja Amatore në qytetin tonë qe në kulmin e saj. Festivali i Teatrove dhe Estradës Amatore të Ndërmarrjeve ishin të përvitshme dhe me nivel të konsiderueshëm. Në ndërmarjet e qytetit kishte amatore e amatorë të talentuar. Ndër ta u zgjodhën dhe u kompletuan të dy trupat profesioniste.

Në Festivalin e Teatrove Amatore, me regjisor, aktorin e Teatrit të Gjirokastrës Niko Dhoska, me dramën e aktorit durrsak Haxhi Rama “Qetësia”, ne zumë vëndin e parë. Mua m’u besua roli kryesor. Juria më nderoi me çmimin si aktori më i mirë.

Atëhere vendimi, dëshira dhe pasioni për t’u bërë aktor, lindur që në fëmijëri e më tej në gjimnaz, më pushtoi të tërin. Vendosa të shkoja për konkurim në Institut. Ndër materialet që zgjodha ishin poezia e Driteroit “Krevati i Perandorit” me personazh partizanin Meke. Poezia u bë film dhe rolin e partizanit Meke e interpretoi “Artisti i Popullit”, Pandi Raidhi! Material tjetër ishte një tregim i Naum Priftit, “Në Muzeun e Luftës Nacional-Çlirimtare” (në mos gaboj) dhe i treti, një fabul të La Fontenit “Dhelpëra dhe rrushtë”.

Tashmë tërë qënia ime ishte e dhënë në përgatitjen e konkursit. Punoja në shtëpi e kudo. Në rrugë belbëzoja me vete si i “lojtur”, aq sa njerzit më shikonin me habi…

Ndonjë i njohur më ngacmonte:

-Ç’pate Nikollëëëë, lojte mo i zi??

Në repart recitoja fort duke punuar. Në fillim shokët, Gëzimi, Lutfiu, Kadriu, Ilia qeshnin…

Pastaj e mësuan një pjesë të vjershës dhe më shoqëronin.

Poezia “Partizani Meke” u bë sllogan… Tani kudo në Uzinë shokët më ngacmonin:

– O partizani Mekeee… dhe qeshnin me qesëndi.

Kur në repart hynte ndonjë nga të administratës, Lutfiu që ishte përballë derës, kollitej. Unë ndaloja. Kryeinxhinjer Rashua, kur dëgjonte te dera “Partizanin Meke”, kthehej.

Atij që nuk i pëlqente ajo që bëja unë duke punuar, ishte Ing.Miltua. Kur më dëgjonte duke recituar, duke kaluar që jashtë, hynte dhe  më kontrollonte me imtësi ç’punë bëja…

Kjo më mërziti disi. Atëhere çdo ditë kujdesesha të skuqia në furrat e temperimit një copë metal dhe e lija mbi tavolinë… Pas tre ditësh erdhi inxhinjeri. Metali i veçantë i tërhoqi vëmendjen. Zgjati dorën dhe metali që digjte, ju ngjit në pëllëmbë. Iku pothuaj duke rendur… Shokët u gajasën. Ngjarja mori dhenë në Uzinë. Ing.Mili nuk erdhi më në repart.

Një ditë hyri në repart drejtor Pelivani. Unë po avazin, punoja dhe recitoja:

“-Partizani Meke kish opinga të rënda…

Kish opinga të rënda dhe një pushkë të rëndë” etj..

Lutfiu ma bëri me shenjë, por unë nuk e pashë e vazhdova.. Të gjithë stepën… Unë me kokë ulur punoja dhe recitoja. Drejtorin e kisha mbrapa meje dy hapa larg. Nuk foli. Kur mbarova më ra në shpatull… U stepa. Më ra lima nga dora. Me siguri u skuqa si prush.

-Qetësohu- më tha- më kanë thënë. Me sa shoh ti duhet të vesh në shkollë për aktor dhe unë do të të ndihmoj!  Më ra butë në shpatull dhe iku… Fluturova… Shokët qeshnin…

Në atë kohë në Gjirokastër po xhirohej filmi “Malet me blerim mbuluar”.

Për qytetin dhe për ne, qe një ngjarje e jashtëzakonëshme. Aktorët Timo Flloko, Vangjush Furxhi flinin në hotel Zagoria. Një ditë guxova dhe ndala në pazar Timo Fllokon. I tregova se përgatitem për të konkuruar për aktor dhe ju luta të më dëgjonte.

Zëmërmadhi Timo buzëqeshi dhe më ftoi të nesërmen në hotel. Shkova. Çuditërisht isha i shpenguar. Ca nga që ai më priti e m’u soll sikur njiheshim prej kohësh dhe ca se unë i kisha “shtrydhur” materialet simbas mënyrës sime. Vangjushi priste jashtë derës gjysëm të hapur me një padurim të dukshëm. Timua në fillim ishte disi indiferent, por pastaj ngriti kokën dhe më dëgjoi me një interes të dukshëm… Në buzët e tij ishte vizatuar një buzëqeshje si një rreze drite. Mbarova. Pauzë.

-E katranosa…mendova.

Ai ngriti kokën e ulur, m’u afrua dhe më zuri nga zverku me ëmbëlsi.

-Si ma the emrin- më tha?

-Nikolla – belbëzova turpshëm me zë të dridhur…

-Dëgjo Nikolla- më tha- për mua ti je i përgatitur mirë dhe të vish në Tiranë për konkurim. Unë nuk kam ç’të shtoj për ato që dëgjova. Veç mos u ngut dhe rruaj qetësinë. Të uroj sukses. Shihemi në Tiranë.

-Mbaroveee…u dëgjua zëri i paduruar i Vangjushit mbrapa derës gjysëm të hapur. Ikën… Për një çast mbeta pa lëvizur… Nuk u besova veshëve.

-Me tërë mënd e ka ky, mendova?! Mos kaloi radhën dhe më bëri qejfin?

Ku ta dija unë në atë kohë se më vonë, që të dy aktorët e mbëdhenj, do të bëheshin pedagogët e mi të mrekullushëm në Institut dhe kolegët në të ardhmen.

Gjithsesi vajta për konkurrim. Kur u ktheva, koha e pritjes për të marrë ndonjë lajm, qe një torturë e vërtetë.

Në verë në Gjirokastër kishte ardhur Robert Ndrenika, i cili bashkëshorten e kishte gjirokastrite.

Një natë, në xhiron e zakonshme që bëhej në pazar, guxova dhe e ndalova.

-Oo ti je ai që konkurrove- më tha.

-Po unë jam!

-Si të quajnë?

I thashë emrin.

-Nikoll-më tha me zë të ëmbël- ti kalove, ke fituar. Tani interesohu këndej që në shtator të vish në Institut!

Sa nuk ju hodha në qafë që ta përqafojaaa…

Fluturoja… Një eufori e çmendur më pushtoi të tërin. Vrapova në shtëpi. Prindërit u hutuan. Pastaj një gëzim i dukshëm shëtiste tërë mbrëmjen midis nesh. Atë natë nuk fjeta.. E si mund të flija.. si…siiii…?? Do studioja për aktor!

Por… por… jooo…

Në atë periudhë nga Gjirokastra nuk kishte kërkesa për të studiuar për aktor, megjithë nevojën e madhe për aktorë të rinj e të shkolluar që kishin Trupat Profesioniste. Ministria dërgoi në Gjirokastër vetëm një të drejtë studimi. Deri në atë periudhë, në Gjirokastër me shkollë të lartë aktrimi ishin Bernard Kokalari, Bukuroshe Kokalari, Viktor Zhusti, Baftiar Çene, të cilët kishin mbaruar para se të krijohej Teatri Profesionist në vitin 1968.

Ne nga Gjirokastra konkurruam dhe fituam, unë dhe Ilir Bega.

Në mbledhjen që zhvilloi Seksioni i Arsimit aprovoi vetëm Ilir Begën. Me të drejtë, se Iliri, shoku dhe kolegu im, qe i biri i komandantit të Kufirit ushtarak, i shquar, që kishte marrë pjesë në gjyqin e Hagës  për çështjen e Kanalit të Korfuzit.

Atë ditë, kur mbaroi mbledhjen Seksioni i Arsimit dhe mua nuk më aprovoi, njëri nga istruktorët, Vangjeli, mik i familjes, më njoftoi me telefon në punë. Vrapova dhe nuk e di se për sa kohë u gjënda në Seksionin e Arsimit, që aso kohe ishte në godinën e Komitetit Ekzekutiv. Në korridor pjesëmarrësit pothuaj nuk kishin arritur të shpërndaheshin. Ashtu, me rrobat e punës, i mbytur në djersë dhe në ngashërim, duke m’u marrë fryma ju drejtova shefit të Seksionit të Arsimit.

-Ti shoku shef nuk do që unë të vete në Shkollë?

Mezi mbarova mes dënesës e lodhjes. Shtangu. Të gjithë u stepen. Shefi mes habisë dhe hutimit shpërtheu disi i trëmbur:

-Ç’është ky mo, ç’është ky?!

-Nga mbiu ky këtu mo??

Shef i Seksionit të Arsimit, ishte një burrë jo shumë i gjatë. Me flokë të rralla e me kokë paksa të madhe. Mbante një kostum ngjyrë gri të errët, me jelek e gravatë njëlloj e me një këmishë ngjyrë bezh. Pantallonat i vareshin disi poshtë, duke krijuar disa rrudha mbi këpucët e zeza. Atëherë ndërhyri Vangjeli:

-Shef, ky djalë është i Filip Llambros që diskutuam (edhe shefi e njihte tim atë). Vangjeli më hodhi krahun dhe më largoi butë.

-Hajde mor djalë se do ta bisedojmë, mbase ka zgjidhje!

Mësova se i kërkoi leje shefit të shkonte në Ministri dhe ta bisedonte. Trupat Artistike të Gjirokastrës, kishin nevojë për aktor të rinj, të shkolluar. Ministria pranoi duke i sugjeruar se jo dy, po edhe më shumë pretendentë nëse kishte Gjirokastra, t’i dërgonte për studime.

Por…por…nuk mbaroi me kaq.

Në listën e fundit që u shpall në fund të gushtit, jashtë në muret e Komitetit Ekzekutiv për studentët që do venin në Universitet, mua më doli e drejta me pagesë, 3000 lekë në muaj.

Aso kohe motra ime e vogël studionte në Institutin e Fiskulturës në Tiranë me pagesë.

Kur e pashë në listë emrin tim me pagesë, mu morën mëndtë. U ula te shkallët e Komitetit se m’u errën sytë, koka m’u ftoh dhe nuk isha në gjëndje të eci. Ndënja një copë herë e mbasi e mora disi veten, u ngrita dhe duke u mbajtur nga muret rrugës zbrita poshtë varroshit për në shtëpi. Gjëndja ime fliste qartë.

– Hë-më pyeti im atë- e pe emrin në listë?

-Po-ju përgjigja pa ngritur kokën.

-Edhe- pyeti me padurim?

-Hiç, më doli me pagesë- iu përgjigja.

Pauzë…

-Ahaaa…-belbëzoi dhe koka ju var mbi supe. Heshtje… Ndjeja se nëna ime dridhej…

Mbas një heshtjeje të rëndë, si një re sterrë e zezë që zbret mbi mal, im atë shpërtheu me një inat të mbytur… “Maskarenjtët!” Kaq.

U ngrit dhe doli. Pas pak dola të shoh i shqetësuar. Ishte ulur në klub në një tavolinë vetëm, mbështetur kokën në pëllëmbën e madhe dhe thithte cigaren ethshëm me një flixhan kafe përpara… E lashë ashtu.

Të ardhurat e prindërve të mi si punëtorë, ishin 10100 lekë në muaj. Nga të cilat, 3000 lekë ja dërgonin motrës. Simbas rregullit, në mos me bursë, të paktën me gjysëm bursë më takonte për të vazhduar studimet. Në rastin tonë, tarifa maksimale nuk duhet ti kalonte 10000 lekët në muaj. Ne i kalonim me 100 lekë. Pra për 100 lekë të vjetëra mua më privohej e drejta për të vajtur në Institut.

Që të vazhdoja edhe unë, prindërit duhet të paguanin 6000 lekë në muaj për të dy, për mua dhe motrën. Mbeteshin vetëm 4100 lekë, me të cilat të rronin e të mbuloheshin edhe shpenzime të tjera. Pra ishte e pa mundur.

E mblodha. Nuk do veja.

-Ky ishte fati im – thashë.

Netëve në dhomën e tyre prindërit diskutonin. Herë herë dhe grindeshin për mundësitë pothuaj të pamundura të shkollimit tim. Një mbrëmje im at më tha:

-Ulu këtu. Po! Ne vendosëm që edhe ti të vesh për studime -tha me ton të vendosur.

-Po është e pamundur or babë- i thashë

-Atë e dimë që është e vështirë po ti do vesh! Ta di sikur bukë e ujë të hamë, apo të eci me çizme llastiku në gusht, ti do vesh në shkollë e të na nderosh. Kaq tha.

Qavaa… Dënesa më mbyste dhe nuk merrja dot frymë. Bashkë me mua qau dhe nëna. Im at, ai burrë i leshtë, që nuk tutej lehtë, u ngrit dhe doli për të mos e parë që u përlot.

Ja kështu…unë vajta dhe sot në këtë rrugëtim të gjatë 50 vjeçar si aktor, kujtoj me nostalgji, me përkushtim atë sakrificë sublime të prindërve të mi, që unë të bëhem aktor.

Që ne të studionin bashkë me motrën, vërtet që im at eci me çizme llastiku në gusht dhe shpesh e lagte bukën në çezëm të mbushte barkun…

Eehhh babë o babëëëë… Nënë o nënë…të dashurit e mi të pa haruar…!!! Ju o prindër të sakrificës, prindër të rrallë e të mrekullushëm, ju përgjërohem! Faleminderit përjetësisht!!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *