Pse u “çmendën” shqiptarët nga Big Brother?
Nga Entela Resuli
Një nga programet televizive që po diskutohet shumë në rrjet këto ditë është Big Brother Vip. Personazhet e këtij reality, tashmë janë njerëzit më të komentuar dhe diskutuar në atë që quhet hapësirë virtuale.
Për më shumë se tre muaj ata kanë pranuar të bëhen pjesë e një shou, ku jetojnë 24 orë në 24 të vëzhguar nga kamerat. Me futjet e tyre në këtë program nuk ka më asgjë personale për ta. Jeta e tyre, ndarja e historive personale, e kaluara, familja, dashuritë, tradhtitë, pasiguritë, konfliktet të rrëfyer nga vetë ata janë bërë të njohura dhe u janë servirur publikut si mundësi për t’i komentuar, diskutuar, madje edhe gjykuar.
T’i shohësh jetën e tjetrit në ekran është diçka që të zgjon kuriozitetin se si ka reaguar ai/ajo, po dhe se si sillet në situata të caktuara.
Njerëzit kur shohin një person 24 orë në televizor u duket në një moment të caktuar sikur është pjesëtar i familjes së tyre dhe dashje pa dashje krijojnë afrimitet me atë personazh, duke u identifikuar me betejat dhe triumfet e tyre.
Nga ana tjetër, vetë natyra e njeriut është kurioze, kështu që nuk është aspak çudi që njerëzit të shohin, qoftë edhe për të kaluar kohën, debatet, konfliktet, lojërat, surprizat dhe bisedat brenda “Big Brother VIP”. Publiku i do dramat dhe këto drama aty nuk mungojnë.
“Varfëria”
Për sociologen Entela Binjaku, ka disa arsye pse këto programe televizive tërheqin vëmendjen e njerëzve:
“Mendoj se interesi i lartë për të ndjekur këto programe qëndron së pari tek ushqimi i një kërshërie të natyrshme për ne si qenie shoqërore kurioze për atë që ndodh rreth nesh.
Ne njerëzit jemi kafshë shoqërore dhe si të tilla kemi nevojat tona. Kur kemi mbuluar nevojat bazike siç janë: ushqimi, streha, aktiviteti seksual, siguria, kërkojmë të plotësojmë nevojat e tjera siç janë për shembull përkatësia në një grup. Brenda grupit gjejmë dashuri, ngrohtësi, fakti që identifikohemi nuk ndjehemi të vetmuar.
Në nevojat tona qëndrojnë edhe njohja apo vlerësimi nga publiku, nevoja për vetërealizim, pra arritja e qëllimeve personale. Nevoja të tilla si: kërkimi i drejtësisë, bukuria, estetika, nevoja për të bërë atë ku kemi më shumë aftësi edhe këto janë nevoja të njohura.
Në këto formate televizivë mendoj se ndërthuren nevojat e sipërpërmendura me mungesat e mëdha që ka jeta shoqërore e vendit tonë kudo ku ka jetë, për kulturë, argëtim, zhvillim fizik e mendor për aktivitete të kohës së lirë që e plotësojnë qenien tonë edhe shpirtërisht”.
Sipas sociologes një tjetër arsye se përse këto programe krijojnë varësi është dhe fakti që ka varfëri në alternativa dhe si e tillë, rrjeti të ‘bombardon” më informacione rreth këtij shou e për pasojë, kurioziteti nxitet. Por jo vetëm kaq…
“Shikueshmëria qëndron edhe tek ndjekja e disa modeleve estetike ose bukurie nga çdokush në moshën e ngjashme me protagonistët por edhe nga një pjesë tjetër që ka nevoja të tilla që tanimë janë kthyer jo dhe aq në nevojë sesa varësi.
Shikueshmëria nuk i ka shpëtuar edhe “pushtimit” teknologjik që qëndron pikërisht tek mëysymja mediatike që bëjnë këto formate që të vijnë kudo dhe ngado duke krijuar edhe një varësie tek ndjekësit që tashmë një mjet mobil dhe qasje në internet.
Arsye të tjera lidhen edhe me varfërinë e madhe që ka programacioni televiziv me programe me bosht politikën për të cilën të rinjtë nuk kanë interes dhe mosha e mesme është lodhur dhe neveritur, apo programe gatimi që sërish për to të rinjtë kanë pak interes ose kur ato arrijnë të zgjojnë ndonjë pasion të fshehur për gatim është varfëria që i kundërvihet dhe e step, për programet sportive që edhe ato nuk kanë ndikim sepse shoqëria ndjehet e përjashtuar nga aktivitetet sportive që prej vitesh ka ardhur në zbehje dhe nuk ka ushqyer dot interes tek shikuesit.
Kur ngjarjet nga politika thjesht si citim i të njëjtve njerëz apo kronika e zezë i përcillen në mënyrë të përditshme dhe intensive, nevoja për një realitet larg tyre është e kuptueshme”- i thotë Sociologia Binjaku gazetës Dita.
“Stili i jetës dhe vetja brenda televizorit”
Dëgjojmë shpesh të përdoret fjalia: Shqiptarët reagojnë më fortë për një situatë në Big Brother (për shembull, ndarjen e Borës nga Donaldi), se sa për ngritjen e çmimit të naftës!
Sipas sociologes kjo tregon se kemi një stil të varfër jetese!
“Kur jeta e përditshme nuk të ofron veçse varfëri, të ardhura të pamjaftueshme për të ndjekur një stil jete siç e dëshiron, kur plotësimi i nevojave për vetërealizim apo vetëaktualizim është i vështirë, kur mundësia për zhvillim e ngritje kulturore është e vogël, kur interesi për lirinë e mendimit që të jep edukimi është gjithmonë e me i ulët, natyrisht këto formate nuk kanë asnjë arsye pse të mos jenë joshëse”- shpjegon Binjaku.
Nga ana tjetër, situatat që komentohen më tepër janë ato kur dikush që kemi përball në ekran është në një pozitë të vështirë, ose thënë ndryshe është duke vuajtur.
Njeriu ndjen një kënaqësi momentale kur shikon të ngjashmin e tij të përjetojë një situatë të sikletshme. Ndoshta gjen vetën, pasi të gjithë përjetojmë situata të vështira e për pasojë ndihet mirë kur shikon që ka edhe të tjerë që e përjetojnë këtë ndjesi.
“Brenda grupit gjejmë dashuri, ngrohtësi dhe fakti që identifikohemi do të thotë se nuk ndjehemi të vetmuar. Në mesin tonë si qenie shoqërore ka edhe ndër ata që ndërsa shohin në programe televizive dikë që vuan apo është në vështirësi gjejnë ngushëllim për situatën vetjake. Edhe ata ngjashëm, vuajnë prej dashurisë, tradhtisë, padrejtësisë etj. Siç ka edhe ndër ata që përjetojnë një ndjenjë kënaqësie të çastit ndërsa shohin dikë të vuajë apo në vështirësi: Kënaqen sepse nuk janë të vetëm pra ka edhe të tjerë njëlloj, kënaqen sepse gjejnë tek të panjohurit shkaktarë të përbashkët të gjendjes së tyre, ose kënaqen sepse edhe të tjerët meritojnë të vuajnë. Në të gjitha rastet këto janë kënaqësi që shkojnë në kah të kundërt me nevojat njerëzore për mbështetje, ngrohtësi dhe dashuri dhe fshehin rrënjë të thella pakënaqësie vetëvlerësimi apo mungese vetërealizimi”- arsyeton sociologia.
Përballja me “gojët e liga”
Dhe më pas vjen “lumi” i komenteve që këta personazhe publike që kanë vendosur të jetojnë të zbuluar përball syrit të teleshikuesve, marrin.
Gjykohen për gjithçka. Për çdo veprim. Madje rreziku është që kur dalin prej andej të përjetojnë një gjendje të vështirë emocionale për shkak të ‘fjalëve të botës”.
“Bashkë me suksesin e shikueshmërisë hapësira virtuale që i ka dhënë vend gjithkujt ka sjellë me vete edhe ndër ata që kanë një mendim për gjithçka dhe gjithkënd. Njerëzit qe kanë një qasje në këtë hapësirë në jetën e përditshme jo domosdoshmërisht shquhen për mençuri, për bukuri shpirtërore, për stil jete të pasur dhe aktiv apo për ndonjë pasuri mendimi.
E megjithatë fakti që kanë një qasje në rrjetet sociale ndjehen të shtyrë për të shkruar apo dhënë mendim. Ndonjëherë ata manifestojnë një gjuhë dhunë dhe mllefi të atillë a thua se janë ata që i kanë krijuar me dorën e tyre këto qenie televizive dhe për çdo rast që dalin nga modeli i tyre, e kanë gati kritikën që merr forma nga më të skajshmet.
Në mesin e tyre ka edhe ndër ata që mungesa, jeta e izoluar apo pamundësia për të komunikuar në jetën e përditshme i shtyn të gjejnë tek këto personazhe kanale për t´u shprehur apo për të zbrazur një pjesë të zemërimit të tyre.
Rregulli që ndoshta nuk e njohin ose e harrojnë është: Askush nuk ka të drejtë t´i imponohet askujt. Secili është përgjegjës për veprimet e veta, dhe nuk mund të sillesh në mjedisin virtual ashtu siç nuk do të ishe sjellë në mjedisin real.
Shëndeti mendor nuk duhet të nënvleftësohet në asnjë rast. Në mesin tonë ka edhe qytetarë që nga pikëpamja e shëndetit mendor nuk janë të qëndrueshëm apo janë të brishtë dhe sërish edhe ata mund të jenë lirisht komentues” e mbyll komentin e saj sociologia Entela Binjaku.
Gjithsesi dëshira dhe kuriozitet që kemi për të parë dhe për të komentuar jetën e tjetrit na shtynë edhe të shohim këtë program televiziv i cili na servir për një periudhë kohe atë se çfarë ndodh dhe se si reagon një personazh i njohur në një situatë të caktuar të ngjashme me ato të jetës së përditshme.
Të shohësh copëza të vetes në televizor është kthyer tashmë në një “sport” popullor.