“Poezi delikate”, Rajmonda Bulku tregon si i vinin komplimentet nga fansat e çmendur. Violeta Manushin e kisha si mamanë time
Filmi “Zonja nga qyteti” jo vetëm që i bashkoi në karrierë, por edhe në jetën personale. Bëhet fjalë për Violeta Manushin dhe Rajmonda Bulkun, 2 yjet që dhuruan shumë emocione dhe të qeshura përmes aktrimit të tyre në filmin shqiptar shumë të dashur për publikun.
E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan”, aktorja Rajmonda Bulku ka rrëfyer me detaje marrëdhënien me Violeta Manushin për të cilën ka thënë se ishte si ajo e nënës me të bijën.
Alketa Vejsiu: Çfarë mban mend nga “Zonja nga qyteti”? Ke pasur një raport shumë të afër me Violeta Manushin.
Rajmonda Bulku: Që natën e parë, ishte vërtetë filmi i dytë, por sidoqoftë ishte një rol më kryesor se sa tek “Dimri i fundit” dhe Violetës me siguri i thanë që kjo është një vajzë gjimnaziste…
Violeta më ftoi në dhomë dhe që natën e parë kemi fjetur të dyja tek “Turizimi” i vjetër i Pogradecit dhe më thotë që “ti je bija ime” dhe mbetëm kështu deri në fund. Fjala “bija ime” ishte deri në momentet e fundit, i kemi thënë njëra-tjetrës që të dua shumë vërtetë dhe unë i kam thënë që të dua shumë.
Rajmonda Bulku: Deri në momentin e fundit kur ishte në spital kam qenë pranë saj. E dija që ajo grua ishte një mrekulli, një karakter shumë i bukur, një artiste e jashtëzakonshme dhe isha krenare që e kisha mike të vërtetë. Në dasmën time ka qenë e ftuar në tavolinë dhe automatikisht si grua e zgjuar tha “tani unë jam nëna e tretë” se erdhi vjehrra.
Puthja e famshme mes Rajmonda Bulkut e Timo Fllokos
Aktorja Rajmonda Bulku tregoi dhe skenën e puthjes me Timo Fllokon tek “Vdekja e kalit”, që do të ishte konsideruar “shfaqje e huaj”, por u prit ndryshe nga publiku.
Rajmonda Bulku: Ishte shumë shpejt, ishte ’93-shi që as ne nuk ishim të përgatitur, absolutisht.
Rajmonda Bulku: Çuditërisht nga që filmi ishte shumë dramatik dhe shumë i vërtetë nuk reaguan ashtu siç mund të kenë bërë për “Duaje emrin tënd” në vitet ’80 që u tërbuan të gjithë, iu duk film ekstravagant, modern.
Ndërsa për “Vdekjen e kalit”, qoftë edhe për atë skenë që ishte më shumë sesa një puthje sepse në këtë çift se u bindëm edhe ne aktorët, nëse nuk do të ishte një dashuri e madhe s’ka sesi vuajtja e partnerit, e burrit tim në film apo e Timo Fllokos si aktor nuk do të shkonte në atë ekstremin e dhimbjes sepse një dashuri e madhe është shumë e tmerrshme kur ndahet për arsye politike.
Alketa Vejsiu: Mendo ta kishte xhiruar atë skenë Vera Grabocka, atë puthje të famshme, si do kishte dalë!
“Ulja kokën kur më komplimentonin”, aktorja Rajmonda Bulku reflekton: Kam bërë gabim
Aktorja Rajmonda Bulku u pyet nga fëmijët nëse e komplimentonin djemtë për sytë e bukura.
Aktorja e pohoi diçka të tillë, por u shpreh se koplimentet për sytë ishin aq të shpeshta sa e vendosnin në siklet dhe ulte kokën vazhdimisht. Por sot pranon se kjo ndrojtje ishte e gabuar.
“Edhe të mëdhenjtë, edhe tetat, edhe xhaxhët, nganjëherë më mërzisnin dhe unë ulja kokën. Por më zgjati shumë kjo dhe kam bërë gabim që kam ulur kokën.
Njeriu duhet të rrijë drejt edhe kur ka gjëra të bukura në portret, edhe kur është e bukur. Ti do jesh gjithmonë krenare për bukurinë tënde”, tha Rajmonda Bulku.
“Poezi delikate”, Rajmonda Bulku tregon si i vinin komplimentet nga fansat e çmendur
Komplimentet e fansave për yllin e kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku, vinin përmes letrave e poezisë së shkurtër, delikate e me etikë. Bulku ka thënë se i pëlqenin komplimentet pasi e ndjente se kishte bërë një punë që kishte lënë gjurmë.
Alketa Vejsiu: Cili është një film që ke ndjerë celebrimin e suksesit në mënyrë shumë prezente dhe që ndjeve që të gjithë të adhuronin për rolin që kishe? Apo ndonjë shfaqje teatrale ku mban mend ndonjë episod fansi të çmenduar. A ka pasur fansa të çmendur atëherë apo ishin më të përmbajtur sepse sistemi i disiplinonte?
Rajmonda Bulku: Ishin më të përmbajtur, por edhe të falenderonin shumë sepse e shikonin nëpër kinema filmin shqiptar.
Rajmonda Bulku: Ndonjë poezi e shkurtër dhe mund të vinte, delikate dhe me etikë. Nuk ishin kurrë të drejtpërdrejta. Ishte bukur sepse e ndjeje në fund të fundit që kishe bërë një punë që kishte lënë një gjurmë dhe është ajo që të bën përshtypje dhe të pëlqen.