4 Dhjetor, 2024

Piro Manin e kishte puthur fati në ballë

 Piro Manin e kishte puthur fati në ballë

Nga Pëllumb Kulla

(Kujtime e përsiatje të shpenguara mbi teatrin)

E ndal makinën time në Barnes Avenue, te këmbët e godinës nju jorkeze, ku banon Piroja me Pavlinën dhe fëmijët e tyre me familjet, dhe pres deri sa ashensori e zbret plakun flokëbardhë, që del në trotuar e nuk thotë mirmëngjes pa u rehatuar në sediljen përkrah shoferit, që në këtë rast jam unë.

Zëri i tij është po ai i pari, ai që mbahet mend me Edi Karbonen, me Protopapën e me figura të tjera të paharrueshme që krijoi ai.

Me që ra fjala, e njoh qytetin e madh më mirë se Piroja, dhe e shpura një ditë përmbi urën e Bruklinit, aty ku gjysëm shekulli më parë bënte shëtitjet e përditëshme Artur Mileri, dramaturgu i madh, që sodiste nga maja e asaj ure, punën e hamejve emigrantë italianë në portin e dikurshëm të Nju Jorkut. Ato soditje më pas i dhanë letërsisë dhe teatrit “Pamjen nga Ura”, dramën e Edi Karbones, atë dramë të pavdekshme mbi dritëhijet e nënvetëdijës njerëzore që Frojdi ka marrë përsipër të na i shpjegojë shkencërisht dhe një djalë i ri i porsakthyer nga studimet e Moskës, pat përveshur mëngët t’i trupëzonte në skenën e teatrit të Korçës.

Korça qe një qytet province në kuptimin gjeografik, por mbeti një nga kryeqytetet e teatrit shqiptar, më së shumti për meritë pikërisht të këtij individi, që bash nga vendi i origjinës nisi rrugën e mundimshme drejt majave me dritë…

* * *

Në fillimet e dhjetëvjeçarit të shtatë, të shekullit që na la, unë kam patur fatin të isha një ndër studentët e Shkollës së Lartë Teatrale “Aleksandër Mojsiu”.

Vendosja e Shkollës së Lartë në Teatrin Kombëtar (Popullor), i jepte pjekurisë tonë një frymëmarrje mjaft të shëndetëshme. Na dukej se në oborrin e teatrit shëtisnim mes një pylli me lisa të pavdekshëm që sot përbëjnë legjenda: Mihal Popi, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Maria Logoreci, Prokop Mima, Sul Pitarka, Viktor Gjoka, Ndrek Luca e të tjerë të një liste të gjatë.

Ishte koha kur regjisorët e diplomuar në shkollat e Europës Lindore po burrëronin personalitetin e tyre artistik. Ishin Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli dhe personazhi i shkrimit tim, Piro Mani, the last but not the least, (sa për t’i dhënë një çikë aromë amerikane me thënien e këtushme “i fundit por jo më pak i rëndësishmi”!). Talenti iu bë këtyre regjisorëve të rinj, aleati më i fuqishëm i autoritetit që fituan ata në një kohë marramendëse. Shfaqje të tilla si “Dhelpra dhe Rushtë” (Luarasi), “I Çuditshmi” (Spahivogli), “Historia Irkutase” (Oktrova), shfaqën veç vlerave letrare, portrete të veçantë regjisorialë, lojë aktoriale realiste larg deklamimit, që deri në atë kohë nuk ishte përjashtuar dot tërësisht nga recitimet dhe interpretimet e aktorëve tanë. Dhe së fundi, u realizua “Pamje nga Ura” që përmenda, dhe që nga Lindja e “revizionuar” solli Perëndimin, na dha rast të prekim personazhe amerikanë, na solli Piro Manin, si regjisor shpërthyes dhe një aktor që askush nuk e pat llogaritur për të tillë.

Kryepedagogu Andrea Malo do të thosh “se Harpagoni i Zef Jubanit dhe Edi Karbone i Piro Manit ishin realizimet më të mira të teatrit shqiptar në kullotat e dramaturgjisë botërore.”

Piro Manin e kishte puthur fati në ballë. Në laboratoret e teatrit korçar pati nën urdhrat e tij regjisorialë aktorë të klasit të parë, si Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin, Aleko Prodanin e të tjerë, që Piroja s’i hiqte nga goja dhe i kishte të pranishëm, jo vetëm në bisedat jubilare. Së bashku, ata realizuan vepra me vlera të qëndrueshme, që lanë mbresa në kujtesën e artdashësit, si “Hijet e Natës” të Vedat Kokonës, apo që dëshmuan art të shquar regjisorial dhe aktorial, edhe pse të ngopura me politizime, si “Këneta” e Fatmir Gjatës, që fituan pëlqimin e autoriteteve. Haraçe të tilla si realizimi, që përmenda të fundit, bënë të mundur që në skenën e Korçës t’u hapej dera yjeve që nuk perëndojnë: Shekspirit, Molierit, Bernard Shout, Ostrovskit.

Është interesante se si historia e vendit tonë do mund të lexohej edhe nëpërmjet historisë së teatrit. Aty shfaqet qartë se si shtrëngimet dhe lëshimet në repertor, përkonin me dritëhijet në trurin e diktatorit të sëmurë nga paranoia. Historia edhe më dramatike e dramave të anulluara e atyre që fituan kurora dhe u shkurorëzuan, e dramave që u bënë shkak përleshjesh të kryekrerëve të PPSh, drama që u bënë shkas për internime, transferime dhe burgime autorësh, regjisorësh e piktorësh; e dramave pa vlerë që përfituan e dolën në dritë nga këto lloj përleshjesh, mund ta tregojë fare mirë, në gjuhën e vet, historinë e Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Sukseset e ndritëshme të Korçës, e sollën Piro Manin në teatrin qëndror të vendit, në Tiranë….

Në studjot dhe në skenën e atij teatri, për një çerek shekulli u pa një njeri që nuk u ndal kurrë në kërkimet e tij që rezultuan, në më të shumtën, suksese për t’u patur zili. Si të mos i kishe zili një vepër alegoriko-satirike si “Arturo Ui” e Brehtit, ku bashkë me atë të regjisorit, ndritën gati të tërë yjet e aktorëve të angazhuar atje. Arturo Ui ishte personifikimi i karrieristit mizor, i diktatorit të pandalshëm para asgjëje në ngjitjen e tij, i demagogut populist, që është moskokëçarës nëse e besojnë apo jo, në ato që thotë. Ne, në Shqipëri, e kishim një të tillë, që na e pat zënë diellin, dhe na e pat bërë jetën natë. Por kishim dhe Brehtin që sikur ta paskesh njohur, na e pikturoi atë. Piroja solli krah Brehtit, Viktor Eftimiun me “Prometeun” në përballjen e tij me Zeusin: solli Qamil Buxhelin me “I pazëvëndësueshmi” – puse alegorie, që kanë mbetur nga shfaqjet më të bukura, që nderojnë regjisorin dhe teatrin ku punoi ai.

Në kredot më të dashura estetike të Brehtit kanë qenë “pesë dredhitë për të thënë të vërtetën në diktaturë”. Ja, ato tri vepra, më shumë se të tjerat i a bënë të mundur Piro Manit të shfaqte dhelpërinë dhe të kënaqte ambiciet e tij artistike, kënaqësi që i shijuan të gjithë veç e veç, pa deklaruar, pa komentuar e pa bërë gëk!

E tillë ishte koha.

Tamam në ato vite shënohen krizat më të mprehta e dramat më të mëdha njerëzore, që si për të përqeshur artin e skenës, nuk do të ngjiteshin dot kurrë mbi një skenë teatri. Tamam në atë kohë morsat e persekutimit mbërthyen dy nga regjisorët më të talentuar, Spahivoglin dhe Luarasin.

Por kjo ngjarje nuk la pa tronditur edhe sigurinë e Piro Manit edhe të tjerëve të cilët e ndjenë fshikullin. Ne të gjithë ndjemë vërshimin dhe përmbytjen e skenave me vepra që u lexohej fundi që në faqen e parë. Aktorë të shkëlqyer, që skenës shqiptare nuk i kanë munguar kurrë, u munduan të gjejnë frymëzim dhe t’u japin jetë ca karaktereve që u rrinin si kostume tepër të ngushtë…

* * *

Piroja ka mendimin se shkolla ruse e teatrit është një shkollë e përparuar me baza të shëndosha të mjeshtërisë së aktrimit, vendosur nga pedagogë që edhe në Amerikë, sikurse në tërë Perëndimin, trajtohen sot me respekt.

– Pra ti, Piro, e quan veten me fat që u edukove në atë shkollë?

– Pa as më të voglën lëkundje! Ishte shumë e vlefshme praktika jonë në teatrin dhe shkollën ruse, pasi shihnim se si artistë të shquar iu përshtateshin kushteve. Edhe në binarët e hekurt stalinistë, ata arritën të realizojnë një pjesë të ambicjeve të tyre artistike.

– Po në binarët e stalinizmit tonë? – e ngacmoj unë. – Duhet të pranojmë, se në gjinitë e tjera të letërsisë, megjithë represionin e tmerrshëm, u realizuan dhe vepra me vlerë, kurse në dramaturgji, varfëria ishte e tmerrshme.

Një rrudhë e thellë çan ballin e Piro Manit:

– Shumë vetë e kanë kollaj t’i venë kryqin teatrit tonë të asaj kohe. Duhet të matesh mirë që të analizosh drejt kulmet e pakta, por të matesh edhe për shtrembërimin e tij, degradimin dhe përdhunimin e tij.

Me keqardhje, sjellim ndërmend se censura ndaj teatrit rrinte me tre turne në majë të karakollit.

– Ti, Piro, – vazhdoj më tej unë, – ke qenë në qendër, ke qenë më ishquari ndër regjisorët, dhe detyrimisht të ka rënë barra të ngjitësh më shumë vepra të politizuara në skenë. Buzëplasur, buzëplasur, por e ke gjetur pajtimin me to…

– Thuaje dhe se kam qenë më i vëzhguari dhe më i monitoruari!… – E pastaj, mendueshëm, regjisori shton: – Pajtimin me to… Si të them? … Ti e kupton se edhe në dramën më të keqe, do të gjesh se s’bën një qoshkë të bukur frymëzuese, një motiv të paprekur, një karakter interesant, apo një të thënme me vlerë… Do të gjesh, me siguri, një gozhdë ku lidhet kënaqësia estetike, frymëzimi i artistit. Pastaj artisti e zhvesh frutin e ëmbël nga lëvozhga ideologjike dhe arrin ta shijojë. A nuk e frymëzon artistin një vajzë që u mëson shoqeve shkrim e këndim? A nuk të duket frymëzues dhe i shtrenjtë një partizan 19 vjeçar që jep jetën duke luftuar e nuk e merr vesh kurrë më, se gjaku i tij u përdor për një skllavëri tjetër më të egër se okupimi?

– Le të ndërrojmë temë,

– Le të mos e ndërrojmë edhe pak, – kundërshton Piroja. – Një ngashfaqjet më të bukura të mia, unë mbaj “Rrethimin e Bardhë” të Naum Priftit, por ata nuk kanë mundur ta shohin ngaqë atë e rrëzoi vetë Enver Hoxha në një nga vizitat e tij në Korçë. Fabula ishte mbi rezistencën njerëzore në kushtet e rrethimit nga dëbora dhe mendohej se do të kalonte me pasaportën e temës së rrethimit kapitalisto-revizionist. Unë u dashurova pas veprës. Sapo kisha ardhur nga Moska ku destalinizimi po shkrinte çdo lloj akulli. Në tërë katet e universitetit Lomonosov kërciste rockenrolli nga gëzimi i hapjes së horizonteve. Kurse tek ne… Unë arrita që tërë këtë përjetim ta plazmoja në atë dramë.

I Pari i vendit e kapi menjëherë nostalgjinë time dhe e fundosi atë spektakël aq të ndjerë… Sinqerisht, ka qenë një nga punët më të bukura që kam bërë. Pra, i dashur, teatri ka qenë një bashkëpunim i gjërë: për ngjarjet e shënuara vepra orientohej nga shumë lart; në organizatën bazë shtrohej akuza delikate “Piro Mani nuk u jep role komunistëve”, gjë që nuk ishte e vërtetë aspak, pasi shumë nga komunistët ishin aktorë vërtet të paarritshëm. Por komunistët mediokër, aktorë pa vlera, me këtë akuzë, jo vetëm që nuk e linin udhëheqësin artistik t’i dëbonte nga teatri, por deshin që ai t’u jepte të luanin dhe Hamletin! Hajde të harmonizoje kërkesat e Shekspirit me ato të organizatës bazë të partisë! Mund ta ndërrojmë temën tani!

Kur në shoqërinë tonë ndodheshinn gratë, prekeshin temat e Fakultetit të teatrit puna përgatitore që bënim me projektet tona në ambientet familjare. Unë e dija përgjigjen kur e pyesja Piron për rolin dhe pjesën e grave tona, Xhulit dhe Pavlinës, në vuajtjet tona krijuese verejtjet e tyre te merakosura, pakenaqësitë, si e shihte ai Pavlinën, dhe kënaqesha kur bashkëshorti ma vërtetonte këtë.

– I kam pritur me një farë ankthi gjykimet e saj. Gjithmonë e ashpër. Ajo e saja, opozita më e sinqertë, më e egra, më e pamëshirshmja! Dhe më e domosdoshmja!

E unë i fshija temat më tej dhe e përgëzoja Piron, që në jetën e tij të bukur, ai pat arritur kulme më shumë se çdo regjisor tjetër në historinë e teatrit mbarëshqiptar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *