Piro Mani ndërroi jetë në SHBA, Roza Anagnosti apel shtetit shqiptar: Të prehet në dheun mëmë, është në nderin tuaj ta sillni
Tri vjet më parë, i madhi Piro Mani ndërroi jetë në SHBA.
Ai prehet larg Shqipërisë, ndërsa aktorja e madhe Roza Anagnosti, në një letër të saj thotë se është në nderin e shtetit shqiptar, që ai të prehet në dheun mëmë.
“KUJTESË
Pirro Mani, Artisti i Popullit, Nderi i Kombit, bashkëshorti, babai dhe artisti i papërsëritshëm shumë dimensional, u largua nga kjo jetë më 3 qershor 2021.
Figura të tilla vijnë shumë rrallë për një komb. E kujtoj me mall e mirënjohje për atë vlerë që i dha teatrit shqiptar me një bujari të rrallë.
Kam qenë e privilegjuar dhe me fat si aktore, që pata mundësinë të punoj nën regjinë dhe drejtimin e tij.
Ishte një akademi e vërtetë. Teatri foli shqip si asnjëherë. Karakteret, emocionet që përçonte e ngrinin publikun peshë.
Edhe në kohë të vështira Pirro bëri spektakël të jashtëzakonshëm, me art për tu admiruar.
Me të drejtë bashkëshortja, aktorja e shquar, Pavlina Mani, nuk gjen ngushëllim për ikjen e tij.
Një artist i madh si ai, e kishte edhe shpirtin e madh. Prandaj duhet të studiohet, të shkruhet dhe të dokumentohet vepra dhe jeta e tij.
Ishte një busull për ne, po do të jetë frymëzim për artistët e rinj dhe më tej.
Është në nderin e shtetit shqiptar që figura të tilla me vlera kombëtare të prehen në dheun mëmë.
I përjetshëm kujtimi dhe vepra e tij.
Me respekt
Roza Anagnosti”, shkruan ajo.