26 Dhjetor, 2024

Për ata që kritikojnë Ndriçim Xhepën

 Për ata që kritikojnë Ndriçim Xhepën

Nga Altin Dangëllia

Prej disa ditësh, Top Channel po pompon me forcë një film të prodhuar nga ky television, “Në kuadër të dashurisë”, me protagonistë Luizin dhe Oltën, dy personazhe të zhdukur në skenë, por që papritur u bënë në idhujt e rinj të shqiptarëve pas pjesmarrjes në Big Brother.

Në këtë film merr pjesë edhe aktori i madh Ndriçim Xhepa.

Ai ka një rol dytësor në film dhe për këtë arsye, ka pasur shumë debate në rrjet, sa pak vlerësohen aktorët e mëdhenj në Shqipëri dhe rolet kryesore iu jepen ca sharlatanëve.

Ka pasur nga ata madje, që kanë kritikuar edhe Xhepën, se nuk duhej të merrte pjesë fare në këtë film, se është ofendim për një emër të tillë, që të bëhet dekor i Luizit dhe Oltës.

Dhe është e kuptueshme në fakt, që askujt nuk i pëlqen ta shohë aktorin e madh në këtë pozitë.

Por, ky është realiteti dhe secili duhet të pajtohet me të. Edhe një emër i madh si Ndriçim Xhepa.

Ai është aktor dhe me këtë profesion jeton. Ndaj i duhet të pranojë çdo rol, qoftë edhe dytësor.

Sepse, ashtu si të gjithë ne, ka një familje për të mbajtur dhe me ato pak para që merr nga shteti, nuk mund ta mbyllë dot as javën.

Për të mos folur pastaj, që për vite me radhë, në kohën e komunizmit, ka bërë filma pa fund, por nuk ka fituar asgjë, si gjithë aktorët e botës, që bëjnë para në kulmin e karrierës dhe jetojnë me ato para.

Për fatin e tij të keq, Xhepa në kulmin e karrierës bënte filma që nuk i sillnin asnjë përfitim ekonomik,

Ndaj dhe sot i duhet të bëjë edhe role dytësore dhe të mos jetë ai ylli, por Luizi.

Pastaj si për të gjithë, edhe për të madhin Ndriçim Xhepa, vitet ikin dhe nuk mund të luajë rolin e Luizit, se nuk ka më atë moshë,

Dhe fundja, dreqi e mori, nuk është se po bën ndonjë turp, pse ka marrë pjesë në një film, personazhet kryesore të të cilit ndoshta nuk përfaqësojnë elitën e kinematografisë, por janë artistë.

Ndriçim Xhepa po bën punën e tij, nuk është faji i tij që vlerat janë përmbysur.

Prandaj para se të kritikoni aktorin e madh, mirë është që të mendoheni pak më shumë.

Ai është i njëjti që ka qenë dhe bën atë që di të bëjë më mirë, të aktrojë. Fundja nuk po vjedh, punën e tij po bën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *