6 Dhjetor, 2024

Për ata që duan ndalimin e filmave të “komunizmit”, nga dikush që ka lindur në “demokraci”

 Për ata që duan ndalimin e filmave të “komunizmit”, nga dikush që ka lindur në “demokraci”

Nga Kledi Rama

E ndiej t’i them dy fjalë për aktorët dhe regjisorët shqiptarë të periudhës së komunizmit lidhur me idenë e censurimit të filmave të viteve para 1990. Jo rrallë, kam dëgjuar apo lexuar prej tyre se nuk ndihen mirë për filmat e luajtur apo të xhiruar. Timo Flloko, në një intervistë, është shprehur: “Publiku duhet ta dijë se për atë faj apo krim në aspektin krijues që ne kemi bërë, kërkojmë falje”.

Unë nuk e kam jetuar atë kohë. Kam lindur kur sistemi komunist po vdiste, por si qytetar i këtij vendi kam të drejtë ta shoh dhe ta kuptoj realitetin e asaj kohe, qoftë edhe prej filmave. Vizualisht ma shuajnë kureshtjen për mënyrën si jetonin njerëzit, si visheshin, si konceptohej martesa, miqësia, ana psikologjike dhe ekonomike e vendit.

Më mundësojnë të imagjinoj veten se si mund të kisha jetuar në ato kohë. Duket haptazi se, në mos të gjithë filmat, një pjesë e tyre i ka shërbyer sistemit. Po ç’e keqe mund të na gjejë prej tyre? Përse tremben politikanët? Përse i quajnë “rrezik” për demokracinë?

Përkundrazi, filmat duhen ruajtur si kujtesë në memorien e historisë sonë. Duam apo nuk duam, janë pasuri kombëtare tashmë. Kërkesa për ndalimin e tyre, me pretekstin se ndikojnë për keq tek brezat e sotëm, është utopi. Ky mendim fle në mendjen e atyre që duan të fshijnë atë pjesë të historisë për të mbuluar zullumet e tyre.

Komunistët, për të mos u dukur komunistë, bëjnë sikur luftojnë komunizmin. Nëse marr si shembull filmin “Përballimi”, pa frikë do t’ju thosha se është një dokumentar dhe jo film për ngjarjet e viteve 1949- 1950, për sa i përket mungesës së bukës dhe luftës ndaj të ashtuquajturve “kulakë”. Të njëjtën gjë do të thosha për filmin “Tokë e përgjakur”, që tregon pak a shumë se si u krye reforma agrare. Këta filma, por dhe të tjerë, sikur janë xhiruar posaçërisht për të na dokumentuar periudhën komuniste.

Sigurisht, kanë frikë, sepse transmetimi i filmave mban zgjuar vetëdijen kombëtare për pasojat e atij sistemi. Në fakt, propagandën kinematografike e kanë zëvendësuar me spote, videokonferenca dhe foto në Facebook apo Instagram. E matin punën me “Like” dhe “Share”. Sa më shumë reklamë, më tepër punë pretendojnë se kanë bërë, kur, në fakt, mosdhënia e tyre sot mund të të kushtojë vendin e punës. Dje të kontrollonin biografinë, sot Facebook-un dhe Instagram-in.

Historia duhet shkruar siç është, qoftë e bukur apo e shëmtuar. Të nderuar aktorë dhe regjisorë, të cilët jeni shprehur se nuk do të donit t’i luanit apo xhironit ata filma, duhet ta dini se i keni shërbyer të ardhmes. Nëse nuk do t’i kishit luajtur në atë kohë, do të lindte si detyrim moral t’i bënit sot për të na pasqyruar si bëhej propaganda e asaj kohe. Ne jemi të nderuar për mjeshtërinë tuaj të aktrimit, për skenarët e mbushur plot me batuta magjike.

Pas kaq vitesh, ne jetojmë me urtësinë e tyre, me frazeologjinë që mbartin. “Koncert në vitin 1936”, “Kapedani”, “Dy herë mat”, “Përrallë nga e kaluara”, “Një vonesë e vogël”, “Shoku ynë, Tili”, “Përballimi”, “Kur xhirohej një film”, “Njeriu me top”, “Nëntori i dytë”, “Liri a vdekje”, “Tela për violinë” e sa e sa filma të tjerë të luajtur mjeshtërisht, në mënyrë të paarritshme nga aktorë, si Kadri Roshi, Timo Flloko, Xhevdet Ferri, Mevlan Shanaj, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, Pandi Raidhi, apo dhe aktoret Margarita Xhepa, Roza Anagnost, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Eva Alikaj, Liza Laska, Marie Logoreci, Luiza Xhuvani e sa e sa aktore e aktorë të tjerë të paharruar, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk u kam përmendur emrin. E pra, do t’ju lutesha të mos ju vijë aspak rëndë për punën tuaj të paçmueshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *