Para 8 vjetësh, kur iku Bujo!
Nga Mevlan Shanaj
Klithmë nga qielli, nga shpirti! Gjithë ajri më merr frymën: ka ikur Bujo! Lajm i dhimbshëm, therës, që ne miqtë, ashtu si dhe familja, e kemi të papërballueshëm. Ikja e Bujos ishte apeli më i fuqishëm për respektin ndaj artit të ekranit shqiptar. Secili nga ne do të dëshironte të ikte në këtë mënyrë kaq thirrëse, për të ndryshuar mendësinë ndaj vëmendjes dhe kushtimit të artit të ekranit si fytyrë e shoqërisë.
Të lumtë, Bujar Lako, që me këtë “gjest” sublim godite fuqishëm si asnjëherë tjetër!
Lamtumirë, o njeriu i mesazheve të mëdha, si askush deri më sot!
Bujar Lako, që gati u shndërrua në legjendë me ikjen e tij, sipas meje ishte forca e ekranit, të cilin ai e shfrytëzoi, në mënyrë intuitive, shkëlqyeshëm. “Përkëdhelia” e aktorit të parë në ekran i dha mundësinë të shumëzonte në ngjitje hijen e tij dhe si çdo hije që sterritet, e bëri aktorin e ekranit më të lakmuarin për gati dy dekada.
Në teatër nuk pati “këtë hije”, pasi puna atje bëhet në tavolinë të rrumbullakët, kështu që ishte në një plan shikimi edhe me kolegët. Ndërsa kamera e kishte përherë në plan të parë dhe në kësi rastesh, ai nuk të falte. Njeriu Bujar dhe aktori Lako zotëronin imponimin sa privat, aq edhe krijues. Bujo ishte artist në formë dhe përmbajtje. Kishte të dhëna fizike të shkëlqyera për një aktor: konstrukt harmonik, portret goditës dhe zë të ngrohtë burrëror me shikim depërtues, gati-gati asgjësues.
Sqimatar si ai dhe kërkues deri në një për atë që bënte në krijimin e figurave artistike janë të rrallë. E dinte shumë mirë procesin e tjetërsimit dhe gjente çastin e zhbirimit të partnerit. Ai kishte lindur artist, qoftë për mënyrën si ecte apo edhe si hante. Artistin nuk e luajti ndonjëherë, pasi nuk pati rast, por dha shembullin e artistit që mbetet i adhuruari i regjisorëve dhe i të gjithë shikuesve jo vetëm brenda kohës.
Epiteti i gjeneralit qe një rastësi e bukur për Bujar Lakon, pasi tre gjeneralë artistikë (Gjeneral Gramafoni, Mujo Bermema dhe Gjenerali i ushtrisë së vdekur), i pari i Vath Koreshit me regjinë e përkryer të Viktor Gjikës, dy të tjerët të shkruar nga Ismail Kadare, me regji të Kujtim Çashkut dhe Piro Milkanit, dhe i treti i Dhimitër Anagnostit, krijuan kryegjeneralin Bujar Lako.
Statura civile e këtij “ushtaraku” u duk se ishte krijuar fshehurazi në çdo hap të tijin. U largua nga sheshet e xhirimeve pa spaletat, por me një ajër gjeneralësh, që e përcillte në çdo mjedis ku shkelte. Me ikjen e tij, gjithë opinioni ndaj tij kishte krijuar ekranin gjigant, ku vetë dëshmitarët ishin bërë pjesë e kësaj figure jetësore të vetë artistit unik, më të arrirën se të tria figurat artistike. Bujar Lako kishte ndërtuar në ngjallje mitin e gjeneralit fitues.
Largimi tinëzisht i këtij “ushtaraku” të rreptë rikonfirmoi autoritetin e tij krijues të figurës së artistit në çdo çast të jetës. Ishte dinjitoz në krijim, i rreptë në mosnënshtrim. Posedues i të gjithë fuqisë krijuese në ekran!
Lamtumirë gjeneral i kinematografisë shqiptare!( Të fshehta jashtë ekranit)