13 Dhjetor, 2024

Bujar Lako, një emër i denjë në panteonin e korifenjve të artit skenik shqiptar

 Bujar Lako, një emër i denjë në panteonin e korifenjve të artit skenik shqiptar

Nga Albert Vataj

Mëngjesin e 26 dhjetorit 2016 do të ndalëtesë rrahuri zemra e aktorit Bujar Lako. Të gjallët e atij që solli në jetën e pasosur dhjetëra role, karaktere, tipa dhe personazhe në teatër dhe kinema, u fik në moshën 68-vjeçare për të mbetur e ndezur në dëshirimin dhe ëndjen e pareshtur për ta ndjekur në artin që la trashëgim.

Ikja e pakohë e Bujar Lakos shënon një humbje të shtuar për artin skenik, për vlerat dhe atributet që mishëroj ky personalitet i aktrimit.

Një e nga një, po ikin të gjithë. Po ikin radhë e radhë krejt ata që shkruan një prej faqeve më të qenësishme të traditës së botës shpirtërore shqiptare, atë të artit skenik. Bujar Lako është nga ata që shterroi të gjallët për të mbetur në përjetësi, përmes emrit dhe veprës skenike, përmes përkushtimit, pasionit dhe sublimes krijuese që e ngjizi me kurajon e një ngadhnjimtari dhe pasionin e një rishtari.

“Ikja e artistëve që lanë gjurmë të thella në jetët tona, të shkakton një zbrazdësi në shpirt, atdheu ka me pak frymë hyjnore, duket më i varfër, më i mjerë. Ata ikin shpejt, nxitojnë sepse nuk durojnë dot, mjerimin shpirtëror që pllakosi vendin e tyre, botën mbarë, në një shoqëri konsumi me pak vlera shpirtërore ku ndihet dhe mungesa e filmave si “Gjeneral Gramafoni”, shkruan në një koment një admiruese e tij.

***

Me një karrierë 44-vjeçare, me një galeri të pasur rolesh në teatër dhe kinema, me një publik që e admiroi lojën e tij, Bujar Lako mbetet një emër i rëndësishëm në panteonin e korifenjve të skenës shqiptarë, asaj skene që solli një kastë aktorësh, me të cilët do të ndjehej e nderuar çdo traditë e artit botëror.

Sfida skenike e Bujar Lako do të niste në vitin 1973, kohë kur ai sapo kishte përfunduar studimet. Skena e Teatrin Kombëtar dhe më pas sheshxhirimet e filmit, ishin ngulmet e sprovave filluese të këtij personaliteti të spikatur, këtij zëri që do t’i jepte zë, zërave që na magjepsin edhe sot me tonin, veçantinë, thellësinë dhe burrëroren. Profili fizik, portreti dhe aftësia për të hyrë mishërisht dhe shpirtërisht brenda ngarkesës emocionale dhe përçuese e mbajnë Lakon në radhën e atyre karaktereve që u njësuan me personazhet në mënyrë të atillë sa do të ishte e pamundur të ndaje nga shpirtërorja e aktorit. Morën dhe dhanë nga njëri-tjetrit aq shumë sa edhe sot është e vështirë të ndash aktorin nga roli.

Nga filmat “Përballimi”, “Në fillim të verës”, Lako do të kalonte në produksionin mbase më të spikatur, për të cilin ai do të kujtohet gjatë me rolin e Halit Beratit, në filmin “Gjeneral Gramafoni”, por edhe me rolin Mujo Bermemes, komandatit shqiptar të bazës ushtarake të Pashalimanit në filmin “Ballë për ballë”. Këtë kolanë sfidash kinematografike do ta pasuronte, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Kthimi i ushtrisë se vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko”, Cizia Zyke, produksion francez.

Në skenën e teatrit ku ai ka interpretuar dhe shënjon gjurmët e një korifeu, ai numëron rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçohen : “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” .

Te “Lule të kuqe, lule të zeza” luajti përkrah të tjerë emrave, si Kastriot Çaushi, Vasjan Lami, Petrit Malaj, Mevlan Shanaj, etj. Dhe “Magic Eye”, ku shfaqet përkrah Timo Fllokos, Alban Ukajt dhe Arta Dobroshit.

Vlerësimet

Në krye të herës dhe ndër vlerësimet që ka nderuar dhe motivuar aktorin Bujar Lako, është publiku, duartrokitjet e zjarrta në teatër, e përgjithmonshmja e të jetuarit me rolet në filmat që aktroi. Për të vijuar me vitin 1975, kohë kur ai është nderuar me çmimin e veçantë per filmin “Përballimi”, film i cili më vonë pati peripecitë e veta. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit i Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni“. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori me i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur“.

Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005  ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të kategorisë A.

Me “Urdhri Naim Frashëri”, klasi i parë është nderuar në vitin 1982, “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës, në vitin 2013.

Peripecitë e filmit “Përballimi”

Për herë të parë “Gazeta Shqiptare”, para disa kohësh ka bërë publike një korrespodencë letrash zyrtare që datojnë në vitin 1976, ku Komitetet e Partisë të Korçës dhe Tiranës komunikojnë me kabinetin e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia. Gjithçka vinte pas një letre që një veteran nga fshati Lubonjë i Korçës, kishte dërguar në drejtim të Udhëheqjes së lartë, ku ai ankohej se si ishte e mundur që te filmi “Përballimi”, që sapo kishte nisur të shfaqej nëpër kinema, roli i sekretarit të parë, Martinit, që ishte dhe personazhi kryesor dhe pozitiv i filmit, i ishte besuar aktorit Bujar Lako, babai i të cilit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kishte qenë me forcat e Ballit Kombëtar me Safet Butkën.

Gjithçka do të kishte një fund të padëshiruar sikur të mos trajtohej sa dhe si duhet kjo letër që më pas rezultoi se ishte shkas mllefi.

Atë fund dimri të largët të vitit 1975, pas muaj e muaj xhirimesh tepër të lodhshme, teksa mbaronte edhe dublën e fundit të rolit të tij te filmi “Përballimi”, (Martini, sekretari i partisë i rrethit të Korçës), aktorit të njohur Bujar Lako, as që do t’i shkonte kurrë nëpër mend se e gjithë ajo punë tejet rraskapitëse me xhirime në temperaturë disa gradë nën zero, në disa prej fshatrave më të thella të Korçës, mund t’i shkonte e gjitha dëm dhe të mos kishte asnjë vlerë, pasi të gjitha pelikulat me rolin e tij do të përfundonin në koshin e plehrave dhe prej aty në turrën e zjarrit. Madje, kjo do të ishte e keqja më e vogël dhe tepër fatlume për të, pasi fare lehtë nga një aktor i njohur kinematografie, ai mund të përfundonte si punëtor i thjeshtë në ndonjë ndërmarrje ndërtimi larg Tiranës, në ndonjë rreth të humbur, apo në rastin më të mirë si masovik në ndonjë Vatër Kulture, të ndonjë fshati të largët kushedi se ku. Dhe e keqja nuk do të mbaronte këtu, pasi “për hir të tij”, nuk do të shpëtonin paq, pa ndonjë masë, as regjisori i filmit, Viktor Gjika dhe skenaristi Teodor Laço, të cilët bashkë me drejtorin e filmit, i kishin besuar aktorit Lako rolin kryesor, atë të sekretarit të Partisë. Por të gjitha këto, pra telashet dhe peripecitë që do të binin mbi kokën e tij, pa pasur asnjë faj, aktori i njohur Lako, që mban titullin “Artist i merituar” nga viti 1985, dhe prej vitesh një nga yjet e kinematografisë shqiptare, për ironi të fatit nuk i di as sot e kësaj dite.

E gjithë ajo punë titanike që duhej për realizimin e një filmi, ku një shtet i tërë nuk kursente asgjë, rrezikonte të shumëzohej me zero.

LETRA E VETERANIT NGA LUBONJA PER UDHEHEQJEN E LARTE

Letra e veteranit Z.K. nga fshati Lubonjë e Korçës, i cili ankohej se si ishte e mundur që aktorit Bujar Lako i ishte dhënë roli pozitiv dhe kryesor në filmin “Përballimi”, mungon në arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi ajo i është drejtuar Komitetit të Partisë të rrethit të Korçës, ku u xhirua pjesa më e madhe e filmit dhe prej nga ishte origjina e aktorit Bujar Lako, nga familja e babait. Në atë letër, veteran Z.K. mund të ketë vënë shënimin “për dijeni Komitetit Qendror të PPSH-së”, çka duhet të thoshte se Komiteti i Partisë së Korçës duhet të vinte në dijeni me shkresë përcjellëse edhe Komitetin Qendror të PPSH-së. Dhe të gjitha këto janë bërë aty nga muaji qershor i vitit 1976, pak kohë pasi kishte dalë nëpër kinematë e rretheve ai film, pasi që në fillim të korrikut, Komiteti i Partisë së Korçës, (firmosur nga sekretari i parë, Enver Halili) i dërgon një shkresë zyrtare Komitetit të Partisë së Tiranës, prej nga varej asokohe në rrugë partie edhe Kinostudio “Shqipëria e re”. Në atë letër që po e botojmë të plotë, shkruhet:”

LETRA E SEKRETARIT TE PARE TE KORÇES PER PIRRO KONDIN

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Ekz. Nr….

KOMITETI I PARTISË RRETHIT KORÇE

Korçë, më 2.7.1976

Nr. 596/1 Prot.

LENDA: Dërgohen të dhëna mbi biografinë e Bujar Lakos

KOMITETIT PARTISE SË RRETHIT TIRANE

Gjegje shkresës suaj, Nr. 887. datë 19.5.1976

Lidhur me kërkesën tuaj për qëndrimin e Shëndet Lakos, babait të aktorit Bujar Lako, në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, sqarojmë si më poshtë:

Për verifikimin e problemeve që ngrini në shkresën tuaj, u ngarkua nga ana jonë një grup shokësh, të cilët pasi biseduan me disa nga veteranët e rrethit, shkuan edhe në fshatin Lubonjë, ku ka banuar familja e Bujar Lakos. Nga biseda që u bë me Telha Shtyllën, ish-sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Lubonjës, Fetah Saliun, që e ka njohur mirë Shëndetin gjatë viteve të luftës, Rustem Kolacin, sekretar i organizatës bazë të Partisë në Lubonjë dhe Dhimitër Macukën, sekretar i byrosë së partisë së kooperativës së Vithkuqit, ku bën pjesë Lubonja, duallën këto konkluzione:

Shëndet Lakua para okupacionit fashist dhe pas tij ka qenë mësues në zonën e Vithkuqit. Nuk ka qenë oficer dhe komandant i para-ushtarakëve, por shpesh vishte uniformën që u kishte dhënë qeveria disa mësuesvet.

Pas themelimit të Partisë, ai u aktivizua me anën e Lëvizjes Nacionalçlirimtare (si dhe kushëriri i tij, Riza Lako Lubonja), i cili punon në Tiranë dhe po e patë të nevojshme, mund ta pyesni për veprimtarinë e Shëndetit. Edhe far e fisi i tij ishte i lidhur i gjithi me luftën.

Mbas krijimit të Ballit Kombëtar, Shëndeti shkoi në çetën e Safet Butkës, që ishte dhëndër në far e fisin e tyre. Aty qëndroi 2-3 muaj. Nuk është e vërtetë që ka qenë komisar i çetës, se sikundër thotë Telha Shtylla, në atë kohë komisar i çetës së Safet Butkës ka qenë Syrja Qafëzezi.

Pasi u largua nga Safet Butka, ai erdhi në shtëpinë e tij në Lubonjë, ku nuk pati asnjë rast propagande në favor të Ballit e kundra Partisë. Dy javë pas kthimit të tij në familje, e motra e tij, Sulltana Lako, dolli partizane.

Si qëndroi disa kohë në Lubonjë, ai u largua në qytetin e Korçës, ku u strehua familjarisht në shtëpinë e Abedin Shkëmbit, i cili ishte ndër aktivistët dhe simpatizuesit e Luftës Nacionalçlirimtare. Nuk na del që të ketë ndihmuar aktivisht Luftën, e të ketë marrë pjesë në vrasjen e spiunëve Et’hem Frashëri dhe Lefter Ruços, por sikundër deklaroi Llasko Vasili, ai e kishte parë këtë të fundit kur kryente atentatin kundër Et’hem Frashërit, e megjithëse e njihte, nuk e kallëzoi tek autoritetet e vendit. Nuk qëndron gjithashtu fakti se Shëndeti, pas vrasjes së Safet Butkës, është emëruar zv/komisar policie. Gjatë bisedës me shokët e Lubonjës, na thanë se Z. K. (në letër emri dhe mbiemri është i plotë), i cili e rëndon në deklaratën e tij, sikundër përmend në deklaratën tuaj, nuk ka shkuar mirë me familjen e Shëndet Lakos.

27 dhjetor 2016

Në këtë ditë të ngrysët dhe të ftohtë dhjetori, mes kujtimesh, lotësh dhe pikëllimit, atij i është dhënë lamtumira e fundit, nga të afërm, miq dhe admirues të shumtë. Tirana dhe gjithkund flitet dhe jetohet shqip ka përcjell me trishtim lajmin dhe padëshirim këtë ndarje. Bujar Lako nuk është më, fizikisht. Por do të mbetet pareshtur në interesimin dhe admirimin që ka zënë vend tek secili nga ne. Një ikje, si të gjithë ikjet përplot zemërthyerje dhe dhimbje, e mori atë edhe kjo ikje për në amshim, në përjetësi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *