4 Dhjetor, 2024

Një histori e patreguar për regjisorin e filmit “Gjeneral Gramafoni”!

 Një histori e patreguar për regjisorin e filmit “Gjeneral Gramafoni”!

Nga Bardhyl Bejo

Flora quhej komshia ime, një grua kaq fisnike, të cilën rrallë mund t’a hasësh. Ka kohë që ka ndëruar jetë dhe shpresoj se në se më ndjek, nuk do të zhgënjehet nga vërtetësia e fjalëve që po them për të, aq më tepër kur tani është bashkë me të shoqin e saj të shtrenjtë, e atje shohin gjithëçka ndodh edhe rreth shtëpisë ku ata kanë banuar qysh prej fillimeve të viteve 80-të, ku vazhdon tani bija e tyre Esi bashkë Polin djalin e saj, të dy si dritë yjesh.

Më kërkon një ditë Flora, dhe më falenderoi kur çova dikë për të riparuar një difekt hidraulik. “Po tani që nuk e kam më të zotnë e shtëpisë, do të bezdis ndonjëherë o Bardhi”.

“Kur të duash Flora, edhe në mes të natës!”

U rëndua nga shëndeti dhe ndonjëherë me plotë dëshirë dilte nga shtëpia, duke zbritur ngadalë, e duke u mbajtur në parapetin e shkallëve. Shkonte të pinte kafen e mëngjesit te lulishtja e “Piazza”-s, aty ku e prisnin shoqet e veta.

Një ditë, në një shesh pushimi vura re Florën që kishte qëndruar e merte frymë pak si në vështirësi.

– Çfarë ke Flora?

– Nuku kam gjë Bardhi. Po ja, gabova pakëz dhe shkallën e parë e ngjita me nxitim. Nuku, jo nuku ka gjë. Ja sa të mar pakëz frymë e…

– Mirë bëre që pushove Flora! Po të pres e ngjitemi ngadalë bashkë”

E zura fort nga krahu i djathtë dhe dorën tjetër e rrëshqiste nëpër parapet. Katër kate, mbi sheshin e katit përdhe.

– U rrofsh more Bardhiii…

– Për kaqe gjë më falenderon Flora? – flisja lehtas edhe unë, pak si në dialektin e saj korçar – Të rrosh ti me Flora ce mezi të kemi. Dhe dëgjo! Vetëm bjeri telefonit e më ke gati për çdo gjë.

Fjalë të zakonëshme për moshën e gjendjen e saj fizike, por fare të merituara. Grua që vetëm i qeshte nuri i saj i bukur, i cili i rëzëllonte aq pastër shpirtin e mrekullueshëm e të pastër kristal!

Për koinçidencë më ndodhi edhe një herë tjetër ta shoqëroj në ngjitje të shkallëve. Çfarë kënaqësije t’i jepje krahun e të shoqëroje këtë zonjë e mbizonjë! Sapo hapi derën e jashtme, më ftoi të ulesha vetëm përpak në dhomën e ditës.

– Pa tjetër Flora.

Pasi piu pak ujë e mori frymë qetësisht disa herë, më tha :

– Para se të zbrisja i bëra zë Shpresës (ime shoqe) dhe i dhashë një poltron të lehtë për ty…

– Po pse e mundon veten me Flora … ç’ne poltron për mua?

Në fakt u habita me atë që më tha. E pashë pak si me dyshim, të cilën e kuptoi menjëherë.

– Dëgjo o Bardhi. Ai është poltroni ku kohët e fundit lexonte dhe pushonte më të shumtën e ditës im shoq. Më rinte sipër kokës e më shërbente sa herë bllokohesha nga këmbët e nga mesi. Me një dorë mbante librën e tjetrën e mbante ndë ballin tim. Ashtu më zinte gjumi. Edhe kur hapja sytë aty e gjeja, ose duke lexuar ose duke dremitur me kokën përkulur nga krahu im.

Ndërkohë edhe pse e pamundur, sytë filluan t’i vezëllonin zjarr. U frikësova pak.

– Epo, detyrën bënte …

– Dëgjo, Bardhi këtu – këmbënguli fort – dëgjomë ce ku dua të dal. Detyrën duhet ta bëja unë, sepse ai ishte më i pamunduar se unë. Por nuku e jepte veten. Vetëm buzëqeshte e më fërkonte ballin.

E mbylla gojën sus.

– Kujdesej për mua sikur të më kishte fëmijë, por tani ti e di… Iku e më la vetëm.

– Po jo me Flora…

E ndërpreva. Por nuk dija se si ta mbyllja këtë rrëfim që me siguri e trondiste moralisht. E kuptoi mëdyshjen time dhe nuk më la të vazhdoja :

– Kam ca kohë që më del kaqe shpesh në gjumë, sa bëhem më keq se sa jam në të vërtetë. Më del përballë, ja ulur aty te poltroni, më sheh, e më ledhaton dorën, vazhdon e buzëqesh dhe rri e më shëkon. Edhe unë nuk i flas, vetëm vajtoj pa zë. E ja, ashtu duke u parë sy më sy, fillon e më pushon dhimbja, më ze gjumi e kur hap sytë nuk e shoh më.

Rri pastaj dhe e kërkoj më kot gjithë ditën. Për natë këjo punë Bardhi. Tani e vendosa! Nuk do ta mbajë më poltronë, e kur të më vinjë do të detyrohet të rrij më këmbë. Kështu që nuku do të më zerë më gjumi pa i kërkuar të më marë edhe mua me vete. Ka një jetë që asnjëherë nuk më ka ndarë nga vetja. Ce të më largohet tani që nuku mundem më të bëjë pa të?…

– Po… tani o Flora …

Isha bukosur krejt e nuk dija se si ta qetësoja nga kjo valë e rëndë psikologjike mbi shëndetin e saj, nga ky shpërthim i një vullkani të paimagjinueshëm, të një llojë dashurie për shokun e saj të jetës që nuk e besoj se rastis. Mbase edhe nëpër rrëfenja. Më çliroi vetë Flora :

– Për kaqe gjë të donja more Bardhi. Poltronës veri një mbulesë të re. Mbaje ce i sjell fat Shpresës (ime shoqe).

Zbrita thuajse i prekur kaq shumë, sa më dukej sikur të më kishte kaluar mbi gjoks ndonjë traktor i rëndë.

Ditë pas dite, Flora filloi ti pakësonte zbritjet nga shtëpia, deri sa u bllokua përfundimisht dhe në se nuk gaboj, dy apo tre muaj më vonë ndëroi jetë në një qetësi të plotë, nën kujdesin e jashtëzakonshëm të njerëzve të vetë të shtrenjtë.

Ja këto që shkruajta më sipër më kujtohen nga komshia ime, nga kjo kryezonjë që quhej Flora Gjika, bashkëshortja e kryeregjizorit të madh e të lavdishëm Viktor Gjika. Ka një shprehje që thotë se “PAS çdo burri të madh qëndron një grua e madhe”. Por me këto që mu kujtuan si më sipër, dhe që rrinë pezull e të pashlyeshme si kujtime nëpër mjegulltirën time të një moshe që di të bëjë bilançe midis tokës dhe “qiellit”, besoj se shprehja duhet zëvëndësuar me “PARA një burri të madh qëndron një grua e madhe”.

PS : Poltronin për të cilin bëj fjalë, është ai që kam bërë në këtë foto, të cilën nuk pata guximin ta bëja i ulur në të. Pasi publikisht ai është vendi i kryemjeshtrit kombëtar Viktor Gjika dhe unë nuk mund as ta mendoja se si ti shkruaja këto rradhë me foton time imagjinare ulur aty. Unë ulem, lexoj, pushoj e prehem në të, vetëm brenda shtëpisë time, aty ku nuk mund të “shes mend”. Pasi aty të gjithë e dinë që ai është poltroni i Viktor Gjikës, të cilin na e dha Flora e shtrenjtë.

Këto shënime i hodha pas një takimi që organizoi mbrëmë Ester Gjika me rastin e çfaqjes të rikuperimi të mrekullueshëm të filmit të babait të saj “Gjeneral gramafoni” dhe të botimit të një libri të saj për këtë shqiptar të madh.

Një histori e patreguar për regjisorin e filmit “Gjeneral

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *