4 Dhjetor, 2024

Ngjarja misterioze: Si u sulmua fizikisht Vaçe Zela në vitin 1993

 Ngjarja misterioze: Si u sulmua fizikisht Vaçe Zela në vitin 1993

Një histori e dhimbshme ka ndodhur me të madhen Vaçe Zela në vitin 1993. Sikur të mos mjaftonte “dalja në pension para kohe”, në moshën 45-vjeçare, largimi nga skena, “harresa” mediatike, fyerjet dhe etiketimet, rrugaçëria dhe vandalizmi ra mbi të dhe mbi njerëzit e artit e kulturës shqiptare.

Një person i panjohur, teksa Vaçja kthehej për në banesën e saj, e goditi në errësirë artisten e shquar. Pas ca ditësh personi u arrestua, madje u bë edhe një gjyq formal, i cili e dënoi me tre muaj agresorin, por as atë dënim nuk e kreu të plotë.

Shkaqet e vërteta të sulmit ndaj Vaçes nuk u morën vesh, por nuk ishte as për grabitje e as për hakmarrje. Ishin kohë të turbullta, kur manipulimi ideologjik i turmave dhe individëve ishte në kulmin e tij, por opinioni publik e dënoi këtë akt, madje edhe qëndrimin e drejtësisë, e cila e përcolli këtë sjellje karshi saj me dënimin prej tre muajsh për ata që ngritën dorë mbi këngëtaren shqiptare.

Për fat të keq, një rrugaçëri e tillë do të ushtrohej edhe ndaj disa artistëve të shquar të skenës e të ekranit shqiptar, ku në janar 1992 u godit aktori Agim Shuke, i cili ndërroi jetë në maj, pas tre muajsh e gjysmë në koma.

Pas këtij akti vandal ndaj Vaçes, gjendja e saj shëndetësore e psikologjike u rëndua shumë. Duke përfituar nga një ftesë për një koncert në Zvicër, pranë bashkatdhetarëve tanë atje, Vaçja iku përfundimisht në 1993, së bashku me vajzën, Irmën, dhe bashkëshortin, Pjetrin. Ajo jetoi në Bazel, derisa mbylli sytë, më 6 shkurt 2014.

Ndaj artistes së madhe Vaçe Zela janë bërë padrejtësi. Ajo nuk ishte e preferuara e udhëheqjes por ishte një artiste e shquar, që gjithçka e kishte fituar me talentin dhe zërin e saj të artë.

Ajo nuk përfitoi as më shumë e as më pak se kolegët e saj artistë. Jetoi në atë varfërinë dhe thjeshtësinë e atij sistemi diktatorial dhe shpesh herë ishte viktimë e survejimit, përgjimit apo raporteve të ish-Sigurimit të Shtetit, që kritikonin mënyrën e saj të të kënduarit në skenë, kitarën, këngët italiane, apo modën që bëhej model për të gjithë gratë e vajzat e reja shqiptare, një shembull i emancipimit (mjafton t’i hedhesh një sy fotove nëpër festivale dhe bindesh për këtë).

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *