26 Dhjetor, 2024

Nga roli i parë në “Alo Ushnja” te “Një baba tepër”, rrëfehet Sejfulla Myftari: Si më ngeli emri “Cekja i Beratit”

 Nga roli i parë në “Alo Ushnja” te “Një baba tepër”, rrëfehet Sejfulla Myftari: Si më ngeli emri “Cekja i Beratit”

Aktori legjendar i humorit shqiptar, Sejfulla Myftari i njohur si “Cekja i Beratit” ka dhënë një interviste për “ABC e Mëngjesit”, ku ka folur për të gjithë karrierën e tij në kinematografi.

Ai ka veçuar rolin e tij që e bëri të famshëm në materialin “Alo Ushnja”, i cili sipas tij e bëri shumë të dashur për herë të parë nga publiku, pasi e ndalonin edhe në rrugë.

“Më i emocionuar jam ndjerë kur kam bërë materialin ‘Alo Ushnja’ që më njohi e gjithë Shqipëria, që është shfaqur në orën 9:20 minuta në vitin ’82. E mbaj mend si tani.

Aty kam ndjerë kënaqësinë më të madhe se u njoha nga publiku. Ka qenë momenti më befasues i imi në publik, se kur dilja në rrugë të nesërmen, nuk pushonin njerëzit kur thoshin ‘Alo Ushnja’, tani e ka zëvendësuar batuta ‘Yp Xhixhi’”, tha aktori.

Më tej, ai tregoi edhe si e ka marrë pseudonimin Cekja, që në vogëli nga gjyshja.

“As vetë nuk e di. Vija në origjinën time Skrapar, se unë me origjinë jam skrapali, si me nënë dhe me babë.

Gjyshja nxirrte kecat se i jepte për të ngrënë dhe i thërriste kec, kec, kec dhe unë rrija me kecat, edhe kec, kec, kec, Cek, Cek, Cek dhe kështu më ngeli Ceke mua.

Përveç emrit, më kanë ndryshuar edhe mbiemrin si “Cekja i Beratit”, i ka ngelur qejfi skrapalinjve, aq sa në një intervistë thash jam nga Skrapari, jo nga Berati”, u shpreh aktori.

Sa i përket karrierës, Cekja veçoi filmin ‘Një baba tepër’, pasi është një ngjarje vërtetë reale.

“Në karrierën time do të veçoja filmin ‘Një baba tepër’, është tragjike-komike. Të tërë filmat i kam të arrirë artistikisht, si ato skenaret me Arjan Çuliqin. Po ‘Një baba tepër’ është vërtetë i kompletuar, është një ngjarje reale shqiptare”, theksoi ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *