Me fytyrë të buhavitur, por policia franceze nuk e kishte prekur: Kush e dhunoi Avni Rustemin pas atentatit ndaj Esat Toptanit
Avni Rustemi lindi në Libohovë të Gjirokastrës më 22 shtator 1895.
Ishte mësues, publicist dhe deputet i Parlamentit të Shqipërisë, anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së Qershorit.
Më 13 qershor 1920 vrau në Paris kryeministrin e kohës Esad Pashë Toptani, një prej figurave më të stigmatizuara të historisë së Shqipërisë.
Kjo foto është botuar nga gazeta e njohur franceze “Le Miroir” e datës 20 qershor 1920, pra një javë pas atentatit.
Kur fotoja u botua për herë të parë disa vjet më parë u shkrua se Rustemi ishte torturuar barbarisht nga policia franceze.
Në fakt, sipas shumë dëshmive ai u godit menjëherë pas atentatit nga rojet e hotelit ku qëndronte Esati dhe shoqëruesit e tij.
Ai u mbajt në hotelin në rrugën Castiglione ku ndodhi atentati deri kur mbërriti policia.
Por 6 muaj më pas, më 1 dhjetor 1920 vendimi i gjykatës franceze i jep pafajësinë.
Më 24 dhjetor, tri javë pas lirimit, Avni Rustemi u kthye në Shqipëri ku u prit si hero.
Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 i rreshtuar si opozitar i Zogut dhe u zgjodh deputet në prefekturën e Kosovës (Kukësit sot).
Ai themeloi shoqërinë e njohur “Bashkimi”, të cilën Zogu e akuzoi se ishte organizatore e atentatit ndaj tij në sallën e Kuvendit më 23 shkurt 1924 nëpërmjet Beqir Valterit.
Pak ditë pas këtij atentati të dështuar ndaj Zogut në 20 prill 1924 rreth orës 16-17.00 Avni Rustemi qëllohet nga një person i quajtur Jusuf Reçi, në vendin që sot njihet si Sheshi Avni Rustemi (Pazari i Ri) në Tiranë.
Ali Këlcyra e strehoi në shtëpi, më pas u çua në spital. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Rustemi vdiq më 22 prill 1924 nga hemoragjia.
Opozita e kohës i kërkoi Zogut që të dorëzoheshin ideatorët e vrasjes.
Pas mosmarrjes së masave nga qeveria u organizua varrimi dhe opozitarët dhe mbështetësit e Avni Rustemit u nisën drejt Vlorës ku qëndruan të tërhequr. Atje u formua një komitet i drejtuar nga Fan Noli, prej të cilit lindi Lëvizja e Qershorit.
Avni Rustemi mban titullin “Hero i Popullit”.