Kisha Katolike kërkon kufizimin e filmave të komunizmit, reagon Pëllumb Xhufi: Shikoni punën tuaj, kush jeni ju?
Në prag të festave të nëntorit në Shqipëri, Kisha Katolike u ka kërkuar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, hartimin dhe miratimin e një ligji që do ta ndalonte përdorimin e simboleve komuniste.
Ky ligj parasheh edhe dënim për atë që përshkruhet si “krim i apologjisë”, që do të thotë ndalim me ligj i “glorifikimit” të diktatorit Enver Hoxha dhe komunizmit.
Kisha Katolike në Shqipëri kërkon që të ndiqet shembulli i Italisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë ligje për ndëshkimin e fashizmit dhe nazizmit.
Kjo kërkesë është bërë në prag të festave të nëntorit – Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë. Ky debat është nxitur në këtë periudhë kohore edhe gjatë viteve paraprake, pasi në përvjetorë të tillë shfaqen shpeshherë simbole komuniste, si portretet e diktatorit Enver Hoxha apo përshëndetja me grusht.
Kisha Katolike, gjithashtu, kërkon që kampet apo burgjet e komunizmit të kthehen në muze, të rishkruhen tekstet shkollore të historisë dhe të kufizohen filmat shqiptarë të prodhuar gjatë diktaturës komuniste që promovonin atë periudhë.
Kisha nuk kërkon ndalimin e tyre, por kërkon të ketë një parashkrim apo sqarim për publikun për kohën e prodhimit të filmit dhe faktin që ka përmbajtje propagandistike komuniste.
Historiani Beqir Meta përkrah kërkesën e Kishës për filmat e prodhuar gjatë regjimit komunist.
“Sigurisht që duhet të ketë një rishikim, një seleksionim të filmave, pjesa më e madhe e të cilëve bartin propagandën komuniste. Ata filma janë pasuri për arkivat, por nuk mund të ketë një kanal të dedikuar për ta, siç e ka televizioni publik shqiptar. Duhen shoqëruar me logo, me kritikë”, thotë Meta.
Duke iu referuar këtij propozimi, historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 deklaroi se një iniciativë e tillë nuk është aspak në tagrin e Kishës Katolike.
“Nuk është në natyrën e Kishës. Madje e kam thënë, edhe kolegëve që mbronin pozicionin e Kishës në këtë rast, të marrin shembull nga selia e Shenjtë. Selia e shenjtë nuk ka pozicione të tilla egra ideologjike kundër komunizmit, kundër fashizmit, kundër nazizmit.
Ky nuk është roli i Kishës që të vendosë rregull në botën laike. Ka tjetër mision. Kjo është në kundërshtim të plotë me natyrën dhe me mësimet Jezu Krishtit apo me 10 porositë e Moisiut. Sa i përket kreut të Kishës, del një problem tjetër që janë të huaj”, u shpreh Xhufi.
Edhe qytetarët duan që historia që u mësohet brezave të rinj të rishkruhet, ndërsa për ndalimin apo jo të filmave të prodhuar në atë kohë, janë të ndarë.
“Unë e kam jetuar atë kohë. Edhe pa folur asgjë, të spiunonin. Historia duhet të rishkruhet se nuk thotë të drejtën. Edhe filmat të ndalohen, pse duhen dhënë? Propagandë kanë qenë të gjithë filmat”, thotë Gëzim Sallaku, pensionist.
Ndërkohë, një tjetër qytetar, Osman Murrja, mendon se filmat nuk duhen ndaluar sepse thotë se duhet që artistët e asaj kohe të vlerësohen.
“Filmat e kanë treguar realitetin si për Enverin, si për Kishën… nuk kanë pse të hiqen”, thotë Murrja.
Për një ish të përndjekur politik, Agron Talo, është e rëndësishme që vuajtjet e tij si dhe ato të tjerëve gjatë kohës së komunizmit, të mos harrohen.