3 Dhjetor, 2024

Jeta e re e Nertila Kokës në Suedi si… kuzhiniere

 Jeta e re e Nertila Kokës në Suedi si… kuzhiniere

Nga Ani Jaupaj

A nuk është e drejtë që njerëzit që të bëjnë të lumtur të duash t’i bësh të lumtur?

Janë të gjithë të një mendjeje, që ushqimi është një nga rrugët e mirëqenies dhe pjesëtarët e familjes janë të parët që të vlerësojnë për këtë dhe për të cilët duhet të përkushtohesh. Kështu nisi të gatuante Nertila Koka, nga dashuria! Kur jetonte në Shqipëri, rrallëherë i duhej të kalonte kohë nëpër kuzhinë.

E para sepse aty ishte gjithmonë o e ëma e saj o e ëma e të shoqit, Sokolit, nga ana tjetër ajo nuk kishte qenë e dhënë pas gatimit. Mirëpo, gjërat ndryshuan kur shkuan të jetojnë në Suedi, ku janë edhe sot. E gjendur në rrethana të reja, Nertila nuk kishte rrugë tjetër veçse të mësonte të gatuante.

Pjatat e para i ka bërë për dy vajzat e saj, Anin dhe Sarën.

T’i mësonte ato me perime ishte pak e vështirë, për të gjitha nënat është, prandaj mënyra e vetme ishte që të krijonte gatime tërheqëse, duke krijuar receta me bazë perimesh, por edhe me erëza apo përbërës të tjerë që i “maskojnë” ushqimet e domosdoshme, por jo dhe aq ftuese për qiellzën.

Më tej, historia është zhvilluar vetë sepse detyrimi familjar u kthye shumë shpejt në pasion dhe në këtë pikë çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Ja ku jemi sot kur Nertila Koka ka hapur kanalin e saj në “Youtube”, “Le të gatuajmë me Nertila Koka”, ku shohim receta prej saj. Tashmë Nertila i është futur edhe Instagramit, si një rrugë më e shkurtër për t’u takuar me njerëzit që duan kuzhinën, por edhe për ata që kanë nostalgji për ta parë. “Prej shumë kohësh, vajzat e mia këmbëngulin që ta ndaja edhe me të tjerët, jo vetëm me to, pasionin për të gatuar. Unë gatuaj përditë dhe mendoj që nuk duhet ta bëjnë vetëm nënat, por kushdo që do të bëjë të lumtur dikë, është një nga gjërat përmes së cilës mund të japësh dashuri”- kështu nisi të bëhej publike dashuria e saj për familjen e kuzhinën.

Recetat që janë zhvilluar prej udhëtimeve nëpër botë

Prej përvojave kulinare që ajo ka zhvilluar nga udhëtimet e saj të shumta, kuriozitetit që duhet të jetë i madh në këtë fushë dhe qiellzës së mirë, tashmë mund të jetë më e thjeshtë të vendosni se çfarë do të gatuani nesër… Edhe ndërsa shpjegon recetën (edhe në telefon kur realizojmë këtë intervistë), Nertila Koka ka ëmbëlsinë e zërit dhe të buzëqeshjes që kishte dikur, në film a në skenën e këngës, tipare këto që nuk janë aq të zakonshme për kuzhinierët, prandaj kënaqësia duke e ndjekur, shkon përtej recetës. Nga këndi i saj i dashur i shtëpisë, Nertila na tregon vetë për pasionin që është shndërruar në një kënaqësi të shumëfishtë, sepse ajo pa menjëherë që njerëzit e deshën sikur mos të ishte larguar asnjëherë nga ekrani.

“Gatimi nuk ka qenë pasion për mua, është bërë me kohën. Së pari, si domosdoshmëri e më pas u kthye në dashuri, bashkë me lulet, edhe kujdesi për to është një tjetër pasion i imi. Kur kam shkuar jashtë shtetit, në vitet ’90, dija të bëja vetëm petat sepse ato më pëlqenin. Unë kam jetuar ose në shtëpi me mamanë, ose me mamanë e Sokolit, tim shoqi, më pas, ishin ato që merreshin me këtë gjë. Befas u gjenda vetëm në këtë pikë dhe duhej të mësohesha. Nuk ishte fare e lehtë, merrja time më në telefon sepse, edhe nëse dija përbërësit e një gatimi, nuk dija radhën e punës, çfarë të hidhja më parë e çfarë më pas, ata që gatuajnë e dinë që kjo është e rëndësishme. Kam shfletuar sa e sa libra kuzhine që tashmë janë pluhurosur pak jo vetëm sepse tani nuk është më e nevojshme të shoh receta të gatshme, por edhe sepse interneti ka lehtësuar punë.

Në të vërtetë, kjo është edhe arsyeja pse u krijua kanali, për të ndihmuar të gjithë ata që gjenden sot në rrethanat që kam qenë unë dikur, por edhe sepse janë aq shumë njerëzit që më kërkojnë receta, sa bashkë me vajzat menduam ta bëjmë më të thjeshtë. Megjithatë, qoftë edhe një njeri të ndihmoj, për mua është kënaqësi. Ushqimi është shumë i rëndësishëm për familjen, përveç se ushqehesh shëndetshëm, u jep të tjerëve kënaqësi. Mirëpo, për ta bërë këtë duhet të jesh kreative, të eksperimentosh, të provosh gjëra të reja. Recetat që udhëzojnë sot në internet janë ndihmë, të cilën duhet ta zhvillosh vetë më pas. Për shembull, nëse ka truke për t’i bërë fëmijët të hajnë zarzavatet, nënat do të jenë shumë të kënaqura.

Për shkak të udhëtimeve, thuajse në të gjithë botën, që kemi bërë, edhe recetat janë të pafundme, nga kudo, sidomos nga Turqia, kuzhinën e së cilës unë e pëlqej dhe jam munduar t’i riprodhoj ato që kam ngrënë atje. Kudo ku shkoj, tashmë bëj të njëjtën gjë, përpiqem që të gjej se me çfarë është gatuar dhe të hamendësoj radhën e punës. Sapo kthehem në shtëpi bëj prova, i rifreskoj, pra, i bëj pak personale duke ndryshuar erëzat, duke i dhënë shijen time. Edhe në recetat që do ndaj me njerëzit, të njëjtën gjë do të bëj, recetat janë të gjitha të personalizuara në një mënyrë, të studiuara e të risjella sipas versionit tim, megjithatë, frymëzimi është kryesisht Turqia, pastaj do të ketë receta shqiptare, aziatike, pak më pak italiane, meqenëse mendoj që jemi mjaftueshëm familjare tani me to. Sidoqoftë, çdo gjë që do të vijë, do të ketë dorën time, do jetë e rikrijuar.”

Megjithatë, Nertila nuk e kalon të gjithë ditën në kuzhinë. “Për gjërat e zakonshme, ato me të cilat jam mësuar, nuk harxhoj më shumë se një orë. Për bukën, të cilën e bëj gjithmonë vetë, nuk harxhoj më shumë se tre minuta, sepse ajo bëhet vetë më pas. Por varet nga ajo që do gatuaj, nuk kam një përgjigje konçize. Nëse do të impenjohem për të bërë një recetë të re, atëherë do të kaloj me të ndoshta edhe gjithë ditën apo dy ditë. Përkushtimi kohor ndryshon nga ajo që jam duke bërë” -na tregon Nertila.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *