5 Dhjetor, 2024

Jeta e panjohur e Rajmonda Bulkut!

 Jeta e panjohur e Rajmonda Bulkut!

Fotografitë! Është për t’u habitur se si nëpërmjet tyre mund të mbahen gjallë kujtimet. Ato bëhen ngjarje veçanërisht kur i përkasin një artisteje, e cila për më shumë se 40 vjet ka qenë pjesë e kinematografisë dhe skenës teatrore. Aktorja e mirënjohur Raimonda Bulku na fton në shtëpinë e saj për të parë albumet. Në ta ruan fotografi që kanë shënjuar ditë të veçanta, në jetën e saj familjare dhe artistike. Në rrëfimin e saj për revistën ‘Bordo’ sjell kujtimet e saj të fëmijërisë, që vijnë aq ëmbël, teksa përshkruan me detaje ecejaket që bënte për të shkuar në familjet e gjyshërve në rrugën “Myslym Shyri”. Por, fill pasi nisi klasën e parë në Tiranë, jeta e saj dhe e familjes do të ndryshonte. Ata duhet që të zhvendoseshin në Gjirokastër, sepse të atin e kishin emëruar me detyrë atje, si ushtarak. Në sokakët e Gjirokastrës përfundoi filloren dhe tetëvjeçaren. Por, nuk vonoi shumë dhe gjithçka duhet ta niste nga e para, kësaj here jo më në qytetin e gurtë, por në Cërrik të Elbasanit. Familja e saj u vendos për të jetuar atje! Ndërsa ajo filloi shkollën e mesme dhe krijoi shoqëri të re, mes fëmijëve të familjeve të emëruar me detyrë e të persekutuarve. Gjatë pushimeve të vitit të tretë në gjimnaz (1975), kishte ardhur në Tiranë për të festuar Vitin e Ri. Fare rastësisht në rrugën e “Kavajës” para saj ndali një minibus, prej të cilit zbritën e i kërkuan që të bënte një fotografi në ish-Kinostudio. Pas asaj dite, jeta e Raimonda Bulkut ndryshoi. Të nesërmen realizoi kinoprovën e parë dhe nisi xhirimet në filmin “Dimri i fundit” (1976) me regji të Ibrahim Muçës dhe Kristaq Mitros. Por, si vijoi karriera e saj artistike? Po jeta familjare, si nënë e dy fëmijëve? Çfarë e shtyu atë të bëhet pjesë e lëvizjes së 20 shkurtit 1991? Çfarë arriti që të ndryshojë me emërimin e saj, gjatë demokracisë, si deputete e Partisë Demokratike, në art? Dhe si ndihet sot, që është gjyshe e tre nipërve?

Zonja Bulku, nëse do të ktheheshit pas në kohë. Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?

Unë jam rritur pranë shallvareve, nga “Myslym Shyri” te rrugica e çamëve. Jam rritur në familjet e gjyshërve, sepse jam fëmija i parë nga të dyja anët. Familja e babit është Tiranse  ranase. Më kujtohet kur unë shkoja të luaja me kushërinjtë, atje kishte shumë harmoni. Ndërsa, shtëpia e familjes nga mami ka qenë e mbyllur. Ata ishin shumë fisnikë dhe kishin ardhur nga Kosova në vitin 1926. Jemi rritur me një dashuri të madhe për Kosovën. Për njerëzit e tyre, që gjyshja ime nuk i pa asnjëherë. Këto dy familje njiheshin përpara se të martohej mami dhe babi, Ardita dhe Skënderi. Nga kjo martesë ne jemi dy fëmijë, unë dhe motra Venera, e cila është pesë vjet më e vogël.

Babai juaj ishte ushtarak. Çfarë ndodhi me familjen tuaj kur atë e emëruan me detyrë në Gjirokastër?

Largimin nga Tirana në Gjirokastër e kemi ndjerë shumë, mbase mamaja më tepër se sa unë. Unë sapo kisha nisur shkollën fillore te “Kristoforidhi” në Tiranë, por filloren dhe tetëvjeçaren i përfundova në Gjirokastër. Këto ikje i vuanim! Na mungonte Tirana dhe njerëzit tanë. Pasi lamë Gjirokastrën shkuam në Cërrik të Elbasanit. Atje duhet të nisja gjimnazin (viti 1973) dhe të krijoja shoqëri nga e para. Grupi im shoqëror ishte shumë heterogjen; ishim tre vajza me biografi të mirë dhe tre të internuara. Një prej tyre ishte Drita Çomo, vajza e Liri Belishovës, e cila shkruante poezi dhe ishte inteligjente. Ato nuk flisnin në syrin tonë, sepse na ruanin që të mos na ndodhte gjë. Por, unë rrija me to, sepse familja nuk më ndalonte. Im atë ishte tolerant, ndërsa unë persekucionin nuk e njihja, veçse e kisha hasur nga ana e mamit. Por, ne ishim të rinj dhe në atë moshë nuk na përkiste asgjë për të vuajtur.

Ama nga Cërriku, në Kinostudio.

Si ndodhi?

Mbaj mend se kam qenë në vit të tretë në gjimnaz dhe kisha ardhur në Tiranë për pushimet e dimrit. Kisha dalë më kushërirën te rruga e “Kavajës”, kur para nesh ndalon një mikrobus dhe na propozon, që të shkojmë për të bërë një foto në ish- Kinostudion “Shqipëria e re”. Unë nuk them jo! Shkojmë bëjmë një foto dhe të nesërmen bëra kinoprovë. Kjo rastësi bëri që unë në janar të vitit 1976 të hyja në oborrin e ish-Kinostudios për të mos ikur më kurrë. Kjo ishte një kthesë. Roli im i parë ka qenë te “Dimri i fundit”. Nuk e kisha menduar asnjëherë! Shkrepjen e fotografisë së parë mund ta ketë bërë Ilia Terpini, i cili ka qenë dhe operator filmi. Por, nuk e kujtoj me saktësi. Në verë nisa xhirimet për te “Zonja nga qyteti” dhe çdo vit isha duke xhiruar filma.

Me bashkëshortin tuaj, Fatos Pashko, si jeni njohur?

Jam fejuar shumë e re! Kam qenë vetëm 19 vjeç. Bashkëshortin, Fatosin, e kam njohur rastësisht në rrugët e Tiranës. Kam qenë me Eva Pëllumbin, aktoren e Teatrit të Kukullave në Tiranë, sepse do të nisja xhirimet e filmit “Emblema e dikurshme” të Ylli Pepos. Kur përfunduan xhirimet e filmit shpallëm fejesën.

Më vonë erdhi martesa, prej së cilës u bëtë nënë e dy fëmijëve, e Joselit dhe Hegës…

U martuam në tetor. Ka qenë një ditë me shi. Kujtoj se ditën e premte kam veshur një kostum tradicional, jo të Tiranës, por të katolikëve të Kosovës. Atë ditë dasma është bërë me orkestër në oborrin e shtëpisë. Ka qenë dita më e sinqertë, sesa dy ditët e tjera. Më vonë në jetën tonë erdhën dy gëzime të mëdha, djali Joseli dhe vajza Hega.

Në vitin 1991 keni qenë edhe pjesë e protestave. Gjithçka e nisët në mbështetje të studentëve. Ndërsa, në 20 shkurt 1991 dolët në podium dhe bëtë një thirrje, e cila përfundoi me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. A ju kujtohen fjalët që keni thënë atë ditë?

Nuk e mohoj se në jetën time, ditët kur akoma në fuqi ishte një pushtet tjetër, kanë qenë ditë, që në mënyrë personale mund t’i quaj edhe heroike. Nuk ishte e lehtë, frika ishte kudo! Unë në orët e para të çdo dite mblidhja firma nëpër Tiranë. Ne kemi qenë pas kuintave. Ndërsa shkoja çdo ditë dhe në Qytetin Studenti, ku zhvilloheshin grevat. Në ish- Kinostudio kjo situatë ziente prej kohësh. Në oborrin e ish-Kinostudios kishte pasur persekucione, rrahje dhe arrestime, të shumë kineastëve. Në Tiranë vlonin, por nuk kishin çfarë të bënin. Unë punoja në teatër në vitin 1991. Ne artistët kemi qenë zërat e parë. Me shoqërinë kemi folur pa frikë. Ka qenë dita e fundit dhe ne donim, që të kontribuonim. Donim që të shkonim në Presidencë apo në RTSH të publikonim një telegram në mbështetje të studentëve. Ne gratë artiste ishim shumë që e dëshironim këtë gjë. Kur shkova në Qytetin Studenti ata thanë: “Shyqyr që na erdhi një femër! Çfarëdo që të thuash do të na i thuash ti”. Unë isha nënë e re me dy fëmijë të vegjël. Por, jeta personale nuk peshonte përballë asaj sakrifice, që po bënin ata djem dhe vajza të rinj. Kujtoj se me shumë kurajë kam dalë në ballkon dhe jam tmerruar, sepse menduam se po vinte policia që të na hiqte qendrën e zërit. Fjalët që kam thënë kanë qenë: “Gra dhe motra, në emër të fëmijëve tanë dhe të të rinjve që janë në grevën e urisë, të shkojmë drejt Presidencës!” Kur e kam përsëritur sërish fjalinë kam thënë: Drejt presidencës, jo drejt bustit të Enver Hoxhës. Në këtë thirrje lëvizën të gjithë, burrat dhe gratë. Unë kisha bërë me dëshirë diçka, por pa e menduar që mund të kishte këto pasoja. Këtë moment e ka fiksuar në fotografi Ilia Terpini, i cili ka qenë në ballkon. Fotografinë ma ka sjellë pas 20 vjetësh. Ishte surprizë, sepse është foto që kam nga ata muaj, që rrinim dhe zienim brenda vetes. Prandaj, në jetën time kam ditë të lumtura, padyshim dhe ditë shumë të dhimbshme dhe Qytetin Studenti; njerëzit dhe të moshuarit pa pushim më puthnin duart, duke më thënë: Ti e bëre këtë! Nuk do t’i harroj kurrë.

A ndikoi kjo ngjarje, që ju më vonë të përfshihet në politikë? Si ndikoi zgjedhja juaj në fushën e artit?

Në atë kohë nuk kisha ndërmend që të përfshihesha në politikë. Unë vazhdova punën time. Kisha dëshirë që e djathta të fuqizohej. Edhe shumë kohë më vonë mendova të bëhesha pjesë e saj. Në vitet 2004-2009 u bënë disa lëvizje të mëdha, si rruga e Kukësit, anëtarësimi në Nato etj,. prandaj mendova se dhe një katërvjeçar tjetër do t’i bënte shumë mirë fushës së artit. Por, kur hyn atje brenda ke dëshirën për të bërë gjëra të mëdha, por nuk ke një vendimmarrje! Mund të japësh ndihmesa të vogla, që mund të jenë efikase, por vëmendja e politikës ndaj artit është e fundit. Nga jashtë të duket se kultura ka prioritet, por kur je brenda e sheh se duhet që të bashkohesh me shumë zëra të fuqishëm, ndryshe e vetme nuk bën dot asgjë. Zërat e fuqishëm janë të përqendruar tek ekonomia, marrëdhëniet me jashtë etj. Ti ke prioritetin tënd, por kjo vëmendje nuk shkon në fushën tënde! Dëshira është, por tek ne mendohet ende që mos të mos ketë fare Ministri Kulture (kjo është thënë në vitet 2000). Nuk mund të them se hyra dhe pata mundësi që të investoja në fushën e artit, por më tepër u ndesha në kundërshti politike!

Megjithatë, gjatë viteve të demokracisë ju nuk hoqët dorë nga kinematografia dhe teatri…, por çfarë ndryshoi për ju në rolet që bënit? Sa të lirë ndiheshit?

Filmi i parë pas komunizmit ishte “Vdekja e kalit” me regji të Saimir Kumbaros. Këtë film e kemi bërë në grahmat e fundit të atij sistemi. Një film me skenar shumë të bukur, i cili është xhiruar shumë bukur, por që teknikisht nuk qëndron mirë, sepse çdo gjë ka qenë në degradim. Këtë film menduam ta çonim në Kanë, për këtë ka ndërhyrë dhe Ismail Kadare që ata ta shihnin më shpejt, por ata na kthyen përgjigje se, filmi ishte nën limitet teknike dhe nuk mundet që ta pranonin. Pas viteve 1990 Anne Jordan erdhi në Shqipëri dhe kur pa filmin e parë në demokraci, “Vdekja e Kalit”, qau. Për rreth dy orë kemi komunikuar me të rreth tij. Ndërsa, më pas kam luajtur te filmi “Nekrologjia” i Fatmir Koçit, “Syri magjik” i Kujtim Çashkut dhe “Lotët e Kosovës” pas luftës në Kosovë etj. Por, filmat erdhën duke u rralluar, sepse projektet e Qendrës Kinematografike pa bashkëpunime ishin qesharake.

Si është të jesh jesh aktore sot në teatër?

Mjerisht nuk kemi fatin për të pasur një kinema dhe teatër të zhvilluar, por në teatër kam qenë gjithë kohës e angazhuar. Njerëzit e duan teatrin! Ne përpiqemi të punojmë dhe të japim maksimumin tonë, por harrojmë që jemi në minimumet e pagesës. Aktualisht jam në teatër me sistemim e kontratave, kjo nuk më duket gabim, sepse për të mbajtur një trupë permanente, siç e bën e gjithë bota, buxheti te ne është shumë i paktë. Nëse nuk duan ta mbajnë është tjetër gjë, por atë që mbajnë ta mbajnë tamam. Atë që thirret për të realizuar një premierë duhet ta vlerësosh! Është një vlerësim për bukën e gojës! Ata që vijnë për të parë harxhojnë shumë pak dhe nga ne presin shumë. Ndërsa, ne në fund japim më shumë sesa marrim nga ata që janë mbi ne dhe duhet që të na shohin me prioritet. Por, arti është i fundit në listën e qeverisë!

Dhe së fundmi, rikthehemi sërish te familja. Ju tashmë jeni gjyshe e tre nipërve. Si është të jesh gjyshe?

Pas diplomimit të fëmijëve, vjen një moment që ata hedhin hapa edhe më të rëndësishëm. Martohen dhe na vendosin në pozicionin e gjyshit dhe të gjyshes. Djali u martua dhe na bëri me nip, Joen është nipi i parë, më pas erdhi Damiani, djali i Hegës. Ndërsa, Endi është më i vogli, djali i djalit. Jemi bërë me tre nipër! Tani duket sikur jeta jonë është stopuar dhe asgjë tjetër nuk ekziston! Harrojmë që të pyesim fëmijët si janë, sepse nipërit janë në qendër të gjithçkaje. Të jesh gjyshe është një gjë shumë e veçantë. Në momentin që je me nipërit je në një botë tjetër, që kur të jepet rasti për t’i mbajtur të lodhin fizikisht, por psikologjikisht je shumë e lumtur!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *