4 Dhjetor, 2024

“Jam një burrë i ndershëm, po jam kot së koti, këtu po të vjedhësh, quhesh burrë i zoti”, vargjet e fundit të Arben Dukës

 “Jam një burrë i ndershëm, po jam kot së koti, këtu po të vjedhësh, quhesh burrë i zoti”, vargjet e fundit të Arben Dukës

Arben Duka u nda sot nga jeta në moshën 64 vjeçare.

Beni luftonte prej vitesh me një sëmundje të eshtrave që e rëndoi me kalimin e kohës gjendjen e tij të përgjithshme shëndetesore.

Dje, pas një muaji të vështirë për shkak të problemeve në mushkëri dhe një infeksioni, trupi i tij u godit nga një pushim i zemrës, të cilit nuk mundi t’i mbijetojë.

Më poshtë, një poezi e tij, ku ai përkufizon me ironi veten dhe ku sigurisht ndihet dëshpërimi i kuptueshëm i të gjithë atyre, të cilët do donin një Shqipëri të ndryshme nga kjo e sotmja:

 

Nga Arben Duka

Jam një burrë i ndershëm,
Po jam kot së koti,
Këtu po të vjedhësh,
Quhesh burrë i zoti!

Kam goxha guxim,
Po s’jam trim vërtet,
Këtu po të vrasësh,
Quhesh trim me fletë!

Nuk di të gënjej,
Një zakon i hershëm,
Këtu po mashtrove,
Quhesh burrë i ndershëm!

Nga cepi në cep,
S’hidhem me vërtik,
Po ai që hidhet,
Quhet “elastik”!

Jam njeri besnik,
E liga s’më josh,
Sot quhesh “besnik”,
Po të jesh kodosh!

Thonë që kam talent,
Unë për poezinë,
Po kjo s’llogaritet,
Kur nget Qeverinë!

DITA rri në këmbë,
Dhe nuk bëhet urë,
Po ja, kush e dredh
Këtu quhet burrë!

Adhuroj me shpirt,
Shqiponjat e malit,
Po sot të sfidojnë,
Zhabat e moçalit!

Unë jetoj me këngën,
E bilbil gjyzarit,
Po sot vlerësohet,
Zëri i gomarit!

Gjithmonë më ka mbajtur,
Buka e hallallit,
Këtu s’vlen po s’more,
Nga arka e djallit!

Shqipërinë e dua,
Mbi çdo gjë në botë,
Ata që e shesin,
Quhen patriotë

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *