4 Dhjetor, 2024

Ikona e artit shqiptar Roza Anagnosti feston 80-vjetorin e lindjes

 Ikona e artit shqiptar Roza Anagnosti feston 80-vjetorin e lindjes

Një nga ikonat e kinematografisë sonë, e ëmbla dhe e bukura, Roza Anagnosti, një personalitet i pakontestueshëm i artit shqiptar, feston sot ditëlindjen e saj të 80-të.

Roza lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër, ndërsa karrierën e saj si aktore e nisi në “Teatrin Migjeni” të Shkodrës dhe ishte vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963), për të vijuar me një karrierë të suksesshme vitet në vazhdim.

Në fëmijërinë dhe adoleshencën e Rozës, rënduan privimet të shumta shpirtërore dhe materiale, për arsye se i ati në vitin 1950 u dënua me 15 vite burg për akuza politike. Me nënën dhe motrën e madhe vuajtën varfërinë dhe të gjitha pasojat e luftës së klasave. Artistes së ardhshme iu ndërpre e drejta për të vazhduar liceun artistik në Tiranë, duke e përjashtuar kur kish vijuar vetëm dy muaj mësimet.

Roza u kthye në Shkodër, ku vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Por, në të njëjtën kohë dha provimet me korrespodencë në Liceun Artistik, dega e Artit Dramatik. Në vitin 1965 u diplomua në degën e dëshiruar.

Kur u inaugurua godina e teatrit “Migjeni”, në Shkodër, në vitin 1958, 15-vjeçarja, nxënëse e shkollës së mesme, Roza Anagnosti, u angazhua në premierën e parë të teatrit të Estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik në pjesën “Kunora e nuses”, e dramaturgut Kolë Jakova dhe me regji të Lec Shllakut. Ajo u emërua aktore me trupën e teatrit “Migjeni”.

Tashmë ishte hapur rruga dhe Roza do të ishte protagoniste me rolet e saj në shumë spektakle të tjera duke mbërritur tek personazhi i Norës, në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit, që ishte edhe regjisori i saj. Me këtë rol aktorja e re, fitoi çmimin “Si interpretuesja më e mirë”, ndër aktoret femra në festivalin e dytë kombëtar të teatrove profesioniste të Shqipërisë.

Pasi interpretoi dhjetëra role kryesore në Teatrin “Migjeni”, Roza Anagnosti, që artdashësi shkodran e shihte të ardhmen e teatrit, u nda nga skena ku doli për herë të parë, sepse në tetor të vitit 1964, u martua me regjisorin Dhimitër Anagnosti.

Që nga ky vit ajo u emërua aktore në Teatrin Popullor (Teatri Kombëtar). Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranës dhe në kinematografi. Ajo u bë një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luajti në mbi 20 filma dhe fitoi disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti kështu u bë simbol i suksesit në art.

Numërohen rreth 120 role në teatër dhe kinematografi e TV, të interpretuara nga aktorja. Ajo ka punuar me regjisorët më të shquar të teatrit, por si askush tjetër ka interpretuar në shumë emisione në radio e televizione shqiptare.

Ajo tashmë mbahet mend edhe me rolet e saj më të fundit në dramën “Medea” e Euripidit, roli i Mendeshës, filmi i fundit “Gjoleka djali i Abazit”, me rolin e nënës, etj. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *