13 Dhjetor, 2024

Historia e vërtetë e partizanit të vogël Velo

 Historia e vërtetë e partizanit të vogël Velo

Tregimet e jetës së partizanit 12-vjeçar: Si më ndau partia nga gruaja dhe fëmijët, akuzat si spiune ndaj nënës, përjashtimet nga radhët e PPSH, betejat me gjermanët dhe e vërteta për filmin “Partizani i vogël Velo”

Nga Vepror Hasani

Personazhi i vërtetë i filmit “Partizani i vogël Velo” jeton në qytetin e Korçës. Ai quhet Kostandin Ropi. Pas mbarimit të Luftës studioi në Shkollën e Bashkuar dhe më pas përfundoi studimet akademike ushtarake në Tiranë. Jeta e tij ka qënë një peripeci e pafund. Partizani i vogël Velo, tregon për vitet e Luftës, për takimin e parë me Enver Hoxhën, për bukën e bardhë dhe konservat e mishit, për nënën e tij, të cilën Partia e Punës e konsideronte spiune. Veloja tregon për përjashtimet e tij të herë pas hershme nga radhët e Partisë, por në të njëjtën kohë nuk lë pa treguar as brengën e tij të madhe, si Partia e tij e ndau përfundimisht nga gruaja dhe fëmijët, si mbeti i braktisur nga të gjithë. Filmi “Partizani i vogël Velo”, sot ngjan me ironinë e fatit të tij

Tabloja

“Në shtëpinë time kam një pikturë të realizmit socialist, ku Enver Hoxha shpjegon në hartë betejat që do të zhvilloheshin më pas.” Kështu e nisi tregimin e jetës së tij, njeriu i njohur me emrin, Partizani i vogël Velo, por që në të vërtetë emri i tij i lindjes është Konstandin Ropi. Pastaj, si heshti një çast, shtoi:

– Aty, në atë pikturë, jam edhe unë. Pikturën e kam në shtëpi, po të doni mund të vini ta shikoni. Në atë pikturë është dhe një djalë i vogël, dhe ai djali i vogël jam unë…

Shprehjes “jam unë” i dha një theks të çuditshëm, aq sa u duk sikur ai pohim mbeti një çast pezull, si një pëshpëritje që s’kishte të mbaruar: jam unë… jam unë.. jam unë… Pas kësaj pashë një fytyrë të lodhur, të trishtuar që përpiqej të dukej e gëzuar, por nuk mundej.

Aty jam unë,- përsëriti ai, jo pa dhimbje, si për të treguar se ajo pikturë ishte bërë enkas për të dhe jo për Enver Hoxhën. Pas kësaj nis të rrëfehet…

Nëna, brengë e jetës time

Ndërsa Partizani i vogël Velo nis të tregojë, unë mbaj shënime. Herëpasherë ai më porosit:

– Mos harro, shënoje këtë që po të them tani!

Pastaj më pyet:

– E shënove?

Unë bëj “po” me kokë.

Ai ndihet i kënaqur që po shkruhen brengat e tij. Gjithsesi biseda rrjedh:

– Isha i vogël, – tregon Partizani i vogël Velo, në fillim nuk kisha dëgjuar asgjë për Enver Hoxhën. Dija që ishte kohë lufte. Familja ime jetonte në fshatin Leshnjë të Korçës. Babain, Vangjelin, ma kishin vrarë gjermanët, ndërsa më pas do të më vritej edhe nëna, Gliqeria, e cila ishte nga soji i Subashëve. Në këtë pikë të tregimit qëndron një cast:

– Shënoje këtë, – më thotë, – nëna ime ishte nga soji i Subashëve. E shënove?

Nuk e di për çfarë arsye i pëlqen të theksojë disa shprehje, por unë mbaj shënime i bindur nën urdhëratë e Partizanit të vogël Velo. Duket se bindja ime i pëlqen. Pas kësaj nis tregimin aty ku e ka lënë.

– Disa thoshin që nënën time e vranë partizanët, sepse nëna ime paskësh qenë spiune, ndërsa disa të tjerë thoshin që e kishin vrarë disa njerëz të tjerë. E ngatërronin gjithnjë me një vrasje të ndodhur më parë. Njerëzit e partisë thoshin se ai që ishte vrarë ishte spiunuar nga nëna ime! Unë besoja se nënën nuk ma kishin vrarë partizanët. Kështu besoj edhe sot e kësaj dite, edhe pse gjatë gjithë kohës që Enver Hoxha ishte në pushtet, nënën time nuk e njohu si dëshmore të atdheut. Nëna ime ishte një brengë e madhe për mua… Pastaj sërish më pyet: E shënove edhe këtë?

Unë pohoj me kokë, por ndërkohë vazhdoj të jem i vëmendshëm.

– Misteri i vdekjes së nënës time më ndoqi pas tërë jetën. Emri i saj herë harrohej, herë përmendej nga partia, por sa herë përmendej emri i nënës time, unë përjashtohesha nga radhët e partisë. Tani do të them diçka që duhet ta shënosh. Gjatë gjithë jetës time jam përjashtuar 8 herë nga partia, aq herë sa ishte përmendur emri i nënës, Gliqerisë, e cila rridhte nga fisi i Subashëve, besoj se e shënove këtë? Pas kësaj Veloja hedh vështrimin mbi bllokun tim.

– E shënova, – i them Partizanit të vogël Velo, pa pritur që ai të më pyesë, nëse e kisha shënuar këtë fakt. Në të vërtetë Veloja më ngjan me një ushtarak që i do të gjithë nën urdhra. Fytyra e tij më duket sërish e trishtuar, tetë herë i përjashtuar nga partia. Vetëm ai e di se ç’do të thotë kjo.

Familja

Unë ndez një cigare. Të njëjtën gjë bën edhe Partizani i vogël Velo. Pastaj më pyet:

– Po vazhdon të mbash shënime?

– Sigurisht, i përgjigjem.

– Kur u përjashtova herën e fundit, – vijon sërish Partizani Velo, – partia më ndau nga gruaja dhe fëmijët.

Ndërsa mbërrin në këtë pikë të tregimit, edhe pse është mbi 80 vjeç, duket qartazi që një e dridhur e lehtë i përshkon buzën dhe i mbetet e ngrirë aty tek sytë, ku duket se i kthehet në një pikë loti që di ta mbajë fshehur.

– E shënove? Më ndanë nga gruaja dhe fëmijët. Atë kohë jetoja në Durrës. Lashë gjithçka kisha dhe u ktheva në Korçë. Isha i braktisur nga të gjithë, sepse sërish ishte përmendur emri i nënës time, që sipas tyre ajo paskësh qenë spiune! Pasi më përjashtuan, shkuan në shtëpinë time dhe i thanë bashkëshortes që të më divorconte. Lëre Partizanin e vogël Velo, i thanë gruas, ai u përjashtua nga partia, shumë shpejt do ta futim në burg. Do të qëndrojë atje për 25 vjet me radhë. Ai është njeri i padëshirueshëm për partinë, Veloja nuk e do partinë. Nuk di çfarë i thanë dhe çfarë nuk i thanë të tjera. Ime shoqe më ndau. Ndoshta po të mos më ndante edhe ajo do të kishte fatin tim. Shënoje këtë që do të të them tani: Më ndanë edhe nga fëmija. Pastaj, si gjithnjë interesohet:

– E shënove?

Unë pohoj përsëri me kokë.

– E vërteta është se nuk më futën në burg, por edhe ajo çfarë më kishin bërë nuk ishte pak, ndoshta ishte më shumë se burgu. Megjithatë sot më duan jo vetëm fëmijët e mi, por edhe nipërit edhe mbesat. Edhe unë i dua, gjithnjë më merr malli për ta. Nejse. Në vitin 1985 mbeta i papunë edhe pse kisha përfunduar studimet akademike. Isha mohuar krejtësisht nga partia ime….

Partizani i Vogël Velo, ndez sërish një cigare, fjolla e tymit që përhapet çuditshëm e bën fytyrën e tij edhe më të trishtuar

Brengat e partizanit të vogël Velo

Pas përsëritjeve të shumta të shprehjes “e shënove këtë që po të them tani” nis të kuptoj se Veloja nuk është gjë tjetër veçse një brengë e madhe. Në intervistat që ka dhënë dikur, ka folur vetëm për luftën dhe Enver Hoxhën, duke anashkaluar gjithnjë përjashtimet nga partia. Duke mos thënë asnjëherë se ai kishte qenë njeriu i padëshiruar i saj etj., etj., etj. Tashmë ka kohë, ndoshta vite që nuk ka folur më. Gjithë njerëzit e mbajnë mend vetëm si Partizani i vogël Velo, por tashmë i lodhur prej kësaj, kërkon të tregojë edhe anën tjetër njerëzore të tij. Ndoshta kjo është arsyeja që herë pas herë më pyet: “e shënove këtë?”. Ndoshta ka frikë mos gazetari që ka përpara shkruan vetëm për Partizanin e vogël Velo dhe harron të shkruajë për Konstandin Ropin, emrin e tij të lindjes, ku qëndron fshehur shpirti i madh i këtij njeriu. Është kjo arsyeja që sa herë përmend dhimbjen, interesohet: e shënove këtë që po të them tani? Dhe kur sheh se tregimi i tij po shënohet, ndihet i kënaqur. Në të vërtetë gjithë meraku i tij është tek Konstandin Ropi dhe jo tek Partizani i vogël Velo, ose e thënë ndryshe ai po tregon Partizanin e vogël Velo, por tashmë se si duhej të ishte ai në film.

Partizani i vogël Velo

Ropi sapo kishte mbaruar tregimin e tij mbi familjen dhe pas kësaj ishte bërë i heshtur. Nuk po vështronte më mbi bllokun e shënimeve.

– Vazhdojmë, – i them Partizanit të Vogël Velo.

Befas ai përmendet nga kujtimet e tij.

– Po, – më përgjigjet. Isha 12 vjeç kur dola partizan. Duhet të ketë qenë tetor i vitit 1943. Atë kohë kisha mbetur jetim. Shtëpia na ishte djegur nga lufta. Mora tre-katër granata me vete dhe u nisa për të gjetur partizanët. Nuk kisha asgjë çfarë të vishja nga këmbët. Në fillim shkova në çetën e Nasi Vithkuqit (Priftit), por ai nuk më mbajti. Je i vogël, më tha. U detyrova të shkoja në batalionin “Hakmarrja” të Petrit Dumes, por edhe ai nuk deshi të më mbante. E njëjta gjë më ndodhi edhe në Brigadën e Parë. Vetëm në mars të vitit 1944 u bëra partizan i Batalionit të Rinisë në Qarkun e Korçës. Komandant ishte Kristo Mushi, i cili njihej si atentator i famshëm. Kishte varë shumë spiunë. Më vonë u formua brigada XV në Protopapë. Kishte filluar Operacioni i Qershorit. Patëm luftime në Potom, në Qafën e Martës, te Shkembi i Miçanit e në vende të tjera. Aty tek Shkëmbi i Miçanit vramë 9 gjermanë. Më pas, për shkak të luftimeve, partizanët u shpërndanë gjithandej. Mua për paksa nuk më zunë rob.

U fsheha në një pyll. Kisha mbetur pa bukë e pa ujë. Rastësisht më ndihmoj një grua që po kalonte me të bijën andej, duke më dhënë një copë bukë dhe një vezë. E kisha të vështirë për të lëvizur nga vendi ku isha strehuar. Gjithandej kishte vetëm gjermanë. Një mbrëmje pashë një grup njerëzish të armatosur. Mendova se ishin partizanë dhe u dola përpara, por ata ishin që të gjithë ballistë. Çfarë bën këtu, më pyetën. E panë që isha i vogël. U thashë se kisha mbetur i vetëm në pyll. Eja me ne, më thanë ata, por hiqe kapelën, se kështu jo vetëm që nuk të marrim dot me vete, por mund të na marrësh edhe neve në qafë. Unë nuk mund ta hiqja kapelën. Ballistët ikën. Kur ata ishin larguar disi, nisa t’i ndjek nga pas. Ndiqja rrugën nga shkonin ata. Isha i vogël dhe nuk e njihja mirë vendin. Doja të dilja nga pylli ku kisha mbetur. Kur kaluam afër Qeshibeshit, i lashë ballistët dhe mora drejtim tjetër, isha i sigurt se do t’i gjeja partizanët.

Takimi me Enver Hoxhën

Në Qeshibesh kishte partizanë. Hyra me tre- katër granata në brez dhe me një automatik në krah. Të gjithë që më panë u çuditën.

Po ti? – më pyetën. U tregova gjithë historinë time si i kisha humbur shokët dhe kisha mbetur i vetëm në pyll. Që nga ajo ditë, kur gruaja me të bijën me kishte dhënë një copë bukë dhe një vezë, nuk kisha ngrënë më. Nuk qëndroja dot në këmbë. Dikush tha: Ta çojmë tek Enver Hoxha këtë partizan të vogël dhe ashtu u bë. Më çuan atje ku kishte qëndruar Enveri. Unë atë kohë e kisha dëgjuar emrin e tij, por nuk e kisha parë kurrë. Më futën në një dhomë. Pashë një burrë të gjatë që qëndronte në krye. “Ky duhet të jetë ai”, mendova. Me armën në krah hyra brenda, dorën e mbaja mbi grykën e automatikut, doja të tregohesha i rritur por edhe trim, por me t’u gjendur përballë me Enver Hoxhën, ai m’u drejtua:

– Ktheje, ktheje, grykën e armës nga dera se do të na vrasësh!

Unë e hoqa automatikun nga krahu. Enver Hoxha qeshi:

– Ja edhe një partizan i vogël!- tha ai.

Ky ishte takimi im i parë me Enver Hoxhën. Aty më dhanë bukë të bardhë dhe një konservë mishi. Kisha ditë të tëra pa ngrënë. M’u kujtua që kisha ngrënë edhe gjethe lisi.

-Dola partizan se ishim të varfër,- vijon tregimin e tij, Partizan i vogël Velo. Kur mbaroi Lufta pata shpresën se shqiptarët do të ktheheshin të gjithë në pronarë, do të kishin bukë të bardhë dhe konserva mishi, por ai na i mori të gjitha. Të gjitha ishin vetëm të njëshit. Unë gjithë jetën kam qenë vullnetar në tharjen e kënetave, në ngritjen e hekurudhave, të hidrocentraleve, por gjithçka shkonte vetëm në favor të njëshit, shqiptarët mbeteshin gjithnjë e më të varfër. Unë kërkoja një sistem tjetër. Ajo që po përjetonim nuk ishte aspak shkencore, aspak e logjikshme. Ishte një skllavopronari nudo e diktaturës. Gjithnjë më kujtohej fshati Qeshibesh. Në dhomën ku rrinte Enveri nuk mungonte asgjë, kurse unë herë pas herë pranohesha dhe përjashtohesha nga partia. Burgosjet, dhe divorcet nga gratë nuk m’u ndanë kurrë, ky ishte një tmerr tjetër edhe më i madh…

– E shënove këtë që po të them tani, – u kujtua të pyeste sërish, Veloja.

Unë pohova me kokë.

– Dhe ja tani kam mbetur me një pikturë të varur në murin e shtëpisë time, ku Enver Hoxha, tregon në hartë betejat që do të zhvillonin partizanët. Në atë tablo është dhe një djalë i vogël, dhe ai djali i vogël jam unë. Shprehjes “jam unë” i dha përsëri një një theks të çuditshëm, aq sa u duk sikur ai pohim mbeti një çast pezull, si një pëshpëritje që s’kishte të mbaruar, jam unë…jam unë.. jam unë…por pasoj shtoi, jam personazhi më tragjik i asaj që ka ndodhur… E shënove këtë që thashë tani në fund,- më pyeti.

– Sigurisht, – i thashë.

Tregimi i Velos kishte mbaruar. Pata përshtypjen se diçka i mungonte rrëfimit të tij. Çfarë vallë? Ah po, pasi u mendova pak e pyeta:

– Si lindi filmi “Partizani i vogël Velo?

– Oh, kjo është histori më vete. Do t’jua tregoj por do t’i shënosh të gjithë.

– Patjetër, – i them.

-Mirë atëherë, fillo të shkruash.

Ngjarja

Ishim mbledhur për të festuar 20-vjetorin e krijimit të Brigadës IV Sulmuese, tregon Partizani i vogël Velo. Merrnin pjesë të gjithë ish- partizanët, të afërmit e partizanëve të vrarë e shumë të tjerë. Ishte i pranishëm edhe Komandanti i Brigadës IV Sulmuese, Nexhip Vinçani. Pothuajse të gjithë kishin dekorata mbi gjoks, por më shumë nga të gjithë kisha unë. Kisha qenë partizani më i vogël i Luftës… Të gjithë që më shikonin habiteshin. Mbeteshin të habitur se nuk arrinin të kuptonin si i kisha marrë të gjitha ato dekorata, kur në 20-vjetorin e brigadës nuk isha më shumë se 32 vjeç. E njëjta gjë ndodhi edhe me shkrimtarin Anastas Kondo që kishte ardhur aty në përvjetorin e brigadës. Ai po vështronte me kërshëri, por pastaj m’u afrua dhe më pyeti:

Të tuat i ke gjithë këto dekorata, – dhe pa pritur përgjigjen time, shtoi, – do të kesh patur në Luftë gjyshin, babain ose vëllanë.

Jo, – iu përgjigja, – dekoratat i kam të miat,- duke vështruar jo pa krenari mbi dekoratat që mbaja në gjoks.

Kondo më vështroi me mosbesim.

– E di, – më tha, – që janë të tuat, por kë nga të afërmit e tu ke pasur në Luftë?

Dekorimet e shumta të jepnin përshtypjen se ai që i kishte fituar ato duhej të kishte qenë ndonjë legjendar i Luftës, por gjithsesi ai, “legjendari” nuk mund të isha unë, sepse edhe në 20-vjetorin e krijimit të brigadës isha ende i vogël. Ka mundësi që Anastas Kondo të ishte larguar i pakënaqur nga përgjigjet e mia, por në atë çast u afrua Komandanti Nexhip Vinçani, i cili e kishte dëgjuar bisedën tonë.

– Nuk e njeh Koçon, – iu drejtua Kondos, komandant Vinçani, (Vinçani ishte i ftuar në atë pervjetor), ky është Partizani i vogël Koço.

Pas kësaj Vinçani i tregoi historinë time. Vura re se Kondos i bëri shumë përshtypje kjo histori, por deshi ta dëgjonte edhe nga goja ime. Atëherë, tregon Partizani i vogël Velo, nisa të tregoja gjithçka për jetën time. Kondo mbante shënime. Shënoi të gjitha, i thashë Kondos, ja kështu siç po të them ty sot. Pas kësaj u ndava me Kondon,

Filmi

Më pas doli filmi “Partizani i vogël Velo”. Kur doli filmi pati edhe pretendentë të tjerë, të cilët thoshin se kishin qenë më të vegjël se mua në kohën kur kishin marrë pjesë në Luftë. Unë nuk e di a ka pasur vërtetë njerëz të tjerë kaq të vegjël sa mua, por di që Anastas Kondo shkroi skenarin e filmit sipas tregimeve të mia. Tashmë për mua kjo histori e largët ka pak rëndësi, sepse gjithçka bëra në atë kohë përfundoi në një zhgënjim total. Unë nuk e dija se po luftoja për të sjellë një regjim, ku prona nuk do të ekzistonte. Nuk e dija këtë. Po ta dija ndoshta nuk do të kisha marrë pjesë në Luftë. Nëna ime rridhte nga fisi i Subashëve, asaj i pëlqentë që të kishte prona. Kaq është historia e filmit më thotë partizani Velo.

Më çuan atje ku kishte qëndruar Enveri. Unë atë kohë e kisha dëgjuar emrin e tij, por nuk e kisha parë kurrë. Më futën në një dhomë. Pashë një burrë të gjatë që qëndronte në krye. “Ky duhet të jetë ai”, mendova. Me armën në krah hyra brenda, dorën e mbaja mbi grykën e automatikut, doja të tregohesha i rritur por edhe trim, por me t’u gjendur përballë me Enver Hoxhën, ai m’u drejtua: – Ktheje, ktheje, grykën e armës nga dera se do të na vrasësh! Unë e hoqa automatikun nga krahu. Enver Hoxha qeshi: – Ja edhe një partizan i vogël!- tha ai.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *