Florian Binaj: Ka njerëz që jetojnë vetëm me një bidon qumësht, ndërsa këta kanë 30 vjet na vjedhin
Aktori i njohur Florjan Binaj ka qenë aktiv në protestat e fundit të qytetarëve dhe shoqërisë civile kundër rritjes së çmimeve.
Binaj thekson se është në protestë për të ngritur zërin për ata njerëz që e kanë të pamundur të shkojnë në protestë.
Ai thotë se ka persona që realisht jetojnë vetëm me një bidon qumësht dhe një bukë.
“Marr pjesë për të ngritur zërin edhe për ata njerëz që nuk kanë mundësi të vijnë në protestë.
Që nga protesta e parë, mua më kanë mbetur në mend disa njerëz që realisht jetojnë vetëm me një bidon qumësht edhe me një bukë.
Nëse ne e lëmë moshën e tretë në këtë gjendje, nëse ne e lëmë rininë në këtë gjendje, e ardhmja nuk do mend për të kuptuar se si do të jetë.
Jemi aty për të ngritur zërin për ata njerëz që nuk pyeten nëse jetojnë mirë apo jo. Pas gjithë kontributit të tyre disavjeçarë, bëhen vetëm disa sondazhe dhe nuk ka asgjë më rëndësi për ata që drejtojnë.
Askush në këtë vend nuk i paguan gabimet përveç popullit. Nëse ti bën një gabim kundrejt shoqërisë, e paguan ti. Nëse e gjithë klasa politike bën ndonjë gabim kundrejt teje, e paguan sërish ti. Kjo është padrejtësi.
Ti nuk je i mbrojtur në asnjë moment, jetesa nuk është e mbrojtur në asnjë moment.
Kështu vritet çdo ndjesi që ti ke votuar dikë që të përmirësojë jetën dhe në fakt, ai nuk të jep më llogari”, u shpreh Binaj për A2.
Sipas tij, politikanët shqiptarë kanë 30 vjet që vetëm justifikohen, ndërsa shpreson që protesta t’i ndërgjegjësojë dhe ata të mos vjedhin kaq shumë.
“Kanë 30 vjet që justifikohen. Kjo nuk do as mend as kalem. Ne shtrojmë pyetje që ja dimë përgjigjen. Këtu ndahemi në dy shtresa, ata që e dinë dhe flasin dhe ata që e dinë dhe nuk flasin. Unë them që të mblidhen sa më shumë njerëz të vijnë të flasin.
Ne dëgjojmë çdo vit që KLSH thotë këtë vit janë shpërdoruar 500 milionë euro. Vitin tjetër 600 mln euro. Po, a ka hyrë njeri në burg? Asnjë.
Ne shpresojmë që ky zë i protestës të ndërgjegjësojë këta njerëz të përpiqen të mos vjedhin kaq shumë dhe këto lekë që shpërdorohen t’u shkojnë këtyre njerëzve në nevojë”, u shpreh Binaj.