4 Dhjetor, 2024

Disa fjalë zemre për mikun tim, Timo Flloko

 Disa fjalë zemre për mikun tim, Timo Flloko

Nga Josif Papagjoni

E kush nuk e njeh Timo Fllokon?! Aktor, pedagog, recitues, Artist i Merituar, Profesor, madje dhe poet…

Kam shkruar shpesh për rolet e tij, por kësaj here, aty në Korçë, në Festivalin e Komedisë KOKOFEST, i thashë: “Eja të bëjmë një foto bashkë!” Kisha dhe më parë foto me të. Unë nuk jam një koleksionist “fotosh të artistëve”, por më duhej për të bërë te miqtë e mi të facebook-ut një portret të tij. Vitet ikin dhe pesha e tyre gjithnjë e më shumë na kërrus. Timua duket ende i ri, nuk e tregon këtë peshë, Zoti i ka dhënë fizik e shëndet të mirë si prej rioshi.

Kur unë nisa jetën studentore në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1968, ai ishte tre vjet para nesh, asoherë në vitin e fundit, dhe i mbaroi studimet në vitin 1970 si një nga studentët më të mirë. Ishte i preferuari i pedagogut tonë të Mjeshtërisë së Aktorit, Kujtim Spahivoglit. Atyre auditorëve qe bërë i njohur nga ekrani, por edhe nga rolet që luante me sukses qysh student.

Nuk e di pse Timua krijoi tek unë njeriun sa të talentuar, aq dhe të thjeshtë. E kujtoj kur recitonte vargje të Shekspirit, sidomos nga tragjedia “Jul Qesari”, monologun e Mark Antonit, një dashuri thuajse e të gjithë studentëve për ta recituar. Kujtoj se qysh atyre viteve qe i dashuruar pas anglishtes dhe e deklamonte bukur fort në anglisht monologun e famshëm nga Hamleti “To be or not to be”.

Qysh asaj kohe unë çmoja te aktrimi i Timos një dramacitet të brendshëm, burimor, i harmonizuar me fotogjeninë dhe shtatin e tij të lartë e të bukur, pra dhe me një farë romantizmi a lirizmi që i bashkangjitej natyrshëm profilit të tij dramatik për role të preferuara të heronjve, të rinjve të dashuruar që përvuanin traumat e tyre të dashurisë dhe të moshës. Kjo u vu re sidomos në rolin e Çimit në dramën Një shok i klasës sonë (1972) të Kujtim Spahivoglit në “Teatrin e të Rinjve”, ku ra në sy prirja e tij për një lojë që orientohej kah zhbirilimi psikik, nga ngërthet dhe ankthet e brendshme, që nuk bërtisnin, përkundrazi vinin në tone të buta, një sjellje sa më e natyrshme, pa zhurma, jo rrallë me përdorimin efikas të heshtjes emocionale.

Timo kishte një prerje të tijën dramatike. Meqë unë i bije kitarës dhe në njërin nga rolet e kësaj shfaqjeje Niko Kanxheri mungonte, atëherë e zëvendësova unë përkohësisht rolin e tij. Dhe shkuam në një turne shumë ditor në Durrës, duke bërë edhe plazh. Ndofta aty ajo “distancë” që Timo kishte krijuar ndër ne studentët e aktrimit thuajse u shkri sepse, siç thashë, ai ishte sa i talentuar dhe, mbase, më i miri nga të tjerët, ishte sakaq edhe një njeri i thjeshtë, i dashur, i përzemërt. Ne e ruajtëm në dhjetëravjeçarë këtë përzemërsi.

Timua ka lindur në Pejë të Kosovës më 28 prill, por rrjedh nga një familje gjirokastrite, e ngulur më pas në Vlorë. Ai u dashurua me Vera Grabockën, një shoqen tonë, pra dhe timen, e cila shquhej për entuziazmin dhe energjinë e saj të pashoqe, me një ambicie artistike që e shtynte përpara, prijëse, çka e ndihmoi më tej në karrierën e saj si një nga regjisorët më të mira të televizionit shqiptar. Fill pas studimeve universitare Timua u emërua pedagog i mjeshtërisë së aktorit në degën e Dramës, ku një pjesë kohe e kisha edhe unë pedagog të Fjalës Artistike. Profili aktorial i Timos duket se u plotësua me dramën moderne (për kohën) të Kiço Blushit “Shkallët”, ku tashmë ai provoi një rol që lëvizte në një grotesk të lehtë dhe sidomos në qasje sarkastike.

Ai u bë ndër pedagogët me të respektuar në Akademinë e Arteve dhe kaloi nga duart e tij dhjetëra e dhjetëra studentë, deri në v. 1996, kur emigroi për një kohë në Amerikë. Aty luajti në disa filma role të dyta, për t’u kthyer rishtazi në Shqipëri si profesor i aktrimit, i angazhuar në projekte të ndryshme në skenë dhe ekran.

Është kënaqësi të bisedosh me të, sepse me talentin e tij në ekran dhe në skenë mbetet ndër aktorët më të shquar shqiptar. Karriera e tij në ekran nisi herët me filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen”, 1967, në rolin e Fatosit, ku u dallua për sensin realist, thjeshtësinë dhe dhuntitë psikofizike me prirjet drejt tipit të heroit. E ruajti dhe e përpunoi këtë format në shumë role të mëpasme. Orfeu në dramën “Orfeu zbret në ferr” (1972) e Tenesi Uilliamsit ishte një vështrim poetiko-psikologjik, ku alegoria dhe simbolet e ardhura nga teksti si dhe koncepti regjisorial i M. Luarasit, u shprehën falë një interpretimi të ngrohtë dhe inteligjent. Në vitin 2002 mishëroi figurën poetiko-filozofike të Prometeut në dramën “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë.

Përmes një loje të bukur, të hijshme e me thekse dramatike, ai dha vuajtjen e heroit mitik, përpëlitjen e vetësakrificës, qëndresës e rebelimit ndaj pushtetit abuziv, sikundër edhe vuajtjen e tij nga harresa, snobizmi, mosmirënjohja dhe keqadministrimi i ligjeve hyjnore, spekulimi ndaj dijes dhe energjisë prej lakmisë dhe mendjengushtësisë së njerëzve. Më ka mbetur në mendje roli i B-së në diadramën Për një fjalë goje të Natali Sarrot (2006), ku rishtazi Timua konfirmoi talentin e tij kësaj here falë një loje me prerjen e saj psikologjike, ku ranë në sy një denduri nëntekstesh, dyzimesh e planesh të dyta. Ai përcolli te publiku një shpirt njerëzor të brishtë, të ngërthyer nga keqkuptimet, nga mungesa e komunikimit, komplekset.

Ndofta nga kryerolet e tij në teatër ka qenë Edi Karbone në dramën e Artur Milerit “Pamje nga ura”, 2007. Pjekuria e tij si aktor shënon tanimë një pikë kulmore të aktrimit të tij në gjithë karrierën e vet. Nuk besoj se gaboj. Ai thuajse e ndryshoi formatin e vet aktorial të parapëlqyer, duke ngulmuar më fort në një lojë pasionale, me përvuajtje të thukëta, me klithma, vrullime dhe energji të ndrydhura psikike, që çliroheshin në formë shpërthimesh të befta, për ta bërë më të rrokshme kësisoj shpështjellimin e personazhit, skrupujt e tij moralë, fatalitetin, zgripin ekzistencial dhe gravitetin e pavetëdijes, epshin shkatërrimtar të qenies së tij prej dokeri dhe emigranti, sikundër tragjizmin e ardhur nga mungesa e vetëpërmbajtjes. Mbresë të bukur më ka dhënë mishërimi i rolit të psikiatrit Martin Dysart në dramën “Equus” të Petter Shaferit në Teatrin Kombëtar, nën regjinë inventive dhe mbresëlënëse të Dino Mustafiq (2017), një ndër shfaqjet më të bukura që teatri ynë ka realizuar në vitet ‘2000. Ngaherë i një natyre pasionale, ai i dha frymë këtij personazhi në dilemat dhe brerjet e thella shpirtërore.

Timo Flloko u bë i njohur dhe i dashur për spektatorin veçanërisht në kinematografi. Është një nga figurat kryesore të kësaj kinematografie, i adhuruar dhe i vlerësuar gjithkund. U dallua për thjeshtësinë, sinqeritetin dhe natyrshmërinë e interpretimit, për hirin e tij fizik, për pamjen dhe sjelljen prej heroi e njeriu të virtutshëm, që vendoset në situata dramatike dhe i kapërcen pa “bujë” ato. Edhe sot kur më takon që shoh rolin e Meços në filmin Kur zbardhi një ditë, 1972, përftoj ndjenja të bukura të një humanizmi dhe atdhetarie të brendshme, pa bujë, ashtu të drejtpërdrejtë, pa poza. Loja e Timos na dha pikërisht bariun patriot, vetëmohues, me një vdekje sa tragjike po aq mallëngjyese, poetike dhe të madhërishme. Në po këtë prerje, veçse më kompleks si karakter dhe me një botë shpirtërore të trazuar e të përnxitur nga hakmarrja, ai luajti rolin e Mato Grudës në filmin Njeriu me top, 1977.

Përgjithësisht Timoja ka krijuar një portret të ëndshëm aktorial, prej njeriu fisnik, nga ku buron besim, mirësi e simpati. I tillë ka qenë ai edhe në rolin e Mësuesit në filmin Lulëkuqe mbi mure, 1976, me të cilin u nderua me Medalion. Ai është i vërtetë në përjetimin e figurës, në sjellje, në gjeste, në veprime e në interpretimin e fjalës. Karakteret e tij në kinematografi janë të ndryshëm: luftëtarë të lirisë dhe tipa të lidhur fort me Luftën Çlirimtare, me idetë, jetën dhe njerëzit, si Kanani te Shtigje lufte, 1974; Komandanti Malet me blerim mbuluar, 1970; Visari, Militanti, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984 etj. Por ai ka luajtur me ndjeshmëri dhe sens të fortë realist gjithashtu edhe figura të shëmbëllyera prej njerëzve të thjeshtë, si Çeçemi te Nata e parë e lirisë, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984; ose drejtues të pushtetit si kryetari i komitetit ekzekutiv te filmi Rrethimi i vogël, nderuar me kupën e Festivalit të VII, 1986; gjithashtu, personazhe historikë si Çerçiz Topulli te filmi Liri a vdekje, 1979; gjer edhe personazhe epikë e tragjikë, me karakter të fortë e qëndrestarë, që vijnë nga historia dhe baladat, si Gurgejm Dreni te filmi Balada e Kurbinit, 1990, nderuar me çmim. Në v. 1991, fill pas ndryshimeve politike rrënjësore në Shqipëri, luajti me një ndjesi të dukshme dramatike, vërtetësi dhe emocion rolin e Agronit në filmin Vdekja e kalit – një ushtarak i pafajshëm, i ndëshkuar padrejtësisht nga diktatura, porse pa ndjenjën e hakmarrjes dhe të revanshit pas lirimit nga burgu, përkundrazi i mbetur vetëm, i braktisur, mbytur në trishtim. Filmi u nderua me Kupën e Festivalit të X si dhe me Çmimin e Parë të Euro-Festivalit të Saint Etienit, 1997, në Francë etj.

Role të tjerë: Dhëndëri, filmi Përse bie kjo daulle; inxhinjer Sergei, filmi Ballë për ballë; Martin Alushi, filmi Të paftuarit; Bujari, filmi Fillim i vështirë; Asimi, filmi Binarët; Ariani, filmi Vrasje në gjueti; filmi Përdhunuesit; Niku, filmi Syri magjik etj.

Bibl.: Papagjoni, Josif. Aktorët, SHBLSH, Tiranë, 1999, f. KR f. 92-95, 108, 149-150. Papagjoni, Josif. Historia e teatrit shqiptar, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë 2014, f. 432-433, 439. Papagjoni, Josif. Filmi artistik shqiptar. Imazhi, Historia, Qenësia, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë 2017, f. 89-91, 139-141, 151-153, 172-177269-273, 279-281, 348-351, 355-357358-361366-369, 390-395; Kabo, Përparim. Tingull – Përse Prometheu nuk është ende i qetë, Plejad, 2008, f. 117-123. Mehmetaj, Gani: Magjia e ekranit – kritikë filmi, Kosovafilmi, 2005, Prishtinë, f.  158, 287-290.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *