26 Dhjetor, 2024

Disa fakte që ndoshta nuk i dinit për Timo Fllokon

 Disa fakte që ndoshta nuk i dinit për Timo Fllokon

Timo Flloko (26 prill 1948) është ndër artistët dhe poetët më të mirë shqiptarë dhe pa mëdyshje, një prej njerëzve që i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm vendit tonë, ndaj mendojmë që t’ju tregojmë disa fakte që ndoshta nuk i dinit për të.

Origjina  e tij – Timo Flloko ka lindur në Pejë, ku ka jetuar deri në moshën 8-vjeçare. Familja e tij është me origjinë nga Gjirokastra. Timo është rritur në Vlorë, ku ka kryer edhe shkollën e mesme. Ai është shpërngulur në qytetin bregdetar, pasi i ati ishte ndër mjekët më të mirë, i diplomuar në Sorbonne.

Rastësisht pjesë e kinemasë – Timo pëlqente shifrat dhe donte që të vijonte shkollën për ekonomi, por krejt rastësisht i hyri në botën e kinemasë, për t’u bërë një prej aktorëve më të njohur në vend.

I dashuruar me një dramë – Timo Flloko, kur ishte fëmijë, pa në teatrin e Vlorës dramën e tij të parë, “Pamje nga ura”, me regji të Pirro Manit. 40 vite më vonë, ai luajti në rolin kryesor të kësaj drame si Edi Karbone, italianit që mori rrugën drejt ëndrrës amerikane.

Roli i parë – Roli i parë i Timos ishte në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” me regjisorët Gëzim Erebara dhe Piro Milkani. Ai luajti rolin e Fatosit dhe u shqua për portretin e tij unik dhe talentin në aktrim.

Për një vit u ndalua nga regjimi komunist – Timo, si shumë artistë të tjerë, u ndalua për arsye banale që të vijonte me karrierën e tij një kinema. Ndalimi zgjati për 1 vit, për shkak se u dënua xhaxhai i tij, i cili gjithashtu ishte mjek i njohur.

Roli i tij si Çerçiz Topulli e riktheu në kinema – Do të ishte filmi “Liri a vdekje”, me regjisorë Kristan Mitro dhe Ibrahim Muçaj që e riktheu Timon në kinema. Ai luajti rolin e Çerçiz Topullit, me kërkesën e regjisorëve, të cilët mendonin se Timo ishte perfekt për këtë rol. Në fakt, kishin të drejtë.

Një dashuri si ajo e Timos dhe Verës – Ai dhe Vera u njohën në Akademinë e Arteve, ku Timo ishte pedagog dhe Vera nxënëse. Timo, tregoi për njohjen e tyre: “E njoha në shkollë, prandaj them rastësia…kjo duhet kuptuar që nëse unë nuk do të isha emëruar në Tiranë, se mund të isha emëruar në Vlorë, nuk do ta kisha njohur këtë vajzë të re [dikur] apo zonjë sot. E njoha në bankat e shkollës, ishte studentja ime,” u shpreh Flloko për kohën kur ai u emërua pedagog në Akademinë e Arteve, ku Grabocka studionte për regji.

Poet magjepsës – Timo Flloko, përpos se është një aktor fantastik, është edhe një poet magjepsës. Ai ka shkruar një sërë poezish, të cilat i ka lexuar në Butrint, në një performancë të jashtëzakonshme, shoqëruar me muzikën e këngëtareve të njohura shqiptare.

Më poshtë, do të gjeni një poezi kushtuar Verës, për ditëlindjen e saj.

“Ekuinoks ’83”

V-së
Ekuinoks ’83.
Mars.
Në qiellin e kthjellët një re.
E vetme, një re…
Rend larg,
për tek ti, atje.
Dikur, ti pe një ëndërr të mjegullt,
një re kishte hyrë në të, e pezullt.
Sa herë ti pe netëve ëndrra,
të kaltra, të bardha, të frikshme, të rënda,
mes tyre, në forma të çuditshme,
misteret hynë brenda.
Rite anonime,
supersticioze,
në rrathë të shformuar,
viciozë,
të zhytën në dëshpërim.
Jeta… një rendje.
M a r r a m e n d j e.
Ekuinoks.
21 mars.
Koha oazë…
Pranvera të paduruara,
plazhe të diellta jugore,
vjeshta të vonuara,
dimra të ftohtë veriorë.
Lotët nga ujëvarat e syve
mbi kraharor binin si katarakt,
dora e Shën Marisë e magjishme
kalonte mbi portretin tënd atë natë.
Vonesa – ankthi i pritjeve,
prekja e shqetësuar e duarve nën pardesy,
rrathët mavi nën sy,
fishkëllima e një treni në largësi,
çaste ikjeje,
me grimasa dhimbjesh
të padukshme në shpirt,
me dyshimin e përhershëm
të dashurisë,
premtimi i kthimit
dhe frika në fshehtësi.
Suspans si në një film
të hershëm,
bardhë e zi…!
E dashur Ve(ne)ra,
reja u tret qiellit,
fryu era.
E shtrenjtë, këtë herë
mbërrij tek ti,
përngaherë,
prej largësisë ekuivalente mes nesh,
në ditën baras me natën,
nga koha kur ishim aq larg
dhe po aq pafundësisht afër.
Largësisë dashuria humb,
nëse s’mbërrin në fund.
Ekuinoks…
Mars.
Me kohën pas

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *