13 Dhjetor, 2024

“Apasionata”, filmi që shpërtheu kinematë e Tiranës

 “Apasionata”, filmi që shpërtheu kinematë e Tiranës

Nga Neritana Kraja  

Filmi “Apasionata” është realizuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”, para viteve ’90 që u bë shumë shpejt asaj kohe i dashur për publikun. Freskia e tematikës, pasi filmi trajtonte një temë sociale si dhe fakti që filmi mbështetej te një tregim shumë i mirë i Dritëro Agollit, i cili ishte lexuar me kërshëri si pjesë e një vëllimi me tregime, nga dashamirësit e librit, duke krijuar një pëlqyeshmëri të lartë, bënë që filmi të tërhiqte shikues të shumtë në kinema e të përcillej nga publiku si një temë aktuale, ku shfaqeshin disa dukuri të kohës, por mbi të gjitha kishte një linjë dashurie mes dy të rinjve studentë të Institutit të Lartë të Arteve.

Jeta e studentëve të arteve, ambientet ku përgatiteshin artistët e rinj të muzikës dhe të pikturës, zgjonin mjaft kureshtje tek një publik më i gjërë, që nuk kishte ndonjë mundësi tjetër për të mbikqyrur atë oaz të vogël ku krijoheshin artistë e rinj. Prandaj edhe gjetja e Dritëro Agollit, për t’i vendosur ngjarjet pikërisht këtu, ishte shumë interesante dhe tërhoqi vëmendje. Filmi ka në qendër historinë e dy të rinjve të dashuruar, Mirës dhe Arturit, të interpretuar nga Matilda Makoçi dhe Kastriot Çaushi.

Arturit, student i pikturës, interpretuar nga Kastriot Çaushi nuk është vërtet i dhënë pas pikturës, as i talentuar sa duhet, por e bën shkollën e artit për t’i bërë qejfin të atit, një njeri me rëndësi në një ministri, i cili dëshiron ta bëjë djalin piktor.

Nga ana tjetër është Mira, një studente e talentuar e pianos, e cila talentin e ka të lindur e jo të imponuar dhe po përgatit temën e diplomës me pjesën “Apasionata” të Ludvig Van Bethoven. Arturi ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ndërsa Mira në një qytet të vogël provincial dhe jeton në konvikt. Arturi dhe Mira dashurohen në ambientet e Institutit të Arteve, por ndërsa Mira ecën përpara me pianon, Arturi, duke e pasur degën që po ndjek të imponuar, nuk shkëlqen dhe faji i vihet Mirës, me të cilën Arturi dashurohet.

Ndërhyrja për të prishur lidhjen e tyre shkon deri aty sa të përfshihet, përveç Demostenit, të atit të Arturit, interpretuar nga Kadri Roshi edhe profesor Jani, profesori i pikturës, interpretuar nga Aqim Qirjaqi, i cili për interesa të vogla meskine, përfshihet në një skenar të tillë. Më pas konfliktet zgjidhen dhe Arturi gjen vendin e vet në jetë, duke braktisur pikturën e duke zgjedhur inxhinierinë, degë të cilën e kishte pëlqyer gjithmonë.

Filmi “Apasionata” është një nga filmat më të mirë të para viteve ’90. Ky film i realizuar në vitin 1984, i cili ka trajtuar një problem të mprehtë shoqëror, atë të tutelës që i pengon të rinjtë të përcaktojnë dhe të gjejnë vetë vendin e tyre në jetë, në bazë të prirjeve dhe aftësive që ata kanë. Drama e Arturit dhe tutela që vendoset mbi të, e ka burimin pikërisht tek errësimi i vështrimit të babait, i cili kërkon me çdo kusht ta bëjë të birin e tij “artist”.

Filmin “Apasionata” e shoqëron një ton liriko-dramatik, i cili buron nga natyrshmëria përmes mizanskenave, lojës së aktoreve dhe nënvizimeve emocionale. Dramaturgjikisht ky film është i ndërtuar mirë dhe në këtë rast ka ndihmuar tepër baza letrare, në të cilën është mbështetur.

Letërsia ka qenë dhe mbetet një pikëmbështetje e fortë për krijime kinematografike. Kur ky proces i shndërrimit të veprës letrare në veprën kinematografike është kryer duke i gjetur mirë ekuivalencat, atëherë vepra letrare i ka shfaqur vlerat e veta me një formë të re të shprehjes.

Filmi “Apasionata” është një ndër shembujt më të mirë të lidhjes së letërsisë me kinematografinë. Skenaristi Peçi Dado është tërhequr nga tregimi “Apasionata” i shkrimtarit Dritero Agollit. Ai shkroi një variant të parë të skenarit dhe më vonë punën e tij krijuese e vazhdoi skenaristi Nexhati Tafa. Filmi mban firmën e regjisorë Ibrahim Muça dhe Kristaq Mitro.

Tek filmi ” Apasionata” të tërheq vëmendjen aktorja Matilda Makoçi, e cila në këtë film përballon me sukses një rol të vështirë. Ky ishte roli i parë i Makoçit në kinema, ku ajo spikati me talentin, natyrshmërinë dhe bukurinë e saj. Talenti Makoçi qëndron me dinjitet pranë roleve të aktorëve të mirënjohur të teatrit dhe të kinematografisë si Kadri Roshi, Agim Qirjaqi, Kastriot Çaushi, Margarita Xhepa , të cilët krijojnë një ansambël harmonik.

Një komponent i fortë i filmit është kolona zanore e tij. Kompozitori Gjon Simoni mbi motivet e “Apasionatës” së Bethovenit, ka krijuar një muzikë filmi plot dritë e freski.

Motivi kryesor i sonatës së famshme “Apasionata” të Ludvig Van Bethovenit, kthehet në lajtmotiv të dashurisë së Mirës, studente e pianos, dhe Arturit, student i pikturës.

Filmi, kur u shfaq më 22 prill të vitit 1984 mbushi plot e përplot kinematë e Tiranës. Për rolin e Mirës, aktorja Matilda Makoçi dhe për rolin e profesor Janit, aktori Aqim Qirjaqi,  u nderuan me medaljonin e Festivalit në edicionin e VI-të të Filmit Artistik Shqiptar.

Ajo çfarë e bën edhe sot filmin të pëlqyer është romanca, ku Kastriot Çaushi dhe Matilda Makoçi vijnë me një kimi shumë të mirë. Eshtë një film romancë, që ia vlen për t’u parë, ndoshta edhe për intrigën që ka brenda, sepse shoqëria e dy shokëve ngatërrohet në një trekëndësh të supozuar dashurie,  ushqyer nga interesa krejt të vogla të dikujt tjetër. “Apasionata” është një film që i ka qëndruar kohës dhe mund të shihet edhe në ditët e sotme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *