3 Dhjetor, 2024

A gaboi Ndriçim Xhepa?

 A gaboi Ndriçim Xhepa?

Nga Amarda Muskaj

Prej do ditësh televizioni më i madh kombëtar dhe mediat sociale na kanë ngopur me një zallahi duke na sprovuar jo vetëm humorin e ditës, por duke na detyruar edhe një shije tallavaje.

E gjjtha kjo sepse ish premiera e një filmi, prodhim i këtij televizioni që pushtoi me regji, drona e gjjthfarë mjetesh digjitale që ka sot një televizion i këtij formati.

Dhe yjet e këtij prodhimi ishin as më shumë e as më pak disa personazhe të dalë qarkullimit e vëmendjes së publikut ja nga mungesa e talentit, ja nga mungesa e seriozitetit për të bërë art, por sot të ricikluar prej një reality show që përveç degjenerimit social e kulturor, zvetënimit të personalitetit njerëzor, injorancës individuale e kolektive, paturpësisë për famë përkthyer në lekë, nuk arrin dot të prodhojë tjetër.

Dy superyjet e mbrëmjes bërë të tillë artificialisht nga një publik niveli i të cilit të trishton, ecnin e pozonin krenarisht mbi tapetin e kuq të dehur nga suksesi i një talenti që besojnë se e kanë vërtetë. Një shpurë adhuruesish në ekstazë që duan t’i shohin e t’i prekin sikur të ishin Mesia.

Bashkërenditur dy yjeve të mbrëmjes edhe ca të ngjashëm të tyre deri dje anonimë sikur po ky televizion të mos i pomponte me sukses nëpër ekranet e tij mbushur trasmetime gjysmë tallava e gjysmë degjenerim. Turma është në ekstazë. Kush është me fat mundet të bëjë një fotografi me ta.

Në parakalimin tapetkuq janë edhe VIP-at e kohës sonë moderne që kanë privilegjin të shohin këtë premierë në pallatin ku dikur bëheshin kongreset. Fryrë më shumë sesa nga botoksi, nga të ndjerit kaq të rëndësishëm, dhurojnë buzëqeshje po aq false sa vlerat e tyre. Në garë kush bie më shumë në sy me veshjen, partnerin, luksin, parakalojnë duke na u imponuar si njerëzit më të rëndësishëm sot të shoqërisë sonë.

Dhe thuajse në mënyrë heshtësisht të padukshme kalon ai: Ndriçim Xhepa! Me një thjeshtësi e përkorje që nga njëra anë mëson shumë, e nga ana tjetër prek.

Ndriçim Xhepa më prek, sepse atë natë vendi i tij nuk ish aty, publiku që ai meriton, nuk ish ai, shkëlqimi që ai ka, nuk dukej gjëkundi. Ndriçimi dukej i huaj në atë zallamahi injorantësh që duan të duken, mitomanësh që e përdorin televizionin për të bërë lekë, të degjeneruarish që talent të vetin kanë ose gjuhën e shthurur, ose lakuriqësinë.

Ndaj Ndiçimi gaboi të ish pjesë e tyre në film dhe atë natë. Unë e kuptoj se çfarë deformimi e përkulje dinjiteti të detyron të bësh realiteti ku jetojmë sepse idealet as haen, e as pien, por Ndriçimi nuk duhet t’a kish përzierë shkëlqimin e tij si individualitet artistik, si integritet personal e si një njeri që publiku i një lloj niveli ja njeh e ja çmon talentin, kulturën, thjeshtësinë e fisnikërinë.

E di që në një realitet të deformuar ku antivlerat, paaftësia, arroganca, dukja, injoranca dhe zvetënimi kulturor bëjnë ligjin, ne të tjerëve shpesh na takon në mos të deformohemi, të shkojmë tangent një qasjehe të lakuar për ekzistencë që unë e quaj shpesh edhe prostitucion intelektual që vjen për shkak të rrethanave sepse shpesh jemi të shtrënguar të mos jemi ata që duam, sepse është shumë e vështirë të shkosh i vetëm kundër rrymës.

Është kjo rryma me modele instagrami që parfumoset me parfume të shtrenjta, me jete luksi, me kokën lart edhe pse bosh, me degjenerim social, që kulturës i shmanget si Djalli temjanit, që librat i ka herezi, që mungesën e talentit e ka të vetmen vlerë.

A gaboi Ndriçim Xhepa? Thellë-thellë, përveç një trishtimi të kuptueshëm, por lehtësisht të kapërcyeshëm, mua nuk më shqetësoi kjo e ca më pak zhurma e suksesit të ca askushēve ndjekur nga një tufë trushplarësh. Ata, gjojayjet, kishin publikun që meritonin.

Ndiçimi me gjjthë hijen që i bëri turma e injorantëve dhe ithtarët e tyre, gjjthsesi dukej aq i madh.

Të mençurit janë bashkë në botë, kurse trushplarët janë veç.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *