27 Dhjetor, 2024

“Dosja I.K.”, rrëfimi i pazakontë i ish-drejtuesit të Sigurimit: Agjentja femër “Pena e Artë” dhe roli i Ramiz Alisë në arratisjen e Kadaresë

 “Dosja I.K.”, rrëfimi i pazakontë i ish-drejtuesit të Sigurimit: Agjentja femër “Pena e Artë” dhe roli i Ramiz Alisë në arratisjen e Kadaresë

Në librin e tij shumëplanësh nën titullin intrigues “Pluralizmi shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit”, Bujar Sh. Hoxha një nga krerët e e Sigurimit të Shtetit në vitet 1989-1992 në Kukës, Vlorë dhe Tiranë, duket se e ka patur të pamundur të shmangte episode që ngjajnë si patate të nxehta edhe sot e kësaj dite, pas më shumë se 30 vjetësh.

Një nga këto episode, rrethuar me shumë enigma dhe të pathëna, është raporti i Sigurimit të Shtetit me shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare dhe të vërtetën e arratisjes së tij në tetor 1990… Kush ishte spiunia me pseudonimin “Pena e Artë” që përgjonte dhe raportonte çdo moment lëvizjet dhe qëndrimet e shkrimtarit të shquar?

Duke ditur raportet e SSH-it me shkrimtarin, Enver Hoxha do shkruante me dorën e tij “lëreni djalin të punojë!” 

Zbulohet fakti se kundërzbulimi nuk kishte shfaqur interes operativ ndaj Kadaresë dhe nuk pati asnjë dosje agjenturore ndaj tij, as edhe më pas, kur u mësua, se ai do të arratisej në Francë. Cili ishte reagimi i Ramiz Alisë kur u informua se shkrimtari do të arratisej?

Tek lexon librin “PLURALIZMI DHE SIGURIMI I SHTETIT” të kujtohen me qindra libra për historinë e spiunazhit në botë, ndaj shikon të ngjashmet dhe të përbashkëtat, sakrificat dhe sukseset e dështimet e shërbimeve të fshehta, jetën e njerëzve që kanë veshur gunën e spiunit, përshtypjen dhe opinionin e publikut për sigurinë kombëtare, përplasjen me udhëheqësit që vendosin të reagojnë si burra shteti e ca të tjerë që zhyten në mjegullën e vetvetes në dyshime e paranoja patologjike.

Bujar. Sh. Hoxha ka pikëpamjen e tij profesionale dhe patriotike, duke mbajtur një qëndrim kritik në kohën kur punoi në kundërzbulim. Ai në shumë aspekte ka gjetur hapësirë për shumë tema që do t’i interesonin një mase të gjerë lexuesish, por edhe duke ruajtur klasin e lartë etik dhe shumë demokratik pa baltosur askënd.

Por, si do të ndihet një prind apo fëmijë i njërit prej këtyre njerëzve që zgjodhën profesionin e zbuluesit? Kjo mbetet dilema e së shkuarës dhe e së ardhmes prej së cilës kemi përvoja shumë të hidhura. Janë ngritur lloj-lloj mitesh të frikshme për njerëzit e punës së fshehtë, por edhe ligje të kundraligjshme, janë përjashtuar nga shoqëria në mënyrë diskriminuese si dikur me luftën e klasave.

Ja një matematikë e thjeshtë agjenturore e përcjellë me fakte nga autori Bujar. Sh. Hoxha. Numri i përgjithshëm i dosjeve në raport me popullsinë që kishte Tirana ishte 5.2%, afërsisht 30% në fushën e ndërgjegjes dhe të arratisjes. Nga këto 70% e (30%) të tyre këshilloheshin dhe demaskoheshin nga kuadrot e lartë të Komiteteve të Partisë. Gjatë periudhës 50-vjeçare komuniste numri i dosjeve shkonte në shifrën 17.200, për persona që mbartnin lloje të ndryshme dënimesh. Nga ky numër i përgjithshëm 8.500 ishin të dënuar për krime të ndërgjegjes që emërtohej agjitacion e propagandë dhe tendencë arratisjeje, ndërsa të tjerët mbanin mbi shpinë fajësinë e spiunit, terroristit, sabotatorit etj.

Në fundin e vitit 1992 zoti Bujar ka qenë në një seminar të zhvilluar nga CIA në Sofie të Bullgarisë me shefat e shërbimeve sekrete të Evropës Lindore, ku rezultonte se gati 55% – 60% e popullsisë së atyre vendeve kishin dosje në ndjekje, ndërsa gati 40% ishin informatorë sekret. U pranua se në këto vende, duke përshirë dhe ish-Bashkimn Sovjetik, një në katër apo pesë qytetarë ishin informatorë sekretë. Kryeqyteti në vendin tonë kishte në arkivat e tij dosje që zinin 5.2% të personave në ndjekje dhe 4.8% të qytetarëve që bashkëpunonin fshehurazi me Sigurimin e Shtetit. Të arratisurit nga Shqipëria ishin rreth 12000, ku regjistroheshin kriminelët e luftës. Lista e tyre ishte e veçantë. Numrin më të madh e përbënin persona apo grup personash (familjarë), të arratisur në vitet 1944-1946, periudhë e një situate kur shteti ishte në formim e sipër.

 

***

Sigurimi i Shtetit më tepër se kurrë ndonjëherë ishte i orientuar dhe paralajmëronte se Perëndimi po vepronte fuqishëm për ndryshime të imponuara, por udhëheqja nuk bindej akoma. Ramiz Alia nisi takimet me intelektualët dhe gazetarët, në përgjithësi me ata që në mendjen e tij ishin gati ta dëgjonin dhe t’i shpinin direktivat e tij një auditori më të gjerë. Ai besonte vetëm veten, SSH-it jo e jo, ishin si të thuash “ipso facto” të keqinformuar dhe natyrisht jo objektiv. Me lëvizjen e tij, ai synonte të verifikonte saktësinë e informacioneve të SSH-it dhe me këtë rast të shkundte strukturat e këtij shërbimi, që kishte krijuar një atmosferë të tensionuar dhe dyshuese. Të trembur deri në palcë, folën, dy apo tre prej tyre, duke u shndërruar në skllevër të mendimeve të fshehta. Këtë paragraf autori i librit, Bujar Sh. Hoxha, e përshkruan për të treguar se besimi i Ramiz Alisë ndaj SSH-it është lëkundur. Ai ishte i prirur për ta fajësuar SSH-it. Ai priste rastin të dilnin në pah gabimet. Thjesht dëgjuan shpjegimet e një “urithi” nga “Intelektuali”.

Kishte dalë emri i Ismail Kadaresë. Njëri nga pjesëtarët e grupit “Intelektuali” në kapitullin “Omonia” në Parlament, kishte përfshirë lidhje më pak aktive, por të vlerësuara me interes agjenturor. Hetimi operativ po ecte normalisht, por mori përmasat e “gjuetisë së shtrigave”, valët e së cilës do arrinin edhe emra të njohur intelektualësh deri tek Ismail Kadareja. Ramiz Alia cilëson fajftorë njerëz profesionistë, që në të vërtetë nuk kishin shkelur asnjë normë. Bubullimat u kthyen në rrebesh. Ramiz Alia urdhëroi përjashtimin e tyre nga shërbimet sekrete. Ismail Kadare u shqetësua për pozitën e tij personale, megjithëse kishte përparësitë mbrojtëse. I. Kadaresë nuk do t’i kishte dalë asnjë problem, nëse nuk do të ekzistonte mister marrëdhënia e tij me Ramiz Alinë, që në të vërtetë SSH-it nuk i bëri publike. Ismail Kadare dukej se ishte krejtësisht indiferent dhe duket se e ka ditur fare mirë se ishte në shënjestrën e Sigurimit të Shtetit. Reaksioni i tij instiktiv apo ndonjë arsye tjetër u bë synim për të fshirë shenjat e këtij gjurmimi. U poshtërua kundërzbuluesi Hodo Hodaj (një gjuetar i zoti për gjurmimin  e zbulimin e spiunëve, steriotip klasik i kundërzbuluesit të devotshëm) edhe pse mendimi ynë dhe i zëvendësministrit ishte se ai ishte i pastër, por kjo nuk mjaftoi për ta rehabilituar.

Bujar.Sh. Hoxha thekson, se shefat qendrorë përfshirë edhe ministrin Hekuran Isai, nuk dëgjuan të vërtetën, por konkluzioni i vërtetë sipas tyre tingëllonte me një servilizëm të dukshëm se “ata ishin fajtorë se kishin cenuar figurën e Kadaresë”. Lufta kishte filluar me hamendësime të mjegullta për një vepër letrare të një autori shqiptar dhe specialisti e anashkaloi. Pas lënies të lirë “urrithi” për të kapur një element garancie për veten e zbrazi mllefin e tij duke shpifur se SSH-it ishte interesuar për Kadarenë dhe Neshat Tozajn, si autor i librit “Thikat”. Një trillim i pajustifikuar.

Futja e Ramiz Alisë i vuri vulën propagandës ndëshkuese ndaj të pafajshmëve. Duhet pranuar se kundërzbulimi nuk kishte shfaqur interes operativ ndaj Kadaresë dhe nuk pati asnjë dosje agjenturore ndaj tij, as edhe më pas, kur u mësua, se ai do të arratisej në Francë. Ky fakt iu raportua Ramiz Alisë dhe si në shumë raste ai vuri në dyshim besueshmërinë informative të kundërzbulimit dhe kërkoi të ndëshkoheshin fajtorët, pa thënë për çfarë duheshin ndëshkuar. Ishte e lehtë të verifikohej nëse Hodo Hodaj, që mbulonte detyrën e kryetarit të degës për kundërzbulimin e Tiranës, të kishte përpiluar qoftë edhe një dokument të vetëm operativ për I. Kadarenë. Largimi i Hodajt nga kundërzbulimi la përshtypjen më të keqe. Ne dinim të vërtetën, por me heshtjen tonë, sikur i kishim dhënë atij një goditje të pamerituar. Në ikje ai do të shprehej me dhimbje, se karrierën e tij e shkatërruan “zullumqarët”.

Në kasafortën metalike të lyer me ngjyrë gri do të arkivohej dosja personale e H. Hodaj me stampën “I.K”.

Ramiz Alia nuk donte të dinte të vërtetën, shtyu Hekuran Isain të shkarkonte zemërimin e tij ndaj një personi të pafajshëm. Hekuran Isai nuk nxori as edhe një fjalë për të ndriçuar të vërtetën. Po bëheshin shumë historia me SSH, që kishin sjellë dyshime dhe pakënaqësira.

Ndërkohë kundërzbulimi priste informacione nga burimet e tij të privilegjuara për pozicionin e Kadaresë. Më pas, – shkruan zoti Bujar, – vjen lajmi se në orët e vona të mbrëmjes u mor vesh se Kadare ishte arratisur. E vërteta është se informacionet e kundërzbulimit për I. Kadarenë dukeshin kaotike. Në disa raporte konfidenciale theksoheshin dyshime për lidhjet e forta të tij me francezët, por nuk merreshin si të besueshme. “Pena e Artë” shkruante një bisedë intime me një njeri tepër të afërt të I. Kadaresë, që përcillte sigurinë për të jetuar në Paris dhe se ditët e Kadaresë në Tiranë numëroheshin me gishta. Materiali për Kadarenë iu dërgua drejtpërdrejt ministrit të Brendshëm me siglën “Tepër Sekret” në pritje të ndonjë udhëzimi. Ministri e kish vënë në dijeni Ramiz Alinë, por nuk pati asnjë reagim.

Siç u mësua më pas, udhëheqësi nuk e kishte parë të arsyeshme të vinte siglën e tij, madje e neglizhoi hapur çështjen “Kadare” pa dhënë asnjë shpjegim.

Kur Ramiz Alia u njoftua se I. Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë, qe mpirë i tëri dhe kish tundur kokën duke mos pranuar ta besonte atë që kishte dëgjuar. Ne “të lajthiturit” nuk u ndjemë të çuditur. I informuar për të dhënat dukej i shqetësuar, se SSH-it nuk ndërmori asnjë kontroll për të verifikuar informatat e siguruara nga kundërzbulimi, përveçse një vëzhgimi të spërfaqshëm. Të bën përshtypje një citim nga “Pena e Artë” për Ismail Kadarenë si një shkrimtar i vlerësuar ndërkombëtarisht ku në sjelljen e krijimtarinë e gjerë letrare e ka gjetur vendin e vet në letërsinë shqipe e botërore si një artist unik i fjalës shqipe. Ka cilësi të veçanta, që përshtatet në shkallën më të lartë që mund të merret me mend. Shfaq talent të rrallë për të bërë një jetë të sigurtë dhe të “shumëfishtë”. Me talentin e tij do të hynte mbajtja e lidhjeve me politikanët e lartë të shtetit komunist. Ai takohej personalisht me ta. Në rastin e Enver Hoxhës kjo gjë mori përmasat e një detyrimi të pëlqyeshëm, thjesht në planin personal. Duke ditur raportet e SSH-it për të, Enver Hoxha do shkruante me dorën e tij “lëreni djalin të punojë”.

Bujar.Sh.Hoxha në vlerësimin e tij për potencialin e saj informativ të “Penës së Artë” shprehet: “Ajo zotëronte cilësitë më të mira për një agjente. Artiste, me bukuri imponuese, ndaj të cilës tërhiqeshin të gjithë ata që e rrethonin deri tek artistët dhe shkrimtarët plakaruq. Femër me intelekt të spikatur, i përshtateshin marrëzitë dhe humori dhe kjo e bënte të përshtatshme si agjente të fshehtë.

“Pena e Artë” përmbushi shumë misione me vlerë dhe tepër delikate, përfshirë shpërndarjen e opinioneve dhe komenteve në radhët e intelektualëve të fushave të ndryshme. Femër dinjitoze, shumë e aftë në zotërimin e gjuhëve të huaja, fliste anglisht, italisht, greqisht, jo dhe aq keq rusisht. Artistja origjinale mbetet agjentja më e spikatur e SSH-it, e cila ia kushtoi jetën e saj vetëm idesë personale – mbrojtjes së familjes me çdo çmim, burrit dhe fëmijëve.

Përgatiti Kastriot Kotoni

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *