26 Dhjetor, 2024

“Goce, dy birra nga unë për vlonjatët” – Takimi emocionues me Bujar Lakon

 “Goce, dy birra nga unë për vlonjatët” – Takimi emocionues me Bujar Lakon

Bujar Lako nuk është vetëm një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë, por ka qenë dhe një njeri i tillë.

Ata që e kanë njohur apo që kanë pasur të bëjnë me të, kanë fjalët më të mira për aktorin e ndjerë.

Një prej lexuesve tanë, Librand Dhrami, na tregon një histori me aktorin e madh.

“Ishim së bashku me babain tim. Im atë më shoqëronte, si gjithmonë me gëzimin e kënaqësinë e babait të mirë, këtë herë në Tiranë për të marrë pjesë në konkursin për në Liceun artistik.

Një ditë e nxehtë qershori dhe ashtu të drobitur, sa kaluam urën tek “Rruga e Elbasanit”, pa mbërritur akoma tek Liceu “Jordan Misja”, u ulëm në një restorant, në krahun e djathtë.

Sa u ulëm, më zuri syri në tavolinën ngjitur, një portret të fiksuar më së miri në mendjen time fëmijënore.

– Ç’pate, tha babai? Ç’po shikon?

– E sheh atë, ja ktheva?

– Kë more bir?

I tregova me gisht nga personi i tavolinës ngjitur.

– Është Bujar Lako, i thashë.

– Po ku e njeh ti atë?

-Nga filmat që ka luajtur.

Ndërkohë bisedën e dëgjoi dhe portreti në fjalë, Bujar Lako.

– Nga ju kemi, na u drejtua?

– Nga Vlora, u përgjigj babai.

-Goce, dy birra nga unë për vlonjatët.

U rrëngjetha i tëri. Unë piva birrë nga ai, Bujar Lako….

Pasi bëmë gëzuar, birra na freskoi gjithë trupin. Seç ndjeva.

Mu fiksua ai, aktori i mirënjohur, si një njeri i dashur e babaxhan.

– Eh, shpirti i babit, më bëre të pi birrë dhe me aktorin e mirë, më përkëdheli babai i tejkënaqur.

Atëherë data shënonte fund qershori, 1984….”, tregon ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *