26 Dhjetor, 2024

Kujtimet e Liri Lubonjës: Shndërrimi i Nexhmijes nga një vajzë e qeshur dhe e dashur, në gruan e diktatorit

 Kujtimet e Liri Lubonjës: Shndërrimi i Nexhmijes nga një vajzë e qeshur dhe e dashur, në gruan e diktatorit

Komunizmi ishte në grahmat e fundit kur Liri Lubonja u kthye nga internimi. Ishte viti 1989, ndërsa kishte prej vitit 1973 që vuante dënimin bashkë me familjen e saj.

Nga gruaja e një njeriu të rëndësishëm, si Todi Lubonja, gazetare e historiane, Liri Lubonja përfundoi fshatrave të Lezhës. Me ndërrimin e sistemeve, ajo iu kthye sërish të shkruarit. I vuri vetes synim që atë çka kishte parë në vitet e ferrit komunist, njohjet me udhëheqësit e kohës, t’i ndante me lexuesin. Në një prej librave të saj, titulluar “Kohë të reja, kujtime të vjetra”, botimet “Barleti”, Lubonja tregon si kishte njohur gjatë luftës Nexhmije Xhuglinin, më pas Hoxha, e si u shndërrua ajo në gruan e diktatorit; ashtu si edhe Liri Gegën, e cila thuhej se kishte eliminuar Mustafa Gjinishin. Në ditën e lamtumirës së saj, rikthehet përmes kujtimesh…

“Kohë të reja, kujtime të vjetra”

Në Lirëz takova edhe Nexhmije Xhuglinin. Kur ajo më takoi teksa mbërritëm në mbrëmje në fushën e Lirëzës, bëri një gjest të papritur dashurie ndaj meje. Më përqafoi duke thënë: Si qenka bërë kjo kështu! Isha tharë e nxirë nga dhjetë ditë udhëtim më këmbë nga Peza për në Helmes, gjithnjë të uritur dhe nën diellin përvëlues të korrikut. Nuk ishte hera e parë që e takoja. Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, pata lexuar librin “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, që u mirëprit kur doli dhe pati jehonë të gjerë. Librin e paraprinte, -si parathënie ta quash,- një letër e gjatë e nënshkruar “një vajzë dibrane”, ku autorja vlerësonte faktin që aty shkruhej për një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare, prapambetjen dhe gjendjen e rëndë të gruas. E simpatizova, si dhe shoqet e mia, këtë “vajzë dibrane” të panjohur.

Në fillimet e LANÇ, kur tashmë isha bërë pjesë e Rinisë Komuniste themeluar më 23 nëntor 1941 me udhëheqës Qemal Stafën, mësuam se “vajza dibrane” quhej Nexhmije Xhuglini, ish-nxënëse e shkollës sonë, më pas mësuese e detyruar të hidhej në ilegalitet për veprimtarinë e saj kundër pushtuesve.

Mësuam edhe se mbledhja themeluese e Rinisë Komuniste e kishte zgjedhur në udhëheqje. E simpatizuam edhe më shumë. Nga ndonjë shoqe që e kishte njohur, dëgjuam fjalë të mira për të: ishte e mençur, e thjeshtë, e dashur, e edukuar dhe e afërt me njerëzit. Kur ngrinin hamendjet se kush mund të jetë në Parti nga femrat që njihnim, mendonim se ajo duhet të qe Nexhmija. Takimi im i parë me të ishte shumë origjinal.

Një mbrëmje vonë, kur vajta për të parë se kush po trokiste në derën e shtëpisë, im vëlla portën e jashtme të oborrit nuk e kishte mbyllur, kështu që ajo ishte te dera – pashë nëpërmjet njërit prej xhamave të sipërm një kokë të bukur femre mbuluar me një kapele me strehë të gjerë. Çfarë donte te ne ajo grua?

Ngurrimit tim nëse duhet ta hapja derën, iu përgjigj: “Hape Liri”. Dinte edhe emrin tim. Kuptova se duhej të qe një ndër shoqet me rëndësi në ilegalitet, prandaj dhe qe veshur ashtu. Ishte Nexhmija. Atë natë, Nexhmija fjeti në shtëpinë tonë. Kishte ardhur për një mbledhje nga ato që bënte Zijai me një grup të rinjsh në shtëpinë tonë. Duhej të qe e rëndësishme mbledhja e asaj mbrëmjeje, përderisa po merrte pjesë në të një nga udhëheqëset e organizatës së Rinisë Komuniste. Njëri pas tjetrit u futën në dhomën tjetër të gjithë djemtë që vinin çdo muaj.

Ishin më të rinj se im vëlla; duke i parë nga pamja dhe veshja, kisha krijuar përshtypjen se ishin punëtorë dhe që Zijai ishte edukatori i tyre, sepse, si komunist i vjetër, student i shkollës teknike, sipas meje jetën si komunist ai e bënte me moshatarë, shokë të tij. Një lloj kurioziteti për këtë mbledhje të veçantë e kishte, porse ato porositë e dhëna herë pas here e që na ishin kthyer thuajse në ligje të pashkruara që duhej të merreshim vetëm me punët tona e aspak me të të tjerëve, nuk më shtynë të provoj që të mësoj ndonjë gjë. Edhe pas çlirimit nuk munda ta shuaj këtë kuriozitet jo vetëm sepse ishte natyra e heshtur e përhershme e Zijait, por edhe për shkak të një dyshimi që më qe krijuar.

Mos qe ajo mbledhja që e përjashtoi atë nga Partia, për të cilën ai nuk kishte folur kurrë, pasi kishte dhimbje apo zhgënjim dhe revoltë? Fakti që edhe më pas, thirrjes që i qe bërë për t’u rikthyer i qe përgjigjur negativisht, fliste për këtë të fundit. E kam mësuar këtë nga Fatbardha, kushërira ime, e cila qe e kuturisur për të bërë “zbulime”, si dhe nga një shok i Zijait. Kujtoj edhe një përqafim të dytë nga Nexhmija në Priskë të Tiranës.

Pas përfundimit të Konferencës së Rinisë Komuniste të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, që u mbajt aty nga 2 deri më 4 tetor 1944, ajo më tha se ishte vendosur që të kthehesha në Tiranë për t’u marrë me Debatikun. Unë ia kundërshtova, pasi kështu shuhej ëndrra jonë e madhe për të lënë Tiranën “për të dalë partizane”.

“Më mirë shkoj në Peshkopi sesa kthehem në Tiranë”, i thashë. Dija se në Peshkopi kishte shkuar Esma Agolli, që ishte shoqe imja që nga fëmijëria. E, pra, atë kohë në Priskë ishin mbledhur jo pak intelektualë, piktorë, aktorë të lidhur me LANÇ, që prisnin me padurim çlirimin e Tiranës për t’u kthyer. Veç përqafimit, Nexhmija më dha edhe një zarf të vogël për sekretarin e parë të Qarkorit të Partisë, të cilit i rekomandonte pranimin tim në radhët e Partisë-një ëndërr kjo tjetër e madhe e jona në atë kohë.

Vitet e para pas Çlirimit, Nexhmijen e kisha parë në fotografitë e gazetës “Bashkimi” dhe nga larg në ndonjë aktivitet zyrtar si kongres apo konferencë. Më dukej se ruante buzëqeshjen dhe thjeshtësinë, vishej thuajse gjithnjë me ngjyrën gri. Nuk vonoi shumë dhe me pozitën si gruaja e Enver Hoxhës dhe një nga gratë më me përgjegjësi- ishte në atë kohë presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisëkrijova përshtypjen se kishte bërë të vetin një lloj distancimi, largimi nga njerëzit.

Edhe unë në atë kohë, si nxënëse shkolle pa përgjegjësira kisha bërë një zgjedhje: të mos vrapoja asnjëherë në pushimet që bëheshin nëpër mbledhjet, për t’u përshëndetur apo për t’u shfaqur dashurinë shoqeve që qenë bërë me përgjegjësi. Gjithnjë në ato vite të para më kujtohet historia e Galip Hatibit, që ishte vëllai i njërës nga shoqet tona të Aktivit, Zenes. Ai qe student në Itali dhe ishte kthyer për të marrë pjesë në luftën për çlirim, ishte komunist që gëzonte simpatinë e rinisë, veçanërisht kur u bë edhe përgjegjës i Sport Klub Tiranës, një lokal i vogël i bukur me një lulishte të madhe përpara.

Flitej se “baballarët e kombit”, ish-ministra e funksionarë të lartë të regjimit të Zogut, atje luanin poker. Për ne, shoqet e motrës së Galipit, amatore të thekura të librit, gjatë Luftës biblioteka e pasur e tij me letërsinë më të mirë klasike botërore kishte qenë tejet e vyer. Edhe pas çlirimit e donim dhe e çmonim Galipin kur u martua me Asamble Kondin, edukatoren tonë të parë, një vajzë e vyer me plot virtyte. Një ditë të bukur Galipi u zhduk.

Kjo ngjarje ishte shumë tronditëse për ne. Por edhe më tronditës, i dhimbshëm, i rëndë u bë lajmi që qarkulloi se ai ishte arrestuar dhe torturuar deri në vdekje nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Ja që, në një mbledhje që u mbajt në Teatrin Popullor, Nexhmija në diskutimin e saj foli edhe për Galipin duke thënë: “Galipi shumë-shumë duhej të përjashtohej nga Partia”. Dhe unë me naivitet kapa vetëm këtë dhe jo thelbin kryesor të diskutimit të saj: demaskimin e porsafilluar të “Veprimtarisë armiqësore” të sekretarit të dytë të KQ të Partisë dhe ministër i Brendshëm, Koçi Xoxes, për të cilin deri atëherë këndohej andej këtej: “Kush e çliroi Shqipërinë? Enver Hoxha me ushtrinë./ Kush e çliroi Shqipërinë? Koçi Xoxe me Partinë”.

Afërsisht në atë kohë më kujtohet se Todi e pyeti Ramiz Alinë nëse Nexhmija luante ndonjë rol si shoqe e Enver Hoxhës. Ramizi iu përgjigj me një “jo” të prerë. Todi dhe unë, pasi u martuam, nuk kishim këmbyer ndonjëherë mendim për këtë, por unë e kuptoja se Todi e pyeti Ramizin, sepse ashtu si unë edhe ai ruante përshtypjet e dikurshme të një “vajze të butë, të arsyeshme, me buonsens” dhe mendonim se ajo mund të luante një rol pozitiv.

Këtë mendim e kemi ruajtur deri vonë. Në vitet ’60, kur kishim miqësi me Ismail Kadarenë, ai na kishte folur për interesimin e saj të veçantë për të duke i ofruar dhe makinën kur kishte nevojë. Madje, kur Todi i kishte thënë një herë se ai mund të përdorte të tijën, ajo kishte reaguar me zemërim, duke i thënë që të përdorte të sajën. Pasi Todi u lirua nga burgu, kur binte fjala për Nexhmijen dhe rolin e saj në bëmat e të shoqit, nuk mund të mos kujtonim një histori që tregonte Todi nga burgu. Fadil Paçrami, që ishte një ish-mik i hershëm i saj, me të cilin kishin qenë bashkë në udhëheqjen e rinisë, i kishte dërguar një letër, ku i ankohej për dënimin e tij të padrejtë. E pra, Nexhmija i ishte përgjigjur: “Ha atë copë bukë që të japin atje, se ka edhe më keq”.

Më i pabesueshëm dhe i papranueshëm ishte edhe rasti tjetër që dëgjova: Liri Belishova, ish-shoqja e saj e luftës dhe e punës më pas, kur ishte e internuar, i qe drejtuar me një letër për t’i kërkuar të ndërhynte që të lejohej të vinte në Tiranë për të parë të bijën, që po jetonte ditët e fundit të jetës së saj në spitalin onkologjik, porse nuk pati asnjë përgjigje, asnjë gjest njerëzor. Si i tjetërsoi deri këtu njerëz si Nexhmija? “Shoqërimi i përfytyrimit”, sipas lëndës së pedagogjisë mësuar në shkollë, më solli edhe një rast tjetër, që flet për këtë tjetërsim të njeriut që brezat e rinj, që nuk e kanë jetuar atë kohë, do të kërkojnë të kuptojnë dhe ndoshta nuk do ta gjejnë të shpjeguar mjaftueshëm në dëshmitë tona, e kam frikë se do t’i duken të pabesueshme.

Kam parasysh Liri Gegën. Kur u kthye pasi kreu studimet në Itali, u emërua pedagoge e Letërsisë në shkollën tonë. Ajo ishte një shembull i ri për ne: gjithnjë e qeshur e me humor, tejet komunikuese dhe e dashur me nxënëset. U hodh shpejt në luftë dhe pati përgjegjësi të larta në Parti, u bë edhe anëtare e Komitetit Qendror.

U fol aq keq për të në atë kohë: sektare, e egër, e pashpirt. Unë kujtoja me keqardhje të madhe vrasjen pas shpine të Mustafa Gjinishit, që ka qenë një nga bijtë e shquar të vendit, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i LANÇ, ishte mik i familjes sonë. Dhe urdhrin për ta likuiduar, d.m.th., vrarë e zhdukur, e zbatoi Liri Gega diku në qafën e Qinokut në Peshkopi, ku ajo u dërgua pranë forcave partizane nga Komiteti Qendror.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *