26 Dhjetor, 2024

Historia e panjohur: Pse u arrestua regjisori i filmit “Skënderbeu” nga regjimi komunist dhe e dëbuan nga Tirana

 Historia e panjohur: Pse u arrestua regjisori i filmit “Skënderbeu” nga regjimi komunist dhe e dëbuan nga Tirana

Regjimi komunist e lejoi të punonte vetëm 13 muaj si regjisor filmi Viktor Stratobërdhën, pasi kishte studiuar 6 vjet në Rusi për këtë degë. Pjesa tjetër ishte dëbim nga Tirana, punë në prodhim dhe burg. Historia e regjisorit që i vunë prangat për 9 vjet dhe i lidhën duart për thuajse gjithë jetën

Këtë vit, mbushen 70 vjet nga realizimi i filmit “Skënderbeu”. Filmi “Skënderbeu-Luftëtari i madh i Shqipërisë” që është edhe filmi i parë artistik shqiptar, u realizua në vitin 1953 me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, nga vinin edhe regjisori dhe aktori kryesor i filmit. Por kishte në kastin e këtij prodhimi gjigant edhe mjaft shqiptarë, siç ishte asistentregjisori, Viktor Stratobërdha. Në vitin 1953, ai ishte student dhe puna për “Skëndërbeun” ishte puna e tij e parë e rëndësishme, me të cilën mbrojti diplomën. Një karrierë e nisur në mënyrën më madhështore të mundshme, por ja që ajo nuk zgjati më shumë se 13 muaj.

Regjisorin 30-vjeçar, që dikur kishte luftuar si partizan, e përjashtuan nga Partia në vitin 1956 pas Konferencës së Tiranës. Aryse u bënë pyetjet e tij për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe varfërinë e popullsisë. I ndaluan një herë e përgjithmonë punën si regjisor filmi dhe e dëbuan nga Tirana në Berat, ku punoi si përgjegjës kinemaje dhe regjisor në Estradë. Dallgët e luftës së klasave, ndikuan rregullisht gjatë këtyre viteve në jetën e tij. Në vitin 1962, e dërguan në prodhim. Në vitin 1971, pati një periudhë qetësie dhe Viktor Stratobërdhën e morën sërish në estradën e Beratit, por në vitin 1976, largohet sërish. Ato dallgë arritën pikun në vitin 1979 kur edhe e përplasën në burg regjisorin. U dënua me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë nga të cilat kreu nëntë. Doli 63 vjeç nga burgu. Nuk mbetej për të bërë asgjë në vitet që i kishin mbetur regjimit komunist në Shqipëri. Me ndryshimet e fillimit të viteve ’90, provoi me çdo mënyrë të largohej nga Shqipëria, duke ia dalë vetëm përmes kalimit më këmbë të kufirit me Greqinë, ku jetoi për disa vite. Më vonë u vendos në Kanada, ku u shua në moshën 75-vjeçare.

“Ma merr mendja se duhet të jetë një rast i veçantë dhe unikal në rruzullin tokësor, që një regjisor, duke qenë mendërisht dhe fizikisht tepër në regull, të ketë një jetëgjatësi kaq të shkurtër. Vetëm në një diktaturë si kjo jona dhe që bota nuk arrin ta kuptojë, ndodhin të tilla fenomene”,- i kishte shkruar Stratobërdha mikut të tij, regjisorit Kristaq Dhamo, në dhjetor 1998. Ndoshta është kjo fraza që i ka sjellë në mendje Kristaq Dhamos titullin për librin e botuar vite më vonë: “Viktor Stratobërdha, 13 muaj kineast”. Siç Skifter Këlliçi vë në dukje në një artikull kushtuar këtij libri, aty përfshihen jo vetëm kjo letër, por edhe intervista të botuara në gazeta dhe revista, si dhe përshtypje, nga e bija, Flutura dhe nga shkrimtarë e artistë që e kishin njohur nga afër, Dionis Bubani, Arian Myrto, Xhovani Shyti.

“Do të kishte qenë një nga figurat më të më mëdha të kinematografisë sonë”, citon Këlliçi, Kristaq Dhamon, i cili ia kishte vënë vetes mision të shkruante, siç edhe bëri, për Viktor Stratobërdhën.

Viktor Stratobërdha, i lindur në vitin 1925 në Korçë, kishte dalë partizan në moshën 16-vjeçare dhe në vitin 1944 ishte anëtarësuar në parti. Më pas kishte shkuar për studime në Moskë. Atje, siç ka thënë vetë e siç shkruhet në dosjen e tij hetimore, në 6 vite e gjysmë studime, gjatë të cilave kishte ardhur vetëm një herë në Shqipëri, kishte bërë një jetë të pavarur në ambiente studentore dhe artistike. Ndaj jeta e partisë që duhej të bënte në Shqipëri iu duk e mërzitshme. Ishte kthyer në mars 1955 në Shqipëri dhe ishte emëruar në Kinostudio si kinoregjisor.

Në ato 13 muaj karrierë, mars 1955-prill 1956, Stratobërdha arriti të realizojë dy filma-dokumentarë “Pushime të gëzuara” dhe “Urime, shokë studentë” dhe më pas filmin me metrazh të shkurtër “Qeshim se nuk qajmë dot”, i cili u censurua dhe prej tij kanë mbetur katër episode të shkurtër nën titullin “Pse kështu?”.

Në fillim të prillit 1956 zhvillohet Konferenca III e Komitetit të PPSH-së në Tiranë. “Nëpër organizatat e Partisë u zgjodhën delegatë për në Konferencë. Në organizatën e Partisë ku bëja pjesë unë në Kinostudio u zgjodh Nesti Zotoja. Kishte orientim nga Komiteti i Partisë rrethit Tiranës që në Konferencë çdo i deleguar të merrte pyetje ose mendimet e anëtarëve të partisë për t’ia çuar Konferencës që atje të sqaroheshin. Mblidhet organizata jonë dhe bëhen pyetje. Nesti Zotoja mbante shënime. Pyetjet afërsisht ishin këto: Çështja e Sejfulla Malëshovës mos duhet parë (rishikuar)? Pse nuk po përmirësohen marrëdhëniet me Jugosllavinë? Pse shtypi ynë lustron gjendjen e nivelit të jetesës? Sa shpenzime kanë dyqanet e bllokut të udhëheqësve? Pse sigurimi ynë kontrollon dhe pasaportat e anëtarëve të partisë? Mos ka nevojë të shikohet çështja e Bedri Spahiut dhe e Tuk Jakovës? etj. që nuk më kujtohen. Unë bëra pyetjen për Jugosllavinë”, e ka shpjeguar situatën e asaj kohe, para hetuesit në maj 1979, Viktor Stratobërdha.

Pas kësaj konference, udhëheqësit e lartë të Partisë do të merrnin masa për të ndëshkuar të guximshmit. Historiania Ana Lalaj në librin “Pranvera e rrejshme e ’56-s”, hedh dritë mbi këtë histori. Ajo ka publikuar edhe pjesë nga procesverbali i mbledhjes së Kinostudios që u mbajt dy javë pas konferencës, në 23 dhe 24 prill 1956. Në këtë mbledhje të drejtuar nga Manush Myftiu, dënohen Viktor Stratobërdha dhe drejtori i Kinostudios, Nesti Zoto. Manush Myftiu u kërkon shpjegime të dyve. “Një pyetje për marrëdhëniet me Jugosllavinë që kam bërë unë, këtë e kam bërë pa më të voglin qëllim. Kujtoja se do të bëhej si në demokracitë popullore, të cilat kanë marrëdhënie kulturore, ku shkojnë e vijnë delegacione etj…Unë kështu e kuptoja dhe kështu e bëra, me pastërtinë më të madhe dhe pa asnjë qëllim. Përsa i përket pyetjes që bëra, nëse Komiteti Qendror e njeh gjendjen e varfëruar të popullit, unë e bëra këtë duke parë vështirësitë ekonomike. Masat e fundit që janë marrë për heqjen e triskave e kanë ulur nivelin e jetesës, por shtypi nuk e ka shpjeguar që kjo është ulje provizore, përkundrazi, shtypi shkruante se kjo është një fitore e madhe dhe një sukses i madh”, u përgjigj Viktor Stratobërdha. Megjithëse i quan shakara të papjekura bisedat që kishte bërë me një shofer sesa herë në javë hante mish dhe megjithëse e quan “tragjike” të propozohet që të përjashtohet “nga ajo parti për të cilën në moshën 16-vjeçare kishte braktisur familjen”, ai u përjashtua nga Partia dhe u dërgua në Berat.

Për disa vite punoi në kinema dhe më pas në Estradë, por në vitin 1962, kur ishin acaruar relatat me BS, ai hiqet nga Estrada dhe dërgohet në punë prodhuese.

“Duke kaluar në prodhim, punë kjo që për mua si fillim ishte shumë e rëndë, nuk duhej të shkisja në asnjë moment dhe për asnjë çast në ndonjë pakënaqësi se një gjë e tillë ishte me pasoja. Kalimi në punën prodhuese më izoloi plotësisht nga shoqëria e mëparshme. Isha beqar, mbeta fill i vetëm”, ka thënë Stratobërdha në hetuesi, pas arrestimit në vitin 1979.

Para se të arrestohej, Viktor Stratobërdha do t’i kthehej edhe një herë punës artistike si regjisor në Estradën e Beratit, në vitin 1971. Ai martohet dhe krijon familje gjatë kësaj kohe, por regjimi komunist do ta godiste edhe një herë, më fort se gjithë herët e tjera, kur pas një mbledhjeje demaskuese si armik i popullit do ta arrestonte dhe dënonte me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë.

“Pas kryerjes së dënimit, jetë eremiti. Në ngjarjet e hyrjes nëpër ambasada (korrik 1990), nuk munda të çaja. Isha i vonuar. Në ’91-shin marr arratinë për ku të dalë, por nuk më eci. As me tragetet e marsit. Atëherë, më këmbë për në Greqi”, i kishte shkruar në letër Kristaq Dhamos, vite më vonë.

Vendoset më në fund në Kanada, ku, në një jetë thuajse tërësisht të përmbysur, i plotësohet të paktën një dëshirë e hershme fëmijërie, të jetonte deri në vitin 2000. (Kujto.al)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *