6 Tetor, 2024

Gazetarja tregon rastin e Elida Cangonjit: Iku nga kjo botë pa marrë drejtësi

 Gazetarja tregon rastin e Elida Cangonjit: Iku nga kjo botë pa marrë drejtësi

Gazetarja Alba Malltezi, duke komentuar rastin e fundit të dhëndrit të Sali Berishës, ka sjellë edhe rastin e aktores së njohur Elida Cangonji, e cila iku nga kjo botë pa marrë drejtësinë që i takonte.

“Shumë shqiptarë e dinë mirë dhe nuk mund të harrojnë se ç’donte të thonte të kërkoje drejtësi në kohën e sundimit të Berishës dhe të familjes së tij.

Ata pak që nuk dorëzoheshin dhe ngulnin këmbë, dalëngadalë konsideroheshin si të çmendur, si me probleme; edhe familja i konsideronte të tillë, pasi nuk dëgjonin të pranonin një zgjidhje, një marrëveshje pa shkuar në dyert e drejtësisë.

Dhe jo vetëm ata që kishin konflikt me interesat e familjes Berisha drejtpërdrejtë, por edhe ata që kishin konflikt me miqtë, servilat, shërbyesit, parrukieret e familjes Berisha, e kishin vërtetë pisk.

Ishte kështu me Elida Cangonjin, aktoren e mirënjohur shqiptare, e cila pati një konflikt prone. Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë nëse Elida pati apo jo të drejtë, por sa herë që ajo shkonte në polici, në prokurori, në institucione, pikërisht këto institucione të shtetit informonin kundërshtarin e saj që e kërcënonte: “Ke shkuar në prokurori ëëë?! E ke kot! Unë e kam në dorë gjithë drejtësinë!”

Dhe përballë këtij muri, kësaj çmendine të vërtetë që kishte ndërtuar me djallëzi familja Berisha (roli i të bijës në sistemin e drejtësisë njihet, por ende nuk është hetuar mbi rrjetën e thurur me miqësitë e saj), pakkush mund të rebelohej dhe shumëkush izolohej apo kërcënohej, apo burgosej, apo konsiderohej si i shthurur, si trafikant, si mashtrues, nëse mbetej gjallë. Si Kosta Trebicka.

Elida Cangonjit nuk i kishte mbetur më asgjë veç medias, të paktën atë ditë në redaksi tregoi gjithë kalvarin e saj.

Foli gjatë, u përlot, iku dhe parakohe nga kjo jetë pa mësuar nga drejtësia shqiptare nëse kishte të drejtë apo jo në atë konflikt pronësie.

Ndoshta jo, ndoshta pretendonte më shumë nga sa i takonte, ose e kundërta, duhet të merrte atë që i takonte, por ajo këtë përfundim nuk e dëgjoi dot. Nuk e lanë.

Dyert i përplaseshin dhe kërcënimet nga njerëz me pushtet në drejtësi dhe institucione nuk mungonin.

Zamira Durda, Paro Laçi, Kosta Trebicka… për asye të ndryshme, por kanë të stampuar në trupin e tyre atë dhimbjen e përbashkët që krijon mungesa e dëshirës së një Shteti për t’i dëgjuar, për të qenë në krah të më të dobtëve.

Elida Cangonji nuk është më, shumë të tjerë ikën nga kjo botë pa u dëgjuar nga drejtësia; ndoshta për Zamirën, për Paron e shumë të tjerë gjërat po ndryshojnë.

Institucione të reja shqiptare po i dëgjojnë dhe familjes Berisha, dalëngadalë po i këputen një e nga një tentakulat”, shkruan ajo.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *