27 Dhjetor, 2024

Ngjarja e panjohur: Pse u sulmua Kadri Roshi në Berat?

 Ngjarja e panjohur: Pse u sulmua Kadri Roshi në Berat?

Nga Ilir Çumani

Sa herë ndodh që evokojmë ngjarje e flasim me nderim për individë dhe emra personalitetesh të përveçëm, mendja më shkon tek një thënie doktrinare e besimit islam, që vjen prej lashtësisë që nga koha e arabëve të vjetër. Ata thonë: “Njeriu kur vjen në jetë, duhet të lërë gjurmët e tij përmes tri gjërave të rëndësishme.

Së pari, nëse mundet, duhet të sjellë në jetë të vegjlit e tij dhe ta mbushë vatrën e ngrohtë familjare me zëra të hareshëm e të gëzuar vocërrakësh, jo vetëm për t’i dhënë kuptim, gazmend dhe ngjyra optimizmi jetës, por edhe për të lënë si trashëgim pasardhës të tjerë, që jeta mbi tokë të vazhdojë. Së dyti, nëse mundet, duhet të krijojë dhe të lërë si trashëgim mbase edhe një vepër të bukur artistike, si për shembull, të shkruaj një libër ose një pjesë muzikore, apo të realizoj një vepër mbresëlënëse që spikat në artin skenik ose në artin pamor, si pikturë, skulpturë, mozaikë, gravurë, etj.

Së treti, nëse mundet, duhet të kryejë në heshtje dhe pa bujë akte të vërteta të dashurisë dhe humanizmit që lidhen me altruizmin, si për shembull, të ndërtojë një xhami apo një vepër të qenësishëm bamirësie, etj. Në pamundësi për t’i përmbushur së bashku të trija këto obligime, së paku, duhet të bëjë çmos që njërën prej tyre ta realizoj me çdo kusht. Në të kundërt, gjatë gjithë kohës që ka jetuar në botën e përkohshme të të gjallëve, ai njeri ka qenë bosh dhe krejt rastësor… Si i tillë, ka ardhur në këtë botë duke jetuar dhe duke u larguar në heshtje, pa u vënë re nga askush, i mbetur anonim e fatkeq, i harruar mbase edhe përgjithmonë.

Në bindjen time, (besoj, ky është mendimi i të gjithë atyre që e kanë njohur nga afër dhe në distancë aktorin e madh), Kadri Roshi i ka përmbushur denjësisht dhe në mënyrë të admirueshme të treja postulatet e mësipërme testamentare të arabëve të vjetër. I rritur si një ish fëmijë jetim, ai krijoi dhe ndërtoi modelin e një familjeje tradicionale shqiptare të mrekullueshme, duke lënë pasardhës të vlefshëm e të denjë në trungun familjar. Më tej, la një thesar të pasur dhe unik, shumë të çmuar në artin e tij brilant, (një galeri të tërë karakteresh e personazhesh të spikatura, në më shumë se 200 role në kinema e teatër). Nga ana tjetër, ai dha një shembull të shkëlqyer të humanistit të përkorë.

Me modesti e përulësi, përmes jetës, emrit dhe veprës cilësore artistike, krijoi e përcolli mjaft mesazhe universale, ngriti në piedestalin më të lartë të humanizmit institucionin dhe rolin e rëndësishëm që ka individi në shoqëri, i mishëruar tek NJERIU!

Sigurisht, Kadri Roshi bën pjesë tek ajo kategori që i përket fenomeneve të rralla antropologjike, që natyra i prodhon në përsosmëri si produkte të gjenialitetit dhe që fatmirësisht na shpërfaqen në çastin dhe në kohën e duhur, me të gjitha dimensionet reale në botën tonë humane. Brenda qenies së tij ishin formësuar dhe frymonin në algoritëm dy tipologji sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, me peshë dhe tipare mjaft domethënëse: ajo e Artistit-Njeri dhe e Njeriut-Artist.

Të dyja këto dimensione me karakteristika të veçanta jepnin dhe merrnin me njëra-tjetrën, ato shkriheshin organikisht në një simbiozë të vetme dhe s’mund të ndaheshin assesi veçmas. Nuk e di nëse fati e ka mikluar lumturisht Kadri Roshin, djaloshin miturak të rritur jetim, apo ndoshta gjenialiteti i papërsëritshëm sokratesk i një demoni të ardhshëm të skenës dhe ekranit e ka ndjekur fatmirësisht këmba këmbës në vrapimin e tij fluturak si një maratonomak, që më pas do ta ngjiste në majat më të epërme të lavdisë dhe të përjetësisë.

Por një gjë mund ta them me bindje se, Kadri Roshi ishte dhe mbetet padyshim një nga shembujt e admirueshëm, më unikalë, më frymëzues dhe inspirues, që na bën të kuptojmë se si njeriu qoftë edhe i vetëm në këtë botë shpesh herë të padrejtë dhe të egër, me ambicje, guxim, kurajë, vullnet dhe pasion, mundet t’ia dalë e të triumfojë mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë, edhe kur lufta mes jetës dhe vdekjes përtej horizontit duket e pamundur dhe e pashpresë…. Në gjithë historinë e njerëzimit, çdo epokë ka pasur dhe besoj do të ketë gjithmonë dishepujt e vet.

Ne, bashkëkohësit e Kadri Roshit, jemi dëshmitarë se si Ai nuk ishte thjesht dhe vetëm një aktor i zakonshëm, por ishte më shumë se një aset elitar i kalibrit botëror që i përkiste një plejade të shquar artistësh si, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Gjon Karma, Marie Logoreci, Drita Pelingu, Prokop Mima, Violeta Manushi, Ndrek Luca, Tinka Kurti, Bujar Lako, Reshat Arbana, Behije Çela, Mihal Stefa, Kujtim Spahivogli, Robert Ndrenika, Liza Laska, Albert Verria, Rikard Ljarja, Marika Kallamata, Gulielm Radoja, Agim Qirjaqi, Luan Qerimi, Timo Flloko e shumë të tjerë, ku të gjithë së bashku shënjuan e gdhendën me germa të arta historinë moderne të Artit tonë skenik dhe atij kinematografik.

Se çfarë peshe e rëndësie ka loja e jashtëzakonshme e këtij magjistari të mjeshtërisë artistike, janë thënë e shkruar pa fund shkrime, artikuj kritikë e shumë botime biografike të veçanta. Janë realizuar madje edhe dokumentarë të veçantë. Besoj se do të ketë edhe në të ardhmen të tjera hulumtime e publikime, për ta evidentuar e sendërtuar edhe më të plotë profilin artistik të Kadri Roshit, si një fenomen i përveçëm i artit tonë skenik në epokën që ai jetoi. E gjitha kjo, padyshim do të shërbejë si një shkollë edhe për brezat e rinj të aktorëve të ardhshëm.

Megjithatë, do të ndalesha në një tjetër dimension përmes një episodi që hedh dritë duke e ndriçuar edhe më shumë aspektin antropologjik të Kadri Roshit, që i’a nxjerr më në pah profilin social, karakterin, ndjeshmërinë, butësinë dhe brishtësinë që i buronte së brendëshmi dhe i vibronte në çdo pjesë të qenies së tij humane. Ndoshta kjo pjesë e personalitetit ka bërë që ai të ishte kaq i natyrshëm, i vërtetë dhe i suksesshëm në të gjitha rolet e realizuara mjeshtërisht prej tij, në gjithë karrierën artistike dhe jo vetëm. 20 vjet më parë, më 11 janar të vitit 2003, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar do të organizoja një Simpozium Shkencor me rastin e 85-vjetorit të themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri.

Kishim disa muaj që përgatiteshim për eventin në përkujtim të kësaj ngjarjeje historike, në të cilën do të merrnin pjesë gjenerata ish fëmijësh jetimë që nga koha e paraçlirimit, me personel, edukatorë e drejtues të suksesshëm që kishin punuar dhe vazhdonin të punonin në këto institucione ndër vite e dekada. Ishin ftuar gjithashtu të merrnin pjesë edhe shumë personalitete të larta të politikës, pjesëtarë të Trupit Diplomatik në vendin tonë dhe krerët më të lartë të Komuniteteve Fetare në Shqipëri.

Veç tyre, ishin të ftuar edhe shumë personalitete të artit e kulturës shqiptare, mes të cilëve edhe realizuesit e filmit të mirënjohur artistik “Lulëkuqe mbi Mure”, regjisori i Dhimitër Anagnosti, (Artist i Popullit – Nder i Kombit), kompozitori i filmit Kujtim Laro, (Artist i Merituar), i cilësuar nga kritika si Ennio Morricone shqiptar, një mjeshtër i rrallë i kolonave më të bukura muzikore të filmave shqiptarë, aktorët Kadri Roshi, (Artist i Popullit, Nder i Kombit), Enea Zhegu, skenaristi Petraq Qafëzezi, autor i romanit “Bonjakët”, mbi subjektin e të cilit u realizua edhe skenari i këtij filmi, duke marrë shkas nga ngjarjet e jetuara prej tij si i rritur jetim në “Strehën Vorfnore”, në vitet e paraçlirimit.

Konfirmimin për pjesëmarrje e kishim marrë nga gjithë të ftuarit, por shqetësimi ynë kryesor ishte se i ftuari i nderit në këtë event ishte i madhi Kadri Roshi, i cili ende nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij, për shkak të shëndetit jo të mirë që e mundonte në një moshë ku sapo i kishte kapërcyer të 80-tat. Ditët afroheshin dhe përgjigje nuk kishim. Mua si organizator m’u sos durimi nga pritja e gjatë për të marrë një përgjigje, ngase të nesërmen zhvillohej eventi për simpoziumin shkencor.

Përfundimisht vendosa ta takoja vetë duke i shkuar në shtëpi, atje ku banonte në rrugën e “Durrësit”, në një apartament fare modest, ngjitur me ish pastiçerinë “Flora”. Ngjita gjithë drojë shkallët e hyrjes së pallatit dhe në katin e tretë kur sapo iu afrova derës për t’i rënë ziles, befas bëra një hap pas duke menduar se mbase nuk ishte veprimi i duhur ky që po bëja. Një zë së brendshmi më thoshte: “Çfarë pret…?! Aktori Kadri Roshi, me atë nofkën e çuditshme të filmit “kujdestar surrat patate” assesi nuk duhet të mungojë në atë takim me jetimët. Ai, doemos duhet të jetë pjesëmarrës në atë ngjarje, ngase mund të ketë edhe ai një dëshirë të pa thënë, një diçka të mbetur peng, ndonjë brengë që e mbante brenda vetes prej kohësh që do të duhej ta rrëfente e ta ndante me të gjithë atë armatë brezash të jetimëve që e kishin ndjekur sa e sa herë me admirim, e kishin përjetuar dhe shijuar lojën e tij brilante në atë rol të çuditshëm, që të kujtonte skenat në romanin e mirënjohur “Oliver Twist” të Carls Dikens. Vendosa më në fund t’i bie ziles dhe befas dera u hap nga zonja Drita, bashkëshortja fisnike e aktorit, e cila i shërbente orë e çast me aq zell e dashuri në shtrat, prej javësh e muaj të tërë. “Keni ardhë për Kadriun? Urdhëroni, hyni brenda!”, foli butë ajo me një buzëqeshje që dukej sikur i’a mbulonte lodhjen e gjatë…. “Është pak pa qejf, por hyni brenda në dhomën e tij”, nguli këmbë ajo.

Aktori ishte shtrirë në shtrat dhe trupi i tij i imët e i brishtë ishte mbështjellë i tëri me jorganë të ngrohtë, ku dallohej vetëm fytyra që e shquante edhe më shumë atë portret aq të njohur dhe të veçantë, mbuluar nga kurora e bardhë e flokëve… Sytë e vegjël i shndrinin nga gëzimi, ato rrezatonin aq shumë dritë dhe dashuri. Dukej sikur luante ndonjë rol edhe në atë gjendje që ishte, kur e mori dorën time dhe e vendosi në njërën anë të faqes së tij. – Përse ke ardhë, o bir, – më tha. – Kam ardhur për t’ju bërë një ftesë Mjeshtër, në emër të gjithë jetimëve të Shqipërisë, – iu gjegja aty për aty. – Ata, nesër kanë një ngjarje të madhe; kremtojnë 85-vjetorin e themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore”, ndaj dëshirojnë që në këtë ditë të veçantë ju të jeni mes tyre.

Kaq mjaftoi që i madhi Kadri Roshi të mblidhte veten dhe të bënte një lëvizje të çuditshme, duke e flakur me njërën dorë cepin e jorganit dhe me një energji të befasuese u ngrit vringthi në këmbë duke më thënë: – Edhe në buzë të varrit po të jem, o bir, unë për ata njerëz do të vij. U kam një borxh të madh atyre, ndaj më prisni! Dhe erdhi të nesërmen, i veshur bukur, plot energji e dëshirë të zjarrtë, ku mes të pranishmëve rrezatonte vetëm mirësi, paqe, mallëngjim…

Në ato çaste, dukej sikur e kishte flakur përkohësisht mënjanë situatën e gjendjes shëndetësore që e mundonte prej kohësh. Sipas protokollit, ishte menduar nga organizatorët që në presidium, krahas per sonaliteteve dhe kuadrove drejtues që kishin dalë nga institucionet e jetimoreve, të zinin vend të ftuarit specialë, aktori Kadri Roshi, regjisori Dhimitër Anagnosti, skenaristi Petraq Qafëzezi dhe kompozitori Kujtim Laro. Mirëpo tre të fundit, me modesti dhe me shumë përzemërsi refuzuan të ishin në presidium, me të vetmin “argument” se “do të mjaftonte të ishte vetëm Kadriu për të gjithë ne, grupin realizator të filmit… Ne do qëndrojmë në sallë”, këmbënguli për të disatën herë Kujtim Laro.

Dhe ashtu u bë! Aktori hyri kur salla ishte mbushur plot e përplot dhe të gjithë u ngritën në këmbë, e duartrokitën nxehtësisht dhe pa pushim. Tepër i emocionuar e mblodhi veten, mori frymë thellë dhe iu drejtua të pranishmëve nga foltorja me fjalët e Shekspirit: “Sot jemi mbledhur për NJERIUN…! NJERIU… Oh, çfarë vepre e madhe është NJERIU… Sa bujar nga arsyeja; i pakufishëm nga zotësia; nga shtati dhe nga lëvizja; sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm; nga veprimi si engjëll; nga kuptimi si Perëndi; xhevahir i botës; kurorë e gjërave të gjalla… Ja ç’është NJERIU…”

Më tej, ai vijoi duke thënë: “Më vjen mirë që ata për të cilët sot jemi mbledhur të gjithë këtu, i respektojnë kaq shumë njerëz të mirë, kaq shumë njerëz të nderuar… Kjo është fisnikëri, është një vlerë e rrallë dhe virtyt. Kjo është njerëzore… Që të mos e zgjas, do t’ju tregoj diçka që ka ngelur si një kujtim i rrallë në jetën dhe në zemrën time. Po xhiroja në Berat filmin “Gjeneral gramafoni”. Nuk e mbaj mend vitin me saktësi. Për çudi, atë ditë bënte një vapë e jashtëzakonshme. Vajti temperatura mbi 40 gradë, por nuk e thoshin publikisht për të mos hyrë paniku në popull. Hëngra drekën dhe shkova të pushoja, por ishte e pamundur, u mbulova i tëri në djersë. Dola të bëja një xhiro bregut të lumit Osum se mos freskohesha pak. Ballë për ballë meje, vinte makina që lag rrugët e qytetit. Ishte një shofer i shëndoshë, mbante një cigare në gojë dhe po vinte drejt meje. Ai kishte hapur të dy pompat që lagnin rrugën.

Para se të vinim në një vijë të drejtë me njëri-tjetrin, e mbylli pompën që ishte në krahun e tij për të mos më lagur mua. Më erdhi mirë. Ky është Njeri, njeri i mirë, thashë me vete. Kur sa erdhëm në një vijë të drejtë, e lëshoi pompën me tërë fuqinë që kishte dhe më bëri qull nga koka deri te këmbët. Ndaloi dhe po më shikonte drejt e në sy. “Ç’pate !?”, i them. “Ore, mos je ti ai maskarai që rreh ata jetimët tek ai filmi…!?”. “Unë jam”, i thashë. “E po mirë ta bëra, se mora hakën e tyre”, vijoi ai gjithë inat dhe hakërrimë.

Mirëpo këtu gaboi ai, kur tha se s’ka se kush ta marrë hakun e tyre. Unë do t’ua vërtetoj që ai gaboi. Shoferi u nis e gjoja shkoi në punën e tij. Unë vajta në hotel që të ndërrohesha. Isha në katin e 2-të. Kur sa bëj dy këmbë shkallë të zbres, pashë poshtë te dera shoferin të ma bënte me gishta mua, ashtu si ua bëja unë jetimëve te filmi: “Hajde këtu!”. Ç’është ky shofer, mendova me vete. Nuk ka gjetur bashkia tjetër shofer!? Mos e kam ofenduar ndonjëherë!? Po ku!? Unë në Tiranë, ai në Berat. Çne, fytyrë e paparë, e panjohur për mua…. Rreth e përqark pashë tre djem të rinj… Ata sikur më dhanë guxim dhe zbrita shkallët poshtë. “Hë mo, çfarë do?”, i them. Ai më futi krahun dhe më tha: -“Eja me mua…”. “Po ku do shkojmë…!?”, vazhdova unë. – “Në shtëpinë time do shkojmë”, tha ai.

“Po çfarë do bëjmë në shtëpinë tënde, këtu më lage, mos do të më rruash në shtëpinë tënde”, iu përgjigja gjithë zemërim. Shko, shko, më thanë ata djemtë, është njeri i mirë ky. Po ç’njeri i mirë është ky, shiko si më bëri. Ku e ka të mirën ky? Mirëpo ai nuk pyeti, më futi krahun e më “hoqi zvarrë “. Ai ishte një burrë i shëndoshë, peshonte një kuintal. Shkuam në shtëpinë e tij. Kishte një shtëpi jo shumë të bukur, por të pastër, të rregullt, të mirë… Jetonte vetëm me nënën e tij. O njerëz! Besomëni! Nuk kam parë fytyrë njeriu më të ëmbël dhe më të dashur në jetën time. Jam 80 vjeç. Ishte një nënë e mrekullueshme. Unë e dua dhe e kam dashur shumë nënën time, sepse nuk e kam njohur, më ka lënë jetim të vogël.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja që më bën ta dua shumë atë nënë që pashë dhe që në atë çast dëshiroja ta krahasoja më nënën time. “O nënë!, e thërriti i biri. Të kam sjellë një mysafir”. “Mirë se të vijë”, tha ajo. U futa brenda. Nëna i bënte me shenjë të birit: “Ç’të bëj?”, duke i thënë që ta therte një pulë për darkë. Unë e kuptova dhe i thashë: “Mos bëni gjë se kam ngrënë”. Dhe me të vërtetë sapo kisha ngrënë mirë në drekë. “Jo, jo, – tha, ndonjë gjë sa për adet…”. “E po mirë”.

Nëna shkoi, e theri pulën, e bëri gati, e shtroi në tryezë dhe çdo gjë ishte gati për t’u ngrënë. Para se të fillonim, i biri e pyet nënën: – Nëne, e njeh këtë mysafirin? Ajo më pa një copë herë me kaq ëmbëlsi, me kaq dashuri, ngriti supet dhe tha: – Jo, nuk e kam parë ndonjëherë. – Po atë filmin që rreh ata jetimët, e ke parë ti nëne? – vijoi i biri.- Po, e kam parë.- Ja, ky është ai që ka rrahur jetimët, – nxitoi t’i rrëfente nënës i biri. O njerëz! Besomëni, si ka mundësi të transformohej ajo nënë aq e mirë e të bëhej egërsirë përpara syve të mi. Ajo u bë bishë dhe ishte gati të më hidhej. Ja pra, ka se kush i mbron jetimët, ka njerëz shumë të dashur në botë që i mbrojnë. Ajo nëna, ishte nëna e të gjithëve. Unë ndërkohë kisha marrë një copë mish për ta futur në gojë. Vërtet ky është!?, – i tha ajo të birit. – Të zëntë fytin ajo që po ha, – më tha duke m’u hakërryer.

Ja pra, kjo është dashuria njerëzore. Këtu pashë forcën e profesionit tim si aktor, por pashë edhe zemrën e madhe të njeriut. Dikush më ka pyetur se sa të vështirë e pata të luaja rolin e kujdestarit që nuk kujdeset për fëmijët jetimë, por që i rreh ata. Unë kam vetëm një përgjigje. Ky rol ishte shumë i bukur për mua dhe si artist më ka pëlqyer shumë. Dua të tregoj një sekret.

Para xhirimit të filmit “Lulëkuqe mbi mure”, nga respekti që kishin për mua si artist, u mblodhën të gjithë fëmijët aktorë dhe më afroheshin kush e kush duke më thërritur “xhaxhi Kadri” njëri, “xhaxhi Kadri” tjetri… Ndërsa me vete thosha (pasi e kisha lexuar skenarin) “Oooooohhh…, të mjerët ju çdo hiqni nga xhaxhi Kadriu….!” Dhe përfytyroni një çast, sa të vështirë e ka pasur njeriu Kadri Roshi të dalë nga vetja e tij e të futet në një tjetër botë si aktor, në rolin e kujdestarit dhe të rrahë ata që ai i ka dashur aq shumë tërë jetën dhe i do me gjithë zemër, me gjithë shpirt…!”.

Ky ishte Njeriu-Artist dhe Artisti-Njeri KADRI ROSHI, i rritur jetim dhe një nga përfaqësuesit më dinjitar i gjeneratave të jetimëve në Shqipëri. Ishte nder dhe privilegj i madh për mua që, në emër të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i akordova artistit dhe mikut të madh të jetimëve titullin: “SIMBOL I VLERAVE TË LARTA HUMANE”. Në mbyllje të fjalës së tij, Ai u shpreh: “Në jetën time kam marrë shumë tituj e vlerësime, por ju siguroj se ky vlerësim që mora sot nga ju, do të zërë një vend të veçantë në zemrën time….”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *