6 Tetor, 2024

Rrëfimi i Vasil Vasos: Agron Llakaj më ka vjedhur “zërin”. Teatri i Fierit, shkollë e humorit shqiptar

 Rrëfimi i Vasil Vasos: Agron Llakaj më ka vjedhur “zërin”. Teatri i Fierit, shkollë e humorit shqiptar

Nga Fadil Shehu

Kur ndalet për një çast, vitet e fëmijërisë ende i trokasin të freskëta në kujtesë. Fshati Sotira, ku lindi, kaloi vitet e fëmijërisë madje dhe një pjese të rinisë, pjesë e Dropullit në qarkun e Gjirokastrës, i cili shtrihet mes maleve në lartësinë mbi 600 metër nga niveli i detit, që të ofron natyrë me klimë të ftohtë, përherë rrethuar nga gjelbërimi. Si djalë i vetëm, midis katër motrave, kishte privilegjin, që i vetmi kontribut që jepte për shtëpinë, ishte të kulloste shpateve dhitë e kecat, së bashku me shokë të tjerë të fshatit. Që atë kohë thurrte ëndrra për të ardhmen pse jo dhe për aktor…

-Si erdhi arti në jetën tuaj?

-Në vitet kur isha nxënës në shkollën e mesme në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, shkoja rregullisht dhe shikoja shfaqjet e estradës së Tiranës, ku në veçanti më tërhiqte humori i “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Loja e aktorëve të kësaj trupe, më pëlqente aq shumë sa shpesh mendoja dhe thoshja me veten time, sikur…?

Si rodhën më pas ngjarjet?

-Ishte vërtetë një dashuri që sapo kishte lindur. Pas mbarimit të kësaj shkolle, më emëruan me punë në minierën e Memaliajt, ku jetova e punova gjashtë vjet, dhe njëkohësisht pasioni për artin, nisi të hidhte shtat brenda meje. Këtu u aktivizova shpesh herë si aktor në estradën e këtij qyteti punëtor e bujar, për të cilin në atë periudhë, arti dhe sporti ishin limanet ku argëtohej gjithë qyteti.

-Më pas përfunduat universitetin për inxhinier mekanik, dhe u emëruat me punë në Termocentralin e Fierit. Menduat se tashmë dashuria për artin, për ju do të ishte veçse një ëndërr e largët?

-Ndonëse vërtetë sistemi i orarit të punës kërkonin impejim maksimal, sërish dëshira për artin rrinte zgjuar. Mikrobi i artit u bë si mola, nuk ngordhi kollaj, por u shtua. Gjallërimi i aktiviteteve dhe festivaleve midis ndërmarrjeve, përbënin jetën e gjallë të këtij qyteti artdashës dhe futbolldashës. Mora pjesë në disa festivale ku luaja si aktor humori, ku shumë shpejt këto aftësi u vlerësuan.

-Mjaft aktorë dhe këngëtarë të estradës së Fierit, Vlorës, Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Beratit, Korçës….zanafillën e jetës së tyre të artit e kanë nga e ashtuquajtura, klasa punëtore, madje disa syresh të vlerësuar me tituj,“Nder i Kombi”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Naim Frashëri”i artë. Ku qëndron suksesi i tyre?

-Nëse do të shikosh institucionet kulturore që pregatisnin talente për estradat në vendin tonë, do të kuptosh se Akademia e Arteve, i vetmi tempull ku dilnin aktorë për trupat e teatrit, edhe pse kishte vlerën e vet në përgatitjen e këtyre talenteve,vije re se nuk përgatiste aktorë humori. Është kjo ndjesi, e cila bëri që burimi kryesor i trupave të estradave profesioniste të ishte prurja e personave të talentuar ardhur nga ndërmarje të ndryshme. Talenti i tyre u zhvillua nga regjisorë me shkollë arti dhe me punë arritën të vlerësoheshin me tituj e dekorata që ju Fadil sapo i përmëndet. Si pjesë e këtij grupi aktorësh edhe pse me shkollë të lartë, mund të them se isha me fat.

-Si ishin fillimet tuaja me trupën e re të estradës profesioniste të Fierit, e cila sapo kishte nisur të krijonte bërthamën e vet?

-Në vitin 1967, drejtues të kësaj trupe në veçanti regjisori Llazar Verria, na kishin parë në disa aktivitete artistike, mua së bashku me Luftar Pajon, na aktivizuan me trupën e estradës profesioniste, e cila sapo ishte ngritur. Prezantimi im i parë I shkruar nga unë, ishte monologu “macja e zezë”, e cila më priste rrugën që unë mos të vazhdoja më tej, por për çudi kjo mace mua më doli e bardhë, duke vazhduar rrugën për më se pesëdhjetë vjet me rradhë. Njëherazi vazhdoja punën si inxhinier duke prodhuar energji për gjysmën e Shqipërisë në termocentralin e Fierit, madje duke prodhuar dhe energji artistike veshur me humor për trupën e estradës të Fierit. E veçanta e grupit, që përbënte aktorët e ardhur nga klasa punëtore, nuk kishin huqe apo mëndjemadhësi. Çdo njeri shfaqte me pasion e art, rolin e caktuar nga regjisori, i cili rolet i jepte “sipas kokës dhe qylafin”. Aktorët, partnerët e mi të parë ishin Nestor Pogaçe, Luftar Paja, Kujtim Jorgaqi, Fuat Boçi, Zoi Papa, të cilët u rritën dhe lartësuan emrin e mirë, që mori më pas trupa e estradës profesioniste e Fierit.

-Thuhet se në disa raste edhe pse ju vinit nga burimi i fuqishëm me energji të konsiderueshëm nga Teci, ka patur raste që spektatori në sallë të përjetojë çaste errësire me ikjen e dritave së paku disa minuta. Po juve e keni pasur një “fat”të tillë?

-(Qesh) Ju tregoj vetëm dy raste. Po jepnim shfaqje në Tiranë. Unë interpretoja rolin e një të sëmuri stimulant dhe doktori po më dëgjonte me stetoskop. Në këtë moment ikin dritat dy minuta. Posa u ndezën duke veshur bluzën them: bëra një radioskopi, ku në moment salla u mbulua nga duartrokitjet e publikut. Ishte fjalë e duhur në çastin e duhur. Në një shfaqje tjetër luaja rolin e servilit. Kritikoja drejtorin e ndërmarjes, përse ai nuk kishte marrë akoma lejen e zakonshme. Gjatë interpretimit ikin dritat në sallë dhe sapo erdhën unë futem në skenë dhe them: Sapo rregullova siguresën e drejtorit.

-Çdo të thoshit për partnerët dhe kolegët tuaj në strehën e Bylisit?

-Mendoj se çdo njeri prej pjestarëve të trupës sonë, kishte diçka të veçantë në mënyrën e gdhëndjes së rolit, për ta bërë sa më të besueshëm dhe real ,duke u duartrokitur nga spektatori. Unë zakonisht interpretoja monologje si zhanër më i vështirë, dhe për shkak të kohës që mund të punoja me kolegët.

-Ndonëse jo pak herë, juve ju është ofruar vendi i aktorit profesionist, por çuditërisht e refuzonit. Përse?

-Po është e vërtetë që shpesh kisha ofertë të tillë, për të kaluar me trupën e estradës profesioniste, por nuk më lejonin të largohesha nga puna në termocentral. Dëshiroja të kaloja në arësim ku vazhdoja të jepja mësim në shkollë të mesme me orar të reduktuar, sepse të ardhurat nga estrada për mua ishin pak. Kështu unë vazhdoja të punoja si nxhinier në termocentral, mësues dhe aktor me estradën. Me humor regjisori i posa ardhur nga Vlora, Pëllumb Kulla, që shumë shpejt ngriti vlerat e kësaj estrade, thoshte me humor: Vasili është njeriu që firmos në tre bordero.

-Nga biseda me aktorë fierakë thuhet se jeni i veçantë, po ju çdo të thoshit për Vasil Vason?

-Eshtë më se e vërtetë që për shumë vite trupa jonë ka funksionuar si ansambël më vete, kurorëzuar me arritje dhe vlerësime maksimale nga publiku fierak dhe ai mbarëkombëtarë.Të gjithë aktorët fierak janë shpërblyer me meritë, me stimuj të ndryshëm për punën e tyre. Edhe unë i vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit, dhe me dekoratën “Naim Frashëri” I artë, dhënë nga presidenti i republikës Bamir Topi. Patjetër që ndjehem i respektuar nga kolegët e mi të mrekullueshëm, duke qenë përjetë mirënjohës publikut.

-Sikur në këtë periudhë të ishit ministër Kulture, çfarë qëndrimi do të mbanit për artistët dhe ikonat e artit shqiptarë?

-Nëse sot do të isha ministër i Kulturës nuk përjashtoj mundësinë që mund të bëhem ministër dhe në këtë moshë që jam, po të dojë dhe kryeministri. E kam thënë dhe po e përsëris se pa teatër dhe artistë nuk ka vlerë një vend. Do të përcaktoja një shumë parash të caktuar për çdo vit në çdo trup estrade e teatri, ku fondet të zotëroheshin nga vetë trupat, pa ndërhyrjen e askujt. Tempujt e artit që padyshim vlerësohen si Meka dhe Jeruzalemi, kurrësesi nuk duhen të preken nga qeveritarët, sepse në to qëndron historia e artit shqiptar, brënda tyre flet historia e artit të kombit tonë.

-Edhe pse mbi të shtatëdhjetë e pesë vjeç, sërish në lëvizje për artin jo vetëm në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi, por madje deri këtu në Amerikë. Ndjeheni ndopak i lodhur?

-Eshtë e vërtetë që jam shpesh në lëvizje dhe mendoj që bëj mirë. Duke mos patur mundësi të aktivizohem fizikisht në skenë,sërish jam aty me vepra që vazhdoj akoma të përkthej, duke pare nga afër artin e artistëve të rinj, brezin e ri të aktorëve, që po hedh shtat, dhe kjo është e mundur duke qenë prezent, duke ndjekur nga afër festivale të ndryshme mbarëshqipatre, të cilat tani duket sikur i kanë marrë me “tapi” Fieri, Saranda, Elbasani. Pasioni që mbaj brënda për artin bën që të mos mungojë në disa raste si i ftuar dhe në festivalin teatror në Dibër të Madhe. Një periudhë gati gjashtë mujore e kaloj këtu në Amerikë, ku kam vajzën dhe djalin, pikërisht këtu në qytetin ku jetoni ju Fadil, në Saint Petërsburg në Florida, ku së bashku po zhvillojmë këtë intervistë. Mos harro se edhe këtu merrem me përkthime të autorëve amerikanë dhe më pas rikthehem në strehën time të vjetër në Fier, në teatrin Bylis, dhe një pjesë të kohës e kaloj në fshatin tim të lindjes në Sotira, ku kam ende shtëpinë time. Sërish shkoj aty si kudo në Shqipëri, më merr malli, dhe sërish përballë natyrës së bukur mes maleve nis e shkruaj, përkthej vepra të reja.

-More Vaso, shpesh herë Agron Llakaj interpreton zërin dhe dialektin tuaj, mos ndoshta mburret që dhe ju si ai jeni nga Memaliaj?

-(Tund lehtë kokën duke buzëqeshur). Shpesh më thonë njerëzit, Agroni të ka vjedhur firmën, shko njëherë interpret bashkë me atë. Për çudi Agroni zgjohet dhe një ditë më fton të jem i pranishëm në “Al Pazar”që ai e drejton dhe interpreton. Dhe unë e falenderoj si një aktor brilant tashmë, me talent të padiskutueshëm. Bëmë humor së bashku madje dhe publiku I pranishëm në sallë u shkri me humorin që servirëm së bashku në skenën e “Al Pazar”. Ishte një natë e bukur e paharruar. Faleminderit Agron!

-Ju trëmb pleqëria?

-Dihet se pleqëria të vjen pa trokitur. Eshtë sëmundja më e tmerrshme e njeriut. Ndaj dhe urimi i njerëzve është të kesh pleqëri të mirë. Në këtë moshë, dëshirat më rriten, fuqitë më bien, por duke u marrë vazhdimisht me punë, do të krijoj humor deri sa një ditë…do të vdes. Kështu nga ky proçes i pashmangshëm për çdo njeri, them se nuk trëmbem. Kam lexuar në një intervistë tuajën, zhvilluar me të madhin Bujar Kapexhiu, i cili mes të tjerave thotë: “ I lutem zotit që tabelën Stop, ta vendos pak më tej”. E përkrah optimizmin e tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *