26 Dhjetor, 2024

Shoqja e Nexhmije Hoxhës: Për ato që i kemi bërë ne popullit shqiptar, s’na mbetet tjetër, veçse të lagemi me benzinë dhe…

 Shoqja e Nexhmije Hoxhës: Për ato që i kemi bërë ne popullit shqiptar, s’na mbetet tjetër, veçse të lagemi me benzinë dhe…

Nga Eugjen Merlika

Në gazetën ‘Korriere dela Sera’ të datës 30 korrik 2001, në faqen 12, kushtuar ngjarjeve ndërkombëtare, gazetari italian Andrea Purgatori botoi një artikull –  intervistë, me bashkëshorten e, ish – kreut të regjimit komunist të Tiranës, Enver Hoxha, me rastin e tetëdhjetë vjetorit të lindjes së saj.

Me germa të mëdha, për të tërhequr lexuesin e, ndofta deri diku edhe për t’a ngacmuar atë në një nerv të zbuluar, titulli i shkrimit ishte: “Nuk kishte skafistë në kohën e Hoxhës”. Artikulli shoqërohet me një fotografi që ka në sfond portën e burgut dhe tabelën me shkrimin “Instituti i Riedukimit”. E ka gjetur këtë fotografi gazetari apo, ja ka dhënë e intervistuara për të nxjerrë në pah faktin e “përndjekjes” së saj nga regjimi paskomuniste shqiptar, nuk e dimë. Fakti është që titulli dhe fotografia, së bashku me intervistën në tërësi, japin përshtypjen e një dëshire të fshehtë për të bërë të besueshme, në sytë e opinionit publik italian, “të fundmen bashkëpunëtore e bashkëshorte ende në jetë, të një udhëheqësi marksist leninist”.

Artikulli – intervistë ka meritën të na zbulojë mendimet e zonjës Nexhmije Hoxha sot, mendime që ajo sigurisht i ka hedhur në librin e saj të dytë të kujtimeve. Për ne që kemi jetuar gjysëm shekulli në “Mbretërinë” e saj, është një pohim i besnikërisë së saj ndaj ideve që ajo ka përqafuar që kur studionte në Institutin “Nana Mbretneshë” e, që i ka mbrojtur e propaganduar për një jetë të tërë si Kryetare e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Këto ide u vunë në jetë në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit të shkuar nga burri i saj, udhëheqësi i PPSh-së, Enver Hoxha.

Rezultati i zbatimit të atyre ideve ishte rrënimi i gjithanshëm i vendit, varfërimi skajor i popullit, mungesa e lirive më parësore, një regjim i bazuar mbi terrorin, gënjeshtrën dhe arbitraritetin. A ishte e ndërgjegjshme zonja Nexhmije, bashkëshorti i saj dhe kasta e tyre për këtë realitet? Apo të mbyllur në kullën e tyre e të rrethuar nga puthadorë të të gjitha përmasave, mendonin me të vërtetë se kanë ndërtuar “Botën e re”, në të “vetmen Kështjellë të Socializmit në botë”?

Gazetari Purgatori, me një notë të lehtë ironie, vë re se “Ajo tregonte një ëndërr krejt të sajën, ku nuk ka kujtesë për gjashtëqind mijë bunkerët prej betoni, të mbjellë nga Greqia deri në Mal të Zi dhe për gjysmë milioni kundërshtarësh politikë, që i lashti Enver, zhdukte ose riedukonte”.

A me të vërtetë mungon kujtesa tek zonja, apo për të gjithçka ishte normale, sepse ashtu duhej të ishte, se ashtu mësonin klasikët e marksizmit? A është e mundur që, mbas më shumë se dhjetë vitesh nga rrëzimi i Murit të Berlinit e, mbas shpalosjes së dukshme të gjithë tmerreve të asaj katrahure që qe komunizmi, sidomos në Shqipëri, një ‘Homo sapiens’, të vazhdojë ende të besojë në dobinë e asaj praktike? Gazetari vë theksin mbi dy tregues, më kryesorët e keqqeverisjes së regjimit, megjithëse ruan delikatesën ndaj të intervistuarën e nuk ja përmend asaj.

Bunkerët janë shembulli më i dukshëm i shpërdorimit të pasurisë së një populli e njëkohësisht treguesi më bindës i marrëzisë së atyre që formulonin politikën e mbrojtjes në Shqipëri. Në terma ekonomike e financiare, me fondet e harxhuara për to, mund të ishin ndërtuar të gjitha infrastrukturat e nevojshme për vendin e, mund të ishin strehuar në banesa të rregullta të gjitha familjet shqiptare. Dobia e tyre për qëllime mbrojtëse ishte dhe mbeti zero, dëshmi e dritëshkurtësisë, padijes dhe mendjemadhësisë së një kaste drejtuese që udhëhiqej me dorë të hekurt prej Enver Hoxhës.

Lufta e klasave, egërsia e pashoqe e pushtetit ndaj kundërshtarëve politikë, shkelja e të drejtave dhe lirive më parësore të tyre, kthimi i vendit në një burg të madh asfiksues edhe për ata që nuk quheshin të tillë, ishin treguesit e tjerë të politikës kriminale të regjimit. Zonja Hoxha, në intervistën e saj i, anashkalon këtyre plagëve të thella të socializmit që përfaqëson, në emër të të cilit flet e për të cilin shpreh mall. E fillon bisedën e saj me një sentencë ex catedra që na kujton tonin dhe shprehjet e burrit të saj: “Nuk mund të vendosin fatin e botës tetë vetë të ulur në një tavolinë, as tetë popuj…”! Tregon admirimin e saj për manifestuesit anti global: “Më kujtojnë gjashtëdhjeti e tetën, por këto janë të një niveli më të lartë, janë më përpara. Do të fitojnë ata, sepse bota po shpërthen”!

Në dukje kemi të bëjmë me një person që flet përçart, që jeton me vizionet e saj surreale. Në fakt kemi para një logjikë të ftohtë, të mbrujtur me idenë e urrejtjes, të luftës, të shpresës në një rikthim mbrapa, në ringjalljen e një bote që nuk është më, por së cilës zonja Nexhmije i përket shpirtërisht, moralisht e intelektualisht. Ata qindra e mijra të rinj që nuk dinë as vetë se çfarë kërkojnë, që instrumentalizohen e kthehen në batalione të prapambetjes njerëzore, janë për të kandilë shprese, që e bëjnë të ëndërrojë, të kthehet mbrapa, të kujtojë kohën kur priste, përcillte, financonte e u jepte mësime tellallëve të saj të paktë, në botën Perëndimore. Ishin personazhe krejtësisht të panjohur si: Fosko Dinuçi, Zhak Gripa, Zhoao Amazonas, Kabilia etj., të respektuar e të shpërdoruar nga godina hijerëndë e selisë së burrit të saj.

Gazetari bën paraqitjen e të intervistuarën si aleate të Stalinit, të Mao Ce Dunit e të Ho Shi Minit. Flet për pesë vjet burg të rëndë në Tiranë e Tepelenë, si “e vetmja grua mes një ushtrie vrasësish”. Zonja ankohet se ka fjetur për tokë. Çuditërisht atëherë ka marrë vesh se në qelitë shqiptare të kohës së komunizmit nuk kanë ekzistuar kurrë shtretërit e se, të gjithë të arrestuarit kanë fjetur për tokë, me dy batanije gjithsej, për shtresë e mbulesë.

Zonja Hoxha do të bënte mirë të bënte krahasimin me standardet e burgjeve të kohës së saj, para se të ankohet për kushtet e burgut në të cilin ishte ajo. Mjafton të marrë mundimin të lexojë kujtimet e atyre që regjimi i saj u grabiti rininë e jetën, jo pse ishin kriminelë por, se ishin ajka e kombit. Burgu i “massima sicurezza” i Tepelenës, është një vend verimi në krahasim me Burrelin, Vloçishtin, Maliqin, Orman-Pojanin, Gjirokastrën e kampe e burgje të tjera në të cilat dergjeshin, vegjetonin e ndërronin jetë, në kushte të papërfytyrueshme, ata që konsideroheshin “armiq të popullit”.

“Në kohët tona skafistë zero, jetohej në mënyrë spartane”. Ka një dozë të theksuar cinizmi e llogarie politike në këtë fjali. Zonja e di se po flet me të dërguarin e gazetës më të madhe italiane, di se opinioni publik italian është i ndjeshëm negativisht ndaj fjalës skafistë, di se nuk janë të paktë në Itali ata, që mendojnë se rrëzimi i Murit Berlinit ju ka shtuar problemet e tyre. Ajo kërkon t’a sfidojë atë opinion publik, duke pohuar me një farë arrogance dy të vërteta njëherësh, me synimin e fshehtë të mund t’a pushtojë atë për të ligjësuar vetveten. Në kohën e tyre nuk kishte skafistë. Ishte e vërtetë, por është e domosdoshme të përcaktohen mirë gjërat.

Nuk kishte skafe që mbartnin njerëz të dëshpëruar nga bregdeti i Shqipërisë për në Italinë e shpresave për një jetë më të mirë, mbasi mërgimi quhej tradhti e dënohej si i tillë nga kodet e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër trafiqet e paligjshme, i bënte vetë partia-shtet, në forma të ndryshme e me mjete ligjore. Në një artikull të ish ambasadorit shqiptar në SHBA, zotit Pëllumb Kulla, të botuar në këtë gazetë thuhet“Klika komuniste e Hoxhës dhe e atyre që la pas, ka qenë dhe mbetet organizata më e fuqishme e trafikut dhe e kontrabandës në të gjithë globin tokësor. Është e pamundur që një organizatë tjetër t’ja dalë të vihet në krye të një shteti, të ketë ushtrinë, flotat ajrore e detare, të tëra nën këmbët dhe shërbimin e saj…”!

Nuk dimë ku shkonin të ardhurat nga kontrabanda e cigareve, e armëve, e drogës e deri në ç’masë i përgjigjen së vërtetës pohimet e zotit Kulla, por sigurisht zonja Hoxha nuk mund të marrë pozën e shenjtores karshi italianëve, mbasi pikëmbërritja e shumicës së trafiqeve ishte vendi i tyre. Përsa i përket mënyrës spartane të jetesës, me siguri zonja në fjalë i referohet popullit të saj, mbasi epiteti “spartan” do të humbiste kuptimin po t’i vishej jetës së pjesëtarëve të nomenklaturës komuniste e aq më tepër atyre të ‘Bllokut të Udhëheqjes’.

Me një notë të theksuar kryelartësie e intervistuara i hedh një tjetër dorashkë sfide botës që përfaqëson gazetari, aq i sjellshëm me të: “Të gjithë kishin një rrogë e shkonin për pushime…”! Ja pra parajsa komuniste e trumbetuar kaq shumë e kaq gjatë…! Edhe mbasi koha i rrëzoi të gjitha perdet e hekurta e zbuloi lakuriq ferrin enverist, zonja Nexhmije vazhdon të përkundet në iluzionin e saj të përjetshëm, atë të mashtrimit. Mashtrimi ishe mjeti më i përsosur që funksionoi në çdo shoqëri që u administrua nga komunistët. Mashtruan aq shumë jashtë e brenda vendit, saqë ndofta i besuan dhe vetë gënjeshtrave të tyre.

Përballë opinionit të huaj shtetet komuniste vetë paraqiteshin si shoqëri pa papunësi, pa taksa, pa kriminalitet, pa konflikte të brendshme, me arsim e shërbim shëndetësor falas, me qira simbolike, me kampe verimi e shtëpi pushimi të paguara nga shteti etj, etj. Për çudi zonja Hoxha nuk i radhit gjithë këto dobi të sistemit, apo ndofta gazetari i ka shkurtuar…! Mbas fasadës mozaik që përbëhej nga gjithë këto arritje fshihej e vërteta rrëqethëse që, rëndoi mbi shqiptarët për gati gjysëm shekulli. Papunësia zyrtarisht nuk ekzistonte, por 70 % e popullsisë që vazhdonte të përjetonte epokën e bujkrobërisë, ku vendin e skllavopronarëve e kishin zënë kryetarët e sekretarët, punonte “që tek lind e deri sa perëndon”, për t’u shpërblyer, në rastin më të mirë me një bukë gruri dykilëshe. Përsa i përket “klasës punëtore”, apo “inteligjencës popullore”, mjafton të kujtohet se për të blerë një televizor të thjeshtë, nuk mjaftonte rroga e 7-8 muajve apo dhe më shumë.

Konfliktet shoqërore dhe kriminalitetin e administronte vetë partia-shtet, nëpërmjet ideologjisë së saj enveriste dhe praktikës së saj staliniste. Lufta e klasave ishte motori kryesor që lëvizte makinën e përbindshme të partisë shtet, ishte kundërvënia e përjetshme ndërmjet dy pjesëve të të njëjtit trung, të banorëve të Shqipërisë. Diktatura e proletariatit ishte shprehja më e shëmtuar dhe më ogurzezë e krimit të institucionalizuar në pushtet, ishte mënyra më e madhe që populli shqiptar kishte provuar në historinë e tij mijëvjeçare. Arrestimet, ekzekutimet, dënimet me punë të detyruar, internimet gjysmëshekullore janë shfaqjet më makabre të krimit komunist, por për to zonja Hoxha nuk shprehet.

Për të, si për shumë të tjerë në Lindje e në Perëndim, këto të vërteta nuk duhen përmendur, japin bezdi, duhet të jenë pronë e së shkuarës, paçka se ata që i kryen krimet sot nderohen si dikur e ata që i pësuan ato vazhdojnë të jetojnë në geton e mjerimit e të përbuzjes. Por megjithatë një pyetje vjen e pavetëdijshme: a fle e qetë tashmë nga lartësia e tetëdhjetë viteve të saj, kohë bilanci e njeriut për gjithçka ka bërë e nuk ka bërë në jetën e tij? A i turbullojnë ëndrrat e saj fantazmat e mijra bashkëkombësve të saj, të masakruar e të vrarë nga sejmenët e të shoqit, të njohur ose të panjohur për të, kur e tregojnë me gisht si bashkëpunëtoren më të afërt të ‘Neronit të Shqipërisë’? Apo ndërgjegjja është kallajisur në një masë të tillë sa shprehja “Makbethi vrau gjumin…”, nuk ka asnjë farë kuptimi?

Gazetari i bën një pyetje provokuese me mjaft takt si mbas stilit të Biaxhit, të cilin zonja thotë se e pëlqen shumë: a do të bëjnë gjithçka që ke bërë pa u penduar? Përgjigja është shmangëse e shoqërohet nga një buzëqeshje që të kujton Mefistofelin. Ajo mundohet të përligjë e të paraqesë me ngjyra të çelura gjithçka të kohës së saj. Nuk është fryt i reminishencave të natyrës njerëzore, por bindje e patundur, e verbër, e padiskutueshme. Simbas saj, Shqipëria e Enverit ishte vendi i qetësisë, i punës, i pushimeve, i edukimit të njerëzve, i vlerave morale. Tani ajo ankohet se vlerat e kohës së saj nuk ekzistojnë më, se janë këmbyer me parametrat e një shoqërie kapitaliste, me të gjitha të metat e saj, me mafien, me pasanikët e rinj, me një sistem që i mëson njerëzit të mos bëjnë asgjë.

Ndofta ka diçka të vërtetë në pohimet e saj për Shqipërinë e sotme, por zonja duhet të ketë ndershmërinë të pohojë se nëse ka dukuri jo të mira në shoqërinë shqiptare sot, përgjegjësia nuk mund të shkarkohet nga njerëzit që u formuan në shkollat e saj marksiste, që drejtuan tranzicionin e që sot qeverisin vendin. Ajo flet me njëfarë përçmimi për ta, i akuzon se i janë nënshtruar të fuqishmëve të Perëndimit, në kundërshtim me Enverin që nuk e bëri një gjë të tillë, “prandaj e izoluan”. Zonja ka një kujtesë të shkurtër e harron ato që i shoqi ka shprehur në drejtim të të fuqishmëve të Lindjes, gjatë “mbretërimit” të gjatë të tij. Do të ishte e mjaftueshme të kujtohej shprehja: “Pa Jugosllavinë e marshallit Tito, Shqipëria nuk jeton dot asnjë ditë”.

Vërejtjes me gjysmë zëri të gazetarit se: “jeni izoluar vetë”? ajo i përgjigjet me një shpërthim krenarie, që na kujton tribunat e kongreseve të partisë së saj dhe një sërë artikujsh e letërsie që kishte në boshtin e saj idenë e “qëndresës” ndaj revizionizmit. “Jemi prishur më parë me Moskën e pastaj me Pekinin sepse, ishim komunistë koherentë e jo revizionistë…”! Zonja Hoxha nuk mund të dalë nga korniza e vetvetes.

Paradoksal është fakti se për të koha qëndron në vend, njerëzit janë të sklerotizuar e të gatshëm të pranojnë e të gëlltisin gjithë broçkullat që ajo ende vazhdon të serirë. Ajo kujton se shqiptarët, nuk e dinë se shkaku i vërtetë i prishjes së marrëdhënieve me Kremlinin e Hrushovit, nuk ishte ai ideologjiku, e ashtuquajtura “ruajtje e pastërtisë së doktrinës”, që në vetvete shpreh një koncept absurd e pa vlerë, por thjesht çështje interesi vetjak, mbajtja e kolltuqeve dhe e timonit të drejtimit të Shtetit shqiptar.

Mosmarrëveshjet me Hrushovin lindën atëherë kur ky i kërkoi dy udhëheqësve kryesorë të Shqipërisë të lironin postet, në përputhje me strategjinë e ndërrimit të udhëheqjeve staliniane në ish vendet socialiste. Për hir të ruajtjes së atyre pozitave, nuk u ngurua të mbytej që në lindje çdo nismë liberalizimi e jetës së partisë – shtet e të vendit, çdo përpjekje hapjeje ndaj botës, zhvillimit e ndryshimeve të saj. Pasojat e një politike të tillë katastrofale qenë mbrapa-mbetja e theksuar ekonomike e kulturore, varfërimi i popullsisë, terrori shtetëror e përndjekja e pashembullt, sakrifikimi i dy brezave në altarin e marrëzisë e të absurditetit.

U mbulua kjo e vërtetë tragjike për më shumë se një të katërt shekulli me pluhurin e demagogjisë vetero-komuniste e dogmave të një kinse kombëtarizim skajor e shterpë. Çuditërisht edhe sot, zonja Hoxha mendon se janë të vlefshme përsëri ato argumente, për t’i servirur publikut italian. I bashkon ato me shprehjet e konsideratës për TV italian, për Biaxhin, Vespën apo Kostancon, për Amaton apo Bertinotin, pa patur kurajën të thotë se kur bënte ligjin burri i saj, shqiptarët shkonin në burgje edhe vetëm pse kishin parë e komentuar emisionet televizive të RAI-t.

Zonja me të drejtë shpreh urrejtjen për Millosheviçin dhe kënaqësinë për arrestimin e tij, mbasi duhet të përgjigjet për krimet e kryera. Ajo kujton masakrat serbe mbi shqiptarët e Kosovës, por harron se burri i saj dhe partia e tij, dhanë urdhër ose pranuan në heshtje të vriteshin bashkatdhetarët e tyre antikomunistë në Kosovë e Shqipëri, njëlloj si diktatori serb. Ndoshta ndryshimi ndërmjet dy diktatorëve qëndron në motivimin e krimeve të tyre. Ndërsa Millosheviçi i shërbeu me të gjitha mjetet strategjisë së vjetër pan serbe të Stefan Dushanit e pasardhësve të tij, Enver Hoxha dhe ata që e pasonin, e goditën si reaksionare e armiqësore ëndrrën e Rilindasve për, një Shqipëri “qysh prej Tivarit deri në Prevezë”, duke ligjësuar krimet e tyre në emër të triumfit të plotë të komunizmit mbi gërmadhat e “botës së vjetër”.

Janë lot krokodili ata që derdhen për të mërguarit që, si mbas zonjës Hoxha, “kanë vënë dinjitetin dhe krenarinë e të qenit shqiptar nën këmbë” dhe tingëllon e rreme përpjekja për t’i marrë në mbrojtje, ndaj një opinioni të shtypit që i paraqet, pothuajse gjithmonë, në një ngjyrë të errët. Ata që kanë ushqyer krijimin e këtij opinioni, në Itali e gjetkë, janë prodhim i kuzhinës së zotit Hoxha, i asaj shoqërie ku bënte ligjin dhuna dhe paligjshmëria e, ku duhej të respektohej më shumë partia dhe Enveri, sesa Perëndia dhe prindi. Shqipëria që la mbas vetes epoka e zonjës Hoxha, është vendi që nuk i garanton asgjë qytetarëve të saj, pra hemorragjia shqiptare është një pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj dukurie.

Ajo mbart në vetvete ndonjë faktor pozitiv por dhe rrezikun e madh e shqetësues të zbrazjes së Vendit nga pjesa më e gjallë e më e aftë e tij. Kjo nuk e shqetëson zonjën, ajo vazhdon të ëndërrojë ringjalljen e komunizmit. Ai mbetet për të leitmotivi i të qenit, synimi absolut, shpresa e përjetshme. Gërmadhat e ngrehinës së komunizmit nuk ekzistojnë për të, njëqind e tetëdhjetë milion viktimat e tij në shekullin e shkuar, nuk i përkasin, atdheu i gjymtuar nuk i sëmbon ndërgjegjen. Ajo vazhdon të delirojë, të jetojë në vetvete atë ëndrrën makabre të revolucionit botëror, që do të fillojë, shpreson, në zemrën e botës kapitaliste, në Nju Jorkun e statujës së Lirisë. Gazetari italian e le zonjën e nderuar në botën e saj sureale, në të cilën koha është ndalur në orën iks, ku çuditërisht “veprat” e Enverit, ja kanë lëshuar vendin ditareve të Gramshit.

Duke mbaruar së lexuari artikullin, më erdhi ndërmend një frazë nga një libër kujtimesh i një zonje tjetër, zonjës Selfixhe Broja: “Për ato që i kemi bërë ne popullit shqiptar s’na mbetet tjetër veçse të lagemi me benzinë e t’i vemë flakën vetes”. Dy ish – shoqe, ish – bashkëluftëtare të një ideali. Njëra mbeti në kolltukun që i dhuroi “revolucioni”, ndërsa tjetra përfundoi në radhët e pafund të viktimave që shkaktoi “realizimi i idealit”.

Dy botë mendimesh të kundërta: njëra e aftë të dëgjojë zërin e ndërgjegjes së vrarë e burrërisht të pranojë dështimin dhe mungesën e vlerave të idealit, tjetra e pa zonja të ndryshojë, të kthjellohet, të pendohet, të kuptojë humnerën së cilës vazhdon t’i shërbejë deri në ditët e fundit. Njëra akreditohet nga kolonat e gazetës ‘Koriere dela Sera’ që, në kundërshtim me etikën e një organi të pavarur si zëdhënëse e opinionit publik të një vendi demokratik, nuk pranon të botojë replikat për artikullin. Tjetra mbetet e panjohur nga ky opinion, mbasi përfaqëson vetëm një numër, një në morinë e pafund të viktimave të komunizmit që, fatkeqësisht, për botën italiane të informacionit, nuk kanë asnjë vlerë.(Memorie.al)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *