“Vitet e mia në Shkodër”, Nasho Jorgaqi feston sot 90-vjetorin e lindjes: Kujtimet e tij të pabotuara
Nga Nasho Jorgaqi
Pjesë nga kujtimet e pabotuara të shkrimtarit
“….Në shkollë u paraqita që të nesërmen e ardhjes në Shkodër. I rreshtuar në grupin e konviktorëve, siç ishte rregulli, kaluam duke kënduar nëpër “Rrugën e Madhe”, për të mbërritur më pas në oborrin e gjimnazit, i cili gjendej në mes të qytetit. Godina e gjimnazit, një ndërtesë impozante, ishte ngritur prej turqve për të shërbyer fillimisht si kazermë ushtarake, më pas si seli e administratës turke, për t’u kthyer pastaj në shkollë.
Kish qenë një herë shkollë popullore laike, pastaj shkollë qytetëse dhe vetëm në tetor të v.1922, me rimëkëmbjen e shtetit shqiptar, ishte ngritur aty gjimnazi me degë klasike dhe normale, falë kërkesave këmbëngulëse të rretheve intelektuale shkodrane. Nga sa do të mësoja më vonë, shkolla ishte quajtur fillimisht Gjimnazi shtetëror, pastaj Liceu “Gjergj Fishta”, për t’u pagëzuar në v.1947, në kohën kur unë u ula në bankat e tij, Gjimnazi “29 nëntori”.
Gjimnazi i Shkodrës, sic e thërrisnin, kish bërë histori si një nga institucionet më serioze të arsimit shqiptar. Në analet e tij ishin emrat e drejtorëve, figura të arsimit e kulturës sonë, si Mirash Ivanaj, Aleksandër Xhuvani, Xhevat Korça, Anton Deda, Kolë Kamsi, Mark Ndoja, Skënder Vila e të tjerë, kurse nëpër auditore ishin dëgjuar zërat e Kostaq Cipos, Eqerem Çabejt, Skënder Luarasit, Pashko Gjeçit, Filip Fishtës, Simon Rrotës, Kolë Ashtës, Gaspër Palit e sa e sa të tjerëve.
Kujtoj që, me të vënë këmbët në shkollë, nisa të vërtitesha nëpër korridoret e mugëta për të gjetur sekretarinë. Ndërsa nxënësit u futën në klasa, unë kreva regjistrimin me ndihmën e një gruaje të mirësjellshme e të hijshme, që më foli me një shkodranishte, që më tingëlloi shumë ëmbël.
Aty mora vesh se e drejta e studimit më kish dalë në degën normale, pra, atë të mësuesisë, e cila funksiononte brenda gjimnazit. Më erdhi krejt e papritur, ndaj u preka dhe kundërshtova me arsyetimin se isha letrar i ri dhe se kisha ardhur të studioja në gjimnaz. Ajo buzëqeshi dhe më tha: “S’ka gajle, mos i ven kasavet vedit, se dhe në degën normale bahet letërsi bukur fort. Mandej, sa me e ditë ti, dega asht caktue zyrtarisht dhe unë s’kam gja në dorë. Boll të kesh talent, se, sa për mësimet, janë të njinjishme, veç ju të degës normale keni dhe disa landë pedagogjike”.
Duke më zgjatur një copë letër, ajo më tha: “Do të ndjekësh klasën e parë A, të cilën e ke në kët kat, në fund të korridorit, djathtas. Mund të shkosh e të paraqitesh qysh tash”.
Me zemër të thyer kalova nëpër korridor dhe trokita në derën e klasës. Pa pritur dera u hap dhe unë u gjenda në klasë përpara mësuesit, që m’u duk sikur kishte qenë pas dere. Pa fjalë i zgjata copën e letrës, së cilës ai i hodhi një vështrim të shpejtë e më tha: “Vonë djalosh, vonë! Ulu andej nga fundi, se kenke dhe i gjatë”.
Kalova i hutuar midis bankave e s’po dija ku të ulesha, pasi e gjithë klasa ishte me vajza. Vetëm dy banka qenë me djem dhe ishin ata që më bënë vend. U ula dhe fillova të dëgjoja vazhdimin e mësimit, që kish të bënte me historinë e Ilirëve. Ndërsa të gjithë mbanin shënime në fletore, shoku në krah më pëshpëriti: “A prej Toskënije po vjen?”.
U hutova për një çast nga pyetja e çuditshme, por pastaj pohova me kokë pa ia ndarë sytë mësuesit, që shpjegonte.
Kur mbaroi ora e mësimit, të gjithë u ngritën në këmbë, por unë nuk lëviza nga vendi. Në klasë kishte shpërthyer ndërkaq një zhurmë e hareshme, kurse para syve të mi po shkëmbeheshin fytyra e trupa vajzash aq të hijshme e të gjalla sa nuk po përqëndrohesha dot. Papritur m’u afrua njëra prej tyre, një vajzë hollake, me sy të zinj dhe tepër e shkathët, e cila më zgjati dorën lirshëm duke më thënë: “Mirëse na keni ardhë! Unë jam Terezina. E ju kush jeni?”.
I thashë emrin, kur sakaq u afruan dhe të tjera e më dhanë dorën, ca gazmore e ca serioze, por të gjitha të lirshme, sikur të njiheshim prej kohësh. Atë çast m’u kujtuan shoqet e klasës të qytetit nga kisha ardhur, dhe vrik bëra krahasimin. Ato që kisha lënë pas, ishin të përmbajtura e të ndrojtura, të veshura shumë thjeshtë, kurse këto, të afrushme, komunikuese, me fytyra të qeshura e të veshura me rroba të modës. Ishte një pamje, që jo vetëm nuk më është shuar, por e kam ende mjaft të gjallë edhe sot e kësaj dite.
Nisëm të shkëmbenim biseda të shkurtra, që shpejt ma ndryshuan humorin e më çelën duke më zgjuar një hare të brendshme, që, i druajtur sic isha, përpiqesha t’a përmbaja.
Me këtë humor të mirë u ktheva në konvikt, në oborrin e rrethuar me mure të larta të të cilit, konviktorët prisnin të vinte ora që të hynin në mencë. Me ta u bashkova dhe unë, kur m’u afrua Kristuli, një shok nga Fieri, dhe më pyeti: “Hë, si vajti sot dita e parë?”. I tregova me entuziazëm për atmosferën e klasës, por iu ankova për degën. Ai ia plasi gazit. “Ore, po qenke allasoj ti! Po ka më mirë se në klasat e pedagogjikes, mbushur me vajza të bukura? Sa për degën, s’ke pse qahesh, se, fundi, merr një zanat, kurse ne të gjimnazit një copë dipllomë marim”.
Unë bëra sikur buzëqesha dhe nuk e zgjata, sepse nuk desha t’i hapesha plotësisht e t’i thosha se nuk doja të bëhesha mësues, por letrar. Me siguri, po t’i hapesha, ai do të tallej, siç e kish zakon. Ra kambana dhe të gjithë u drejtuam për nga menca. “Hajde,- më tha shoku,- shkojmë e hamë atë pjatën me lakra, se të tjerat i lamë në shtëpinë tonë”.
***
Do të më duhej të mësohesha me jetën e re, që, këtej e tutje, do të ndahej mes konviktit e shkollës, në një qytet si Shkodra, që dallohej aq shumë jo vetëm nga Fieri, qyteti i vogël prej nga vija, por edhe nga pjesa më e madhe e qyteteve të tjera të Shqipërisë.
Unë, adoleshenti ca i përkëdhelur e me një natyrë disi individualiste, do të duhej të përshtatesha tashmë me jetën e konviktit, asaj “shtëpie” të madhe të populluar nga të rinj me formime, edukatë, zakone dhe mentalitete nga më të ndryshmet, shumica të panjohur për mua. Në një sallë të madhe me 20 e ca vetë, që të kujtonte pavionet e spitaleve apo kapanonet e ushtrisë, do të bija e do të zgjohesha çdo darkë e mëngjez për katër vjet rresht nën çangën e kambanave.
Do t’ia nisja kështu jetës kolektive dhe do të harroja jetën e çlirët familjare. Do të bëhesha pjesë e një komuniteti të trazuar për nga prejardhja: të rinj të mbërritur nga lufta, djem dhe vajza nga jetimoret, ish-kadetë nga shkolla ushtarake, të rinj të zgjedhur me kritere politike, komunistë, të rinj komunistë, të rinj antifashistë etj. Edhe unë, prej dy vjetësh, militoja si i ri komunist, por ne e kishim të ndaluar ta tregonim këtë. Të fshehta i mbanim edhe mbledhjet, të cilat zhvilloheshin ilegalisht, në vende dhe orë, që të mos diheshin nga të tjerët.
Në vitet e para të çlirimit Partia dhe Rinia Komuniste vazhdonin të ishin ilegale, njësoj si në kohën e luftës, një përvojë kjo, mesa duket, e marrë nga jugosllavët.
Kisha mbërritur në Shkodër në vjeshtë, kur kishin filluar shirat të shoqëruar me erëra të forta dhe të ftohtë. Konvikti më ngjante më tepër si një manastir, me ato muret e larta e të trasha, mjediset e mbyllura, korridoret e mugëta dhe diellin e paktë. Por ajo që do të ma lehtësonte njëfarësoj peshën e tij, ishte gjallëria dhe atmosfera gazmore, që kishin sjellë konviktorët djem dhe vajza ardhur nga gjithë Shqipëria.
Fillimisht shoqëria ime në konvikt përbëhej nga fierakë, por më vonë u njoha dhe u miqësova edhe me të tjerë, ndër të cilët me Mehmet Myftiun nga Tirana dhe Burhan Çirakun nga Vlora. Ishim afërsisht të një moshe, por në klasa të ndryshme. Mehmeti kish ardhur me një emër të njohur si ish-debatikas aktiv dhe i internuar gjatë luftës në kampin nazist të Prishtinës.
Qe një djalë i zgjuar, gjithë temperament, i gojës, shumë i lexuar dhe i njohur si letrar i ri e i talentuar. Do të afroheshim shumë dhe do të kisha mjaft ç’të mësoja prej tij. Kurse Burhani kish një natyrë e formim tjetër. Ishte i qetë, fjalëpak, i matur dhe serioz. Vinte nga Vlora, ku kish qenë ca kohë mësues fshati, dhe sillte një përvojë jete, që unë ia çmoja. Në rrethin tim do të hynin edhe letrarë të tjerë të rinj, si Dhori Qiriazi, Bardhyl Erebara, Shaban Vani etj., me të cilët do të më lidhte letërsia e leximet si dhe fakti që botonim të gjithë shkrime në shtyp.
Shoqëritë që krijova, ma zbutën vetminë, ma davaritën mallin për shtëpinë, i cili nuk më rëndonte më si më parë, dhe më ndihmuan të integrohesha në jetën e konviktit. Tani isha një konviktor i vërtetë, madje jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
Me kalimin e ditëve do të njihesha më mirë e do të afrohesha më shumë edhe me shokët e klasës. Për këtë do të më ndihmonte përsëri Terezina, vajza energjike dhe e qeshur. Një ditë, në mbarim të orës së fundit, ajo u ngrit në këmbë dhe thirri:
“Uluni dhe prisni, se kam dy fjalë me ju thanë”. Teksa ne u ulëm, ajo qëndroi në këmbë para katedrës dhe nisi të flasë: “Jam e gëzuar që na ka ardhë nji nxanës i ri në klasë. Emnin e ka Nasho, nji emën i pandigjum. Vjen nga Toskënija, s’di prej kah, por kjo s’ka randsi. Duket djalë i urtë e asht simpatik, por s’dimë se ç’asht vërtetë. Lutim zotin të jetë i mirë, siç ka sytë, dhe e urojmë prej zemre, me kambë të mbarë shokun Nasho!”.
Shpërthyen duartrokitjet dhe plasi një gaz, që unë s’po dija si ta merrja. Ndërkaq u ngrita në këmbë dhe s’mbaj mend fare se ç’thashë.
Klasa ime, përvec meje që isha konviktor, përbëhej vetëm nga shkodranë: tre djem, Et’hemi, Ismeti dhe Xheladini, kurse të tjerat, të gjitha vajza. Shumica e tyre qenë fëmijë ish-tregtarësh të mëdhenj, ish-oficerësh, ish-funksionarësh kuislingë, të arratisurish e të dënuarish politikë. Kuptohet që qëndrimi i tyre ndaj pushtetit të ri ishte shumë i ftohtë e armiqsor, cka shfaqej në mënyra të ndryshme. Në fillim këtë gjë do ta ndjeja, kurse më vonë do të ballafaqohesha hapur.
Në mbledhjet e rinisë na porosisnin që të tregoheshim të kujdesshëm e të vëmendshëm me këtë shtresë, po, nga ana tjetër, unë isha një natyrë e butë, që vija nga një familje qytetare, me një baba gjykatës, që gjithë jetën kish mbrojtur të drejtën e të vërtetën e me këtë frymë na kish edukuar edhe ne fëmijët.
Në klasë kisha bashkënxënës të zot, të zgjuar e të përgatitur aq sa muajin e parë ndjehesha disi inferior. Frika se mund të turpërohesha, detyrimi ndaj prindërve, por akoma më shumë ndaj shtetit, që më kishte dhënë bursën, të cilën duhej ta justifikoja, më zgjuan sedrën e më bënë të mobilizohesha. Shëmbulli i më të mirëve, më nxiste.
U afrova me Et’hem Bakallin, që ishte djalë i zgjuar, me vullnet dhe sistematik, por dhe me Dorotean apo Dorin, sic e thërrisnim, një vajzë simpatike e serioze, fjalëpak dhe e mbyllur, por tepër e sjellshme dhe e hijshme. Kaluan kështu muajt e parë me ditë të ngarkuara me mësime pa fund e të vështira. Profesorët ishin të përgatitur e kërkues. Frika ime qenë lëndët e shkencave të natyrës, ku kisha çaluar që në unike, kurse ato ku dallohesha, ishin shkencat humanitare, veçanërisht letërsia. Në klasë nuk e dinin që shkruaja dhe botoja në shtyp, kurse në konvikt kisha emër si letrar i ri.
Por erdhi një ditë që edhe në gjimnazin tonë u krijua rrethi i letrarëve të rinj, ku isha unë dhe Et’hemi nga klasa. Do të dilte një gazetë letrare muri, me kryeredaktor Shaqir Prizrenin, një nga drejtuesit e rinisë së gjimnazit, maturant, i cili shkruante vjersha. Shaqiri më futi edhe mua në redaksi, cka më bëri të aktivizohesha dhe të bëhesha i njohur përmes shkrimeve letrare në gazetë. Në faqet e saj do të botoheshin skica letrare, vjersha, tregime të shkurtra nga Mehmet Myftiu, Et’hem Bakalli, Dhori Qiriazi, Bardhyl Erebara, Fadil Kraja etj.
Për fat të keq, nuk kishim asnjë profesor shkrimtar, siç kishin qenë më parë Gaspër Pali, Mark Ndoja, Kolë Ashta e ndonjë tjetër. Profesorët tanë qenë më shumë studjues të letërsisë, të gjuhës e të folklorit, si Kolë Kamsi, Jup Kastrati, Fadil Podgorica, Luigj Franja etj.
Unë asokohe vijoja të shkruaja vjersha, ku, më shumë sesa talenti i vërtetë, këndonte mosha. Kisha filluar të shkruaja edhe skica letrare e ndonjë tregim të shkurtër, që ua kaloja dorë më dorë letrarëve të rinj të konviktit. Profesorëve të letërsisë nuk guxoja t’ua jepja, por ata çmonin hartimet e mia, sa ndonjë i lexonte edhe përpara klasës.
Krijimi i parë letrar në jetën time si gjimnazist, që u botua, ishte vjersha “Dhe sot atje ndihet kënga e punës”, i cili doli në gazetën “Letrari” në Tiranë. Gëzimi im ishte i papërshkruar, pasi kësaj here krijimi nuk ishte botuar te “Pionieri” apo “Rinia”, por në një organ të mirëfilltë letrar. Atë të dielë gazeta do të kalonte dorë më dorë në konvikt, ku të gjithë më uruan.
Kurse në klasë, me përjashtim të disa fjalëve të mira të Et’hemit e të Dorit dhe përgëzimeve formale të disa të tjerëve, dy nga vajzat hokatare, Terezina dhe Luçi, bënë shaka me vargjet e mia, ku i këndoja tharjes së një kënete në Myzeqe. Ato nuk e konceptonin dot se si mund të shkruheshin vjersha për këneta, megjithëse u thashë që tharja e kënetës shpëtonte njerëzit nga malarja dhe se unë vetë isha një nga viktimat e asaj sëmundjeje. Atyre jo vetëm s’u bënë përshtypje fjalët e mia, po vazhduan të gajaseshin.
***
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga fillimi i vitit shkollor, kur u thirr një mbledhje me të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollës në palestrën e saj e ku drejtori i gjimnazit foli për situatën politike duke treguar se “forcat e mundura”, “mbeturinat e reaksionit”, “pinjollët e familjeve të deklasuara” “kërkonin të helmonin atmosferën e shëndoshë të gjimnazit me parrulla dhe akte armiqësore”.
U vendos që disa nga “elementët e rrezikshëm” të përjashtoheshin nga shkolla jonë si dhe nga të gjitha shkollat e Republikës. Në një heshtje varri drejtori lexoi emrat e njëzet e ca të përjashtuarve, djem e vajza, ndër të cilët dhe emrin e një vajze të klasës sime, e bija e një ish- funksionari fashist të pushkatuar.
Ata u ngritën për të dalë jashtë nën thirrjet e sallës “Poshtë armiku”, “Rroftë Partia Komuniste”, “Rroftë Republika Popullore”, “I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve”. Disa nga konviktorët, rrallë dhe ndonjë shkodran, kur të ndëshkuarit kalonin para tyre, i shanin ose i qëllonin me grushta e shkelma. Unë, që kisha në krah Et’hemin, rrija si i mpirë dhe i tronditur, pasi ishte hera e parë që përballesha me skena të tilla dhune.
Në janar të vitit 1948 erdhi në konviktin tonë nga Tirana, Korça, Elbasani, Gjirokastra, por dhe nga Shkodra, një kontingjent prej 70 studentësh komunistë, shumica nxënës të viteve më lart, për të përmirësuar përbërjen politike të gjimnazit dhe për të forcuar punën që duhet të bënte partia me rininë gjimnaziste të Shkodrës.
Natyrisht, ne konviktorët e vjetër e mirëpritëm ardhjen e tyre jo vetëm pse u shtuan radhët tona me të rinj të zgjedhur e të dalluar në mësime e me përvojë politike, por edhe pse u gjallërua e u pasurua jeta e konviktit. Mbaj mend që nga konviktorët e rinj, me të cilët u afrova dhe nisa të shoqërohesha, ishin Elmaz Leka nga Tirana, Anesti Boçka nga Korça, Shaban Baxhaku nga Elbasani etj. Më pëlqente të rrija me shokë më të rritur se vetja, që të përfitoja nga përvoja dhe pjekuria e tyre.
Ndër konviktorët e ardhur rishtas kishte dhe kuadro me përvojë të organizatës së rinisë, të cilët, me riorganizimin politik që u bë, u zgjodhën në poste drejtuese. Një prej tyre ishte Peço Fidhi, ish-partizan që vinte nga Gjirokastra, i cili u caktua në krye të organizatës së rinisë së gjimnazit. Ai ishte inteligjent, energjik, i gojës, por dhe shumë autoritar e i rreptë.
Peçoja u bë figura kryesore e gjimnazit, duke ia kaluar dhe drejtorit të me pushtetin që kishte dhe rreptësinë deri në arrogancë që tregonte, aq sa na ngjallte frikën. Me dorë të hekurt ai arriti ta stabilizonte shpejt situatën e gjimnazit. Një ditë më thirri e më kritikoi rëndë për një informacion, që sapo kisha botuar në gazetën “Letrari i ri” mbi krijimin e rrethit të letrar të gjimnazit tonë. “Ç’është kjo që ke shkruar, more djalë?! Rrethin letrar s’e ke krijuar ti, po organizata e rinisë. Ti ke përvetësuar meritat e saj, prandaj duhet të bësh autokritikë para rrethit letrar. Unë nuk e kam lexuar shkrimin, po kështu më kanë informuar shokët”.
Unë shtanga dhe u përpoqa t’i shpjegoja të vërtetën, pra, që redaksia, duke e shkurtuar shkrimin tim, kishte lënë vend për keqkuptime. Pas disa ditësh më thirri përsëri në zyrën e tij e më tha: “E lexova, por je treguar qerrata, se e kishe shkruar me dy kuptime. Duhet të shpreheshe më qartë e më saktë, se rrethi letrar s’është çifliku yt, por hallka e organizatës së rinisë. Më vjen keq, se je dhe nxënës i mirë, por kujdes për herë të tjera”.
Për fat të mirë, të ardhurit e rinj ishin ndryshe. Nga radhët e tyre do të dilnin më vonë studiues, shkrimtarë, profesorë, mjekë e inxhinjerë të talentuar, si Shaban Baxhaku, Alfred Uçi, Shyqyri Ballvora, Mehmet Myftiu, Luan Babameto, Vangjush Gambeta, Drago Siliqi, Hajro Shyti, Përparim Tepelena etj.
Me të rinjtë erdhën në klasën time edhe tri vajza nga jetimorja e Tiranës, Sabaheti, Antigoni e Vangjelia, një djalë nga Elbasani, Kadriu, si dhe Meno Xhuveli nga Tragjasi i Vlorës. Ardhjen e tyre e mirëprita, pasi këtej e tutje unë nuk do të isha i vetmi konviktor i klasës. Nuk kaloi shumë, kur një ditë u kërkua me urgjencë mbledhja e organizatës së rinisë. Kishte ardhur edhe një i deleguar, i cili, përpara se të niste mbledhja, më mori mënjanë e më kërkoi prerë të jepja dorëheqjen si sekretar rinie i klasës, ndonëse unë isha zgjedhur në atë post me votën e shokëve.
Pasi njoftova dorëheqjen, shumë prej tyre e kundërshtuan. U zhvillua për këtë një debat, të cilin e ndërpreu i deleguari. U hodhën atëherë në votim të fshehtë disa kandidatura për byronë, mes tyre dhe emri im, nga e cila do të zgjidhej sekretari. Në fund rezultati tregoi se shumica kishin votuar për mua, por papritur, me propozim të të deleguarit, pa përfillur votat, sekretare u caktua Sabaheti, e cila ishte anëtare partie.
Pas disa javësh më hoqën edhe si kujdestar i klasës duke ia ngarkuar këtë detyrë Menos. Kësaj radhe u revoltova seriozisht dhe në mbledhjen e organizatës së rinisë komuniste e konsiderova këtë si padrejtësi që më bëhej, ndërkohë që kisha treguar korrektësi në detyrë. Atëherë i deleguari doli hapur duke më akuzuar se isha treguar liberal, nuk kisha patur vigjilencën e duhur dhe e kisha lënë armikun të hidhte valle.
U vrava shumë shpirtërisht, pasi ndihesha i pavlerësuar e i shpërfillur nga drejtuesit e rinisë, ndërkohë që detyrat e ngarkuara i kisha kryer me ndërgjegje. Fjalët e Metit, shokut tim, se nuk i kishte hije një të riu komunist si unë që ta humbte toruan, u duk se më qetësuan disi.
***
Në vitin 1949 konvikti ynë u transferua në Kuvendin e Jezuitëve, po në lagjen katolike. Ai ishte më i madh dhe kishte pranë kishën, si dhe ndërtesën e “Kolegjit Saverian”, themeluar në vitin 1877. Aty kishin mësuar të rinj katolikë, por edhe nga besime të tjera, ndër të cilët Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Frederik Shiroka, Hilë Mosi, Injac Zamputi, por dhe Faik Konica, Qemal Stafa, Selaudin Bekteshi etj.
Në këtë kolegj, institucioni shkollor më i rëndësishëm e më me nivel në historinë e arsimit të Shkodrës, kishin dhënë mësim figura të shquara, si Ndre Mjeda, Justin Rrota, Mark Harapi etj. Për fat të keq, me reformën arsimore të vitit 1933, kolegji kishte pushuar së funksionuari. Pas çlirimit, me ligjet e pushtetit të ri, Kuvendi i Jezuitëve qe mbyllur dhe gjithë trashëgimia e tij kishte kaluar në përdorim për nevojat e arsimit popullor.
Ne, pa e njohur fare historinë e asaj trashëgimie, u bëmë banorë të tij. Ishim të gëzuar që u vendosëm në këto ambiente me hapësira të gjera e plotë dritë, me një oborr të madh dhe kushte shumë më të përshtatshme jetese dhe studimi. Në konviktin e ri kishim më shumë frymarrje dhe liri lëvizjeje krahasuar me “Manastirin” e Motrave Stigmatine.
Etërit jezuitë na kishin lënë edhe një sallë të madhe në krah të kolegjit, që quhej Salloni i Kolegjit, në të cilin jepeshin koncerte dhe shfaqje teatrale. Dhe ne të ardhurit qemë të lumtur që sallonin e kishim në prag të derës. Pikërisht në sallën e kolegjit do të kisha fatin e madh të dëgjoja e të shihja koncerte dhe shfaqje teatrale, prej të cilave pasurova formimin tim artistik.
Shkodra dallohej për grupet e shumta amatore të muzikës, teatrit dhe folklorit. Do të bëheshin të njohur e të dashur emrat e artistëve si, Adem Kastrati, Zef Jubani, Tano Banushi etj. Shkodra do të rrezatonte art e kulturë, pavarësisht nga situata dhe tensionet politike. Promotor i kësaj atmosfere artistike ishte edhe Shtëpia e Kulturës e qytetit, e cila qe vendosur në një ndërtesë të madhe, të hijshme, me një kopsht të madh plotë lule e drurë zbukurues, rrethuar me mure të larta, që dikur kish qenë selia e Konsullatës italiane.
Asokohe unë u bëra dëshmitar edhe i ngritjes së teatrit profesionist të Shkodrës, nga i cili do të shihja disa shfaqje me vepra shqiptare e të huaja. Në atë kohë njoha regjisorin e shquar Andrea Skanjeti, një mjeshtër i teatrit, e më vonë dhe shkrimtar e studiues. Ishte një fat e mrekulli për mua dhe shokët e brezit tim që kishim ardhur në këtë qytet magjik, i cili jehonte nga muzika dhe gazi e humori i papërsëritshëm në një kohë herë-herë dhe me re të dendura e stuhi.
***
Gjatë katër viteve të shkollimit në Shkodër, vendet e mia më të preferuara ishin libraritë dhe biblioteka publike. Mendja më rrinte gjithnjë te librat. Edhe kur u nisa nga shtëpia, mora me vete disa libra nga biblioteka jonë modeste, midis tyre Vargjet e lira të Migjenit, sikur ta dija se do të shkoja në Shkodër, ndërkohë që bursa më kish dalë për në Tiranë.
Mbaj mend që, një ditë, kur dola nëpër qytet me një nga shokët e mi shkodranë, u vura në kërkim të librarive. Kaluam nëpër Rrugën e Madhe dhe atje hymë në një nga libraritë shtetërore, që kish më shumë libra politikë se letrarë. Për aq sa qendruam, nuk pamë ndonjë njeri të blinte libra.
Dolëm që andej dhe, aty nga mesi i Rrugës, pamë një kioskë me libra në vitrinë. Kjo ishte libraria private Nikshiqi. I zoti i librarisë, një mesoburrë me mustaqe, na buzëqeshi dhe u ngrit në këmbë për të na shërbyer. Kishte kryesisht botime të vjetra dhe, me sa kuptova, ishte librari bukinistike. Vura re vepra të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Vincenc Prenushit dhe kryesisht literaturë fetare. Më tërhoqi vëmendjen, ndër të tjera, vepra e Pjetër Bogdanit Cuneus Profetarum, të cilën e bleva, pasi qe një autor, që e bënim në shkollë. Atë libër e ka sot në bibliotekën e saj ime bijë, Kristina, që është gjuhëtare.
Nga letërsia e re më zuri syri vetëm dy vepra: Si naltohet katundi, novelë e Kolë Jakovës, dhe Shtigje drite, libër me poezi nga Vehbi Bala, të dy autorë shkodranë të dalë nga Lufta. Vijuam pastaj rrugën për te Dugajt’ e reja, ku pamë libraritë private Broja dhe Laçaj, që kishin ekspozuar poemën Scodra të Ndre Mjedës, Zemra njerëzish të Injac Zamputit dhe Zani i zemrës të Frederik Shirokës. Kisha mbetur i zhgënjyer, pasi nuk e prisja që një qytet si Shkodra të kishte librari aq të varfra.
U vura atëherë në kërkim të burimeve të tjera të librave, por as gjimnazi dhe as konvikti nuk kishin asokohe bibliotekë. E vetmja shpresë mbetej biblioteka publike.
Një ditë e zbulova fare rastësisht bibliotekën publike. Ndodhej pranë gjimnazit tonë, buzë Rrugës së Madhe, e vendosur në ndërtesën e ish-Bashkisë. Hymë bashkë me shokun tim, Bardhyl Erebarën, edhe ai letrar, i ardhur nga Tirana në konvikt, që kish të njëjtin pasion për librin si unë. U futëm me droje, pa ditur se ku të drejtoheshim, por u hutuam edhe më shumë, sepse na u duk sikur kishim hyrë në një magazine të rrëmujshme, ku shiheshin vetëm togje librash të shpërndarë andej-këtej dhe rafte të zbrazura.
Siç do ta merrnim vesh më vonë, biblioteka publike po riorganizohej e po ngrihej me fondet e pasura të bibliotekës së njohur të urdhërit të jezuitëve dhe atij të françeskanëve, me fondin e bibliotekës së ish-Bashkisë, por edhe me libra, që shteti ua kishte sekuestruar familjeve të pasura të deklasuara.
Në gjëndjen që ndodhej biblioteka, ne vetëm sa u hodhëm një sy mjediseve, u dhamë dorën dy punonjësve të panjohur dhe u larguam. Ky do të ishte vec fillimi, pasi brenda një kohe të shkurtër u bëmë frekuentues të rregullt të saj falë edhe mirëpritjes dhe ndihmës së kualifikuar të dy bibliotekarëve, që shërbenin aty, Izet Bebeziqit dhe Teufik Gjylit.
Et’hem Bakalli do të na tregonte se Bebeziqi nuk ishte thjesht bibliotekar, por një studiues që kish kryer studimet albanologjike në Austri, nxënës i Joklit, poliglot dhe i njohur në shtyp për artikujt studimorë mbi letërsinë arbëreshe. Kurse Teufik Gjyli ishte shkrimtar i njohur për fëmijë, shok i ngushtë i Migjenit, me të cilin kishte patur dhe ruante një letërkëmbim të pasur.
Frekuentimi i bibliotekës nuk do të ishte një marrje-kthim i thjeshtë librash, por ai do të kthehej në një bashkëbisedim aq të dobishëm për letërsinë e dijen në përgjithësi. Nuk do ta harroj erudicionin e pasur të Bebeziqit, formimin e tij intelektual dhe gatishmërinë fisnike për të na ndihmuar ne dy gjimnazistë të panjohur.
Merret me mend se sa inferiorë e ndjenim veten, herë-herë dhe të turpëruar, përpara kulturës dhe dijes së tij, që na linte pa gojë. Ai jepte e merrte në 10-12 gjuhë dhe fillimisht na rekomandoi të lexonim libra në gjuhë të huaja, sidomos në rusisht, të cilën ne sapo kishim filluar ta mësonim në shkollë. Kur konstatoi se porositnim vetëm libra shqip, atëhere, edhe pse vazhdoi të na shërbente me mirësjellje, i kufizoi raportet me ne.
Vajtja rregullisht në bibliotekën publike do të vijonte përgjatë gjithë viteve që qëndrova në Shkodër, cka ndikoi shumë në formimin tim. Aty do të lexoja veprat kryesore të letërsisë shqipe, në radhë të parë ato të autorëve klerikalë, ndonëse gjuha e tyre nuk do të ishte e lehtë për mua.
U dashurova vecanërisht pas poezisë së Mjedës, i cili u bë poeti im i preferuar. Biblioteka më hapi shtigjet për të njohur edhe letërsinë e huaj të përkthyer në gjuhën shqipe, që gjendej në raftet e saj. Do të lexoja kësisoj vepra të Shekspirit, Khajamit, Servantesit, Ibsenit dhe Ibanjezit të përkthyera nga Fan Noli, veprat e Gorkit, Tolstoit, Çehovit të përkthyera nga Tajar Zavalani, vepra nga Balzaku, Dodeja, Kiplingu, Merimeja, Shileri, Turgenjevi, Mopasani, Pirandeloja etj. Ia di për nder Izet Bebeziqit, që më rekomandoi vepra të shquara të letërsisë së huaj të përkthyera nga autorë shkodranë, si Të fejuarit e Aleksandër Manxonit, përkthyer nga Mark Harapi, Quo Vadis të Sinkjevicit, përkthyer nga Vincenc Prenushi, Hermani e Dorotea të Gëtes, përkthyer nga Lazër Shantoja, disa këngë nga Iliada e Homerit përkthyer nga Frano Allkaj etj.
Kurse me ndihmën e Teufik Gjylit zbulova botën e shtypit shqiptar, sidomos revistat letrare e kulturore, që nisa t’i lexoja nëpërmjet koleksioneve, që kishte biblioteka, si Albania, Dituria, Përpjekja shqiptare, Bota e re, Revista letrare, Minerviva, Diana etj. Më pas më dha të lexoja edhe revista, që ishin botuar në Shkodër, si Cirka, Hylli i dritës, Leka, Zani i Shnandout e ndonjë tjetër.
Lidhjet e mia me bibliotekën u bënë të tilla që dija kur hyja, por nuk dija kur dilja. Bebeziqi dhe Gjyli u bënë mentorët e mi të bibliofilisë e bibliografisë duke më futur e orientuar në universin e librit. Ata u përpoqën të më jepnin disa mësime praktike të raportit tim si lexues me librin duke filluar nga zgjedhja e tij, si të pozicionohesha kur lexoja, praktikën e nënvizimeve, si të hartoja skedat e studimit, si të mbaja shënime në fletore etj.
E tëra kjo do të ishte një shkollë, që unë e bëra vetëm disa metra larg gjimnazit. Por një problem tjetër në betejën time me librin dhe shtypin që lexoja asokohe, ishin vështirësitë dhe pyetjet që më lindnin nga përballja me mendimet e shprehura në to. Në mendjen time atëhere mbizotëronte ideologjia dhe politika e kohës, që kthehej në një filtër dhe më shtynte të mos i pranoja të gjitha ato që lexoja.
Unë ndjehesha i radhitur nga ana e atyre forcave, që kishin luftuar “për një botë të re”, siç thuhej atëherë. Nuk ia dilja, megjithatë, t’i shmangesha joshjes, kurreshtjes e magjisë së mendimit, që vinte nga “kampi kundërshtar”. “Bota e armikut” gjente here pas here shtigje për të hyrë fshehtazi tek unë.
Atëherë mundohesha t’i mbushja mendjen vetes se mua më duhej ta njihja atë mendim përpara se të ballafaqohesha e t’i kundërvihesha kundërshtarit. Por nuk mund ta mohoj se përmes atyre leximeve unë pasuroja jo vetëm dijen, por dhe shpirtin, e bota më dukej më e madhe, më e thellë, dhe jeta më bëhej më e bukur dhe më interesante.
Shumë më vonë e quajta veten me fat që u ndodha në ato rrethana, sado që i besoja një “perëndie” tjetër! Dhe këtë mundësi ma dha Shkodra…”