24 Dhjetor, 2024

“Une e dua Erën”, filmi që theu tabutë dhe rrëfimi i Kujtim Prodanit si e krijoi muzikën aq të dashur

 “Une e dua Erën”, filmi që theu tabutë dhe rrëfimi i Kujtim Prodanit si e krijoi muzikën aq të dashur

Ishte viti 1991. Shqipëria kishte hyrë në rrugën e ndryshimeve. Sistemi i vjetër mëtonte të mbahej me thonj, por e kishte të pamundur.

Erën e ndryshimeve e kishin ndier të parët artistët. Ishin ata që herë pas here, edhe gjatë viteve më të ashpra të diktaturës, tentonin të sillnin diçka të re, një dritë shprese, pak shije perëndimi, që njerëzit i thithnin të etur.

Pikërisht në vitin 1991 do të shfaqej një film me një temë delikate, i patrajtuar më parë. Kush do të kishte guxuar që të fliste për marrëdhënien intime të një vajze të re me një burrë, ende pa lidhur fejesë, aq më keq për një shtatzëni, e cila nuk çonte drejt bashkimit të dy të rinjve? Mbi një skenar të Besa Myftiut, regjisori Albert Minga do të realizonte filmin “Unë e dua Erën”. Tema tepër e ndjeshme dhe thyerja e tabuve do të tërhiqte vëmendjen e publikut.

Po ashtu, loja e aktorëve Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Mevlan Shanaj, Tinka Kurti etj. Por ndoshta filmi nuk do të ishte aq i suksesshëm nëse nuk do të kishte pasur atë kolonë zanore aq të ndjerë. Kompozitori i saj, asokohe sapo kishte përfunduar studimet e larta për kompozicion dhe në sytë e profesorëve të tij ishte me të ardhme, jo sepse ishte i biri i dy emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare: Agim Prodani dhe Anida Take.

Mjeshtri Gjon Simoni kishte parë potencial tek ai dhe kur ua rekomandoi autorëve të filmit, nuk e bëri këtë sepse donte “t’i hiqte qafe”, por sepse besonte se djali i ri do ta gjente udhën e duhur.

Propozimi për të krijuar muzikën e këtij filmi ishte një befasi e bukur për kompozitorin, të cilin ai e rrëfeu kështu Kujtim Prodani, tashmë i ndjerë:

“NOSTALGJI”

“Ishte vjeshtë, 1990. Profesor Gjon Simoni, Mjeshtër i Shkollës së Orkestracionit, më ndalon në korridorin e Institutit të Arteve dhe më zgjat me dashamirësi rreth 150 fletë A4, të lidhura bashkë me kujdes.

Lexova në krye, “UNË E DUA ERËN, nga Besa Myftiu. Skenar filmi.

‘Hidhi një sy’, më tha ‘profja’.

Më mbuluan djersë të ftohta… duke menduar se kë kisha përballë. Maestro Albert Mingën nuk e kisha takuar kurrë më parë, i tregon prof. Gjonit skenarin dhe i kërkon që ai t’i kompozojë muzikën.

‘Jo, – i thotë profja, – nuk mundem për momentin, por do të të rekomandoj një djalë të ri, që sapo ka kryer studimet për kompozicion’.

U ula në piano… piano… piano… pianooooo. Nervozizëm, zero eksperiencë! (njëkohësisht punoja për filmin ‘NGJYRAT E MOSHËS’, të Piro Milkanit).

Dikur e pyet prof. Berti maestron se ç’bëhej me muzikën.

‘Edhe pak’, i përgjigjet ‘profja’. Vjen momenti. Ujë në djersë, ulem t’i tregoj në piano muzikën profesor Gjonit. (Bert Minga nuk ishte…)

Fillova të luaja fillimin, pak masa muzikore…, kur ‘profja’ më ndërpreu.

‘STOP PRODAN…. kjo është!!!

‘ Eee… kështu-kështu.

I telefonoi maestro Mingës dhe i tha që ‘ai djali’ e ka gjetur atë çfarë filmi kërkon. Më tej u prezantova me Bert Mingën. Kohë e artë.

Mirënjohje!”, kujtoi plot nostalgji kantautori Kujtim Prodani 30 vjet më pas, nga ai takim në korridoret e Akademisë, ku zuri fill muzika e një filmi që vazhdon të jetë edhe sot aktual.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *