Timo Flloko: Shajnë filmat tanë, se “prishin” rininë. U pika, po rininë e degjeneruat ju. Nuk mund të hedhim gjithçka poshtë
Aktori Timo Flloko, pak kohë më parë ka kërkuar falje publike për disa role që ka luajtur gjatë viteve të diktaturës dhe që kanë cenuar sensibilitetin e shtresave të ndryshme të shoqërisë.
“Publiku duhet ta dijë se për atë faj apo krim në aspektin krijues që ne kemi bërë, kërkojmë falje”, u shpreh Timo Flloko në një intervistë.
Por ai ka folur edhe për debatin në lidhje me ndalimin e disa prej filmave të realizuar përpara viteve ’90.
Flloko e pranon se në disa syresh, sidomos në filmat me partizanë, ka elemente qesharake dhe se Balli Kombëtar dhe kleri është trajtuar në mënyrë tendencioze e tallëse.
Por sipas tij, ka edhe filma që nuk përbëjnë asnjë problem.
“Po ç’të keqe ka filmi me Ismail Qemalin, po qoftë edhe ata filma me partizanë, si te “Malet me blerim mbuluar”, me atë dasmën, që për mua është një film i mirë?
A ka pasur tendencë skematike, keqtrajtuese?
Në disa drejtime, sigurisht që po. Jemi tallur e stërtallur me ballistët.
Ata kanë qenë kundërshtarë politikë, ne i kemi bërë qesharakë.
Kjo është për mua një gabim, sepse nuk i kemi evidentuar si kundërshtarë të denjë politikë, sepse ashtu kanë qenë, madje në krye të tyre kanë qenë edhe personalitete të kulturës shqiptare.
Por edhe qëndrimet ndaj kulteve fetare, priftit, hoxhës, kanë qenë ekstremisht tendencioze dhe të gabuara.
Po të kujtoj rolet e mia si partizan, te Meço, për shembull, mbaj mend që hidhja një bombë dhe i vrisja të gjithë gjermanët.
Kjo është qesharake”, tha Flloko.
Duke iu referuar pretendimeve se filmat e asaj kohe ndikojnë negativisht te të rinjtë, duke u shfaqur një imazh të rrejshëm të Shqipërisë komuniste, Flloko thotë se “rinia nuk prishet” nga ndjekja e atyre filmave.
“Ka shumë gjëra qesharake, por edhe të pranueshme. Nuk mund të hedhim gjithçka poshtë.
Unë jam i mendimit që nuk prishet rinia nga vështrimi i filmave që koha i ka gjykuar dhe i vë gjithmonë në provë.
Çfarë mund të themi për një film të jashtëzakonshëm si ‘Koncert në vitin 1936’?
Ajo është Shqipëria e atëhershme, një Shqipëri anadollake, ku kthehen dy vajza të reja, plot ëndrra, që kanë mbaruar shkollat jashtë, në Itali, siç ishte Tefta Tashko Koço.
Nuk besoj se mund të krijojnë iluzionin e një jete ideale. Dhe publiku duhet ta dijë se për atë ‘faj’ apo ‘krim’ në aspektin krijues që ne kemi bërë, kërkojmë falje”, tha ai.
“Rinia nuk prishet nga filmat tonë, po nga degjenerimi i sotëm, droga, seksi i pakontrolluar, krimet e shumta, vrasjet etj.
Ne përkundrazi, e kemi edukuar rininë me filmat tanë, jo si sot, kur nuk bëhet një film i hajrit”, thotë ai.