4 Dhjetor, 2024

Tefta Tashko Koço, këngëtarja e madhe shqiptare që u nda nga jeta 37 vjeçe

 Tefta Tashko Koço, këngëtarja e madhe shqiptare që u nda nga jeta 37 vjeçe

Tellall Trifoni bërtiste sa mundej nëpër kasabanë e Lushnjes, që askush të mos mbetej pa shkuar te rrepet e Çarshisë, ku dy hanemet e ardhura nga Tirana,-  njëra që do të këndonte e tjetra që do të lozte me hope aman-aman në një saze sa një hambar, – do të kënaqin miletin me këngët e tyre.

“Veç atë këngën “Zare trëndafile ç’ma bëre me hile”, a më qafsh po nuk e kënduat”, ishte kërkesa e vetme e tellall Trifonit, drejtuar këngëtares me diplomë nga Franca dhe pianistes që kishte studjuar në Austri, të cilat kishin lënë rrugët e asfaltuara të Evropës për t’u zhytur në baltrat e kënetës ku mushkonjat anafele dhe ato të llojit koleks bënin kërdinë…

…Ajo që e ka gdhendur portretin e saj në mendjen e çdo shqiptari, duke i bashkangjitur dhe interpretimin e mahnitshëm të këngës qytetare, i atribuohet filmit “Koncert në Vitin 1936, të regjisorit Saimir Kumbaro e me skenar të Kiço Blushit, subjekti i marrë nga tregimi “Baltrave te Myzeqese” shkruar nga Dhimiter Shuteriqi.

Në rolin e Donika Prokopit, që supozohet të jetë këngëtarja e famshme lirike Tefta Tashko, luan Manushaqe Qinami, ndërsa shoqëruesja e saj në piano Eleni Jankollari e luajtur nga Margarita Xhepa supozohet të jetë pianistja Lola Aleksi, që në atë kohë jepte mësim në Institutin “Nënë Mbretëreshë”.

E ndërkohë ky ishte veç një film artistik me episode nga jeta e këngëtares së shquar lirike, ndërkohë që shtypi i viteve ’30 të shekullit të kaluar, kishte shkriuar se Tefta Tashko ishte talent i lindur, apo, kishte lindur me “zërin e saj ëngjëllor”.

Jetëshkrimi

Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Tefta Tashko Koço u lind në Egjipt më 2 nëntor 1910. Ajo ishte dhe mbetet një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare dhe Artiste e Popullit e Shqipërisë.

Tefta Tashko ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921.

Në qytetin e Korçës janë aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 njihet si koncerti i saj i parë në publik.

Në shtator të vitit 1927, Tefta Tashko me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit.

Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.

Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.

Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.

Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, “Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”, “As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të.

Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja).

Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.

Në fund

Tefta Tashko u martua me Kristaq Koçon dhe pati një djalë me të, dirigjenitin Eno Koço, Arstist i Merituar. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. U nda nga jeta në Tiranë më 30 dhjetor 1947, në moshën 37-vjeçare.

Pianoja personale e Tefta Tashko tashmë është pjesë e Muzeut Historik Kombëtar. Pasi ka qëndruar dhe është përdorur nga sa e sa breza mësuesish dhe nxënësish të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë që prej vitit 1953, pianoja është bërë një objekt muzeal.

Krijimtaria

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Përgatiti: L.Veizi

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *