Spikerja e njohur e TVSH-së: Si u dënuam për filmin e uzinës “Enver”
Nga Blerina Goce
Një rrëfim i ish-spikeres së lajmeve në TVSH, e cila më pas u bë kineaste. Veshja “mburojë” nga “imperialistët amerikanë” dhe si shpëtoi grupi i Kinostudios nga riedukimi pas ndërhyrjes së Dritëro Agollit… Një studim për kineastet shqiptare dhe cikël dokumentarësh për gratë e suksesshme në emigracion.
Një prej spikereve të para të lajmeve në Televizionin Shqiptar, Angjelina Xhara, ka qenë vetëm 12 vjeç, kur ka marrë pjesë në emisionet e fëmijëve. Më pas, në vitin e dytë në gjimnaz, ka dhënë lajmet direkt të orës 20:00, në atë që njihej si Revista Radiofonike e Mbrëmjes. Por jeta e Xharës ishte destinuar të kalonte pas surprizave të njëpasnjëshme.
Në vitin e dytë në Universitet, më 1969-n, ajo dha lajmet si spikerja e parë e TVSH, sepse Vera Zheji nuk donte të dilte si spikere lajmesh, kështu që në ekran u shfaq Angjelina me Kiço Fotiadhin. Edhe sot, ajo e kujton me nostalgji këtë periudhë, ku ka qenë krahas spikerëve të mëdhenj. Por fati deshi që të shkëputej nga ekrani i televizionit dhe të shkonte në Kinostudio, për të qenë pjesë e brezit të parë të kineasteve në Shqipëri. Për Xharën, ky ishte një fat i madh, pavarësisht se sa e kuptonte në atë periudhë…
Një fat që do të shënjonte krejt të ardhmen e vazhdon të jetë edhe e sotmja e saj…
Me dhjetëra dokumentarë mbajnë emrin e Angjelina Xharës (Papalilo), ndërsa ajo vazhdon të krijojë, të shkruajë e të xhirojë filma të ndryshëm. Së fundi, Xhara i është përkushtuar në mënyrë të veçantë figurës femërore. Është në proces e sipër të shkrimit të një libri për gratë e kinematografisë shqiptare, ndërkohë që ka filluar të realizojë edhe një cikël dokumentarësh për gratë shqiptare në emigracion…
Jeni një nga spikeret e para të Televizionit Shqiptar. Si e kujtoni daljen tuaj të parë në ekran si spikere e lajmeve?
Kam qenë spikere në Radio Televizionin Shqiptar për një periudhë të gjatë kohore, nga klasa e shtatë fillore, kur shkova te emisioni i fëmijëve. Në vitin e dytë në gjimnaz dola në Revistën Radiofonike të Mbrëmjes në orën 20:00, ishte një emision kryesor lajmesh. Isha e vogël fare dhe s’merrja vesh as nga politika. I lexoja automatikisht lajmet. Por e kisha zërin e mirë, isha nxënëse e mirë, kishin besim tek unë dhe më lejuan që të flisja. Pastaj në TVSH u zgjodha ndër spikeret e para që fola bashkë me Kiço Fotiadhin. Më pas foli dhe Violeta Kongo dhe Amalia Çala, dy vajza shumë të talentuara dhe, më pas, kur ika nga TVSH, ishte Tefta Radi.
E mbani mend çfarë keni veshur në atë dalje të parë në ekran?
Kur fillova lajmet në televizion, më bënë një fustan të çuditshëm… Unë isha 20 vjeç, e re fare, kur pashë që fustani ishte i bërë me tyl të zi… Sigurisht me një pjesë të brendshme të bardhë. Unë e vesha shumë pak dhe përdora veshjen time… dhe e di çfarë?! Një fustan deve gri e hapur me një bolero me vija të bardha, që më kishte ardhur nga një pako e tetos së mamasë sime nga Amerika. Ndërkohë që ne shanim imperialistët amerikanë, unë e kisha si mburojë atë veshje. Pak e ngatërruar për ta besuar, por ju them ndjesinë time të vërtetë…
Ju e kujtoni me nostalgji periudhën e kaluar në TVSH. Pse u shkëputët që andej?
Më emëruan në Kinostudio, bashkë me Vllasova Mustën, që e kam pasur shoqe dhe e pata bashkëshoqëruese në Kinostudio. Kemi mbështetur njëra-tjetrën. Fillimisht isha redaktore në Kinostudio, pastaj skenariste dhe punova edhe për Ministrinë e Kulturës për kinematografinë, si shefe e kinematografisë. Demokracia më gjeti të privilegjuar. Papritur nga një lloj pasigurie që kisha lidhur me biografinë time, që tani nuk më duket e rëndësishme, them se caktimi im në Kinostudio ishte fat i madh. Te TVSH-ja do të isha shtrydhur si limoni dhe nuk do të bëja dot ata filma të bukur që kam bërë e bëj. E falënderoj Zotin dhe njerëzit, që papritur më caktuan në këtë vend.
Çfarë kujtoni nga vitet e kaluara në Kinostudio?
Dua të kujtoj Kristaq Dhamon, një drejtues artistik i mrekullueshëm i Kinostudios. Nuk kishte film dokumentar që nuk bëhej pa dëshirën e tij. Dua të kujtoj dhe Endri Kekon, por jo vetëm. Unë pak si e nxituar dhe e papjekur mora një herë një shkrim te “Zëri i Popullit” dhe bëra skenar për një nënë që kishte 12 fëmijë dhe e mirëpriste dhe të 13-in. Endri më tha: “Angjelina, dokumentari nuk bëhet asnjëherë në bazë të gazetës. Aktin mund ta marrësh, por ta qëmtosh atje, në vend, ku ndodh. Shkuam në Vlorë dhe u bë film i bukur, me përjashtim të tekstit për të cilin tani më vjen zor, se teksti atëherë kishte ideologji shumë të madhe.
Sa e keni ndier mbi supe peshën e kësaj ideologjie? Ka pasur raste kur realisht e keni pësuar për shkak të saj?
Në Kinostudio një herë u mor masa që të na çonin gjashtë muaj për riedukim. Ishte bërë një dokumentar për uzinën “Enver” dhe atje doli portreti i Fiqrete Shehut, në një kohë që ajo ishte deklaruar si “armike e Partisë”. Ndërhyri deri kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli dhe shpëtuam gjithë grupi i filmit pa u zbatuar vendimi, sepse filmi s’kishte dalë ende në kinematë e qytetit.
Ose mbaj mend kur më caktuan në një grup krijues për një dokumentar për luftë kundër fesë. Unë kam qenë e jam njeri që besoj shumë në Zot, sepse kështu më ka mësuar nëna ime e mirë. Por filmin e bëra, se ashtu ishte koha. Atmosfera në Kinostudio ishte frymëzuese, megjithatë për tema të caktuara. Artistët e kishin vetë autocensurën, se kishin parë se ku përfundonin ata që mendonin ndryshe nga e përgjithshmja socialiste.
Ju keni realizuar me dhjetëra filma dokumentarë e keni botuar edhe libra: monografi për Margarita Xhepën, një roman tuajin, një vëllim poetik… Së fundi, duket se i jeni përkushtuar figurës femërore, në libra dhe në film. Pse?
Ngaqë jam grua vetë, më ka ngacmuar ideja se si gjinia femërore është shpalosur me personalitetin e saj në të gjitha fushat e krijimtarisë në filmat e xhiruar nga Kinostudioja e re dhe për këtë kam bërë një studim të plotë. Ky studim është realizuar në fillim të demokracisë, por them që tani duhet ta rishikoj për ta plotësuar me gjëra të reja, me fenomene të reja, personalitete të reja, me shprehje të reja individualitetesh artistike krijuese në kinematografi edhe këto dy dekadat e fundit. Është punë voluminoze, e lodhshme, e gjatë dhe them se, megjithëse ka këto vështirësi, duhet bërë, se kështu bën edhe një falënderim për gjithë këtë grup krijues të grave. Dua të theksoj se unë e
kam pasion filmin e pastaj librin. Libri është më i kollajshëm se je vetëm me vetveten dhe botuesin, kurse filmi është art kolektiv, ku duhet të merresh me disa krijues. Zakonisht kam shkruar skenarin e filmave, por tani kam shkuar edhe te regjia.
Mund të përmendni disa nga kineastet që do të jenë pjesë kryesore e këtij studimi?
Një nga figurat kryesore është Xhanfize Keko, regjisore e famshme e filmave për fëmijë. Është figurë kryesore në këtë botim që do të bëhet, jo thjesht se është grua që tentoi të konkurronte dhe konkurroi me shumë sukses gjininë mashkullore, por mbi të gjitha pati një përqendrim shumë të madh dhe të bukur. Ajo pati një gjetje brenda vetes së saj. Nuk u shpërnda në gjëra të ndryshme. Fillimisht e ka filluar jetën si biletashitëse në një kinema, e dashuruar shumë pas filmave. Pastaj, pasi studioi në Bashkimin Sovjetik, ku u njoh me regjisorin Endri Keko, jeta e saj u kanalizua përgjithmonë, shpirtërisht dhe krijimtarisht në gjininë e filmit. E veçanta e saj ishte se gjeti filmin artistik për fëmijë. Aty u bë e pakrahasueshme, e patjetërsueshme. Meqenëse pjesën më të madhe të krijimtarisë e kam në regjimin tjetër, them të evidentoj gjërat më të spikatura, rezultatet më të mëdha që kanë arritur gratë në atë kohë, plus në periudhën e tranzicionit.
Por ndonëse e vetmja në zhanrin artistik, veç Kekos ka pasur edhe femra të tjera regjisore e skenariste…
Pas Xhanfize Kekos, mendoj se gruaja është prezantuar me dinjitet në filmin dokumentar si regjisore. Do të merrem me figura kryesore të grave, siç janë: Adriana Elini, Vitori Çeli, Marianthi Xhako, Donika Muçi, figura që u evidentuan me vepra të nivelit të lartë artistik. Pati vepra që gjenden në fondin e artë të dokumentaristikës shqiptare. Por edhe me skenaristet, si: Natasha Lako apo Vasllova Musta. Një vend do të zënë edhe aktoret femra në filmin artistik. Ato janë një rezultante krijuese fantastike. Figura si Tinka Kurti, Margartita Xhepa, Drita Pelinku, Behije Çela, Marie Logoreci, Besa Imami, Roza Anagnosti, Marjeta Ljarja, Yllka Mujo etj. Femra që kanë përkushtim e nuk kanë llafe. Nuk do të jetë thjesht numërim i filmave të tyre, por ato flasin për çaste emocionale, se si e kanë ndier veten në momente të veçanta nga krijimtaria e tyre lidhur me filmin. Ta zëmë, Marjeta Ljarja është martuar me Rikardin kur xhirohej filmi “Në pyjet me borë ka jetë”. Do të ketë disa “zbulime”, megjithëse ne i quajmë pak si tabu gjërat personale. Do të mundohem të ngacmoj gjëra që të jenë me interes edhe në anën personale, me guxim pak më të madh, për të treguar jetën artistike, për t’u çliruar, se në fund të fundit janë pjesë e jetës.
Shumicën e këtyre grave krijuese ju i keni pasur mike, kë do veçonit?
Dua të them se kemi pasur marrëdhënie fantastike në Kinostudio, që të frymëzonte shumë dhe është pikërisht rezultante e kësaj atmosfere krijuese që erdhën ata filma që mund të rishfaqen me kujdes dhe në ditët tona e nuk konkurrohen dot lehtë. I kam pasur mike dhe kam fotografi me to. I kam në sirtarin e kujtimeve të mia. Vitori Çeli, për shembull, më thoshte: “Angjelina, mos u lodh të kërkosh gjëra speciale në vazhdimësi. Filmi mjafton për një gjetje artistike. Ajo gjetje do ta mbajë nga ana dramaturgjike. Pastaj, pjesa tjetër do të jetë histori, nuk i shmangesh dot”. Bëmë bashkë filmin, që mori dhe çmim në Festivalin e Filmit, “Prof.Dr. Aleksandër Xhuvani”. Adriana Elinin e kam pasur mike shumë të ngushtë, të dashur e të padiskutueshme. Me të e ndieja veten shumë të lirshme, nuk kisha stresin e punës. Bashkë me të dhe Agime Fortuzin kemi bërë “Qilimat tanë”. Kemi shkuar deri në mes të maleve të Kurveleshit për të xhiruar dhe mbaj mend se kemi pasur dhe bust të Karadakut me vete. Unë isha pas dhe mbaja bustin me vete. Më thoshte Agimja: “Do të shohësh si qethen dhentë e do të hamë mish të pjekur”. Dhentë, kur shkuam atje ishin qethur dhe mish të pjekur s’hëngra, por u kënaqa me thjeshtësinë e jetës, bukurinë e pritjes të njerëzve të thjeshtë atje e xhiruam ato që mundëm.
Ju nuk kishit bërë shkollë filmi apo jo, si e mësuat profesionin?
Ne e mësuam filmin në Kinostudio. Kinostudio ishte një shkollë e madhe e mësimit të profesionit. Ata që kishin mësuar profesione jashtë shtetit, ishin shumë pak. Për shembull, vetëm Marianthi Xhako kishte mësuar profesionin e regjisores dhe ua jepte të tjerëve. Me të kam disa filma, bashkëpunime të suksesshme si regjisore e unë skenariste, për shembull për revolucionin e ’24-s.
Ndërkohë ju keni jetuar për disa vite në emigracion dhe po realizoni edhe një cikël filmash dokumentarë për gra të suksesshme emigrante…
Nuk di si do ta zgjedh çështjen e financimit të disa filmave, por skenarët i kam gati për disa figura të shquara në diasporë. Për shembull, kur xhirova në Nju Jork, njoha dy fate grash mahnitëse. Njëra ishte nga e kaluara, e persekutuar, e lodhur nga jeta. Kishte provuar të hidhurat e jetës. Ishte një nga aktoret e para të filmit shqiptar dhe u fut në burg, pati historinë e hidhur të jetës së saj. Doli nga burgu, u shkëput përfundimisht nga jeta artistike dhe vitet e fundit i kaloi në SHBA në vendin ku njeriu është i lirë, merr atë që i takon, në një vend fantastik, që respekton të drejtat njerëzore. Atje, ajo të paktën, e mbylli jetën pranë familjarëve të dashur. Ajo ka qenë aktore edhe në Itali, shkollën e kishte bërë atje. “Takim në liqen” është filmi i saj i parë dhe duhet diskutuar me Italinë që të bëhet ky film. Është shumë e bukur, që nusja e saj flet me adhurim të madh dhe kërkon të tregojë këtë histori.
Këtë cikël për gratë e fillova me filmin dokumentar për Iliriana Sulkuqin, poete emigracioni, ku loti i emigrantit del me përmasat e një oqeani. Filmi i saj dokumentar u realizua me Ilia Tërpinin dhe regjisor ishte Kolec Traboini. Kurse tjetër personazh është Rozi Theohari, grua me personalitet të veçantë, që, ndonëse fillimet i pati në Shqipëri, në 20 vite në SHBA çau me një personalitet fantastik në krijimtari, me romane e libra, me mënyrën e komunikimit të saj.